DOSSIER

Poeti që nuk u bë veteriner, bursa e studimit dhe nisja drejt Leningradit

10:13 - 27.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ilir BUSHI

Ishte muaji gusht dhe gjimnazi kish mbaruar. Në zgjedhjen e të drejtës së studimit, Dritëroi kish bërë një gabim, që mund t’i ndryshonte krejtësisht rrjedhën e jetës së tij të ardhshme. Sepse ai, në lutjen e tij kërkoi tre degë, që ishin Veterinari, Biologji dhe Gjeografi. Ndofta më vonë, mund t’i dilte edhe më mbarë duke u bërë veteriner, por në kushtet e Shqipërisë, kur dihen maksimumet dhe minimumet e kuotave të profesioneve, kuptohet se një veteriner nuk mund të kapte lavdinë apo nderimin e një shkrimtari. Por nga ana tjetër, një shkrimtar mund të dënohej e të pushkatohej më kollaj sesa çdo veteriner, biolog apo gjeograf, pikërisht për temat letrare dhe devijimet e Realizmit Socialist. Duke qenë veteriner, nëse viçi hante drithin e kooperativës, veterineri mund të paguante me rrogën e tre muajve, por duke qenë poet, nëse të kalonte ndonjë figurë letrare e papërshtatshme, atëherë në rastin më të mirë, mund të dënoheshe me 10 vjet burg, ose me pushkatim, sepse këtu është praktikuar edhe dënimi me varje për ta.
Shkurt, Dritëroit i pëlqenin bujqësia, zooteknika dhe veterinaria. Ai mendonte se letërsinë mund ta ushtronte edhe duke lexuar, pa qenë nevoja të shkollohej. Gjer atëherë ai kish dëgjuar se Çehovi ishte mjek, Dostojevski ishte inxhinier ndërtimi. Prandaj, nuk e zgjati shumë dhe caktoi tre degët sipas radhës që evidentuam më sipër, pra Veterinari, Biologji dhe Gjeografi. Të gjithë mësuesit që e njihnin talentin e tij u çuditën nga këto zgjedhje, por askush nuk dinte se çfarë të thoshte. Dritëroi ishte aq ekspresiv në sqarimet e tij për zgjedhjet e bëra, saqë nuk të linte hapësira për kundërshtime. “Më pëlqejnë ato degë që kam zgjedhur vetë”, – u thoshte ai mësuesve e nxënësve që e pyesnin.
Një ditë, në gjimnazin e Gjirokastrës erdhi Kahreman Ylli, që në atë kohë ishte në Ministrinë e Arsimit, dhe tha se disa nga shkrimet e Dritëroit i kish lexuar dhe i kishin pëlqyer. Në fund, ata të dy folën edhe për të drejtën e studimit. Dritëroi kishte dalë me nota të mira dhe mund të zgjidhte çfarë të donte. Por ai i tha, se kish vendosur të zgjidhte zooveterinerinë. Kahreman Ylli u çudit nga kjo përzgjedhje dhe, pasi dëgjoi një copë herë, për të kuptuar nëse djaloshi e kishte seriozisht atë zgjedhje që kishte bërë, ia preu me vendosmëri: “Jo, ti nuk do të shkosh për këto degë që ke kërkuar, por do të shkosh për gazetari, sepse me krijimet e tua ke treguar që je i talentuar në këtë fushë”.
Pasi u shpallën të drejtat e studimit, në një stendë në qendër të Tiranës, emrat e fituesve u publikuan menjëherë në të gjithë Shqipërinë. Dritëroi e priti shumë mirë lajmin e shkollimit të tij në Bashkimin Sovjetik, dhe më vonë ai e karakterizoi këtë ditë si një nga ditët më të lumtura të jetës së tij. Sapo mori vesh vendin se ku do të studionte, Dritëroi nisi të interesohej për të gjitha zhvillimet e detajuara të botës letrare në Bashkimin Sovjetik, brenda mundësive që ekzistonin në bibliotekat tona në atë kohë. Bashkë me lajmin për daljen e së drejtës së studimit në Bashkimin Sovjetik, Dritëroi mësoi edhe disa nga emrat e studentëve të tjerë që do të ishin bashkë me të, në vendin e madh të lavdisë dhe të luftës. Në përgjithësi, ai nisi të interesohej për ta, në mënyrë që të njihej para se të shkonin në qytetin e dëborës ruse. Po shumë shpejt, ai i mësoi të gjitha hollësitë e tjera, pas një takimi që pati në Tiranë, me tre nga kandidatë e rinj që prisnin të niseshin.
Me vaporin “Bjello Ostrov” drejt Odesës
Më 10 shtator, ata u nisën drejt portit të Odesës, me vaporin “Bjello Ostrov”, që gjer atëherë nuk kish pësuar asnjë tronditje apo çarje, ndërkohë që zemrat e tyre po çaheshin nga padurimi për të parë Bashkimin Sovjetik.
Më në fund, pas 7 ditëve vapori mbërriti në Odesë dhe pasagjerët zbritën, duke u drejtuar drejt kryeqytetit të Bashkimit Sovjetik, që ishte epiqendra, ku caktoheshin emrat e qyteteve të ndryshme ku do të shkonin studentët.
Për këtë ditë të mbërritjes së tyre në Moskë Dritëroi thotë: “Kur erdha në Moskë, në vjeshtën e vitit 1952, u grumbulluam të gjithë. Ardhëm siç ishim, të varfër, me valixhe prej druri, aq sa mezi i nxinin makinat brenda. U mblodhëm këtu, për t’u shpërndarë në qytetet e Rusisë. Mua më caktuan në San Petërburg. Aty ishim në një grup me Marash Hajatin, Fadil Kokomanin etj”.


Kur mbërritën në Leningrad, studentët shqiptarë, sipas procedurave vrapuan në zyrat e universitetit dhe dorëzuan dokumentet. Pastaj, ata u caktuan në “Mëjtënskaja Naberezhnaja Dom 13/2”, konvikti pranë “Stroitelni most”, ura e ndërtimit, në krah të “Petropavlloskaja Kreposts” (Kështjella Petropavllosk). Përballë ishte lumi i famshëm Neva, dhe akoma më përballë “Zimnij Dvorjec” – Pallati i Dimrit.
Ishte prag dimri dhe temperaturat e ulëta dimërore kërkonin para dhe përgatitje për veshje të trasha e pallto të mëdha. Sipas një kontrate të pashkruar, studentët e vjetër u shisnin palltot e trasha studentëve të rinj, me një çmim të arsyeshëm. Në prag të ikjes, ata jepnin gjithçka që kishin pasur në këtë qytet, me përjashtim të adresave të vajzave të tyre, prej të cilave do të ndaheshin. Ajo pallto me gëzof të gjerë, jashtë si gunë e për astar kishte një vatë si jorgan, ishte tepër e domosdoshme për dimrin e acartë dhe të lagësht të Leningradit, ku temperaturat shpesh, për 5-6 muaj me radhë binin minus 20 gradë. Marrëveshjet përfundonin për të gjithë njëlloj; në fillim, studenti i ri do t’i jepte pronarit, studentit të vjetër, gjysmën e çmimit, ndërsa pjesën e dytë do ta lëvronte në qershor, kur ishte fundi i vitit.
Hajati në libër, thekson maninë e Dritëroit për kokoret me gëzof, ku edhe pse me këste dhe pa lekë në xhep, ai i kishte ato koleksion. Peçi ishte një student gjirokastrit që shiste kapele, dhe ai nxehej se ende nuk i kishte marrë këstet e kapelës së tij te Dritëroi. Ai shkonte çdo javë të numëronte kapelat e Dritëroit, duke i kujtuar atij se sa këste i kishin mbetur pa paguar, por grindje të tilla studentët i kalonin me humor.
Dhe, megjithëse qyteti mbante emrin e një politikani fanatik, kjo nuk e pengonte Dritëroin që të fuste dorën e tij poshtë këmishës së ndonjë vajze, për të zbuluar aty kuptimin e jetës. Madje, në këto raste, emri i Leninit apo Leningradit e meritonte plotësisht mirënjohjen, sepse ky emër do t’u kujtonte përjetë studentëve, kofshët e vajzave elegante dhe buzët origjinale të tyre, që ende nuk ishin prekur nga asnjë bisturi kirurgu. Të puthje një vajzë poshtë metrosë së qytetit, apo në cepin anësor të Pallatit të Dimrit, ky ishte një episod që ata nuk kishin guxuar ta mendonin as në ëndërr, dhe ky pushtim ishte emocion më i madh se i atyre që pushtuan Kremlinin. Ndërsa, po të arrije të shtrije një vajzë në krevatin e konviktit, ky ishte një revolucion më i rëndësishëm se Revolucioni i Tetorit, kur Lenini shtriu përtokë lavdinë e carëve, që dukeshin të përjetshëm. Por kjo mund të ndodhte shumë rrallë, sepse dhomat e konviktit të tyre ishin me nga katër studentë, që hynin orë e çast aty. Një pjesë e tyre ishin peshkopë, që rrinin natë e ditë mbi libra në dhomë. Kjo e dyfishonte vështirësinë për të futur ndonjë vajzë, pasi edhe kinezët, koreanët apo vietnamezët hynin e dilnin shpesh, me ndonjë filxhan çaji, duke ua bërë “gëzuar” shqiptarëve. Kështu që, po të guxoje të fusje ndonjë vajzë në dhomë, nga çasti në çast mund të hapej dera, dhe në rastin më të mirë mund të ishte ndonjë vietnamez që pyeste “a keni ndonjë aspirinë”, ndërsa në rastin më të keq mund të ishte roja, apo kujdestari i konviktit, që të nesërmen do të të thyente notën në sjellje.
Vali, dashnorja
e parë e Agollit
Sipas Hajatit, njëra nga mikeshat e Dritëroit, ose mikesha e tij e parë, ruse, quhej Vali. Ajo, me sa duket, ishte dashnorja e parë e Dritëroit, por për të nuk flitet shumë. Në librin e tij, Hajati tregon edhe një foto, ku Dritëroi ka dalë pranë saj. Në këtë libër, Vali tregohet si një vajzë e ëmbël dhe e dashur, që nuk mungon në fotot e jetës studentore të Dritëro Agollit. “I dua shumë shqiptarët!” – thoshte Vali kur shoqërohej me ta. Më tej, mund të përfytyrohet çdo gjë tjetër, përveç faktit që Vali mund të ketë mbetur me barrë, ashtu siç ndodhte me shumicën e vajzave të huaja që shoqëroheshin me shqiptarët, të cilët në marrëdhëniet seksuale nuk dinin “indietro”. Nga fakti që ata janë ndarë shpejt, kuptohet se Dritëroi nuk kishte ndonjë afeksion të madh për Valin. Aq më tepër që ajo deklaronte se i donte shumë shqiptarët, gjë që mund të nënkuptohej si një dashnore kolektive e tyre, ndërkohë që Dritëroi preferonte diçka tjetër, të veçantë dhe unike; një vajzë serioze dhe jo deklarative, siç mund të ketë qenë Vali, sipas përshkrimeve të bëra prej Hajatit.
Në atë kohë, Agolli ka pasur një pamje shumë tërheqëse. Duke parë fotot e publikuara, në grupin e studentëve ai dallohej si një ndër djemtë më të bukur, por në radhë të parë ai binte në sy si një prej më të diturve të asaj moshe. Natyra gazmore e bënte edhe më tërheqës, por sidomos e mbushte mjedisin me emocionalitet pozitiv. Në shkollë, ai u identifikua shumë shpejt si një ndër tre studentët më të mirë të universitetit. Thuhej se ai ishte midis tre më të mirëve në elitën studentore të universitetit.
Por Hajati tregohet i kursyer në rrëfime, duke anashkaluar aventurat e dashurisë me vajzat ruse, pa i mohuar ato. Në librin e tij, Hajati vepron si një kinooperator kinemaje, duke i prerë të gjitha pjesët me “drita të kuqe”. Në këtë drejtim, mund të ketë ndikuar edhe ndonjë konsultim me Dritëroin, gjatë kohës kur po shkruante librin, i cili mund ta ketë këshilluar të rezervohej në sekretet me vajzat ruse, pasi jo çdo gjë mund të rrëfehej. Ndofta, Hajati e ka ditur më parë mosdëshirën e Dritëroit për të publikuar aventurat e moshës së vrullshme rinore, ose ai vetë është mjaftuar me zbardhjen e disa emrave, duke prerë episodet.
Nina, dashuria e vërtetë e Leningradit
Jeta e Dritëro Agollit në universitetin e San Petërburgut, është ende një periudhë e pazbardhur plotësisht, për shkak të kompleksit të fajit që ndjente autori për lidhjen me vajzën ruse me emrin Nina, që përfundoi me një ndarje të dhimbshme. Për këtë periudhë ai thotë: “Atje, me atë naivitetin tonë, unë njoha një vajzë dhe, madje, me një pendim, me një ashtu, por u martova me të. Ishte kjo anë, tentativa për të bërë një familje. Mirëpo, gabova për këtë gjë”. Pra, vajza e parë që dashuroi seriozisht quhej Nina, por kjo dashuri ishte si një tërheqje litari që herë anonte drejt ndarjes dhe herë-herë drejt bashkimit. Në një bashkëbisedim të bërë me vëllanë e Dritëroit, Tajarin, ai shprehet se: “Nina ishte një ruse të cilën Dritëro Agolli e pëlqeu që në momentin kur e pa, në shkallët e universitetit të San Petërburgut. Ajo ishte dy vjet më e vogël se Dritëroi dhe kishte një pamje tërheqëse, me një portret të hijshëm femëror dhe me flokë biondë. Nina studionte për Anglisht dhe ajo ra në dashuri me Dritëroin qysh në sekondën e parë. Pas njohjes, trokitja në zemër e bëri efektin e vet, dhe ajo nuk u nda kurrë nga Dritëroi në ato vite të universitetit.
“Me Ninën shiheshim shpesh dhe u bëmë miq”, – tregon Dritëroi. Martesa e tyre, pas vitit të tretë, ishte një ceremoni e thjeshtë, në apartamentin e prindërve të saj, dhe pastaj ditët e para bashkëshortore do t’i nisnin në një dhomë të posaçme, në konviktin e shkollës, ashtu siç ndodhte gjithmonë me studentët e martuar. Dhomat dyshe kushtonin dy herë më shtrenjtë sesa dhomat me katër krevate të studentëve të tjerë. Ajo që binte në sy ishte fakti se ata në të gjithë kohën e lirë rrinin bashkë.
Gjatë pesë viteve që qëndroi në Leningrad, Dritëroi u kthye vetëm një herë në Shqipëri. Në universitet ishte shumë i ngarkuar me punë, prandaj ai kishte vendosur qysh në fillim t’u përkushtohej studimeve, por nga ana tjetër, udhëtimi drejt Shqipërisë kishte një kosto të lartë, disi të papërballueshme për statusin e studentit. Gjatë asaj kohe, ai shkëmbente letra me vëllanë e tij, Tajarin, i cili ndodhej në një shkollë ushtarake në Moskë. Duke qenë një vit më i madh se Tajari, Dritëroi kish marrë disi rolin e këshilluesit për të vëllanë, duke e porositur që të kishte kujdes me shkollën, studimet, dhe sidomos me vajzat. Në një nga këto letra, ai i tregoi vëllait për lidhjen e tij me Ninën, dhe e porosiste atë që të kishte kujdes kur të zgjidhte shoqen e jetës. Historinë e lidhjes me Ninën ai ia tregoi shumë thjesht, sikur t’i tregonte një histori filmash: “Dashuroj një vajzë ruse, që është për gjuhë të huaja, në Anglisht. Kam qenë në shtëpinë e saj dhe më kanë pritur shumë mirë, sepse ata janë njerëz shumë të komunikueshëm”, i kish shkruar Dritëroi, duke pritur nga ana tjetër që edhe Tajari t’i rrëfente ndonjë histori të ngjashme për ndonjë vajzë ruse, por kjo nuk ndodhi.
Nga ana tjetër, Marash Hajati në librin e tij thotë se: “Nina, me të cilën u njohe në universitet, u dashurove dhe u martove, ishte një studente e gjuhëve të huaja, kishte një botë serioziteti, pune dhe krijimtarie që merrej shembull. Kohët e fundit të studimeve u vendosët në një dhomë me komoditetin e kohës në konviktin e universitetit. Nuk vonoi e erdhi edhe Ariani, biri juaj”.

Shakaja me Lili Baren
Ndërsa, Hajati rrëfen se Dritëroi, edhe në Leningrad nuk hoqi dorë nga inskenimet humoristike brenda shoqërisë. Përkthyesi i talentuar, i ndjeri Lili Bare, shfaqet në këtë libër në shoqërinë e Dritëro Agollit dhe Hajatit, në një situatë shumë gazmore. Hajati kujton studentët kinezë që kishin ca valixhe super të mëdha, ndryshe nga shumë studentë që vinin në Rusi. Studentët kinezë nuk iknin kurrë me pushime verore në atdhe gjatë pesë viteve të studimit, dhe këtë e bënin “për të kursyer”. Ndaj ata mbanin valixhe voluminoze. Mëria me Lili Baren, erdhi pas një humori që kanë bërë dy studentët Agolli dhe Hajati.
U thanë shokëve se do të shtronin një darkë me të ngrëna dhe me të pira, dhe në valixhen kineze futën një shok truphollë, që peshonte 53 kg. Lili Bare u tregua i gatshëm të ndihmonte, duke mbartur “ushqimet” mbi shpatulla, dhe pasi u këput në mes nga pesha e rëndë, doli personi nga valixhja, që i bëri shumicën e studentëve të ikin me të katra. Bare, nuk e pranoi dot këtë shaka që i bënë dy shokët”, thotë Hajati. Megjithatë, më vonë, Lili Bare dhe Dritëro Agolli mbetën shokë të ngushtë, pasi u kthyen në Tiranë.
————————-
Nesër do lexoni:
Kthimi në Tiranë dhe jeta e re në zonën e Kinostudios, në 1 dhomë e 1 kuzhinë, ku banonin 7 pjesëtarë të familjes Agolli. Ndarja me Ninën dhe pendesa e ruses para se të nisej avioni nga Rinasi. Nina vendosi të rikthehej përsëri, por Dritëroi kundërshtoi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.