DOSSIER

Sigurimi akuzoi Ninën e Dritëroit si agjente. “Ka krijuar lidhje jashtëmartesore me meshkujt”

10:20 - 28.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ilir Bushi

Dritëroi i mbaroi studimet e Universitetit të Leningradit në qershor të vitit 1958, ndërsa në korrik u kthye për në Shqipëri së bashku me biçikletën “Riga”, që e kish blerë në Leningrad.
Ndërkaq, në valixhe së bashku me librat që kish marrë nga Leningradi, ai kishte grumbulluar edhe poezitë e librit të parë, që do të botohej në vitin 1958 dhe do të titullohej “Në rrugë dola”.
Ndërsa, gruaja e tij ruse, Nina së bashku me djalin e vogël, Arjanin erdhën dy muaj më vonë, pra në shtator. Shumë gjëra kishin ndryshuar që nga dita e nisjes gjer në ditën e kthimit. Duke filluar nga modeli i flokëve, moda e veshjes si edhe modeli i valixhes, që tani ishte blerë në një mapo të Leningradit. Sapo zbriti në portin e Durrësit, ai përsëriti me vete tri prioritetet kryesore që duhej të zgjidhte qysh në ditët e para të mbrritjes në Tiranë. Këto tri prioritete ishin: akomodimi dhe përshtatja e familjes së re tek shtëpia e prindërve, në Kinostudio, ku ata kishin një dhomë e një guzhinë, ku rrinin katër persona, babai, nëna, vëllai dhe motra me një fëmijë. Prioriteti tjetër shumë i rëndësishëm ishte punësimi i tij dhe gjetja e një vendi pune për Ninën. Ndërsa i treti, por jo më pak i rëndësishmi, ishte botimi i librit “Në rrugë dola”, të cilin e kishte përgatitur që kur ishte student në Leningrad. Preokupimet e tjera kishin të bënin me plotësimin e dokumenteve të Lidhjes së Shkrimtarëve, ku ai ishte pranuar si kandidat dhe njëkohësisht si anëtar, gjetja e ndonjë çerdheje për Arjanin e vogël, e kështu me radhë. Dhe si një regjisor i përpiktë, Dritëroi filloi t’i zgjidhte të gjitha pikësynimet e tij, një e nga një, me qetësi dhe besim.
Lidhur me këtë periudhë, vëllai i tij, Tajar Agolli, tregon: “Dritëroi përgatiti terrenin në familje, u foli prindërve për këtë martesë. Bëmë regjistrimin në shtëpinë time, në Kinostudio, ku banonim në një dhomë e kuzhinë. Erdhi Nina bashkë me djalin, i cili ishte një bardhosh i bukur. Dritëroi punonte te ‘Zëri i Popullit’ dhe shkonte nga Kinostudioja deri në gazetë me një biçikletë ruse ‘Riga’, që e kishte sjellë prej andej. Në një dhomë e kuzhinë jetonim të gjithë bashkë, babai, unë, motra me një fëmijë dhe në dhomën e gjumit, Dritëroi me Ninën dhe djalin. Babai ishte pak i ashpër për këtë lidhje, por Dritëroi e zbuti sepse ai e dëgjonte shumë. Nina ishte shumë e lidhur me të motrën, shkëmbenin shumë letra mes tyre”.
Prindërit e Agollit nuk e pëlqenin këtë lidhje të tyren, pasi sipas Tajarit, “nusja ishte e huaj. Por gjashtë vitet e Ninës dhe djalit të tyre, Arjanit ishin të lumtura deri kur filloi shembja e marrëdhënieve shqiptaro-ruse, që plasariti deri në ndarje edhe martesat e shumta të asaj kohe mes shqiptarëve dhe ruseve”.
Pasi filloi punë si mësuese, Nina çonte djalin e vogël në kopsht dhe shkonte të jepte mësimin e rusishtes në gjimnazin “Sami Frashëri”, megjithëse ajo gjatë qëndrimit në Shqipëri, lëvizi në disa shkolla. Pastaj dilte nga mësimi, merrte djalin nga kopshti dhe priste Dritëronë për të ngrënë drekë, por ai ose vonohej në diskutime me shokët, ose ndodhej larg Tiranës, me shërbim. Më tej, Nina vinte Arjanin në gjumë dhe përgatiste fletoren e mësimeve për lëndët që do të jepte të nesërmen.


Sipas rregullave të asaj kohe, studentët që mbaronin universitetin ishin nomenklaturë e Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, ndërsa ata që kryenin studimet jashtë shtetit ishin nomenklaturë e Komitetit Qendror të PPSH-së. Prandaj, Dritëroi u caktua menjëherë si gazetar në gazetën qendrore “Zëri i Popullit”, që ndodhej në bulevardin kryesor, drejt rrugës së trenit, diku pranë shtëpisë së shkrimtarit Petro Marko.
Dritëroi filloi punë me rubrikën e kulturës, ku punonte edhe gazetari tjetër, Jusuf Alibali, ndërsa përgjegjës i sektorit të kulturës ishte Javer Malo. Javeri ishte njeri me kulturë të gjerë dhe i komunikueshëm. Ai ishte i urtë, por kishte raste edhe kur nxehej me gjërat që nuk shkonin mirë. Për të kishte rëndësi që sektori i tyre të mos bëhej asnjëherë pengesë për cilësinë e gazetës, duke rrokur sa më shumë tema nga jeta dhe problematika kulturore e vendit tonë. Por Dritëroi u përshtat menjëherë dhe brenda një kohe të shkurtër arriti të bëhej i njohur për shkrimet e tij problematike dhe ndonjëherë bombastike, nga ato lloj shkrimesh që tërhiqnin jo vetëm vëmendjen e njerëzve të thjeshtë, apo të instancave shtetërore, por edhe të  byrosë politike, apo atë të Enver Hoxhës.
Gruaja e tij, Nina, siç e thamë u punësua në shkollën “Sami Frashëri” si mësuese e rusishtes. Megjithëse ajo ishte diplomuar për Anglisht, seksioni i arsimit e caktoi si mësuese e gjuhës ruse, ku kishte më shumë nevojë në atë kohë. Jo vetëm për faktin se rusishtja kishte prioritet ndaj gjuhëve të tjera, por edhe për shkak se ajo ishte ruse. Në atë kohë gratë e huaja sidomos ato që vinin nga Bashkimi Sovjetik, nëpërmjet martesave me shqiptarët punësoheshin menjëherë në frymën e vëllazërimit të dy popujve miq. Por, po kaq e egër do të ishte më vonë edhe hakmarrja ndaj tyre, kur dy shtetet tona do ndaheshin për kontradikta ideore, apo politike. Nina ishte një grua e bukur dhe shumë tërheqëse. Ndoshta për këtë arsye nisën thashethemet e para, siç ndodh gjithmonë me gratë e bukura, sidomos kur ato ishin të huaja dhe aq më tepër bionde.
Por shumë shpejt ëndrra u shkri brenda një çasti. Në nëntor të vitit 1960 ndodhi prishja me sovjetikët dhe disa muaj më vonë që andej u kthyen e dhe kursantët edhe studentët. Bashkë me ta u kthye edhe Sterio Spase, së bashku me Ibrahim Uruçin, i cili filloi punë në strukturat e Lidhjes së Shkrimtarëve, ku më vonë u bë rekryeredaktor i gazetës “Drita”.
Kështu, magjia e jetës së Dritëroit nuk zgjati shumë. Cunami i shkatërrimit të lumturisë së tij erdhi për arsye jashtëletrare, joprofesionale dhe jopersonale, apo familjare. Prishja e kësaj magjie kishte nisur me prishjen e marrëdhënieve politike të dy vendeve tona, në mbledhjen e Moskës.
Pas kësaj mbledhjeje fantazmë, Enver Hoxha dha orientimin e dëbimit të të gjitha grave të huaja ruse nga Shqipëria, në mënyrë që të shmangëte penetrimin e agjenturave ruse të KGB-së në vendin tonë. Kjo ishte një goditje e rëndë për Dritëronë, por sidomos ajo i kushtoi shtrenjtë Ninës dhe djalit të tyre, Arjanit.
Nina kishte respekt të madh për Hurshovin dhe reformat politike të tij. Kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, Nina fliste me nënë Hatixhenë për Hrushovin me një lloj simpatie. Dhe nënë Hatixheja në një moment i tha: “Krushovi… Krushovi ç’më flet për atë, që ma ka kokën, kaq të madhe?!”. Kjo nuk i pëlqeu shumë Ninës, e cila nuk shprehu gjë, por ne e kuptonim simpatinë që ajo kishte për udhëheqësin sovjetik”, – thotë Tajar Agolli, vëllai i Dritëroit, në intervistë të botuar në gazetën “Shekulli”.


Sipas tij, por edhe sipas dokumenteve, Nina u largua gati e fundit nga të gjitha ruset që ishin martuar me shqiptarë, apo punonin në Shqipëri. Ndërsa ato që mbetën pas saj e kishin vendosur të mos ktheheshin më në Rusi.
Pas prishjes me sovjetikët, barbaria politike filloi sulmin kundër femrave ruse, që ishin martuar në vendin tone me burra shqiptarë. Ky sulm i paprinciptë kundër femrave ishte në kundërshtiim flagrant me traditën kombëtare, ku gruaja nuk prekej as me ligjet e Kanunit.
Në tregimin e librit me titull “Fytyrë e Dashurisë”, i shkrimtares Eglantina Mandia, rrëfehet barbaria e treguar nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe ndaj Nina Agollit, që ishte mësuese e Rusishtes, në gjimnazin “Sami Frashëri”. Në atë shkollë Englantina Mandia ishte mësuese e lëndës së Historisë, por edhe kujdestare e klasës së 4 C, me të cilën u sajua incidenti kundër Nina Agollit. Në këtë libër me rrëfime të jetuara nga autorja vjen edhe ky tregim, kushtuar Ninës, gruas së parë të Dritëro Agollit. Eglantina Mandia tregon se si iu bë gjyqi i “Zj. Rusishtja”, siç edhe e quanin nxënësit e “Sami Frashërit”, Ninën ruse.
E atëherë, Nina u ngrit në këmbë e tha me një shqipe të bukur të kulluar:
– Ju kryetar, nuk dini të respektoni njerëzit. Vini këtu, shpifni e gënjeni afro 30 veta pa u bërë syri, tërr. Unë nuk denjoj të rri në një dhomë me ju dhe me intrigante të tipit, Sati, (sekretarja e partisë).
Në klasë heshtja u bë e tejdukshme sa ndiheshin edhe frymëmarrjet e njerëzve. Nina eci drejt-drejt, pa e kthyer kokën pas. Gjyqi i Ninës s’qe veçse preludi i inkuizicionit, i kryer nga inkuizitorët satanikë”, thotë Englantina Mandia në tregimin e jetuar të saj.
Më në fund, presionet dhe thashethemet që thurreshin për Ninën, gjoja si agjente, apo si grua e bukur që donte të binte në sy filluan të shtoheshin, ndërsa faktet mungonin. Flitej edhe për një raport  jashtëmartesor, por gjithçka pëshpëritej për të nxituar largimin e saj, sepse ajo ishte perfekte në të gjitha komunikimet me shqiptarët. Ministria e Brendëshme, ose organet e Sigurimit ndikuan shumë në përhapjen e thashethemeve. Çifti kish nisur disa mosmarrëveshje të vogla, që ndoshta vinin edhe për shkak të presionit të jashtëm. Më në fund, pritej vetëm plotësimi i dokumenteve, apo pasaportës së saj, që ajo të ikte. Një ditë, Ministria e Brendëshme organizonte dhënien e çmimeve të një konkursi letrar për forcat e Sigurimit dhe atje merrnin pjesë shumë shkrimtarë. Midis tyre ishte edhe Dritëro Agolli dhe shoku i tij, Nasho Jorgaqi. Në atë moment, disa prej shkrimtarëve u thirrën në presidiumin e jurisë, ku ishte edhe zv.ministri, Mihallaq Ziçishti. Midis këtyre shkrimtarëve u caktua edhe Nasho Jorgaqi. Pak minuta më parë, Dritëroi i tha Nashos:
-Po gjete ndonjë moment të volitshëm, i thuaj pak Mihallaqit që ta përgatisë atë pasaportën e Ninës.
Të gjithë e dinin se Dritëroi nuk ndërhynte kurrë për hallet e veta dhe ai nuk vinte në siklet askënd. Nashoja e dinte mirë këtë që Dritëroi ishte shumë i tërhequr dhe i kujdesshëm. Kështu, kur u ul në presidumin e mbledhjes, pranë Mihallaq Ziçishtit, Nashoja gjeti një moment të përshtatshëm dhe i tha zv.ministrit, Ziçishti: “Të lutem, bëjani gati pasaportën e Ninës, që të ikë edhe ajo si të gjitha të tjerat, në vendin e vet”.
Mihallaqi kërciti pak dhëmbët dhe i tha në vesh, me ngadalë:
–    Do t’ia japim, asaj (k…) që të ikë menjëherë! Sepse Dritëroi është një njeri shumë i mirë, prandaj i thuaj të mos bëhet fare merak!
Nashoja i bëri shenjë Dritëroit, që kjo punë kish mbaruar dhe kur përfundoi mbledhja, ai i tha lajmin se Ziçishti kish rënë dakord për pasaportën e Ninës. Dritëroi u gëzua shumë dhe atë çast, në gëzim e sipër, i tha Nashos:
-Hajde të pimë nga një gotë verë te hotel “Donika”!
Nashoja pranoi menjëherë, ndonëse ai nuk pinte kurrë, ose pinte shumë rrallë dhe vetëm një gotë. Kështu, ata të dy u shtruan në një tryezë te lokali “Donika” dhe porositën një shishe verë dhe plot meze për shoqërim. Dritëroi ishte i gëzuar që dëshira e Ninës për të ikur në atdheun e vet po plotësohej pa krijuar probleme. Ndërsa Nashoja piu nja dy gota dhe e ndjeu se po i rëndohej gjuha. Ai s’kishte pirë kurrë dhe vuri re se po kalonte në një gjendje të pakontrolluar. Në këtë moment, Nashoja i tregoi gjithçka që i kishte thënë në vesh Mihallaqi për Ninën, duke përfshirë edhe sharjen e rëndë, që në dialogun e mësipërm, e vumë me pika-pika. Ishte një nga ato sharjet që bënin udhëheqësit e asaj kohe për gratë e huaja. Por në atë çast, fytyra e Dritëroit ngriu dhe sytë e tij u ulën poshtë, duke mos dashur të vazhdonin bisedën. Dritëroi ishte nga ata burra që nuk donte kurrsesi ta denigronte bashkëshorten e vet, as në momentet e ndarjes. Prandaj nuk donte të dëgjonte për të asnjë fjalë të keqe, nga asnjë rrugaç, apo qoftë edhe zëvendësministër. Qysh në atë moment, Nashoja e ndjeu se atje diçka nga miqësia e tyre e vyer ishte thyer. Ai u pendua shumë që i tregoi Dritëroit për bisedën me Mihallaqin, por ishte vonë. Deri atëherë, Dritëroi nuk e dinte se ç’thuhej për Ninën, në formën e thashethemeve, ndërsa tani në pragun e ikjes së saj, nuk do të donte të mësonte kurrë asgjë. Kjo ditë ndikoi që miqësia e tyre të ftohej dhe Nashoja u pendua pa masë. Për të rregulluar marrëdhëniet, Nashoja iu lut Lili Bares, shokut më të ngushtë të Dritëroit që të ndikonte në pajtimin e tyre, duke i kërkuar më parë falje. Por Lili Bare nuk pranoi të bënte ndërmjetësin, duke i thënë Nashos se gjesti i tij ishte shumë i rëndë për çdo burrë. Ndërsa Dritëroi nga ana e tij nuk e dha veten fare, por miqësia e tyre ishte disi e ftohur. U deshën rreth 30 vjet që ata të dy të bëheshin miq të ngushtë, si më parë.
Nina iku e fundit
Nina u largua e fundit nga të gjitha ruset që ishin martuar me shqiptarë, apo punonin në Shqipëri. Edhe vëllai i Mehmet Shehut ishte martuar me ruse, por Nina nuk kishte lidhje me të. Shumica e tyre u përzunë nga Shqipëria, ndërsa Nina nuk u përzu. Nina, tha: “Unë do të iki nga Shqipëria për ta lënë Dritëroin të qetë, të krijojë dhe prodhojë letërsi, sepse ia njoh talentin”.
Ajo e ndiente se mund të bëhej pengesë për të ardhmen e Dritëroit dhe kishte frikë se mund ta sulmonin Dritëroin me shpifje, sepse shteti shqiptar kishte filluar t’i shihte me sy të keq ruset që ishin në Shqipëri.
Ja se si e përshkruan Tajar Agolli ikjen e Ninës nga Shqipëria, në verën e vitit 1963: “Unë në atë kohë isha në plazh, me bashkëshorten time, Vajdenë dhe nënën. Më lajmëron Dritëroi dhe më thotë se Nina do të ikë, bëj si të bësh dhe hajde në Tiranë. U nisëm dhe shkuam në Tiranë. Me xhipin e ambasadës çeke, e cila kryente të gjitha procedurat për shtetasit rusë, u nisëm për në Rinas. Sapo mbërritëm në Vorë, Nina u bë pishman dhe tha, ‘do të kthehem’. Dritëroi i tha që: ‘Ti je nisur në rrugën tënde. Nuk do të rri unë që të të dëgjoj ty për Hrushovin vazhdimisht’. Kishin mes tyre ca fërkime të kësaj natyre. Nina kishte një simpati për Hrushovin, këtë e shprehte, por nuk ishte agjente, siç dolën më vonë shumë rusë dhe ruse.
Ndërsa, për momentin e ndarjes, ai tregon: “Nina iku për në avion, bashkë me djalin 7 vjeç. Ishte një moment shumë i rëndë. Dritëroi filloi të nxirrte lot. Nuk e mbajti dot veten. Unë nuk e kisha parë ndonjëherë Dritëroin të qante. Qau për djalin, se për Ninën duket se ishte thyer dashuria mes tyre. Njëherë, kur e kanë pyetur, ka thënë se ‘më vinte keq për Ninën se më donte shumë, prandaj dhe u martova’. Dritëroi kishte mbetur vetëm tani dhe kërkoi që prindërit të shkonin të jetonin me të, sepse Dritëroi kishte dalë më vete me shtëpi. Kjo ishte historia e Ninës, gruas fisnike, që erdhi nga Leningradi i largët për të mësuar se dashurinë njerëzore nuk e ndan dot largësia gjeografike, por koniukturat politike, që në vitet ’60-të kishin terrorizuar jo vetëm burrat dhe gratë, por edhe fëmijët e pafajshëm, që detyroheshin të rriteshin vetëm me njërin prej prindërve të tyre.
Marash Hajati në librin e tij “Kohës i falemi për këto kujtime, Dritëro”, i quan “tërmete e cuname politike” ato që ndodhën me prishjen e Tiranës me Moskën. “Te çdo e huaj, grua e martuar, shikohej një i dyshuar, ndërseheshin thashethemet. Një pjesë e tyre dilnin informatore, spiune. Jeta u copëtua me akuza dhe intriga. Svjetllna iku… mori vajzën… u nda me bashkëshortin, ishte spiune. Dje u nisën nga aeroporti i Laprakës edhe Olja, Natasha, Marusja. Bashkëshortët i kthyen në punë me zbritje. Nazmiu, Agimi, Ferhati, ngaqë nuk pranuan të ndaheshin me gratë ruse i transferuan në Shkodër, Përmet, Tepelenë”, shprehet Hajati.
Në kohën e sotme thuhet se, “njeriu gëzohet kur martohet, por gëzohet dy herë më shumë kur ndahet”. Megjithatë, kur ndarja vjen për arsye ndërshtetërore, pra kur në dëbimin e gruas që do ke si aleat edhe mbështetës shtetin tënd, atëherë dhimbja trefishohet prej largësisë, ndërsa faji merr trajtën e një barbarie kolektive.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.