OPINION

Përse na duhen shkrimtarët?

07:20 - 26.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Sulejman MATO

 

“Në qoftë se letërsia e një kombi pëson rënie, kombi atrofizohet dhe kalbet.”

Ezra Paund

Na ndodh shpesh të na pyesin: Pse shkruani? Dhe ne s’kemi ditur t’u përgjigjemi. Pas kësaj ka ardhur një pyetje tjetër, më se e natyrshme për kohën: Fitoni nga librat? Përgjigjja jonë ka qenë me ngritje supesh. Është një pyetje që nuk bëhet më për librat. Çdo mall që shitet në treg ka fitimin e vet, vetëm librat jo. Librat, sipas zakonit më të ri shqiptar, vetëm falen. Atëherë, çfarë janë ca njerëz që shkruajnë akoma, edhe pse e dinë që tregu i librave ka rënë, dhe, për më tepër, librat nuk shiten por falen? Mirëpo, shkrimtarët e vërtetë ende shkruajnë, edhe pse i dinë vështirësitë dhe peripecitë e punës së tyre intelektuale. Shkrimtarët e dinë mirë dhe që janë e vetmja specie në botë që, siç thotë shkrimtari i njohur francez Zh. P. Sartre, me veprat e tyre “shpirtëzojnë botën”. Kaq do të mjaftonte për të justifikuar nevojën e shkrimtarëve në këtë botë! Do të guxoja që këtë mendim ta çoja edhe më tej. Çfarë do të ishte bota pa Homerin? Nga do ta merrnim gjithë atë informacion për luftën greko-trojane, një ndodhi e 3200 vjetëve më parë?! Sikur të mos ishte një shkrimtar si Homeri, nga do t’i merrnim vesh gjithë ato hollësi të luftës greko-trojane, personazhet që morën pjesë në atë luftë, mitet, zakonet, veshjet, bisedat, vendet, ligjet, si dhe ndjenjat e mendimet e para tre mijë vjetëve?! Ishte Homeri që e përshkroi atë kohë dhe ato ngjarje, ato mite e ato zakone të kohës. U dogj biblioteka e Aleksandrisë dhe humbën shumë mundësi për të mësuar shumë gjëra nga koha e faraonëve. “Jeta jetohet për ta futur në një libër”, thotë një autor. Koha e socializmit pati shumë shkrimtarë dhe artistë të cilët e përjetuan me dinjitet dhe art të madh atë kohë. Nuk është vetëm Kadareja shkrimtar që duhen lavdëruar për përjetësimin në art të asaj kohe. Janë shumë. Është edhe shkrimtari i madh Petro Marko, me romanet e tij. Kujtoj tani dhe shumë shkrimtarë të shquar, të cilët nuk patën fatin që veprat e tyre të përktheheshin në shumë vende të tjera të botës. Le të kujtojmë me nderim, me këtë rast shkrimtarët Jakov Xoxa, Sterjo Spase, Fatmir Gjata, Dhimitër Shuteriqi, Ali Abdihoxha, Dritëro Agolli, Shefqet Musaraj, Skënder Drini, Sotir Andoni, Teodor Laço, Koço Kosta, Kiço Blushi, Nasi Lera, Fatos Kongoli, Zija Çela, Moikom Zeqo, Roland Gjoza etj., etj. Po kështu, pati edhe shumë skulptorë dhe shumë piktorë të shquar, njëri prej tyre është edhe i ati i kryeministrit aktual, Kristaq Rama. Është derdhur shumë mund dhe djersë, sakrificë, punë dhe fantazi për të pasur edhe ne një letërsi dhe një art i cili për nga vlerat letraro-artistike qëndron denjësisht me vlerat e kulturës kombëtare dhe europiane. Iu jemi mirënjohës sot shkrimtarëve dhe artistëve që nuk janë më pranë nesh, për punën e madhe dhe veprat letraro-artistike që na kanë lënë. Duke e konsideruar atë si një pasuri të çmuar kombëtare.

Shkrimtarët janë dëshmi e kohës. Shumë presidentë, kryeministra, deputetë dhe ministra do të harrohen; shkrimtarët dhe artistët që përmendëm më sipër nuk ka se si të harrohen. “Një vepër letrare mund të përkufizohet si një prezantim imagjinar i botës”, – thotë Sartre. Po ky autor, i cili refuzoi dikur çmimin Nobel, na jep dhe një përkufizim tjetër në lidhje me rolin e rëndësishëm të shkrimtarit. “Problemi që një shkrimtar kërkon të zgjidhë në punën e tij, është një problem që u takon të gjithëve”, – thotë ai. Letërsia, aq sa është fryt i fantazisë së autorit, aq është edhe një realitet konkret dhe një imperativ i kohës,   që jepet përmes veprës së një shkrimtari. “Asgjë nga ç’ka ndodhur nuk është e humbur për letërsinë”, – ka thënë shkrimtari Valter Beniamin. Letërsia nxit. Shkrimtari fikson. Shkrimtari gjallëron personazhet e një kohe. Shkrimtari përjetëson. Shkrimtari është një mendje e ndritur i cili vjen rrallë. Kur ikën, e ndjejmë të gjithë mungesën e tij.

Çfarë vlere kanë muzeumet për të cilat hidhen aq shumë pará para një vepre letrare? Çfarë do të dinte rinia sot për prishjen e madhe me Bashkimin Sovjetik në qoftë se Ismail Kadareja nuk do ta përjetësonte atë kohë në romanin e vet “Dimri i madh”? Po kështu, le të kujtojmë romanet e Petro Markos: ‘Hasta la vista”, “Ultimatumi”, “Ara në mal”, “Qyteti i fundit” etj., le të kujtojmë romanin “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxes dhe romanin e Sterjo Spases “Afërdita përsëri në fshat”, apo romanet e Teodor Laços etj. Të gjitha këto vepra letrare, dhe të tjera, madje dhe shumë tablo pikture, skulptura, peizazhe etj. pasqyrojnë një kohë ku jetohej dhe ndërtohej. Edhe tani kemi shumë shkrimtarë dhe artistë që shkruajnë dhe pikturojnë, por çdo gjë ndodh, mirëpo kjo ndodh si në një film pa zë. Askush nuk interesohet më për veprat dhe botimet e shkrimtarëve. Madje dhe botimet bëhen me kursimet e veta, hera-herës dhe me kursimet e pensioneve. Çdo gjë që ndodh në letërsi zhvillohet në heshtje dhe jashtë vëmendjes së shtetit. Hera-herës të duket se këtu jeton një popull që nuk merret me letërsi dhe art, por vetëm me politikë dhe biznes. Kjo kohë më kujton poezinë e Migjenit “Nën flamujt e melankolisë”, kur shkruan: “Askush s’mund të thotë se këtu rron një popull që ndërton diçka të re”.

Letërsia dhe arti motivojnë jetën, ndaj, sot shtrohet si nevojë jetike që ekonomia e vendit të ecë paralel me zhvillimin e artit dhe kulturës, pasi të dy këto kahje janë pjesë e të njëjtit qëllim, pjesë e zhvillimit dhe kënaqësisë së jetës. Le të kujtojmë thënien e çmuar të nobelistit amerikan Ezra Paund: “Në qoftë se letërsia pëson rënie, kombi atrofizohet dhe kalbet”. Kjo është një e vërtetë e hidhur të cilën vetëm pushtetarët tanë nuk mund ta kuptojnë. Së paku, do të dëshiroja që ta kuptonte dhe ta vlerësonte me seriozitetin e duhur kryeministri aktual, Edi Rama, i cili është dhe pjesë e elitës artistike të këtij vendi.

-A ka sot shkrimtarë Shqipëria? Po, ka! Ka shumë shkrimtarë dhe artistë të mirë. Unë jam një lexues i vëmendshëm i krijimeve letrare, të miqve të mi, dhe kam konstatuar me kënaqësi se në këto vite ka shumë prurje letrare dhe ka shkrimtarë me një nivel të lartë, veprat e të cilëve pasqyrojnë denjësisht kohën që jetojmë. Disa prej veprave të tyre mund të krahasohen me letërsinë e vendeve më të zhvilluara europiane. Sidomos gjinia e tregimit ka arritur nivele të larta. Në qoftë se do të më kërkohej të bëja një antologji me tregimet e kohës, ju siguroj se antologjia që do të nxirrja në dritë, me tregimet e shkrimtarëve shqiptarë, të të gjitha kohërave, do të ishte një surprizë e madhe për letërsinë europiane dhe botërore. Mirëpo, më thoni ju, çfarë veprash nga letësia jonë janë përkthyer në vendet e tjera? Iniciativa e vetme e vitit të kaluar e ndërmarrë nga Ministria e Kulturës për përkthimin e pesë librave është për t’u përshëndetur, ndonëse përzgjedhja ka qenë klienteliste. Zgjedhja dhe përkthimi i krijimtarisë më të mirë letrare për përkthim në një gjuhë të huaj duhet bërë nga shkrimtarë të shquar dhe kritikë letrarë. Në këtë drejtim do të ishte mirë që këtë nismë, në vend të të ashtuquajturit komision, Ministria t’ia linte në dorë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Brenda kësaj organizate ka mjaft shkrimtarë të shquar dhe kritikë profesionistë, të cilët dinë të vlerësojnë çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, çfarë bën për eksport dhe çfarë lloj letërsie bën për përdorim të brendshëm. Veprat letrare nuk janë fruta dhe zarzavate të cilat i përgatisim për eksport. Letërsia e vërtetë ka kritere vlerësuese nga shkrimtarë që dinë të vlerësojnë një vepër të mirë nga një vepër mesatare.

Në një intervistë të aktores Eni Fuga, botuar në një nga gazetat e ditës, aktorja shprehej e shqetësuar për mungesën e interesit të shtetit për artin dhe letërsinë. “Duhet një dorë tjetër më madhore, që i kalon kufijtë e individit”, shprehej ajo, duke nënkuptuar mungesën totale të interesit shtetëror. Në këtë intervistë aktorja shqetësohej edhe për mungesën e kritikës artistike, diçka thelbësore për fatet e artit dhe letërsisë. Mungesën e institucionit të kritikës së artit ajo e quante një të keqe serioze për “vetëkorrigjimin e vlerave artistike”.

Të gjitha sa thamë më lart të çojnë te kërkesa urgjente për rikrijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nuk është problem emri, as e kaluara e saj, mbi të cilën është hedhur shumë baltë. Një institucion i artit dhe kulturës në Shqipëri është më se i domosdoshëm, jo vetëm për kohën, por edhe për të ardhmen e letërsisë dhe artit. S’ka rëndësi emri; mund të quhet “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”, por mund të quhet edhe “Unioni i Shkrimtarëve dhe Artistëve” ose “Shtëpia e krijuesve mbarëshqiptarë” etj. Rëndësi ka ekzistenca e saj, si vazhdimësi e një tradite të madhe që kemi pasur dhe si kërkesë për vazhdimësi vlerash kombëtare. Këtë institucion nuk mund ta zëvendësojë asnjë Ministri Kulture dhe asnjë shoqatë tjetër e krijuar artificialisht, pa ndërhyrjen e shtetit. Ne kemi pasur një traditë të madhe në këtë drejtim. Kemi pasur organizim në qendër dhe në bazë. Kemi pasur degët e Lidhjes dhe sektorët e Lidhjes. Ishte ajo Lidhje e cila e pasuroi fondin e kulturës dhe artit tonë me vlera të rëndësishme kombëtare. Ishte ajo Lidhje së cilës iu mor padrejtësisht ndërtesa nga një ministër aventurier, dhe nuk iu kthyer më. Ishte një ndërtesë që iu ishte falur shkrimtarëve dhe artistëve, nga kryeministri i asaj kohe, e cila sot mund të lozte rolin dhe të një muzeu të letërsisë dhe arteve, ku do të pasqyroheshin veprimtari, vlera letrare e artistike dhe veprat e shumë autorëve të njohur.

Tashmë kjo ndërtesë i ka kaluar Ministrisë së Drejtësisë, ku do të punojnë disa komisione të vetingut. Nuk është e thënë që të jetë po e njëjta ndërtesë për shkrimtarët dhe artistët. Po të ketë interes dhe mirëkuptim shteti, edhe ndërtesa gjendet, edhe fondet gjenden, edhe njerëzit që do ta drejtojnë atë institucion gjenden. Problemi është se sa interes ka shteti ynë për zhvillimin e talenteve të reja dhe për perspektivën afatgjatë të zhvillimit të letërsisë, artit dhe kulturës në vend. Në mungesë të këtij institucioni, ka vërshuar një lumë botimesh mediokre. Në mungesë të këtij institucioni mungon sot kritika letrare dhe artistike, tepër e nevojshme për zhvillimin e letërsisë dhe arteve. Në mungesë të këtij institucioni, muzika ka rënë në batakun e tallavasë. Në mungesë të këtij institucioni mungojnë krijimet e reja për teatrin, mungojnë drama dhe komedia shqiptare, mungon përpunimi dhe kultivimi i valleve popullore si dhe muzika instrumentale dhe popullore shqiptare. Në mungesë të këtij institucioni, nuk ka më një gazetë letrare siç ishte “Drita” dhe një revistë letrare siç ishte “Nëntori”, si dhe një revistë e letërsisë sonë përkthyer në gjuhë të huaj, siç ishte “Les letres Albanes”. Në mungesë të këtij institucioni mungon “Agjencia e tregtimit të librit artistik”, mungojnë 168 pika të shitjes së librit nëpër rrethe. Në mungesë të këtij institucioni mungojnë skenaristët e filmave shqiptarë. Ku gjendet sot biblioteka e Lidhjes me mbi 10.000 libra? A e dini ku ndodhet? Në magazinat e Lundrës, në një depo plot lagështirë, nga e cila s’ka për të dalë asnjë nga ata libra me vlera të jashtëzakonshme e që nuk mund t’i gjesh dot në asnjë bibliotekë tjetër të vendit tonë. Nuk ka qenë kurrë Ministria e Kulturës ajo që ndikonte në zhvillimin e letërsisë dhe arteve në vendin tonë. Ky institucion kaq i rëndësishëm, pas viteve ‘90 u ‘shpërblye’ nga shteti me shpërfillje, me mungesë fondesh dhe harresë. Në disa raste është hedhur mbi të kaq shumë baltë, e cila e çoi gjer në marrjen e ndërtesës me forcë nga ana e shtetit. Ky është një turp që nuk mund të gëlltitet! Këtë turp e kaluan në heshtje edhe dy nga shkrimtarët e shquar, D. Agolli dhe I. Kadare, të cilët i dhanë aq shumë atij institucioni, u rritën në atë institucion dhe, sigurisht, duhej ta mbronin tempullin e tyre të letërsisë dhe artit.

Ismail Kadare ka mundësi edhe sot që, me influencën e tij të ndikojë, sa nuk është vonë, për t’ua kthyer shkrimtarëve dhe artistëve tempullin e munguar të artit dhe të letërsisë. Po kështu, edhe kryeministri Edi Rama ka mundësi të plota, dhe është në kohë, për të menduar seriozisht për të ardhmen e letërsisë dhe artit, pjesë e të cilit është edhe vetë. “Jeta është e shkurtër, arti është jetëgjatë”, thotë një shprehje latine. Do harrohen postet, titujt dhe gradat e gjithkujt, por nuk do të harrohen kurrë veprat e shkrimtarëve që lindën në kohën e socrealizmit dhe të të tjerëve që do ta pasojnë. Në fund të fundit letërsia është pjesë e historisë së popullit, ajo është një ndërmarrje për të përjetësuar historinë e një kombi. Njeriu nuk jeton vetëm me bukë; atij i duhen edhe libri, edhe muzika, edhe piktura, edhe skulptura, edhe kënga, edhe vallja popullore, edhe drama, edhe komedia e vendit të tij.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.