KULTURË

Reagon ministrja Lindita Nikolla: Akademia ka humbur arsyet e ekzistencës

09:35 - 06.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Pas debatit për Akademinë e Shkencave, zgjedhjen e kryesisë së saj, gjendjen ku ndodhet dhe nevojën për reformim, ka reaguar ministrja e Arsimit Lindita Nikolla. Në një postim në profilin e saj zyrtar në “Facebook”, ajo mbështet kryeministrin që e kërcënoi me prerje fondesh dhe marrje të godinës Akademinë e Shkencave. Në vijim, Nikolla bën me dije takimet që kanë pasur vitin e shkuar dhe pikat që sipas saj nuk është rënë dakord.
REAGIMI I PLOTË
“Kush e komenton mbrapsht politikisht, mediatikisht apo inatçorisht deklaratën e djeshme të kryeministrit mbi Akademinë e Shkencave, si një reagim momental, është në rastin më të mirë i painformuar.
Kryeministri është angazhuar prej kohësh në një dialog me anëtarët e Akademisë së Shkencave. Në takimin e realizuar në Kryeministri, në maj 2016, me akademikët dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit e Sportit, ai ka nënvizuar domosdoshmërinë e reformimit të institucionit dhe ka kërkuar përulësisht kontribute me shkrim nga vetë akademikët.
Po ashtu, ai ka kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit angazhim të plotë në këtë dialog, ku fatkeqësisht pritëm gjatë për një kontribut konkret dhe të vlefshëm nga ana e Akademisë së Shkencave, por që nuk erdhi kurrë.
Sidoqoftë, ne kemi vijuar punën tonë në tri drejtime:
a. Shkrimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Kërkimit Shkencor, Teknologjisë dhe të Inovacionit, për vitet 2017-2022;
b. Përgatitjen e Dokumentit Politik për Reformimin Institucional të Kërkimit Shkencor;
c. Përgatitjen e draft ligjit të ri për shkencën, teknologjinë dhe inovacionin.
Produktet e punës, në të tri këto drejtime, flasin vetë dhe, me fillimin e punës së qeverisë së re, do të dalë në pah edhe pseja e deklaratës së djeshme të kryeministrit, të cilën e mbështes plotësisht, si të gjithë ata që e kanë ndjekur nga brenda ecurinë e këtij procesi. Të njëjtën bindje me kryeministrin ndajnë edhe persona të tjerë, publikisht të rreshtuar më shumë se sa një herë kundër qeverisë.
Zgjedhjet e djeshme në Akademi ishin pika e fundit që derdhi kupën e mbushur në vite, sepse dëshmuan mungesën më shembullore të çdo sensi reflektimi mbi kalbëzimin, tanimë pa kthim, të atij institucioni. Prandaj, edhe financimi publik i Akademisë së Shkencave në këto kushte do të ishte thjesht bashkëfajësia në heshtje përballë një fakti kokëfortë: Akademia e Shkencave ka humbur çdo arsye dhe funksion të ekzistencës së saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.