OPINION

Fund një “rekordi diplomatik”

07:29 - 12.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Dr. Jorgji KOTE

 

 Veç të tjerash, në përbërjen e qeverisë së re “Rama 2” bie në sy se për herë të parë në 16 vitet e fundit, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati jo vetëm përfundoi të plotë mandatin e tij, por dhe u rikonfirmua në krye të dikasterit, tashmë të përforcuar dhe me integrimin evropian. Kësisoj, u ndërpre në kuptimin e mirë të fjalës një traditë që, në fakt, përbën “rekord diplomatik” negativ. Themi kështu, sepse gjatë periudhës së viteve 2001 – 2013 kemi pasur plot 10 ministra të Jashtëm, ose një ministër në çdo 14,4 muaj, duke përfshirë dhe muajt “bosh” të ndërrimit të pushtetit! Vërtet rast unikal në Evropë! Dukuri tjetër dalluese në vendin tonë është se ndryshimet në kreun e diplomacisë kanë qenë të shpeshta edhe brenda të njëjtit koalicion qeveritar, madje dhe një partie!

Siç shihet, gjatë kësaj periudhe, kryediplomatët tanë u bënë “viktimat“ e para të këtyre ndryshimeve të shpeshta në shërbimin tonë diplomatik. Mirëpo, për të gjithë ata që e njohin dhe që kanë punuar në shërbimin tonë diplomatik, ku dhe pata rastin të shërbeja gjatë deri muajt e fundit, kjo mesatare rekord është tejet e shkurtër për të përballuar problematikën diplomatike të një vendi që kudo në botë, për shkak të specifikave të veta, ka një dinamikë me ritme më të ngadalta e të kujdesshme se në fushat e tjera. Sepse, sapo një ministër i Jashtëm përshtatet në punë dhe i vë gjërat në vijë për të realizuar misionin dhe vizionin e vet politik, ikën e vjen tjetri; ndërpriten procese të dobishme afatmesme dhe shumë gjëra bëhen pothuajse nga fillimi. Ngarkohet protokolli me takimet prezantuese, kërkohen vizita, ndryshime stafesh, reforma, etj. që kërkojnë shumë kohë dhe energji.

Ja përse, madje edhe kur ka kriza të ndryshme politike, ministrat e Jashtëm qëndrojnë në detyrë si rregull të paktën një mandat katërvjeçar; madje, ka jo pak ministra të Jashtëm edhe në vendet e rajonit tonë që kanë qëndruar më gjatë.

Tipik është rasti i ish-ministrit të Jashtëm legjendar gjerman, Hans Dietrich Genscher, i cili qëndroi 18 vjet në krye të diplomacisë gjermane ( 1974 – 1992), derisa dha vetë dorëheqjen, pasi ndërroi dy koalicione qeveritare. Shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov ka 13 vjet, kurse “Dekani” i tanishëm i ministrave të Jashtëm të BE-së, kryediplomati luksemburgas, Jean Asselborn ka 14 vjet në të njëjtin post.

Për t’u kthyer në vendin tonë, këtë e dëshmon dhe rasti i ish-ministrit të Jashtëm, Profesor Paskal Milo, i cili kreu të plotë mandatin e tij 1997-2001. Krahas aspektit profesional, ai vuri në vijë edhe administratën dhe mori një sërë masash pozitive për nxitjen e diplomatëve për të vijuar karrierën në MPJ. Mirëpo, edhe pse në vitin 2001 ishte në pushtet i njëjti koalicion qeverisës, ai u largua dhe u zëvendësua nga Arta Dade, që ishte tejet jetëshkurtër si ministre, për shkak të përplasjeve brenda koalicionit qeveritar dhe rikonstituimit të ri të qeverisë.

Ish-kryeministri Ilir Meta që e pasoi atë filloi të bënte reforma të rëndësishme në diplomaci, por nuk mundi t’i çonte deri në fund, sepse qëndroi vetëm një vit për të njëjtat arsye; pastaj, për disa muaj, qëndroi i komanduar si titullar dikasteri zëvendësministri Luan Hajdaraga. Më gjatë, por gjithsesi jo më shumë se rreth 2, vjet qëndroi Kastriot Islami deri në mbylljen e mandatit. Pra, 4 ministra të Jashtëm në 4 vjet!

Në shtator 2005 Besnik Mustafaj erdhi me synime të guximshme, por papritur dha dorëheqjen pas gati 18 muajve, i ndjekur nga Lulzim Basha që qëndroi pak më shumë se 2 vjet; vjen sërish zoti Meta që largohet brenda më pak se një viti i pasuar nga Edmond Haxhinasto, që dhe ai nuk i mbushi dot 2 vjet, edhe pse me shumë demarshe dhe rezultate të prekshme, sepse kaloi në një detyrë tjetër të lartë për të njëjtat arsye. U mendua se pasuesi i tij, zoti Edmond Panariti do ta mbyllte këtë mandat; mirëpo dalja e LSI-së nga koalicioni qeveritar në Prill 2013, bëri që dhe ai të mos i kalonte 8 muaj në krye të diplomacisë, duke u zëvendësuar nga Aldo Bumçi.

Pas 5 muajsh, erdhi këtë radhë natyrshëm ministri i ri i Jashtëm, Ditmir Bushati, pas marrjes së mandatit politik nga shumica e re parlamentare e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013.

Për pasojë, si shumë kolegëve të tjerë, midis viteve 2006-2013 kur punoja në ministri në Tiranë e pastaj në Bruksel, më takoi të kisha 8 ministra të Jashtëm! E keqja tjetër e madhe është se këto lëvizje shoqërohen dhe brenda MPJ-së me ndryshime të shpejta e të shumta drejtorësh dhe referentësh.

Ndaj, rikonfirmimi i ministrit të Jashtëm, si emër dhe institucion është padyshim lajm i mirë për diplomacinë tonë. Tashmë ajo mund të vijojë pa asnjë vonesë përparimin në përpunimin e dosjeve të shumta, natyrisht me ndryshimet dhe përmirësimet e nevojshme, por gjithsesi pa tronditjet që shkaktojnë te ne ndryshimet e shefave në të tilla raste.

Vetëkuptohet që dhe përgjegjësia tashmë është shumë më e madhe; sepse jetëgjatësia në detyrë e kujtdo ministri të Jashtëm nuk përbën domosdoshmërisht garanci, por vetëm mundësi më të mëdha për arritjen e rezultateve të dëshiruara në këtë fushë jetike. Aq më tepër kur kryediplomati ynë, krahas cilësive të njohura politike dhe profesionale, tashmë ka dhe një përvojë katër vjeçare përgjithësisht pozitive në drejtimin e diplomacisë; një bazë solide, kjo që krahas vijimit të praktikave dhe problematikës së kaluar, duke shmangur edhe raste dhe praktika që koha i ka lënë pas, t’i japi një dinamikë të re cilësore aktivitetit tonë diplomatik në të gjitha prioritetet dhe dimensionet e tij të njohura.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.