KULTURË

Artan Fuga, Ramës: Unë kritiku juaj, ju kërkoj reformën e Akademisë

09:45 - 06.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Artan FUGA

Uroj që zoti kryeministër, Edi Rama të mos të ketë frikë: Pa transformimin e Akademisë të Shkencave, asaj t’i ndërpriten fondet publike!
Zoti kryeministër,
jam përsëri unë kritiku Juaj që po Ju shkruaj! Sa herë që ka një debat thelbësor, është rregull i ndërtimit të opinionit publik që sapo sqarohet një pozicion, turbullira vazhdon në drejtime të tjera. Deri në zgjidhjen e problemit! Duke e njohur thellë këtë qenie të gjallë që është opinioni publik, nuk më bën përshtypje, përkundrazi e pres me haré vazhdimin e debatit! Unë personalisht ende nuk i kam shpalosur në publik atë që imagjinoj sesi duhet të jetë Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Kryesia e re – e vjetër- nuk e bën dot këtë sepse sikurse thashë është ajo që e ka kalbëzuar! Gabimet e qeverisjes Tuaj të kaluar zoti Edi Rama, në këtë fushë janë dy kryesoret:
1. U Bllokua reformimi i universiteteve dhe agjencive publike të kërkimit shkencor, duke i ngurosur e murosur ato.
2. U ndërtua një model i universitetesh private, i cili, përmblidhet kur është fjala për universitete private gjeneraliste të tejkaluara nga koha, në mungesë efikasiteti në realizimin e kërkimit shkencor dhe në formimin e rinisë universitare kur ai lejohet të orientohet në mënyrë të gabuar sikurse ndodh në rastet flagrante që do të kem rast t’i analizoj më pas.
Do të kisha dashur zoti kryeministër Edi Rama të ishit shprehur më parë sesa dje në mëngjes, in extremis, në minutat e fundit para farsës të zgjedhjeve në Akademinë që disa e quajnë Mamuth i kalbur, por unë nuk e bëj, ta kishit konsideruar gjerërisht dhe në publik se Akademia e Shkencave kishte nevojë të reformohej dhe se po qe se nuk reformohej do të rishikonte alokimin e buxheteve publike ndaj saj!
E dini përse? Sepse kryesia e akademisë deri tani na ka mbajtur nën presion duke na servirur se mosveprimi i saj vinte nga konsultimi me agjenci qeveritare, komisione ministeriale, etj.! Kritikat ndaj saj për rrjedhojë Ju preknin edhe Ju!
Do të doja gjithashtu të fliste ministrja e arsimit zonja Lindita Nikolla, e cila duhet gjithashtu të ketë pendesën e vet për gjendjen ku e la kërkimin shkencor dhe arsimin e lartë në fund të mandatit të saj. Uroj ta nisi mbarë dhe pa ndikime nga teveqela këtë mandat të ri dhe të presi pa frikë urat e influencës që kanë mbi të lobi që e vendosën pa e kuptuar ajo në konflikt me interesat e rinisë, dijes kombëtare dhe me detyrat e saj.
Por, kjo është në dorën e saj.
Ndërkaq sado kritik jam dhe do të jem kur duhet me politikat në shkencë dhe në arsim (miku im Andi Bushati të mos ketë dyshime për këtë) madje edhe në kulturë e arte, në turizëm dhe teknologji po se po, nuk mund të jem i squllët, dogmatik dhe leshko e të mos deklaroj hapur: Jam i kënaqur që Ju kreu i ekzekutivit shqiptar deklaruat dje se kërkoni reformimin e Akademisë të Shkencave.
Ata që shqetësohen për këtë qëndrim Tuajin, mos bëhen qesharakë, e të aludojnë një lidhje të fshehtë Tuajën me mua dhe timen me Ju, sikurse u bënë qesharakë ata që kur thosha se falënderoj dr. Berishën që denoncoi kërcënimet e para disa ditëve ndaj meje, shihnin te falënderimi im, detyrim etik ndaj Tij, një shkelje syri nga ana ime ndaj zotit Sali Berisha dhe një lidhje time komplotiste me Të! Sinqerisht më lejoni t’Ju them hapur se nëse Ju zoti Rama nuk ndërprisni fondet që vijnë nga buxheti publik, duke përfshirë edhe rrogën time, (sa keq më vjen për të!) sipas rregullave normative të një shteti të së drejtës, nëse Akademia vazhdon mban në krye të saj një kryesi fajtore për mosreformimin e saj, një Akademi që nuk jep asnjë produkt të dobishëm për kërkimin shkencor, që pret me gojë hapur ta ushqejë shteti pa i dhënë agjencive publike dhe private produktin e premtuar, duke i ushqyer me rrena ato, vetë Ju zoti kryeministër do të mbani përgjegjësinë që Ju takon në planin administrativ dhe politik. Unë do ta akuzoj hapur dhe drejtpërdrejtë politikën tuaj në atë rast fatkeq se po bën një keqmenaxhim të parasë të shqiptarëve duke e keqpërdorur dhe shpërdoruar atë! Po paguan rrena, në shkëmbi të trafikut të influencave, në kuptimin e shpërblimit të një produkti fallco dhe pa cilësi! Nuk ka këtu as diktaturë, as autoritarizëm, as gjë pe gjëje nëse kryesia e Akademisë të Shkencave do t’Ju detyrojë ta bëni këtë. Parimi i parë i kontratës është: ja paratë publike kundrejt shërbimit publik! Ndërprerja e ofrimit të shërbimit dhe produktit, ose skarciteti i tyre, shoqërohet automatikisht me ndërprerjen e parasë publike!
Këtu nuk ka vend për gargarizma politike! Unë riftoj Lindita Nikollën, sapo ta marri detyrën e saj, sikurse kam bërë publikisht para dy vjetësh, të auditojë financiarisht Akademinë e Shkencave sepse atje do të shohi se çfarë ndodh me paranë që u merret shqiptarëve dhe i jepet një agjencie të pareformuar. Sigurisht kjo ndërprerje fondesh nëse farsa vazhdon nuk mund të bëhet që nga twitteri, as nga fcb, as nga fletushka periferike që “kakarisin”, nga fundi i oborrit kur në godinë ka rënë flaka dhe ato duan të kalojnë me këtë rast interesin e tyre egoist, modelin lekaxhi, por në fund nëse nuk ka reflektim duhet të bëhet! Zoti Kryeministër një kritik juaji si unë ju thotë: Mos u tërhiqni nga ajo që deklaruat, një Akademie me këtë kryesi të ri-ri-cikluar dhe përgjegjëse e penguese e reformës, me këtë Akademi të plakur, të kalbëzuar, pa transparencë, pa bërë transparencën e pastërtisë të figurës të Akademikut, të pareformuar, po nuk reflektoi shpejt, thellë, pa deklarime banalitetesh si dje, ndërpritini fondet!
Përndryshe do të akuzoheni Ju si aleat i shpërdoruesve të fondeve publike! Ministra teknike zonja Karabina, pa asnjë kontroll kritik as nga opozita që e delegoi në këtë post, përfitoi nga rrëmuja dhe implikoi edhe Presidentin e Republikës z. Ilir Meta, i cili certifikoi një rektor, pa qëllim të keq, pavarësisht se ky Rektori është në sytë e mi njeri i mirë, por që për gabim të tij është në krye të një institucioni publik të paligjshëm. Duke e mbyllur, më lejoni t’ju them zoti Kryeministër, se unë ndruaj shumë se Ju do të keni frikë ta çoni deri në fund premtimin tuaj të djeshëm, unë uroj të mos ta keni frikën se do t’Ju akuzonin për prishës të Akademisë të Shkencave. Atë po e prish kryesia e ri-ri-ricikluar e saj. Ju duhet të ushtroni ndikimin Tuaj, t’ua shpjegoni anëtarëve të kryesisë rrugën pa krye ku janë futur, dhe të administroni si duhet paratë e shqiptarëve, dhe në rastin eksterm fatkeq t’i coni financimet te kërkuesit shkencorë që punojnë e jo atje ku për faj të drejtimit nuk ka as produkt e as shërbime! Në të kundërt, përgjegjësia do të vazhdojë të bjerë mbi Ju,
Me dashamirësi e urime për sukses,
Artan Fuga
Anëtar i Akademisë të Shkencave


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.