OPINION

AZEM! Ma mirë vdekë se gjallë e me marre…

07:30 - 12.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Bislim AHMETAJ

Prolog.

Ka një variant verbal të pa publikuar për mbylljen e “Ciklit të Kreshnikëve” kur Muji del nga shpella ku ishin ngujuar bashkë me të vëllanë, Halilin dhe zbret në qytet për të pa se ç’po ndodh ndër njerëz. I bie tregut kryq e tërthorë dhe sheh që ka shumë njerëz që lakmojnë me ble diçka, po si kanë paret dhe ikin me sy të përlotur dhe të ngjitur nga malli që lakmojnë. I pik në zemër një fëmijë i vogël që ia ka ngulë sytë një molle të kuqe por s’ka asnjë grosh në xhep, djaloshi i vogël guxon dhe e merr mollën… dhe ja jep vrapit . Por… dora e tregtarit të pashpirt e kap dhe e rrahë aq sa Muji nuk duron më dhe e kap tregtarin për fyti gati me e përplasë për tokë. Ndërkohë tregtari nxjerr revolen nga brezi dhe gjuan në ajër. Krisma e armës e tremb jashtë masë Mujin. Me sy të shqyer sa nga frika aq edhe nga habia e pyet tregtarin

– Ça ashtë ky send? Për ç\ka vye ky send? Tregtari i përgjigjet ftohtë:

– Kjo është allti, kjo vret njëlloj si buallin, si njeriun.

Tregtari ia ulë grykën dhe i lëshon nja dy plumba mbi një grumbull kungujsh të mëdhenj sa një bojë njeriu. Kungujt bahen copë –copë aq sa pamja i ngjan një fushëbeteje.

Muji ia heq ngadalë duart prej fyti tregtarit të pashpirt, shihet sy ndër sy me djalin e përlotur dhe ikë si një hije e zezë prej tregut dhe qytetit të mallkuar. Ngjitet në Log të Zanave ku e kanë kështjellën-shpellë dhe hyn në të duke shikuar vjedhas mbrapa a mos e ka ndjek kush. Kur bindet se askush s’e ka pa, i thërret të vëllait i merisur.

-Halil vëlla, koha jonë ka mbarue, ka sos, ka tret si krypa në ujë.

-Ça ka ba vaki Mujë?!

– Në botën tjetër paska dalë një vegël që e ban të keqen dhe drejtësinë pa forcën e burrit, kështu që koha jonë ka mbarue.

Prej asaj dite ata i vunë një shkëmb të madh derës së kështjellës-shpellë dhe nuk u dukën ma ndër qytete.

Azem! Ma mirë vdekë se gjallë e për marre.

E përdora për hyrje këtë variant të përpunuar apo të vërtetë të “Ciklit të Kreshnikëve” në këtë shkrim homazh kushtuar Princit të Mendjeve të Lira, Azem Hajdarit jo pa qëllim. Nesër mbushen plotë 19 vjet nga ekzekutimi i tij prej një bande të veshur me uniformat e shtetit (sipas grupit të prokurorëve, që hetoi çështjen “Hajdari”, të paktën 60 njerëz me uniforma policie morën pjesë në ekzekutimin e tij).

Kur të vranë ty Azem, zot i vendit ishte kallashnikovi në duart e gangsterëve, që kishin zaptuar zyrat e shtetit, ndërsa tani zyrat e shtetit i kanë zanë ata që të vrasim ditë për ditë me indiferencën absolute, që tregojnë ndaj halleve dhe problemeve të qytetarëve për të cilët paguhen. Për pasojë njerëzia nuk i drejtohen më shtetit të vet, por shteteve të Europës. Popullsia e Shqipërisë qysh prej kohës kur të kanë vrarë ty është pakësuar me të paktën një milion banorë, po kaq mendojnë t’i ikin Atdheut për të cilin ti sakrifikove edhe jetën.

Ty të vranë se inspirove të ishe mbrojtës dhe përhapës i së vërtetës lakuriqe. Sot e vërteta dhe rrena kanë vlerën “zero” dhe zotëruesit e “zeros” janë zero në katror.

Ty të vranë se i dole në mbrojtje shtypit të lirë, fjalës së lirë dhe sot pas 19 vjetësh liria e fjalës shpërblehet me heqje nga puna, kur je në ndërmarrjet publike, kur je në biznes privat të mbi taksojnë, të stër kontrollojnë deri sa të detyrojnë ose të nënshtrohesh ose të falimentosh, ndodh në të rrallë që je zë i lirë, siç ishe ti dhe përballesh me kanosje dhe kërcënime me jetë deri sa dorëzohesh ose braktis vendin. Ndërsa media e lirë është “shtetëzuar” prej financuesve pronë e oligarkisë politike, që është njëkohësisht edhe oligarkia ekonomike e vendit. Ata pak zëra të lirë, që akoma s’janë shtjerrur, lusin Zotin që të mos na e mbyllin “Facebook”-un, një shpikje marsiane e një burri fisnik, që ti s’pate kohë ta njohësh se të vranë pronarët e sotshëm të fjalës dhe medias së lirë.

Ty të vranë se i mbrojte deri në ngujim me grevë urie ish-të përndjekurit politikë të regjimit të diktaturës, të asaj diktature që ti, unë dhe brezi ynë menduam që e rrëzuam në dhjetor të ‘90-ës. Sot kjo shtresë është më e braktisur se kurrë ndonjëherë në këto 27 vjet pluralizëm politik të rremë. Ata kanë humbur mbështetjen, shtetërore po se po, por më e keqja iu është vrarë shpresa dhe besimi te qeveritë dhe shteti tyre. Ata përditë shohin të ngjiten në poste të larta qeveritare dhe administrative ish-hetues, ish-zyrtarë të regjimit komunist, deri ish- ministra gjakatarë të diktaturës.

Ty të vranë se halli i një të varfri në Cërrik apo Krumë, në Koplik apo Leskovik, në Memaliaj apo Fushë Arrës ishte halli dhe problem yt, deri sa ai të gjente zgjidhje ose mirëkuptim të plotë nga hallexhiu që është i pamundshëm për t’u zgjidhur. Sot s’ka më halle, ka mjerim dhe s’ke ku e kërkon zgjidhjen e tij. E vetmja zgjidhje është t’i ikësh atdheut natën e ditën nga toka, nga deti dhe nga ajri.

Ty të vranë se kishe miq dhe mbështetje nga Vermoshi në Konispol, nga Dibra në Vlorë, nga Durrësi në Korçë. Sot o Azem Hajdari, miqësia është bërë si napolonat e arit në kohën e diktaturës, të rrallë dhe me frikë për t’ia kallzuar kujt. Lum kush ka mund me ruajt ndonjë mik pa interes, sepse mik është shpallë me “ferman” vetëm paraja, ligësia dhe pushteti i saj .

Ty të vranë se padrejtësisë nuk i vure emra të përveçëm, as si dhe ngjyrë politike, as se mbajte me hatër. E denoncove haptas njëlloj si tek i forti, si tek i dobëti, si tek i yti, si tek kundërshtari politik. Tash nuk të vrasin ma për këtë punë, se nuk ua lejon procesi i integrimit në BE, kanë gjetur një metodë të re, nuk të qasin fare me një mirëkuptim dypalësh gjithëpërfshirës.

Bashkë me ty kanë vdekur dialogu, ballafaqimi, pasqyrimi i fakteve, pasja e ideve të ndryshme për të njëjtin problem, dhe jo se ndalohen me ligj, por janë gjetur rrugë burokratike që i përjashtojnë si modele të zhvillimit të mendimit ndryshe dhe për pasojë nuk praktikohen më.

Ty të vrau pasioni për lirinë dhe demokracinë, ty të vrau dashuria për njeriun e thjeshtë dhe të vuajtur, ty të vrau idealizmi dhe atdhedashuria. Këto vlera, për të cilat u vrave ti, vrasësit e tu po i asgjësojnë me kujdes ditë për ditë dhe pothuajse ia kanë dalë. I kanë çuar në atë zgrip sa pa frikë mund t’i quaj “specie të rrezikuara për zhdukje”. Fatkeqësisht këto vlera nuk i mbron UNESCO, këto vlera i mbrojnë idealistët që po i vriten këtij vendi njëlloj siç vriteshin dhe burgoseshin familjet fisnike përgjatë diktaturës nën etiketimin si bartës të një kohe të vjetër.

Prolog.

Trilli për “Ciklin e Kreshnikëve” në epilogun e këtij shkrimi përkujtimor kushtuar njeriut që ndezi shpresën se liria mund të funksionojë edhe në Shqipëri për mua është më se i pranueshëm. Ndërsa në trupin e këtij shkrimi, aty ku unë kam trajtuar arsyet pse hienat e errësirës e vranë njeriun e shpresës dhe besimit pa pikë dyshimi që është shprehje e trishtimit, revoltës, mos pranimit të këtij realiteti acid që ka lëshuar rrënjë në Shqipëri. Por njëkohësisht është edhe një thirrje për zgjim të ndërgjegjes së njerëzve të lirë të këtij vendi që duhet ta bashkojnë zërin, energjitë dhe gjithçka që posedojnë për të mos e legjitimuar dorëzimin e lirisë, për të mos e arsyetuar braktisjen e vendit, për të mos e njëjtësuar Shqipërinë si atdheu i ikësve të pashpresë, si atdheu i kanabisit, si atdheu i njerëzve që e dorëzojnë lirinë në duart e dhunuesve të saj.

Tiranë me 10 Shtator 2017


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.