KULTURË

“Mëkati i një gjenerali në Prishtinë” i Bardhyl Berberit, një dramë mbinjerëzore dhe sfidë për shoqërinë…

10:00 - 18.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

LIBRI I RI – Bardhyl Berberi, autor i dhjetëra romaneve së shpejti do të vijë me një tjetër gjetje, librin më të ri “Mëkati i një gjenerali në Prishtinë”. Libri në fakt është botuar në Suedi para se të dalë në shqip nga e njëjta shtëpi botuese, e cila botoi romanin shumë të suksesshëm “Dashuri e mallkuar”. “Mëkati i një gjenerali në Prishtinë” do të jetë në dorë të lexuesit shqiptar në fund të muajit shtator.




 

Anna Anderson*
Ndihem e privilegjuar që pas botimit shumë të suksesshëm të romanit “Dashuri e mallkuar” në Stokholm para një viti, po botoj romanin tjetër të mrekullueshëm  “Mëkati i një gjenerali në Prishtinë” të shkrimtarit shqiptar, Bardhyl Berberi, që ende pa dalë në shqip të dali fillimisht në Stokholm. Desha të theksoj se është luks të botosh z. Berberi dhe këtë ua u them me sinqeritet, po le të ndalemi tek analiza e romanit më të ri. Letërsia e vërtetë nuk ka vlerë tek volumi, por tek filozofia që ajo përcjell në mënyrë metaforike, e cila ka aftësinë që të futë në “kurth” personazhet, në këtë kurth bie edhe gjenerali i KFORIT në Kosovë,  Stefan Gerson. Së pari, nga bukuria e rrallë e Blerina  Pejës dhe së dyti, nga dëshira e tij për të pasur një fëmijë, nga pamundësia për ta pasur me bashkëshorten e tij, janë gracka e ngritur nga autori.

Qasja Frojdiane me dialog të brendshëm tërë tension dhe më pas plot lirizëm është ajo që të bie në sy që në faqet e para të romanit. Romani është i gjithi psikologjik, i cili shquhet për patosin e brendshëm dhe lajtmotivin e pandashëm të njeriut për të arritur me çdo çmim atë që i mungon. Autori u bën “operacione të shumta plastike” personazheve të tij për t’u bërë sa më bindës, duke e zhbiruar deri në hollësi në gjendjen e tyre shpirtërore. Është fakt se kur lexon romanet e Bardhyl Berberit, të duket sikur lexon fate njerëzore. Autori në këtë roman nënvizon idenë se njeriu në këtë jetë duhet të jetë i lirë dhe i vërtetë. Autori nëpërmjet dy personazheve kryesore, gjeneralit të KFORIT në Kosovë, Stefan Gerson dhe përkthyeses Blerina Peja arrin mjeshtërisht në konkluzionin se “jeta është një lojë e pamëshirshme midis absurdit dhe njeriut”, të cilët janë viktima të këtij realiteti.

Romani është i shkruar aq mjeshtërisht dhe në mënyrë të paanshme, saqë duket sikur ngjarja zhvillohet para syve të lexuesit…

Autori i romanit i shikon ngjarjet gjakftohtë, me një  sy të paanshëm, i cili e jep jetën me përshkallëzime dhe plot tallaze dhe hera-herës të ndërtuar keq, me situata dramatike… Shkrimtari Bardhyl Berberi sjell një mesazh të fortë se jeta në shoqëri të detyron që çdo parregullsi e jetës private mund të ketë pasoja për të tjerët, të afërt rreth teje dhe nuk të lejon të jesh shpërfillës ndaj këtij realiteti.

Pushteti i instinktit mbi vetëdijen e gjeneralit në një situatë krejt specifike janë dhënë mjeshtërisht. Lexuesi është i lirë të përjetojë paralelisht dy drama të fuqishme: Luftën e Kosovës dhe dashurinë e gjeneralit, i cili mahnitet nga trimëria dhe bujaria shqiptare dhe ai kërkon të ketë një fëmijë të tijin nga kjo racë fisnike. Autori e ndjek me korrektesë instinktin njerëzor të gjeneralit, një instinkt që i sjell një dramë Blerinës, e cila më përpara është përdhunuar nga paramilitarët serbë gjatë konfliktit të armatosur…

Në parametrat strukturorë e narrativë, romani “Mëkati i gjeneralit në Prishtinë” i Bardhyl Berberit e ruan vazhdimësinë e rrëfimit, duke vendosur gjetje të tjera që janë të domosdoshme. Romani vjen me një përkryerje funksionale, në shërbim të gjykimit të individit për pasionin e pashtershëm për një çështje gjithëkombëtare. Koncepti estetik është sajesë e një origjinaliteti rrëfimor, që ka imazh kulturor të vetin dhe kjo i jep lehtësisht ligjërimit rrëfimor në tërësinë e veprës. Kjo njohje, veprës i vesh rrezatimin e jashtëm dhe thellësinë e brendshme me kulminacione idesh në të gjitha komponentët e romanit. Një konceptim i tillë ngrihet konkretisht mbi figurën e Blerina Pejës, fisnikëria e së cilës harmonizohej si një shkrirje perfekte me madhështinë shpirtërore dhe elegancën fizike plot finesë dhe sharm. Një portret i përshkruar vijash eksplicite., që kornizojnë një bukuri të rrallë gruaje. Përshkrimi më i detajuar i vijave femërore,  kosovarja e bukur del vetëm me një portret, por ndryshon, varësisht në kohë, sipas situatave duke ruajtur tiparet e një femre dinjitoze.

Është mbresëlënës jetësimi i rrëfimit epik të Mark Avdylit, një personazh real gjatë konfliktit në Kosovë, që autori e fut mjeshtërisht në roman si mishërimin e sakrificës sublime të brezave të tërë për ta bërë Kosovën të pavarur.

Tek përshkrimi i maleve të larta me kësula të bardha bore, lugjeve dhe korijeve, ujëvarave, këngët e zogjve në stinën e pranverës dhe imazhi mbi bozhuret e kuqe si gjaku i derdhur nëpër shekuj për të mbrojtur lirinë e tyre. Romani ka natyrshmëri dhe efikasitet të mjeshtërisë artistike. Në të jepen tone të matura e të përpikta rrëfimore me një konfiguracion të dendur artistik. Në kontekstin historik, ngjarja ka tendencat e një romani modern, ku ngjizet me fiksionin artistik, megjithëse në sfond është një betejë, ku janë derdhur lumenj gjaku, një e vërtetë që për të ruajtur identitetin kombëtar dhe lirinë, shqiptari është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka. Por, shkrimtari Bardhyl Berberi nuk merret me betejat, por me detaje specifike nga kjo betejë dhe në këtë roman artistik me kaq shumë brumë të gatuar mjeshtërisht nuk ka nevojë të lexosh histori të tjera, mjafton të lexosh këtë roman që të njohësh gjithçka ka ndodhur në Kosovë gjatë konfliktit me paramilitarët serbë. Vetë dinamizmi i mendimeve dhe veprimeve të një qëndrese epike të ndihmon veçmas në ajsbergun e sotëm të letërsisë. Narracioni i dendur, parakalimet dhe urat lidhëse të çojnë pa mëdyshje edhe aty, ku dioptria e shikueshmërisë së kritikës mund të jetë gjithfarë dore… Andaj, nuk e precizoj dot, tërë këtë rrëfim të ngjeshur. Vetëm mund të them se dramaciteti i ngjarjes  shtjellohet në rrafshin memoaristik, i pleksur me një tension të brendshëm, që të mban zemrën peshë. Tërë kjo jep një shtrirje dimensionesh semantike, të përcjella me dimensione metaforike. Fraza e shkurtër, pa ujë, plot intensitet dhe dinamizëm e bën autorin krejt të veçantë në stilin e tij krijues, i cili me minimumin e fjalëve shpreh maksimumin e ngjarjeve dhe të fenomeneve. Kjo të detyron që ta fillosh romanin dhe të mos e heqësh nga dora deri sat a përfundosh atë.

 

Sigurisht, në ngjarje ka shumë ambiente dhe  personazhe të skalitur, e disa prej personazheve tjerë të dorës së dytë. Dobia e rrafshit historik vjen si gërshetim i individuales me kombëtaren, për të lënë  gjurmë në kujtesën e brezave si thesar njerëzor i dobishëm. Në përzgjedhjen e ngjarjes që shtjellohet, frymëzimi shpesh mund të jetë i rastësishëm, mirëpo Bardhyl Berberi e ka përzgjedhur kujdesshëm temën, duke e mbushur me mozaikë situatash të tjera, të cilat i zhvendos që vepra të mbetet jo vetëm një monument i letërsisë artistike, por më tepër se kaq. Romani “Mëkati i gjeneralit në Prishtinë” bartet tek lexuesi përmes një gjenerali të KFOR-it dhe një përkthyeseje, që sipas traditës së rrëfimit mjeshtëror, Berberi ka nismën e një udhëtari të panjohur, siç është gjenerali me një mision të madh, që më vonë pas lidhjes me përkthyesen e tij krejt aksidentale, fillon sagën e rrëfimit jetësor. Pavarësisht rrjedhës së ngjarjes deri tek thelbi i rrëfimit, pa ndonjë vështirësi sinjalizohet qëllimi i një personazhi të rëndësishëm, njëmendësia e të cilit e vë në lëvizje ngjarjen. Rrëfimi narrativ ka mundësuar që më thellësisht të spikaten përjetimet e personazheve dhe historia e tyre jetësore, e ndërlidhur me personazhe të tjera të një gjaku dhe të imponuar, të dy linjave, duke përplasur dy koncepte të ndryshme për jetën. Një portret ekzemplar, përveç gjeneralit, është edhe ajo e bashkëshortes së tij, Lizës, e cila e merr edhe ajo një pjesë të këtij dramaciteti. Përmes përsiatjeve e interpretimit rrëfimor të tij shpaloset vazhdimësia e ngjarjes së mistershme. Protagonist që ka një reliev psikologjik, me një botë të ndjeshme sociale e humane, megjithëse nganjëherë e shpërfytyron marrëdhënien e tij me Blerinën. Ai reflekton përmes një bote të brendshme, duke e lënë anash botën e jashtme të vetme, por natyrisht, këtë e bën me anë procedimesh, duke na dhënë dinamikë argumentesh e rrëfimi artistik. Personazhet më parë përshkruhen në botën e tyre shpirtërore, qëndrimet, vlerat, pastaj edhe përmbushja tjetër në pozitën dhe botëkuptimin social. Pikëvështrimet rrëfimore, dhuntitë dhe të metat, përshkrimet e hollësishme fizike, si të thuash janë pasim i një imazhi të formësuar qartë psikologjik. Autori pra, përqendrohet në sagën e individit për të kthyer psikologjinë e shpërndarë të turmës në teori të përbashkët të rrafshit kolektiv. Këtë e bën me idenë që zgjidhjet të kërkohen dhe të gjenden brenda mendësisë shqiptare. Për këtë, sikur e përshkon një dozë krenarie dhe triumfalizmi përgjatë gjithë veprës, me të drejtë mbase! Epilogu pak a shumë qe i pritshëm, për mesazhin që përcjell. Çdokush në shoqëri ndjen një lloj përgjegjësie për atë që ndodh dhe kjo të shërbejë si dëshmi për të ardhmen, pa e abstraguar këtë si qëllim transparent të autorit. Njeriu mund të harrojë atë çfarë i kemi thënë, por kurrsesi atë që i kemi bërë nuk e harron kurrë. Berberi realisht afron origjinalitet krijues të një ngjarjeje dramatike  nga dyluftime idesh, ndërsa thelbi ideor i veprës së tij është shumëdimensional: social, shpirtëror e moral. Romani realizon një përmbushje shpirtërore, si një prehje e pashmangshme pas të gjitha atyre trazimeve emocionale, duke i vënë vulën e identitetit të tij krijues. Ky shkrimtar ka krijuar shumë romane dhe është shpallur fitues si brenda vendit, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, sepse vepra e Berberit të pushton në drithërima flakësh, për të mos rënë në krahët e një agonie të trishtë. Por, a nuk është ky synimi i çdo krijuesi?! Vërtet… artisti shenjtërohet kur ngjall një popull nga vdekja shpirtërore. Me afinitetin krijues, Bardhyl Berberi i lë brezit të ri një porosi të çmuar; ndërsa brezit të vjetër, si një rikujtim të  përbotshëm i mundëson përsiatjen e duhur mbi një realitet jetësor, ndonëse të trishtë, për ta skicuar atë në një vepër letrare, sa të këndshme për nga vlerat artistike, po aq të vështirë e të rëndësishme për nga kompleksiteti i ngjarjes. Padyshim që dua ta mbyll analizën e këtij romani të mrekullueshëm me fjalët e personazhit kryesor, Blerinës: “Kosova për mua është një metaforë e madhe dhimbjeje, është lulja e bozhureve që çel në pranverë, xixëllonjat në netët e verës, ullukët e shiut në vjeshtë dhe qirinjtë e akullit në dimër…”. Emocionues është dedikimi që autori i bën nipit të tij: Dashuria ime e ka emrin Blandi!

*Botuese dhe kritike arti në Stokholm, Suedi


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.