KULTURË

Muzafer Korkuti Kritikat, jep dorëheqjen nënkryetari 81-vjeçar i Akademisë

10:35 - 07.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

48 orë kritika e kanë bërë të dorëzohet nënkryetarin e Akademisë së Shkencave Muzafer Korkuti. 81-vjeçar, me kontribute në arkeologji e mandej në Akademi, të hënën ai u votua si nënkryetar.
Akademia u vu në qendër të vëmendjes për shkak të dy statuseve të kryeministrit që cilësoi zgjedhjet e kryesisë farsë dhe kritikat e akademikut Artan Fuga. “Kërcënimet” shkuan deri te prerja e fondeve dhe marrja e godinës. Prej aty, nisën “gërmimet” që ia mbërritën të “zbulojnë” buxhetin që shteti i jep Akademisë, buxhet për të cilin media kishte raportuar, duke përcjellë shqetësimet se është i pakët për nevojat. U përmendën paratë, financimet e librave, dritat, godina si edhe “mbajtja peng e Akademisë”, edhe pse katër vjet rresht ishte diskutuar reforma. Zërave iu shtuan ministra e politikanë.
Në mes të kësaj gjurulldie, ku mendim dha kush pat dëshirë, edhe vetë ata që kishin vënë gurin e tyre në këtë “komë” të akademisë, ish- kryetari, tashmë zëvendës, të mërkurën në mëngjes, i ka dorëzuar kryetarit dorëheqjen. “Për arsye personale”. Asnjë sqarim më shumë. Akademiku i Përhershëm Muzafer Korkuti, fitoi të hënën me 27 vota “PO”, 3 vota “JO” dhe 1 fletë votimi të pavlefshme.
Nuk pranoi të sqarojë as për “GSH” arsyet që e bënë 81-vjeçarin të japë dorëheqjen, megjithëse në “GSH” kish qenë disa herë i pranishëm me artikuj e studime, si edhe me intervista për gjithë ç’bëri 4 vjet në krye të Akademisë. Mbase i ndjerë i tradhtuar, thjesht mori rrugën drejt Vlorës, duke refuzuar komunikim e takime me të gjithë.
Prej vitit 2009, kryetari e nënkryetari, Gudar Beqiraj dhe Muzafer Korkuti, me zgjedhje dhe konform ligjit, kishin këmbyer postet me njëri-tjetrin, çka e shtoi vrullin e debatit.
MBLEDHJA
Dje, kur lajmi i dorëheqjes po përhapej, Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, njoftoi për “Mbledhje të jashtëzakonshme të Asamblesë së Akademisë së Shkencave” me porosinë: “Merrni masa për pjesëmarrjen!”.
Njoftimi i ASHA, thotë se kryesia e ASH-së me propozim të sekretarit shkencor thërret mbledhjen e jashtëzakonshme dhe të zgjeruar të asamblesë së Akademisë së Shkencave, me këtë rend dite: 1. Ngritjen e komisionit të akademikëve për të gjitha çështjet e reformës institucionale në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me mandat të plotë përfaqësimi dhe negocimi nga asambleja e akademikëve. Mbledhja do të zhvillohet ditën e hënë, datë 11 shtator 2017, ora 11. 00 në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave. Do të jetë kjo mbledhje që do të japë drejtim bashkëpunimit me qeverinë e Ministrinë e Arsimit, megjithëse këta të fundit, kanë deklaruar publikisht se do t’i presin fondet. Përtej deklaratave publike, në Akademi, deri dje nuk ka mbërritur asnjë shkresë zyrtare për ç’është thënë. Dhe “carta conta”.
Procedura
Ligji Nr.9655, datë 11.12.2006, (i ndryshuar me ligjin Nr.9853, datë 26.12.2007, me ligjin Nr.9949, datë 7.7.2008, me ligjin Nr.10 271, datë 22.4.2010) mbi të cilin funksionon Akademia parashikon që për zëvendësimin e nënkryetarit, të bëhet thirrje publike, të priten kandidaturat, për të cilat do të ketë verifikim figure e pas dy muajsh të rimbahen zgjedhje. Kjo është procedura që do të ndiqet edhe në këtë rast. Megjithatë, mbledhja e asamblesë së ASH-së, të hënën me 11 mars, do të hedhë dritë më shumë edhe mbi vetë fatin e Akademisë, që duket se rrezikon më shumë se kurrë.

 

Artan Fuga: I kërkoj ndjesë Korkutit, nëse e kam lënduar

Lidhur me dorëheqjen e nënkryetarit të Akademisë të Shkencave ka reaguar akademiku Artan Fuga. “Me këtë rast unë përulem me respekt për profesor Myzafer Korkutin, duke e risiguruar atë sikurse kam bërë çdo ditë dhe çdo orë të këtyre ditëve me debate dhe tensione të mëdha për të ardhmen e Akademisë, pa e humbur kurrë toruan dhe respektin, se unë vlerësoj maksimalisht kontributin e tij prej disa dekadash si shkencëtar dhe edhe më shumë edhe si menaxher i agjencive kërkimore shkencore të vendit”, ka thënë ai. Sipas Fugës, në vitin 2005, në krye të një auditi shkencor në institutet e atëhershme akademike, ku gjetëm një gjendje katrahure e cila është pasqyruar me detaje në raportet e kohës, vetëm në Institutin e Arkeologjisë të drejtuar nga profesor Myzafer Korkuti gjeta ekselencën ku ndihej dora e tij. “Fondet e çmuara edhe në ditët më të këqija atje u ruajtën dhe u siguruan. Atje ndihej dora e Tij! Unë përulem sinqerisht para atij brezi shkencëtarësh, duke shpresuar se shkenca shqiptare, që prej kohësh lëngon dhe e ka humbur shkëlqimin e vet për një mijë arsye që nuk varen nga profesori, do të dijë të ngrihet. Dhe shpejt madje! Unë uroj që profesor Korkuti të ketë krijimtari të gjatë dhe kontribut energjik brenda një asambleje akademikësh, e cila ka mundësi t’i gjejë të gjitha rrugët për t’ia hequr vellon e dështimit institucionit!”, ka shkruar Fuga. Ai thotë se “unë i kërkoj ndjesë profesorit që pa dashjen time, në kërkim të rrugëve për ta nxjerrë nga kriza dhe farsa Akademinë e Shkencave, unë e kam ndoshta lënduar anashkalimthi edhe atë, duke bërë çfarë kam pasur në dorë të evitoj konfuzionin e njeriut me institucionin. Por, duke theksuar gjithnjë se nuk ka pasur asgjë personale me të, as me një njeri tjetër dhe duke i shprehur respektin tim më të veçantë shtoj se mençuria e profesor Korkutit duhet të ndriçojë pjesën tjetër të kryesisë për të dhënë dorëheqjen dhe hapur rrugë për transformim dhe reformime, të cilat këto vite fatkeqësisht nuk janë kuptuar, janë penguar dhe madje në raste të ndryshme të përsëritura janë censuruar”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.