KULTURË

Vasil Tole: Një violinē Stradivari në Tiranë!

18:17 - 30.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Vasil S.Tole

Skena muzikore e Tiranës shënoi dje një kulminacion artistik me koncertin e orkestrës simfonike të RTSH -së nën drejtimin e maestro Eno Koços. Të mësuar deri në mërzi me interpretimet solistike dhe në grup të politikës së ditës, me shumë zhurmë dhe jo detyrimisht për asgjë, koncerti i djeshëm i mbushur me muzikë,  i zhvilluar përkitazi me “Ditën kombëtare të trashëgimisë sonë kulurore” ishte kulminacioni i vërtetë i kësaj dite.

3 pjesët e kompozitorit emblematik Aleksandër Peçi për orkestër harqesh çelën siparin tingullor të mbrëmjes. Muzikë e vërtetë kombëtare me “veshje allafrënga” siç thotë edhe kënga. Strukturim, balancë, ngjyra orkestrale dhe mbi të gjitha emocion. Rimodelimi kompozicional i Peçit mbi rrënjë etnike dhe sjellja në kohën e tashme të së shkuarës duket se është një tjetër stad pozitiv i shkollës sonë krijuese kombëtare në muzikë.

30 vjeçar ishte Çajkovski në vitin 1870, kohë kur shkroi “Uverturën fantazi Romeo dhe Zhuljeta”, kompozim pa opus mbështetur mbi veprën e Shekspirit me të njëjtin emër. Kryevepër kompozicionale që sprovoi me sukses aftësitë interpretuese të baketës së Koços dhe të vetë orkestrës, e stërvitur fort për “beteja” artistike të tilla. Duket se shkulmet emocionale e dramatike të Çajkovskit i gjetën të përgatitur muziktarët tanë,  “të rrahur me vaj e me uthull”-siç thotë populli.

Përtej faktit se dje në skenën muzikore të Tiranës mbërriti një violinë e rrallë Stradivari, e mjeshtrit botëtor të prodhimit të violinave të shek. XVIII-të, befasia e dytë lidhej me faktin se me këtë instrument do të interpretonte Klaidi Sahatçi, një violinist shqiptar.

Ishte vepra “Introduksion e Rondo Kapriçiozo” e Sens Sansit që kulmoi koncertin pa pikën më të vigël të dyshimit. E shkruar në vitin 1863 për kryeviolinistin Pablo Sarazade, kjo vepër mbledh grusht çdo violinist që i qaset për ta interpretuar. Por me sa duket jo Klajdi Sahatçiun me Stradivarin në dorë. Ajo shprehja se nuk ka rēndësi shpata por krahu, me sa duket nuk vlen në këtë rast: Klajdi interpretues me violinēn e tij janë të barazvlefshëm e të domosdoshëm për njeri-tjetrin.

Dikur thonin se mjeshtri Stradivari i kërkonte disa nga drurët e veçantë për veglat e tij në pyjet e Ilirisë fqinje. Ishte shpirti i nënës sonë natyrë i futur në këta drurë që i bëri iso mbështetëse lojës së bukur të  Klajdit. Emocion i pastër, intonacion perfekt, qartësi interpretimi, qëndrim dhe lojë  aristokratike në skenë, mbi një ritëm pothuajse perfekt, që duket sikur buronte nga një kurdisje e një  sahati zviceran, të cilit kush më mirë se Sahatçiu ja di sekretet? Shqipëria dhe muzika jonē kanë një tjetër violinist të madh tek figura e Klaidii Sahatçi i cili çuditërish e kishte të parin interpretim me orkestrën e vendit të tij!?

Premiera e “Rapsodi-koncertit” për violinë, piano e orkestër e Aleksandër Peçit uli siparin. Vepër sfiduese dhe bashkëkohore për nga shijet muzikore. Tingëllime të bukura dhe forma befasuese. Aty ishin copat e kabave dhe të qarave të trishtuara dhe vallet plot gëzim e jetë. Janë përpjekje kompozicionale të cilat synojnë të gjejnë raporte të reja të koncertit klasik mbështetur në forma tipike etnike si rapsodia. Prandaj janë sfiduese dhe të vështira si vepra. E prandaj janë krijuesit që bëjnë diferencën me të tjerët.  Përtej kësaj, lojë e mrekullueshme e Merita Rexhës në piano, Sahatćiut në violinë dhe orkestrës simfonike. Urimet më të mira për Eno Koçon, Aleksandër Peçin, Klajdi Sahatçi, Merita Rexhën, Sokol Toton dhe orkestrën simfonike të RTSH-së.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. More Vasil,ndryshe nga zakoni yt,na ke shkruar njelloj si te ishte nje leksion profesionist per studentet e filarmonise.dhe nje verejtje etike:Mire qe i uroni,por i pari duhej shenuar kompozitori (lenda e pare e koncertit),pastaj te tjeret.

    Përgjigju ↓