KULTURË

Betim Muço, botohet libri që pat në duar para vdekjes

09:42 - 07.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira Nikolli

Betim Muço, poet e shkencëtar u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare në janar të 2015-ës. Timid dhe i tërhequr, siç ish, shkoi në heshtje, siç edhe jetoi. Autori i disa vëllimeve poetike, tregimeve të shkurtra, novelave dhe romaneve, para se të shuhej ai kish në duar një tjetër vepër. “Yjet janë fare pranë”, me autor Betim Muço, krijimi artistik i fundit i tij, të cilin e la në dorëshkrim e të papërfunduar, sapo është botuar nën siglën e “OMSCA-1”.
E shoqja, Marta, thotë se “Libri që po merrni në duar u shkrua në gjysmën e dytë të vitit 2014 dhe deri në 14 janar 2015. Betim Muço kishte kohë që përtypte lëndën e parë të narracionit në mendjen e tij. Ishte një përsiatje e gjatë që fillonte nga historitë e mbledhura me dashuri nga burimi i pashtershëm i gjyshes së tij dhe rrënjët në Përmetin e largët, ëndrrat e tij për astronominë dhe yjet e deri te vëzhgimet e udhëtimet e pafundme profesionale që ai kishte pasur gjatë dhjetë viteve të para të tranzicionit shqiptar nëpër Europë e më tej.
I lindur ne vitin 1947, Betim Muço i pat mbaruar studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë. Mandej, për shumë vjet pat punuar në Institutin e Sizmologjisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe prej 1993 deri 1997 ka qenë drejtor i këtij Instituti.
“Unë pata fatin të vështroja nga afër procesin e vështirë dhe sublim të krijimit të këtij libri që për fat të keq autori nuk arriti të vinte pikën e fundit me dorën e tij”, thotë bashkëshortja Marta Muço. Vëren se, megjithatë, romani “Yjet janë fare pranë” mund të quhet i mbaruar jo vetëm për faktin se vetëm pak faqe të fundit mungojnë, por, sepse tashmë nga lënda e paraqitur në 11 kapitujt dhe letrat shoqëruese drejtuar Hamletit del qartë fundi i menduar nga autori si dhe mesazhet që ai përcjell.
LIBRI
“Ajo çka e bën këtë libër veçanërisht të dashur për mua është fakti se Betimi punoi në të deri në momentin e fundit të jetës së tij, deri vetëm pak orë përpara se të ndahej nga jeta, dhe unë kam gjithnjë përshtypjen se aty midis rreshtave është fryma e tij e fundit, mendimi i tij i fundit”, sqaron Marta. Ai e punoi romanin në një pjesë të mirë të tij në Sarandë, ku ai qëndroi i ngujuar për dy muaj në apartamentin e vogël veror të buzëdetit, në një mjedis që gjithmonë i kishte ngjallur atij frymëzim dhe dëshirë për jetën, frymëzim dhe këmbëngulje për të punuar.
Sipas saj, një nga gjetjet më të goditura të romanit për mua mbetet përcjellja e jetëve paralele të njerëzve në situata të ngjashme tranzicioni dhe transformimesh të thella. Pavarësisht ku ndodhet njeriu dhe roli që gjeografia ka në të, rrethanat jetësore e bëjnë njohjen, vuajtjen, dashurinë dhe dështimin universal pa kufij vendesh e popujsh. “Koncepti pan njerëzor i ndryshimeve në karakterin e njerëzve në funksion të ngjarjeve të mëdha të kohërave të ndryshme ku ata jetojnë, sikurse ishte zëvendësimi i një sistemi ekonomik e shoqëror të dështuar me një sistem të ndryshëm që sillte shpresë dhe entuziazëm, por që shoqërohej pashmangshmërisht nga zhgënjime dhe transformime në natyrën njerëzore, është thelbi i romanit”, thotë Marta Muço. Shënon, se pavarësisht kushteve ekonomike dhe shoqërore që qëndrojnë në formimin e tyre jetësor, Dritani një profesionist i shkëlqyer që vjen nga një vend i vogël si Shqipëria dhe konkurron suksesshëm në një vend të madh e të zhvilluar, Juri një shkencëtar i talentuar që vjen nga një vend i madh, por që kalon pjesën kryesore të jetës së tij në përvojat e ashpra të ndryshimeve dhe transformim të sistemeve, paraqiten në roman si qenie të afërta njerëzore që vuajnë, kuptohen dhe zhgënjehen në mënyra të ndryshme, por që kanë një ndikim të krahasueshëm në karakterin dhe jetën e tyre të përditshme. “Jetët paralele të tyre, një familje që reflekton tranzicionin në Shqipëri, me një familje që vuan rrethana të vështira prej të njëjtit ndryshim socio-ekonomik në Rusi, plotësojnë atë brumë jetësor që e bëjnë epokën e përshkruar në roman universale dhe të aplikuar pavarësisht kufijve gjeografikë të ngjarjeve”, sqaron në parathënien e veprës, Marta.
Njerëzit vijnë në këtë ngjarje nga rrethana të caktuara. Sipas saj, brumi njerëzor i formimit të shkencëtarit shqiptar është i pasur me doke e zakone karakteristike që vijnë nga e kaluara e largët e Jugut të Shqipërisë dhe që e bëjnë personazhin kryesor kompleks dhe interesant. Ai është produkt i një historie që vjen pjesërisht nga zonat rurale, në të kundërt të personazhit tjetër, i cili vjen nga një familje urbane në Rusi. Dhe përsëri jetët e tyre paralele dhe psikika e transformimeve janë kaq të ngjashme.
Bashkëshortja kujton se një element i dashur i autorit, i përdorur gjerësisht në roman, është astrofizika. Ky element e bën librin qiellor dhe e vendos atë në një tjetër plan. Diskutimet e tij mbi yjet dhe paralelizmat që krijohen nga përshkrimet e punës së njërit nga personazhet në observatorin e kërkimeve të astrofizikës janë një nga elementet e veçanta të romanit. “Njohuritë e thella të Betimit në këtë fushë i dhanë atij një platformë unikale diskutimi të vetë jetës njerëzore, duke kombinuar elementet yjore, natyrën me të papriturat e zbulimeve të saj me natyrën njerëzore, përpëlitjet, pasiguritë dhe njëkohësisht dashurinë, si ndjenja më e fortë e sublime e njeriut”.


KAPITULLI I FUNDIT
Ai nuk mundi të shkruante fundin, duke shënuar fundin e tij para atij të veprës.
Për bashkëshorten, një nga preferencat e saj në gjetjet letrare e autorit është bashkëbisedimi i njërit nga heronjtë, me Hamletin. “Ky element letrar e përshkon gjithë romanin në formën e letrave që ai zgjedh t’i shkruajë Hamletit, heroit të përjetshëm tragjik shekspirian që simbolizon ndershmërinë, dashurinë, besnikërinë dhe integritetin e njeriut në një kontekst të vështirë e të trishtuar psikologjik”, thotë ajo. Nga pikëpamja letrare bashkëbisedimi i përsëritur i autorit me lexuesin nëpërmjet letrave është një element i përdorur me sukses nga autori edhe më parë në formën e këngëve midis kapitujve në romanin e tij “Gjurma e vetëtimës”, kushtuar vrasjes tragjike të Isa Boletinit. Mbase këto letra te “Yjet janë fare pranë” janë nga përsiatjet më filozofike të Betimit në roman. Nga ana tjetër ato përshkruajnë edhe njëherë me realizëm të thellë tragjeditë dhe dashurinë njerëzore pavarësisht kohës dhe vendit.
“Për një koincidencë të dhimbshme rrethanat e hapjes së romanit janë shumë të prekshme për mua. Njeriu që shpëtoi doktori nga vdekja po luftonte pikërisht me diagnozën e vdekjes së Betimit. Monologu i tij për jetën, sa delikate është ajo dhe sa pak e vlerësojmë kur e kemi, tingëllon e shkruar sa për veten e tij dhe për ditët e fundit të Betimit aq edhe për të gjithë njerëzit”, thotë Marta, duke shtuar se “me të vetmin ndryshim që heroi i tij e shpëtoi pacientin, por Betim Muço nuk e pati atë fat. Dhe mua më duket vazhdimisht sikur m’i thotë ato fjalë në vesh: jeta është delikate, mos e keqpërdor atë! Ngushëllimi ynë i vetëm, imi dhe i fëmijëve të mi, është ky libër i mrekullueshëm që ai na la para se të ndahej nga ne, që me gjithë kompleksitetin dhe trishtimin që e përshkon është një këngë e bukur për dashurinë njerëzore. Kjo na bëri ne të vendosim ta ndajmë atë me të gjithë ju”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.