MILOSAO

Braktisja e Periferisë Letrare

11:05 - 11.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Dr. Arian Leka

Megjithëse sugjerohet mirëkuptim në përdorimin e ngushtë të termave “letërsi të vogla” / “letërsi e margjinave” / “gjuhë të mëdha” / “gjuhë minore” apo “kulturë / gjuhë e shkrimtar periferish”1, sa herë që përkufizojmë nocionin letërsi e gjuhëve të vogla jemi thuajse në një mendjeje se në kuadrin e “kulturës globale” krijimtaria letrare e këtyre gjuhëve e humbet autonominë, duke u bërë e varur nga përkthimet, përkthyesit dhe nga shtëpitë botuese. Pjesë e kësaj vartësie është edhe letërsia shqiptare.
Përmes këtyre termave studiuesi Theo D’haen rikthen në kritikën letrare konceptin e një “perspektive botërore” në të vështruarit e letërsisë. Përveç këtyre, kërkohet marrëveshje edhe në përdorimin e përkufizimeve “kulturë / gjuhë e shkrimtar periferish” apo “kultura të vogla”2 dhe “letërsi e margjinave”3
Në punimin e saj Not Small. Minor4 studiuesja Jana Bukova mbështet mendimin se të përkthyerit e librave prej “letërsive të vogla” drejt gjuhëve kryesore është një akt që shkon kundër ligjit të gravitetit. Por duke e vështruar përkthimin e këtyre letërsive si domosdoshmëri, ajo propozon dy mekanizme për zgjimin e interesit të zonave të mëdha kulturore e gjuhësore ndaj letërsive më të vogla. Thënë me fjalët e studiueses, kjo parasheh futjen në fokusin e shikimit të small literatures drejt major languages.
Ngaqë vijmë nga sfonde historike, sociale dhe kulturore të ngjashme, konstatimet e mëposhtme mund t’i shërbejnë letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptarë për të filluar daljen nga izolimi letrar përmes projekteve dhe iniciativave të përbashkëta mes institucioneve publike të kulturës, autorëve, përkthyesve letrarë.
Mekanizmi i parë që nënvijëzohet është vëmendja institucionale, shoqëruar me nisma dhe veprime “protranslatore”. Pas këtyre hapave, angazhimi i sferës publike dhe private të kulturës së shkruar, përfshirja e kritikës letrare, shprehja e botës akademike, sistemi i vlerësimit, i nxitjes së leximeve publike, qarkullimi i energjisë së krijuar në medie dhe në jetën universitare, si pjesë e lëvizjeve brenda sistemit, janë reagimi i pritshëm.
Edhe pse deri më sot, me përjashtimet e disa nismave të viteve të fundit, nuk ka funksionuar kështu, utopia bëhet e nevojshme, sidomos për vende si Shqipëria, ku me letërsi përfytyrohet vetëm shkrimi dhe botimi i krijimtarisë letrare, por jo edhe mbartja e saj përtej kufijve kulturorë e gjuhësorë. Elementet e tjerë, që i zgjerojnë vlerën e përdorimit këtij produkti kulturor, si promovimi, nxitja e kulturës së leximit dhe shkrimtaría e përkthimi letrar si profesione të lira (freelance), mbështeten pak, qoftë edhe në krahasim me rajonin.  Këtyre projekteve u drejtohen konstatimet dhe pyetjet e Bukova-s, kur shtron pyetjen se kush qëndron prapa autorëve të letërsive të vogla. “Prapa autorëve hungarezë qëndron shteti hungarez. Prapa autorëve kroatë, siç e dimë, qëndron shteti kroat. Pas suksesit të një të autori aq të vështirë dhe çoroditës si Cãrtãrescu, qëndron dhe shihet shteti rumun”5. Po pas autorëve të letërsive të tjera, që shkruhen në gjuhë të vogla kush qëndron? “Askush!”


Pas tyre nuk shihet askush si përfaqësim institucional. Gjithçka vëzhgohet si një nismë personale, pa qëllim të mëtejshëm.
Me gjithë vëmendjen e shtuar dhe nismat më të fundme të Ministrisë së Kulturës, tek të cilat janë vërejtur fryte, por që shpresohet dhe pritet rezultat më shumë se thjesht prani apo pjesëmarrje (si në rastet e Panaireve Ndërkombëtarë të Librit) kur vjen fjala për projekte afatgjata dhe të bashkërenduara me faktorë të tjerë dhe sidomos kur nënvizohen qëllime, duhet thënë se edhe pas autorit shqiptar nuk qëndron ende askush.
Iniciativat që ekzistojnë, përfshi këtu edhe ato me mbështetjen e Komisionit Europian, e kanë pasuruar mjedisin letrar, kanë zgjeruar mundësitë, por nuk kanë mundur ende të krijojnë një sistem. Faza e parë e këtyre iniciativave do të ishte identifikimi dhe informimi e audiencave të huaja që interesohen rreth emrave dhe panoramës së letërsisë shqiptare, rreth letërsisë bashkëkohore kryesisht, por edhe të brezave të ndryshëm letrarë e të kulturës së shkruar shqiptare në përgjithësi.
Ky propozim, me gjithë mangësitë, ekziston formalisht në faqen e Ministrisë së Kulturës, ndonëse nuk ka të dhëna mbi dobinë. Aty nuk dallohet përfshirja e informacionit apo të dhëna sistematike mbi listën të gjithë librave të autorëve shqiptarë të përkthyer në gjuhë të huaj, mbi përkthyesit dhe mbi shtëpitë botuese të tyre jashtë Shqipërisë, gjë që mund të bëhej ftesë tërheqëse për botuesit e huaj. Ky fakt, veç mosinformimit, nxit edhe mitet letrare të periferisë. Gjithashtu, edhe faqet web apo rrjetet sociale të shtëpive të njohura botuese nuk kanë ende një buton a një rubrikë në gjuhë të huaj mbi propozimet që ato bëjnë në dobi të autorëve shqiptarë që ata vetë botojnë. Aty nuk gjen as tituj, as synopsise të librave dhe as ndonjë promocion që mund t’i vinte në lëvizje botuesit e huaj drejt autorëve shqiptarë. Kjo bën që konfigurimi i sistemit tonë të jetë formatuar vetëm drejt modelit marrës, një importues i thjeshtë pa produkt, pa propozim.
Elemente që do të dëshmonin praninë e një sistemi do të ishin bashkërendimi i projekteve dhe marrëdhënia mes produktit kulturor. Por kjo marrëdhënie nuk vërehet mes veprimtarisë së institucioneve shtetërore, që emetojnë politika kulturore dhe fonde nxitëse dhe faktorëve të tjerë aktivë, si për shebull shoqatat e autorëve e të përkthyesve letrarë, joekzistente apo jofunksionale.
Bashkëpunimin nuk vërehet as mes revistave letrare dhe mes atyre që ndajnë çmime për letërsinë, as mes shtëpive botuese vendase dhe shtëpive botuese prestigjoze në Europë e më gjerë, nuk dallohet bashkërendim as mes portaleve, që kanë në vëmendje tekstin letrar dhe as mes festivaleve, që pasurojnë skenën dhe klimën kulturore, nuk ka përkim projektesh as mes shoqatave të botuesve me libraritë që kanë kënde leximi, mes agjentëve letrare dhe shpërndarjes e shitjeve online të librit elektronik mes atyre që organizojnë promovime të thjeshta dhe atyre që organizojnë panaire kombëtarë apo lokalë. Çdo gjë, për të mos e tepruar me fjalën rënie, është rrjedhë e lirë, jashtë pretendimeve për të patur një sistem funksional.
Veç nismave institucionale dhe ekzistencës së një sistemi të brendshëm, si mekanizëm i dytë për daljen e një letërsie të vogël nga izolimi, shihet gjithashtu edhe prania e një “autori-qendër” brenda këtyre letërsive.
Kur ky “autor-qendër” dhe i suksesshëm ekziston, ai shndërrohet në faktor për rritjen e vëmendjes dhe pritshmërive edhe ndaj emrave të tjerë brenda “letërsisë së vogël”. Si ilustrim të rastit “autorit-qendër” brenda letërsive të vogla jana Bukova ofron rastin shqiptar, duke dalë në këtë përfundim: “…që nga momenti kur emri i Kadaresë bën të ditur në hartën letrare praninë e vendit, shanset janë të hapura automatikisht edhe për autorët e tjerë shqiptarë…”6.
As ky mekanizëm duket se nuk ka funksionuar në rregull, së paku jo siç ka qenë pritshmëria e autores apo siç do të kishim dashur. Për të mos iu rikthyer mungesës së një sistemi funksional të brendshëm, shtojmë se mundësitë e humbura tregojnë se, më fort nga institucionet, janë shkrimtarët ata që e kanë kuptuar se transferimi letrar në gjuhë e kultura të tjera nuk është thjsht çështje emrash të përveçëm dhe vullnetesh vetiakë.
Por vetë prania e dy tipareve: ai i “monopolit të emrave” (janë thuajse po ata emra që përkthehen) dhe tipari i “hapësirës së gjuhëve” në të cilat është përkthyer letërsia shqipe (që, me ndryshime fare të pakta mbetet pa zgjerim po ajo) dëshmon se letërsia në gjuhën shqipe vazhdon të përhapet ngadalë. Edhe prirja për zgjerim të hapësirës drejt çekishtes, polonishtes apo gjuhëve që u shfaqën pas shthurjes së ish-Jugosllavisë, shoqërohet me skepticizëm, si çdo rast i veçuar.
Shenja inkurajuese të thyerjes së “monopolit të emrave” dhe zgjerimit të  “hierarkisë së gjuhëve” kanë mbërritur nga rrjeti europian Traduki, një network ky që ka mbështetur përkthimin dhe botimin letërsinë shqipe në gjermanisht dhe në gjuhët e Europës Juglindore.
Si shthurje e monopolit vërehet edhe fakti se ndër 11 autorë të gjuhës shqipe të përkthyer në pesë vite nga ky rrjet, 7 i përkasin letërsisë së re në gjuhën shqipe (Lindita Arapi, Luljeta Lleshanaku, Beqë Cufaj, Mimoza Ahmeti, Arian Leka, Veton Surroi etj). Pasurim vërehet edhe në emrat e rinj që i shtohen listës ekzistuese e të mirënjohur të përkthyesve nga shqipja drejt gjermanishtes apo gjuhëve të rajonit (Loreta Schillock, Andrea Grill, Ilir Ferra, Lindita Arapi).
Nga sa u përmend, mund të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me fillimin e një ere të re të letrave shqipe drejt gjuhët e tjera, por nuk është krejt kështu. Por, me gjithë përpjekjet, kjo letërsi vijon të mbetet e izoluar brenda “toposit kulturor” shqiptar. Mes letërsive të rajonit, ajo është më pak e përkthyera në  gjuhët e mëdha dhe më pak e përfaqësuara në zërat encikloperdikë apo në kurrikulat universitare të kontinentit, ku studiohen letërsitë e rajonit. Kjo letërsi është pak e pranishme madje edhe në libraritë e Kosovës dhe të Maqedonisë, ku ndërmjetësimi i përkthyesve nuk lipset.
Në vend të transferimit të një kulture shkrimore, sot përjetojmë një transferim a një trafik emrash të pakët të cilët, natyrshëm mëtojnë braktisjen e periferisë letrare. Po cili do të ishte sistemi dhe standardi i këshilluar? Cilat do të bëheshin institucionet e referencës dhe cili do të duhej të ishte roli i tyre drejt perspektivës më të mirë të letrave shqipe?
Vërejtjet të artikuluara më herët mbi mungesën e përkthyesve, të një shtëpie përkthyesi, të interesimit nga ana e botuesve dhe lexuesit të huaj etj e kanë qëmtuar imët procesin nga brenda. Këtyre i shtohet edhe mungesa e Agjencisë së Librit, si një koordinator që do të kishte si detyrë parësore promovimin dhe mbështetjen e librit dhe të autorëve shqiptarë në gjuhë të huaj, që ndërhyn si një rregullator, që ndjek letërsinë nga krijimtaria drejt promovimit pas botimit dhe që bëhet hallkë që shkrimtarët e këtyre “letërsive të vogla” të mos e përjetojnë si fatalitet, fatin e që qenit autor i një gjuhë jo shumë të përhapur, siç është gjuha shqipe.
Në të vërtetë, që prej pesë vitesh Shtëpia e Shkrimtarit dhe e Përkthyesit letrar “Tirana in Between” ekziston, duke përmbushur një kusht, gjithsesi jo të mjaftueshëm. Ekzistojnë edhe përvoja të tilla si “rasti Haemus”, në Rumani, që përkthen dhe boton letërsinë e traditës dhe atë bashkëkohore shqiptare në rumanisht. Madje edhe përkthyes nga shqipja në gjuhë të huaja ekzistojnë, por ata janë të papërfshirë në projekte të besueshme dhe afatgjata, ata nuk janë ende pjesë e pasurisë dhe e produktit kulturor kombëtar.
Vërejtjeve se çfarë na mungon, mund t’u shtojmë edhe se ku mungojmë ose ku shfaqemi si të padukshëm. Veç panaireve ndërkombëtarë të librit, konferencave, projekteve e trajnime, ku ne mungojmë, në dijeninë time është edhe një seminar ndërkombëtar mbi përkthimin, që zhvillohet përvitshëm në Slloveni, e ku në mbi pesë vjet, mes 80 të pranishmëve nuk ka pasur asnjë përkthyes nga Shqipëria.
Por ndërsa përmendim mangësitë dhe përpjekjet e pamjaftueshme, ndalemi edhe mbi faktorin e artikuluar edhe më herët: “mungesë e cilësisë letrare në letërsinë shqiptare”.
Lidhur me cilësinë letrare qortimet e përcjella si nga brenda sistemi ashtu edhe nga jashtë tij, nga kritika, botuesit, përkthyesit apo lexuesi i huaj. Nga njëra anë ndeshim heshtjen e kritikës së brendshëm apo shprehjen e tij përmes “subjektivizmit spontan”, në rastin më të mirë apo dëmtimin e cilësisë letrare dhe çorientimin e lexuesit, përmes çmimeve-vlerësimeve letrare të përvitshme.
Kjo ka sjellë mungesë të rregullt informacioni dhe keqinformim tek megasistemi i interesuar ndaj letërsisë së përkthyer që shkruhet në gjuhën shqipe, por edhe ngurrim të institucioneve vendase për ta mbështetur më fort këtë letërsi.
Pa përmbushjen këtyre parakushteve, pra shprehjen e sistemit perifrik përmes referencave dhe konfirmimit ndaj cilësisë letrare, nuk kemi arsye të besojmë se fati i përkthimit nga shqipja drejt gjuhëve të huaja do i interesojë sistemit qendror. Ky produkt letrar nuk do të ketë fat të ndryshëm nga ai i produktit kulturor mbi të cilin nuk investohet ose investohet keq dhe pa qëllime të shprehura qartë.
Nga ana tjetër edhe sistemi qendror ka shprehur rezerva ndaj cilësisë letrare. Kjo sidomos lidhur me praninë e klisheve tematike dhe stilistikore, me humbjen e bashkëkohësisë dhe të origjnalitetit, mbi rikthimin në stereotipet kulturore si dhe mbi një lloj pezullie letrare që luhatet mes real-tradicionalizmit të fundviteve ‘90 dhe një postmodernizmi të vonuar në mjete shprehëse, mes tekstit simbolist e hermetik dhe moralizmit ndaj lexuesve, pëlqimi i të cilëve gjithashtu luhatet mes asaj që i ofron narrativa ndërkombëtare dhe teksteve “cool” dhe “strange” dhe “light” të teksteve të autorëve shqiptarë, ku ajo që rrëfehet, ngjarja pra, sundon mbi stilin letrar, a thua se letërsia nuk është më art në përdorimin e fjalës, por thjesht një fak .
Më së pakti janë dy nga vërejtjet e dukshme, që mbërrijnë më shpesh në adresë të letërsisë së sotme shqipe, sidomos nga jashtë sistemit letrar kombëtar: përshtatja apo imitimi stilistikor, si dukuri kahershme në fenomenin e vonesës në letrat shqiptare dhe klisheja e zhanrit apo e tematikës, si stereotip i detyruar prej modeleve sunduese.
Çështja e klishesë së zhanrit dhe tematikës, lidhet me trysninë që kulturat dhe gjuhët sunduese, ushtrojnë ndaj modeleve më të vogla letrare. Është i njohur fakti se po aq sa letërsi, superfuqitë kulturore eksportojnë modele, të cilat letërsitë më të vogla i përjetojnë si grishje për ndërkombëtarizim të prirjes letrare. Kësisoj, edhe ajo pak “autonomi estetike” e pretenduar edhe prej letërsive të vogla, cenohet, duke krijuar supozimin e një letërsie që shkruhet duke pasur parasysh jo lexuesin vendas, por tregun e huaj të leximit.
Ky lloj migrimi apo trafiku ndërkombëtar nga periferia drejt qendrave kulturore ka krijuar te autorët e letërsive të vogla, përfshi këtu edhe shkrimtarët shqiptarë, iluzionin se temat e suksesshme të një periferie mund të sigurojë sukses edhe për periferitë e tjera. Është krijuar tashmë iluzioni se temat e përqeshjes së vonuar ndaj regjimit, zharni auto-fiction, “true-story”, teksti i angazhuar politik etj, të sjell lehtësi në gjetjen e tregut ndërkombëtar.
Vendin e zonave gjeopolitike duket se e kanë zënë zonat gjeo-prozodike, saje të cilave prej letërsisë së rajonit tonë tregu global ka mirëpritur me duartrokitje, duke i siguruar popullaritet në lexim, temave të tragjizmit ballkanas, letërsinë e krimit, të konfliktit ndëretnik, të traumave sociale dhe luftrave civile, të njeriut nën komunizëm siç edhe veshjen me “multikulturë”, “bashkëjetesë dhe tolerancë”.
Letërsia shqipe e ka dekriptuar tanimë ekzotikën e diktaturës më të egër, absurdin e vitit ‘97, krizat humanitare, emigrimet masive, ateizmin, konfliktin ndëretnik, enigmën dhe simbolikën e bunkerëve, piramidës, të kanunit dhe të burrneshave. Ç’mund të propozojë ajo pas kësaj? A do të shndërrohet edhe letërsia shqipe në një industri-fason, që punon me material të porositur, gjysmë të gatshëm dhe që konsumatorin që i sjell popullaritet e ka jashtë kufijve gjuhësore dhe kulturorë? A do e ruajë ajo autonominë tematike dhe kur të jenë demistifikaur temat e hapjes së dosjeve, të shpëtimit të hebrenjve apo të mafias me trafikantë lokale?
Nga ndjekja e letërsisë shqipe në vite mund të vërehet se një pjesë e krijimtarisë letrare në shqip ka filluar të shkëputet nga klisheja e mikrotoposit. Ndërkaq mund të jemi më të gatshëm për të mirëpritur të mbështetur nisma që, veç studentëve shqiptarë që sprovohen drejt mësimit të gjuhëve të huaja, ku besohet se mentorët i nxisin drejt përkthimtarisë letrare, të përfshijmë në këto hulli edhe studentë apo lektorë të katedrave albanologjike të universiteve europiane, me shpresë qëmtimin mes tyre të elementeve që të shkolle të re e më të plotë në përkthimet letrare, që jo vetëm e vijon traditën, por edhe e pasuron atë traditë, duke ndihur që një “letërsi e vogël”, por jo e parëndësishme, të dalë nga izolimi kulturor dhe t’i kapërcejë muret artificiale të komunikimit.
Shënime
1 Argumente rreth termave dhe klasifikimit “letërsi minore”, “letersi e vogël” etj., sjellin studiuesit Gilles Deleuze dhe Felix Guattari në artikullin “Çfarë quhet letërsi minore” (What is a Minor Literature? Referuar: “Mississippi Review”, XI, 1982-1983, 3, f. 13-33. Autorët marrin në konsideratë rastin Kafka përballë gjuhës së shkrimit, gjuhës së etnisë si dhe klasifikimit të marrëdhënies së gjuhës së një minoriteti të caktuar. Përveç kësaj ata nënvijëzojnë se çdo gjë tek letërsitë e vogla ka një vlerë kolektive. Kjo pikërisht ngaqë në letërsitë e vogla talenti nuk është me me bollëk, kushtet për shprehësi të individualizuara nuk janë aq të përshtatshme sa mund të krijonin mjeshtrin e përfaqësues, i cili do të mund të ndahej nga të shprehurit kolektiv. Si një nga karakteristikat e “letërsive të vogla” autorë theksojnë se “çdo gjë në to është politikë”. Veç të tjerash, autorët ndalen edhe në mënyrat se se si punojnë letërsitë e vogla për të siguruar lexuesin dhe për zgjeruar leximin, si faktor që sjell afirmimin e tyre.
2 Referuar: Theo D’haen. Major Histories, Minor Literatures, and World Authors, CLCWeb: Comparative Literature and Culture, Volume 15 (2013) Nr 5:  Major/Minor in World Literature, Georg Brandes. 2012. World Literature: A Reader. London & New York: Routledge, f.23–27. Autorët risjellin idenë e “letërsisë botërore”, duke ia kundërvënë atë “letërsive kombëtare” lokale. Theo D’haen e rikthen në studimet letrare konceptin, duke rritur vëmendjen drejt një “perspektive botërore” në letërsitë pak e studiuara, sidomos të disa prej “letërsive të mëdha”, si ajo kineze, japoneze, arabe, indiane etj. Këto letërsi i janë bashkuar letërsisë së madhe. Autori ngre si kriter të përdorimit të termit jo thjesht jo anën sasiore, por atë që e bën cilësisht të madhe një letërsi, pavarësisht se vjen nga vende me territor vogël dhe numër të kufizuar përdoruesisht të gjuhës. Ideja e “letërsisë botërore” shthur hierarkinë mes  letësive “të mëdha” dhe “të vogla”, duke propozuar kritere të tjerë në klasifikim.
3 Referuar: Györdy M. Vajda, Einleitung: Marginale Literaturen, “Komparatistische Hefte”, VII, 1983, pp. 5-14. Autori i referohet krijimtarisë së F. Kafka-s, nga pozicioni i hebrenjve në Pragë dhe zgjedhjes së këtij autori për të shkruar në gjermanisht e jo në çekisht apo jidisht, duke sjellë me këtë rast konceptualizimin e termit letërsi “margjinale” brenda kuadrit kulturor dhe të letërsisë botërore.
4 Bukova, Jana, Not Small. Minor, Studi Slavistici xi (2014): f.227-235. Firenze University Press – issn 1824-7601 (online)
5 Po aty. Faqe 228.
6 Referuar: Jana Bukova, Not Small. Minor, pp. 228. “A universally familiar example is the one of Albanian literature: since the moment that Kadare’s name announces the country’s presence in the literary map, the chances are automatically opened up for other Albanian authors.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.