KULTURË

Zgjedhjet ne Akademi, Gudar Beqiraj në krye të Akademisë, Rama e Fuga: Farsë

09:30 - 05.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Nëse nuk reformohet, Akademia e Shkencave nuk do të marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të dorëzojë godinën! Prandaj stop farsës”. Kjo ishte thirrja publike që i bëri dje kryeministri i vendit, Edi Rama Akademisë së Shkencave, para nisjes së votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj. Gjithçka kishte nisur nga deklaratat e forta të ditëve të fundit të akademikut Artan Fuga, i cili kish kritikuar fort Akademinë, kishte kërkuar reformimin e saj dhe para se ta bënte kryeministri, kish ngritur zërin duke thënë se zgjedhjet qenë farsë.
Katër orë më vonë, kur zgjedhjet kishin mbaruar e në krye të Akademisë rivinte ish-kryetari (1 mandat) e nënkryetari (1 mandat), Rama jep këtë verdikt: Meqë ‘Akademia’ zgjodhi farsën, uroj të gjejnë edhe fondet për vijimin e farsës! Fondet tona do t’i shkojnë universitetit për kërkim shkencor”.
ZGJEDHJET
Në katër orët në mes, me 28 vota pro e tri kundër u rizgjodh në krye të Akademisë së Shkencave me një mandat katërvjeçar matematicieni Gudar Beqiraj. (Ndërkaq, ish bërë me dije se është verifikuar pastërtia e figurave) ish-kryetar në vitet 2009-2013, e zëvendëskryetar në vitet 2013-2017, ai ndërroi për së dyti vendet me Muzafer Korkutin (me 27 vota pro, 3 kundër e 1 abstenim u zgjodh nënkryetar). Menjëherë pas zgjedhjes, Beqiraj i shtriu dorën e bashkëpunimit kryeministrit duke premtuar se së bashku do të bëjnë reformën në Akademi.
“Falënderoj kryeministrin për kontributin e dhënë në kërkimin shkencor. Duke pasur parasysh eksperiencën e madhe që kam në Akademinë e Shkencave, jam plotësisht dakord e të jemi bashkëpunues me qeverinë për të realizuar reformën e me siguri kjo reformë do e çojë Akademinë përpara. Akademia duhet të ketë institucionet e saj e me këtë Akademia do të ndihet e gjallë, e tillë që të ketë produkt. Akademia e Shkencave duhet të jetë produktive për të realizuar detyra të ndryshme që ka qeveria shqiptare për ekonominë”.
Ndërsa, Beqiraj fliste para gazetarëve duke mohuar me gjithë insistimin e “GSH” se zgjedhjet qenë cilësuar farsë nga Rama, vetë kryeministri, në një postim të dytë kundërshtonte zhvillimet e katër orëve dhe ritheksonte se zgjedhjet qenë farsë.
Beqiraj nuk pranoi të komentonte më para mediave deklaratën e shefit të qeverisë, as kur u vu përballë postimit. Ai tha se do të priste letra zyrtare dhe sipas procedurës, do të priste dekretimin e presidentit për kryesinë e ASH-së.
As kryetari në detyrë, profesor Muzafer Korkuti nuk pranoi të prononcohej. Ai u gjend ngushtë, kur pasi i refuzoi gazetarët disa herë, ata i mbërritën në zyrë, duke “e detyruar” pothuajse të përgjigjet. Korkuti nga ana e tij tha se shefi i ekzekutivit është i painformuar mbi procesin e zgjedhjeve në Akademi. “Akademia do të reformohet dhe për këtë janë gati tri variante. ‘Akademi me institute dhe me dy seksione të mëdha; seksionin e shkencave albanologjike dhe seksionin e shkencave teknikonatyrore. Varianti i dytë është gjithë Akademia me institutet albanologjike dhe një variant i tretë akademi pa institute”. Korkuti shtoi se reforma e 2005-ës qe nisur nga Artan Fuga, ndaj një prej të parëve që e mbështeti ishte ish-kryeministri Berisha, duke u faturuar atyre kështu reformën që solli këtë gjendje në Akademi. Vetë Fuga nuk mori pjesë në votime, ndërsa akademikët thanë se ai nuk merr pjesë në mbledhjet e ASH-së.

KUNDËR MBYLLJES
Kundër mbylljes së Akademisë së Shkencave u shprehën dje anëtarët e saj. Ata i kërkuan kryeministrit Rama që të bëjë reformën në këtë institucion të rëndësishëm të kërkimit shkencor. Anastas Angjeli dhe Apollon Baçe mendojnë se është koha për ndryshime dhe kalim në varësi të Akademisë dhe të institucioneve të tjera. Anëtarët e Akademisë së Shkencave janë dakord që ky institucion të reformohet, por thonë se i takon kryeministrit Rama që të bëjë ndryshime të tij. Anastas Angjeli është kundër mbylljes së institucionit, një qëndrim që zoti Rama e artikuloi përmes ndërprerjes së fondeve, nëse Akademia e Shkencave nuk reformohet. Anastas Angjeli: “Nuk jam pro mbylljes dhe hapjes së ndonjë institucioni, kërkesa që bëhet për një reformim të punës shkencore kërkon një strategji të re të kërkimit shkencor në Shqipëri, të cilën nuk e bën thjesht Akademia, kërkon një reformë ligjore, kërkon një reformë institucionale. Ndërsa, Apollon Baçe mendon se Rama duhet të jetë ai që të urdhërojë riformatimin e institucioneve, duke i bashkuar Akademisë së Shkencave dhe institute që kanë për qëllim kërkimin shkencor.

FUGA
Pak ditë më parë, akademiku Artan Fuga u ka bërë thirrje gazetarëve dhe drejtuesve të mediave të vëzhgojnë dhe raportojnë atë që ai e quajti “katrahurën e 4 shtatorit”. Fuga i quajti zgjedhjet në Akademi “farsë zgjedhore”, “për krizën e thellë të kërkimit shkencor në Shqipëri, është mekanizmi që mbulon faktet që tregojnë se Akademia e Shkencave, por jo vetëm ajo, nuk është në pozicionin e duhur, në ritmin e duhur, në gjallërinë e duhur dhe në rezultatet e duhura!”. Sipas Fugës, në Akademinë e Shkencave nuk bëhet fjalë për garë zgjedhore, por për një farsë, e cila synon të mbrojë status quon-në e atyre që sot janë në pushtet në ASH.
Dje, pas zgjedhjeve, ai në vend të urimit për kryesinë e re të Akademisë të Shkencave, shkruante: “Akademikë, shpëtojeni urgjent Akademinë nga kalbëzimi!”. “Këto zgjedhje nëse nuk shpallen ‘non-lieu’, sot apo nesër, janë kambana e fundit për Akademinë e Shkencave!
Asgjë nuk e ndaloi që sot, në 4 shtator 2017 në Akademinë e Shkencave të ndaloheshin zgjedhjet që nuk janë zgjidhje!
Zgjedhje thjesht rrotative, ku kryesia rizgjidhet si e njëjta kryesi, si një rikthim i përjetshëm rrotavi rreth së njëjtës gjë, ndërkohë kur i gjithë opinioni i vendit e tregon me gisht Akademinë si një institucion që ka degraduar! Zgjedhjet sot e kundërvunë Akademinë e Shkencave me arrogancë kundër opinionit publik të vendit!”, shkruante ai. Sipas Fugës, dorëheqja ose ngrirja nga të gjitha funksionet e kryesisë është i vetmi hap që do të çlirojë Akademinë e Shkencave nga modeli i vjetër, i pareformuar, në lëngimin e fundit të një institucioni që duhet dhe mund të ishte splendid dhe në krye të mençurisë kolektive të shqiptarëve.


Reagimi i LSI
Pas paralajmërimit të Edi Ramës se nuk do t’i japë më fonde Akademisë së Shkencave, ka reaguar edhe kryetari i grupit parlamentar të LSI. “Akademia e Shkencave ka nevojë për reformim, por jo për inkuizicionin financiar të kryeministrit. Shkenca nuk ka nevojë për asgjësim, rrethim dhe izolim. Shkenca ka nevojë për mbështetje, përkrahje, legjislacion të ri të përparuar dhe reformë të thellë. Inkuizicioni mesjetar i kryeministrit pjellë e padijes dhe anti-shkencës”, u shpreh Vasili.


REAGIMI I PD
Pas kritikave të akademikut Artan Fuga për heshtjen e PD mbi Akademinë e Shkencave, reagoi deputeti Ervin Salianji. Përmes një statusi në “Facebook”, ai shprehej se Rama është kryefarsa në këtë që po ndodh, ndërsa shtoi se kryeministri “u soll si pronar”. “Kryefarsa është Rama! Pooooo, zgjedhjet janë problemi, vota e lirë është drama, këtë kemi thënë, për këtë lëshojmë britma dhe japim fakte, për këtë kemi bërë beteja dhe bëjmë thuajse çdo ditë. Reformimi i institucioneve bëhet me propozime, me konsultime dhe me ligj dhe akte jo, me dëngla ‘Facebook’-u për komunikim politik!”, tha Salianji.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.