DOSSIER

Aventurat e Dritëro Agollit në gjimnazin “Asim Zeneli” , pse u arrestua Kadareja në orën e gjimnastikës

09:43 - 26.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ilir Bushi

Gjimnazi “Asim Zeneli” është një ndërtesë e projektuar për akustikë, optikë, kalitje fizike dhe punë praktike. Përveç mrekullisë së traditës së gjimnazit, Dritëroit i bëri përshtypje Gjirokastra për specifikën e strukturimit të saj. Qyteti padyshim ishte ndër më të çuditshmit dhe më të veçantët në botë. Sepse, në çdo qytet për të parë minaret duhet të ngresh kokën lart, por në Gjirokastër ndodhte e kundërta, sepse atje duhej të ulje kokën poshtë për të shijuar këto befasi arkitekturore.
Sa herë që ulnin kokat poshtë, gjimnazistët shikonin çatitë e shtëpive, ashtu siç e ka thënë më vonë, Kadareja, ku “në Gjirokastër, në vend që të rrëzoheshe në ndonjë kanal, mund të bije në çatinë e ndonjë shtëpie. Por këtë gjë, më mirë se kushdo e dinin pijanecët”.
Shtëpitë atje ishin me çati, me pllaka guri dhe ato të bënin përshtypje, veçanërisht kur binte breshër, apo dëborë, por sidomos gjatë në shirave dimërorë. Ndërsa, Dritëroi u caktua në një shtëpi në lagjen “Palorto”, atje ku ishte gjimnazi.
Në atë kohë, Dritëroi ishte 17 vjeç, pasi brezi i tij i kish humbur katër-pesë vjet shkollë, duke pritur mbarimin e luftërave. Kjo ishte humbja më e pakët, sepse kishte shumë të tjerë që kishin humbur jetën, ose familjarët në këtë luftë të pamëshirshme.
Gjatë këtyre viteve, në disa krahina, ku lufta ishte më intensive, shkollat u mbyllën. Në këtë kuptim brezi i moshatarëve të Dritëroit, që jetonin në zonat e luftës, quhej i prapambetur në klasat shkollore, në krahasim me ata të Tiranës, Shkodrës e të disa qyteteve të tjera kryesore, ku shkolla zhvillohej mes bombardimeve të luftës. Kur vajti në gjimnaz, Dritëroi ishte në një moshë relativisht të rritur, rreth 17 vjeç, por kishte disa të tjerë që ishin edhe më të mëdhenj, mbi 18 vjeç e lart.
Një përshtypje të veçantë, Dritëroit i bëri komunikimi me banorët e Gjirokastrës. Ata iu dukën shumë të edukuar e mikpritës, por edhe të ditur. Shumë nga banorët e qytetit të gurtë kishin njohje të zgjeruar për një numër të madh shkrimtarësh botërorë, e vendës si Hygoi, Robinson Kryzoi, Naim Frashëri, Çajupi, Foqion Postoli, etj.
Që në ditën e parë të paraqitjes në gjimnazin, “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, Dritëroi u caktua në dhomën nr.6, të një shtëpie, të Kokalarit, sipër shkollës. Aty u caktuan edhe pesë nxënës të tjerë, të ardhur nga rrethet, të cilët ishin nga zona të ndryshme të jugut të Shqipërisë. Ai ishte në dhomë së bashku me Gaqo Veshin, Kosta Panazon, Llambro Shemkon nga Vërniku i Devollit, dy Nikot, (një nga Himara e tjetri nga Kolonja). Dritëroi nuk njihte asnjërin prej tyre, me përjashtim të Gaqo Veshit, me të cilin ishte prezantuar për herë të parë në agjencinë e transportit të Korçës.
Megjithëse ata të gjashtë ishin të panjohur me njëri- tjetrin, sipas rrëfimeve të Gaqo Veshit, nuk kaloi shumë kohë dhe dhoma e tyre u bë më e dëgjuara dhe e preferuara për shkak të vjershave dhe qyfyreve të ndërtuara nga talenti dhe shkathtësia e Dritëroit. Një nga cilësitë e rralla të tij ishte humori i hollë. Edhe kur fliste ndonjë gjë serioze, do të fuste ndonjë batutë, që i bënte të shkuleshim së qeshuri, kurse ai jo vetëm se nuk qeshte si disa të tjerë që vetë flasin vetë qeshin, por as buzën nuk e vinte në gaz. Shumë shpejt, për mençurinë dhe talentin e tij të spikatur, Dritëronë nisën ta thërrisnin “poeti” si në shkollë, ashtu edhe në konvikt.


Në gjimnazin, “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, të gjithë konviktorët dhe nxënësit kishin uniformën e tyre me kostum doku të zi dhe këmisha të bardha. Nxënësit kishin bërë një lloj pagese për t’u pajisur me ato uniforma, por problemi qëndronte në faktin se  ata nuk kishin me se të ndërroheshin, sepse kishin vetëm nga një kostum doku dhe nga një këmishë të asaj serie. Kur i lanin ato gjatë të dielave, ata rrinin në dhoma të strukur, nën batanijet e leshit, gjersa të gdhihej e nesërmja dhe ata të vishnin përsëri uniformat për të shkuar në shkollë.
Ndër lëndët kryesore të gjimnazit ishin Matematika, Letërsia, Historia, Gjuha e Huaj, lëndët e sjelljes, zellit dhe moralit, madje në atë kohë, kishte edhe një “orë gazmore”.
Profesorët e asaj shkolle ishin njerëz të ditur, që kishin mbaruar universitetet jashtë shtetit. Aty kishte një ndërthurje të kulturave perëndimore dhe lindore, ku mbizotëronte mësimdhënia bashkëkohore. Aty kishte profesorë shumë të njohur si Fejzi Dika, që ishte një poet i njohur gjatë viteve ’30. Ai kishte studiuar në Francë, së bashku me profesorin e Matematikës, Gaqo Harrilla, ndërsa Vehbi Bala, poeti dhe studiuesi i njohur i Letërsisë kishte mbaruar në Rumani. Ata ishin jo vetëm të aftë, por edhe të rreptë.
Gjithashtu, që në fillim Dritëroi konstatoi me kënaqësi se kishte hyrë në tempullin botës letrare, por edhe në vatrën e dijes nën drejtimin e profesorëve të shquar si Vehbi Bala, Fejzi Dika, Luigj Franja që ishte nga Shkodra; Shaban Demiraj, që ishte më i rrepti, por më i zoti për gjuhën shqipe.
Në sajë të tij, Dritëroi e përvetësoi mjaft mirë gjuhën shqipe, sepse në universitet ai nuk pati rast të studionte në këtë fushë. Në atë gjimnaz ishte edhe Arta Franja, që kish qenë shoqe e Migjenit dhe një nga gratë më të emancipuara të kohës. Por kishte edhe mësues si Rustem Buzon, që kish mbaruar për Kimi në Itali apo Thoma Papapano, Hysen Zavalani, Mikel Koka, rusja Papkova, etj.
Të gjithë këta ishin njerëz të ditur dhe nxënësit patën fat që studiuan pranë tyre, por disa nga këta mësues kishin ndonjë problem të vogël, prandaj ishin në Gjirokastër, në atë kohë.
Jeta mësimore, edukative, në gjimnazin “A. Zeneli” zhvillohej brenda një rregulloreje strikte, ku trupi pedagogjik urdhërohej nga drejtori. Komiteti i Rinisë luante rol kryesor, ndërsa Organizata e Partisë nuk kishte ndonjë peshë të madhe, sepse kishte shumë pak anëtarë. Mësuesi që jepte lëndën e muzikës, quhej Mexhit Daiu dhe kish mbaruar shkollën për kompozicion në Romë dhe i njihte mjaft mirë, elementët e pentagramit. Për të, Dritëroi kujton se, “një herë, kur ishte lufta e Koresë, u bë një këngë, ‘Lufton populli i Koresë’. Kënga erdhi në Gjirokastër nga Ministria e Arsimit. Na thanë që duhet të mësohet kjo këngë. E merr Mexhiti në piano, e studion dhe thotë: Nuk ua japim nxënësve, sepse kjo është e kopjuar nga ‘Primavera’, një këngë fashiste”.


Dëftesa e vitit të parë
Dëftesa e vitit të parë të gjimnazit, që i përket sezonit mësimor 1948-’49 tregon se Dritëroi ka kaluar klasën me rezultate “shumë të mira” dhe “të mira”, të cilat vlerësoheshin relativisht me notën “pesë” dhe “katër”. Por atëherë edhe nota tresh ishte kaluese, sepse nënkuptonte vlerësimin “mjaftueshëm”.
Dëftesa e tij është lëshuar më 10 korrik 1949, ku numri i amzës është numri 5, ndërsa ditëlindja në dëftesë është shënuar 13 tetor, 1931. Notat vijojnë si më poshtë:
Gjuhë Shqipe – Shumë mirë – 5
Marksizëm –  Mirë – 4
Histori – Shumë mirë – 5
Gjeografi – Mirë – 4
Shkenca biologjike – Shumë mirë – 5
Algjebër – Mirë – 4
Gjeometri – Mjaftueshëm – 4
Kimi – Mirë – 4
Vizatim – Mirë – 4
Edukatë fizike – Mirë – 4
Bujqësi – Mirë – 4
Muzikë – Mirë – 4
Punë dore – Mirë – 4
Në pjesën e poshtme të dëftesës shkruhej se “gjatë vitit shkollor ka bërë 23 mungesa të arsyeshme, në semestrin e parë, 25 në të dytin dhe 20, në të tretin”, ndërkohë që nuk figuron të ketë asnjë mungesë të paarsyeshme.
Këtu bie në sy lënda e Gjeografisë, që në semestrin e parë e kishte “Shumë mirë”, pra me notën 5, ndërsa në semestrin e dytë i doli, “Mjaftueshëm”, pra “tresh” dhe në përfundim u vlerësua me notën “mirë”, pra “katër”, ndërsa lënda e Historisë erdhi në ngritje, duke kaluar nga “katra” e tremujorit të parë, te “pesa” në përfundim të shkollës.
Më tej, Dritëroi tregon se në një orë gazmore ata imituan profesorin e Zoologjisë, kur ai provoi të bënte operacion macen për t’u treguar nxënësve se si është zemra e maces. Mirëpo, sa ia nguli pak thikën, macja i shpëtoi nga duart dhe ashtu e përgjakur nga profesori, u vërtit nëpër shkollë e nëpër lagje deri sa ngordhi e dha shpirt e shkreta. Këtë historinë e mësuesit të Biologjisë që therte macet e lagjes, në orën e mësimit e ka treguar edhe Kadareja, te libri i tij, “Kronikë në gur”. Kushtet në gjimnaz nuk ishin shumë të mira. Por Dritëroi thotë se nuk mund të prisje kushte ideale në gjimnaz, në kohën që lufta sapo kishte mbaruar. Kushtet e konviktit ishin shumë të vështira, sidomos me fjetjen dhe ushqimin. Konviktorët e Liceut të Gjirokastrës e kishin më të vështirë se ishte ftohtë. Ja si e tregon Dritëroi një ngjarje gjatë atij dimri në librin e tij, “Arka e Djallit”.
Si u dogjën
krevatet me short
“Një vit, bëri dimër i egër shumë e me ngricë dhe ne, katër vetë në një dhomë, nuk kishim dru të ngroheshim. Desh vdiqëm nga të ftohtët dhe vendosëm të digjnim në zjarrin e oxhakut një nga krevatet tona. Hodhëm short kujt t’i binte. I ra njërit, shorti i keq, ai la krevatin, ne e shqyem dhe e hodhëm në zjarr në oxhak. E dogjëm një krevat, atë natë dhe u ngrohëm. Mbetën tre krevate. Erdhi shërbyesja në mëngjes, po nuk e vuri re. Natën e dytë, shorti i ra Gaqo Veshit. E dogjëm dhe krevatin e Gaqos dhe e hodhëm edhe një natë, po kur mbetën vetëm dy krevate, shërbyesja vuri duart në kokë. Ajo pa hirin në oxhak, e kuptoi ç’kishte ndodhur dhe me vrap te drejtori. Ne na nxorën para gjithë konviktorëve, duke na thirrur: “Sabotatorë”! “Sabotatorë!”. Mirëpo, drejtori ynë, që ishte dhe gjahtar, qëlloi burrë i mirë, nuk na përjashtoi dhe na fali, duke u thënë atyre të tjerëve: “E mo, t’i falim se kanë ngrirë nga të ftohtit”. Edhe ushqimi, për faqe të zezë ishte.
Ndërsa, shoku i tij, Gaqo Veshi, tregon: “Në gjimnazin ‘Asim Zeneli’ në Gjirokastër, kur ata ishin në vitin e dytë, u krijua rrethi letrar. Kjo ndodhi kur në shkollë erdhi si profesor letërsie Vehbi Bala, i cili u zgjodh si kryetar i ‘rrethit letrar’, ndërsa pak më vonë, kryetar u bë Dritëro Agolli. Disa nga anëtarët e këtij rrethi letrarësh ishin: Ismail Kadare, Gaqo Veshi, Bekim Harxhi, Rushit Bezhani, etj. Natyrisht, Ismail Kadareja dallohej ndër të tjerët. Madje, që kur ishte nxënës në klasë të katërt, në maturë, botoi librin “Frymëzime djaloshare”.
Kur Dritëroi shkoi në klasën e katërt, Kadareja ishte në klasën e dytë të shkollës së mesme, por në fakt, ata kishim ndërtuar midis njeri-tjetrit marrëdhënie shumë të mira dhe shkëmbenin mendime për poezinë. Atëherë ishte gazeta “Rinia” dhe revista “Letërsia Jonë”, si edhe “Letrari i Ri”.
Rrethi letrar ishte një fidanishte nga e letrarëve të rinj në të gjithë vendin. Në të ardhmen, disa nga anëtarët e tij do të bëheshin shkrimtarë të dëgjuar, si të mëdhenjtë Ismail Kadare e Dritëro Agolli, por edhe të tjerë si Agim Shehu, Bardhyl Xhama, Bekim Harxhi e tjerë. Dritëroi dallohej ndër pjesëtarët e tjerë të rrethit letrar dhe shquhej për cilësinë e vjershave që shkruante. Por letrarët dhe poetët janë të prirur edhe për aventura të rrezikshme, sidomos gjatë fëmijërisë dhe pragut të adoleshencës, ku kureshtja dhe dëshira për sprova të reja, i çojnë drejt rrezikut.
Arrestimi i Kadaresë
Ismail Kadareja, kur ishte 12 vjeç, ishte përfshirë në një aventurë të rrezikshme fëmijërore, duke u arrestuar nga policia. Ai madje bëri edhe dy ditë burg, sepse së bashku me një shokun e tij, 13-vjeçar, bënë ca monedha me plumb, pasi në shtëpinë e shokut, kishte plumb. Për këtë arsye, ata u arrestuan nga policia. Për këtë rast, Kadareja kujton: “Na kanë arrestuar në orën e gjimnastikës dhe na kanë çuar në burg. Unë kam bërë dy ditë burg, por shoku im ka qenë 3 muaj në burg. Për të nuk ka qenë kaq për të qeshur, se dhe ai ishte 1 vit më i madh se unë, e kapi një nen, si duket 13 vjeç, 13 vjeç e gjysmë. Mua më liroi babai, që njihte një avokat, ndërsa shoku im ndenji 3 muaj në burg, në kështjellë”, ka rrëfyer Kadareja. Në atë kohë, Dritëroi ishte më i madh.
Transporti brenda qytetit bëhej me kafshë ngarkese dhe me hamej, pasi makinat nuk e kalonin dot Qafën e Pazarit. Kërkesat për të udhëtuar drejt Tiranës ishin të larta se gjithçka përballej nga dy autobusë, që niseshin nga “Sheshi i Çerçizit”. Duhet të shkruaje emrin në zyrën përkatëse dhe të prisje radhën.
Atëherë, si kudo në vend, vepronte sistemi i triskëtimit, që plotësonte minimumin jetik, familjar. Sipas Gaqo Veshit, Dritëroi përveç talentit të spikatur në poezi, ishte talent edhe në grupet teatrale të konviktit e të shkollës, sidomos në interpretimet e roleve komike. Për këtë pikë, Gaqoja rrëfen: “Të dy, si morëm pjesë aktive në disa shfaqje në konvikt e në shkollë e në Shtëpinë e Kulturës, vendosëm të vinim në skenë komedinë e Çajupit, ‘Pas vdekjes’, ku Dritëroi interpretoi rolin komik të Zenelit…”.
Në vitin e tretë të shkollës Komiteti Qendror i Rinisë shpalli një konkurs letrar kombëtar për talentet e reja në fushën e letërsisë. Konkursi u shpall pesë muaj para se të ndaheshin çmimet. Ndarja e çmimeve ishte caktuar të bëhej në mbyllje të një konference për letrarët e rinj të asaj kohe dhe kjo përbënte një ngjarje të madhe për talentet e reja. Sepse akoma nuk ishte mbajtur Kongresi i parë i shkrimtarëve, ndërkohë që shteti organizonte konferencën e letrarëve të rinj. Me organizimin e kësaj konference u mor vetë presidenti i Komitetit Qendror të Rinisë së asaj kohe, Ramiz Alia. Ndërsa, me drejtimin e mbledhjes u angazhua kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dhimitër Shuteriqi. Atë ditë, në presidiumin e mbledhjes bënin pjesë të gjithë anëtarët e jurisë së konkursit si Ramiz Alia, Dhimitër Shuteriqi, Kolë Jakova, Sotir Caci, etj.
Kur erdhi moment i ndarjes së çmimeve, Dritëroi fitoi çmimin e tretë me vjershën e gjatë “Gjaku i kulluar”. Çmimin ia dorëzoi Ramiz Alia, duke e përgëzuar për krijimin. Ja disa vargje të kësaj vjershe:

Reth kasolles së vetmuar, po fryn era me tërbim,
Ngre dëborën e pashkelur, përmbi mure e përplas.
Dhe çatia vrima-vrim, seç gjëmon e uturin
I madh dimër ka pllakosur, gjithë dëborë e erë pas.
Edhe brenda në kasolle, mbi një thes me lecka qepur
Është shtrirë i përgjakur trupi i njomë i një djali,
Shtat e ka thesin me xhunga dhe jastëk për t’u mbështetur,
Gjuri i nënës është bërë. Fryn prapë era që nga mali.
-Bir, po kush të ka qëlluar, kush kaq rëndë të goditi.
Bir iu thaftë ajo dorë dhe i rëntë copa-copa,
Mos e tretët kurrë gropa!

Ashtu siç kishte nisur të ndodhte gjithmonë, çmimet e para ishin fituar nga nxënësit e kryeqytetit. Kjo gjë ishte bërë rrugë dhe dukej se intelektualët që caktoheshin nëpër juritë e konkurseve letrare kishin shumë paragjykime për qytetet periferike dhe sidomos për nxënësit nga fshati. Pavarësisht se flitej për barazi, letrarët e zonave të largëta shiheshin me një sy tjetër, ndërsa ata që jetonin në Tiranë kishin mundësi të ndërhynin me anë të miqve të tyre të përfaqësuesit e jurive. Ky persekutim që u bëhej letrarëve të fshatit, nëpër konkurse ndikonte së tepërmi në sedrën e tyre. Sepse në të gjithë botën, letrarët janë individët më të ndjeshëm dhe ata lumturoheshin, ose prekeshin menjëherë nga suksesi, apo dështimi, qofshin nga fshati apo qyteti. Por aty dikush tha që ata të kryeqytetit i marrin me hatër këto çmimet e para, kurse neve na japin të tretat. Në atë kohë, Dritëroi kish lexuar që më përpara Don Kishotin, duke kuptuar se kështu ndodhte në të gjithë botën. Dhe Don Kishoti, si personazh, i thoshte një poeti të ri: më mirë, mos merr çmimin e parë, se çmimi i parë është me hatër dhe duhet të marrësh çmimin e tretë.
Në atë rast, Dritëroi i besonte Servantesit më tepër se sa Ramiz Alisë që ishte kryetar jurie i këtij konkursi të madh kombëtar. Kjo ndodhte sepse poetët e rinj e kanë më të lehtë t’u besojnë shkrimtarëve të vdekur se sa politikanëve të gjallë.
Në atë moment, Dritëroi u njoh edhe me Nasho Jorgaqin, i cili fitoi çmimin e tretë për kategorinë e tregimin që ia dha Kolë Jakova. Nashua studionte në Shkodër, ndërsa Dritëroi në Gjirokastër, por më vonë Nashua u lidh shumë me pjesëtarët e rrethit letrar të shkollës “Asim Zeneli”, sidomos me Ismail Kadarenë. Gjatë një periudhe, ai ishte shoku më i ngushtë i Kadaresë, por nga ana tjetër ishte edhe kushëri i Elena Kadaresë. Më vonë, me mirëkuptimin e Ismailit, Nashua shkroi një roman mbi motivet kryesore, të një dashurie të Kadaresë me një vajzë nga Tirana. Romani i tij u quajt “Dashuria e Mimozës” dhe për një kohë të gjatë pati sukses, ndërsa më vonë Kadareja deklaroi se ngjarjet e asaj historie personale të dashurisë ai i kishte përshkruar në librin e vet, “Mjegullat e Tiranës”, të cilin e kish mbajtur të pabotuar. Më në fund, kur e botoi këtë libër, midis dy shkrimtarëve që tani kishin mbushur nga 80 vjeç, plasi sherri, i cili u shua shpejt.
————-
Nesër do të lexoni:
Poeti që nuk u bë veteriner, bursa e studimit dhe nisja drejt Leningradit. Dashnorja e parë e Dritëro Agollit ishte Vali, ndërsa me Ninën u martua në vitin e tretë


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.