OPINION

Vullnetarizmi, si filozofi dhe praktikë efikase në dobi të qytetarëve

07:30 - 30.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Halil RAMA

 

Në bilancin pozitiv të Bashkisë së Tiranës të këtyre dy viteve të fundit bëjnë pjesë edhe projektet e zhvilluara në kuadër të vullnetarizmit. Nëse para dy vitesh kur infrastruktura shkollore dhe në tërësi ajo social-kulturore e Tiranës ishte pothuajse në kaos total, kryebashkiaku Veliaj kërkoi dhe realizoi një bashkëpunim mjaft të frytshëm me kompani, donatorë e subjekte private, të cilat pothuajse me kontribute vullnetare mundësuan përmirësimin rrënjësor të situatës, dy vjet më pas vullnetarizmi si filozofi dhe praktikë efikase po gjen mbështetje të gjerë kudo në Tiranë. Ndoshta është kjo një ndër arsyet që rubrika “Rrjeti i vullnetarëve të Tiranës”, është ndër më të klikuarat në faqen zyrtare në internet të bashkisë së kryeqytetit.

Realizimi i dhjetëra projekteve në kuadër të vullnetarizmit, ndër të cilat: Dita për pastrimin e Tiranës, aktivitetet vullnetare me rastin e emergjencave civile të krijuara nga kushtet atmosferike me reshje të rrëmbyeshme, Dita pa makina, apo dhe mbjellja e pemëve në Pyllin Orbital, janë treguesi më sinjifikativ i zbatimit në praktikë të filozofisë së vullnetarizmit. Kjo filozofi na mëson të vlerësojmë siç duhet të tashmen dhe të ndërtojmë një të ardhme shpresëdhënëse. Në këtë aspekt, aktivitetet filozofike që ofron “Rrjeti i Vullnetarëve të Tiranës” konsistojnë para së gjithash në sensibilizimin e opinionit për mbrojtjen e fëmijëve nga bulizmi, por edhe në zhvillimin e sportit në qendrat sociale në varësi të Bashkisë së Tiranës.

Përmbushjen e objektivave në këtë kuadër, kryebashkiaku Veliaj, që me marrjen e këtij funksioni para dy vitesh, e ka konsideruar si një nga sfidat më të rëndësishme. Por kjo, kurrsesi nuk mund të përballohej pa një staf të kualifikuar e të përgjegjshëm. Në të vërtetë transformimi rrënjësor i Tiranës në këto dy vitet e fundit, që ka në themel edhe projektet në kuadër të vullnetarizmit, dëshmon para së gjithash rritjen e performancës dhe besueshmërisë së administratës të bashkisë. Ballafaqimi me objektivat e shpallura para dy viteve nxjerr në pah jo vetëm përmbushjen e tyre, por edhe tregues të tjerë që kanë të bëjnë me parametra bashkëkohorë të bashkisë më të madhe të vendit, në rritje e zhvillim intensiv. Nëse para dy vitesh shumëkush e shihte me skepticizëm, aplikimin e strategjisë së vullnetarizmit, sot gjithkush është i bindur në efikasitetin e kësaj strategjie, duke parë qoftë edhe progresin në mbajtjen pastër të Tiranës – metropol me 24 Njësi Administrative.

Që të fitohej besimi i publikut për efektshmërinë e krijimit të rrjetit të vullnetarëve të Tiranës, përkundër zhurmës e qëndrimeve spekulative të ndonjë eksponenti opozitar që e konsideronte vullnetarizmin, si “Punë komuniste, pa shpërblim” (duke iu referuar Fjalorit Enciklopedik Shqiptar të sistemit monist), kryebashkiaku Veliaj dhe stafi i tij arritën të implementojnë projekte që konsistojnë në shndërrimin e Tiranës në një kryeqytet të standardeve perëndimore. Këshilltarja e tij për vullnetarizmin, znj.Enkeleida Hamzaj, mbi bazën e përvojës së saj të përfituar gjatë shkollimit dhe punës në një nga vendet më të zhvilluara të perëndimit, po ndjek nga afër zbatimin me kompetencë dhe profesionalizëm të dhjetëra projekteve. Ndër të tjera ajo veçon projektin “Stop bulizmit”, të  implementuar në 61 shkolla 9-vjeçare të qytetit të Tiranës, atë  për informimin e qytetarëve në lidhje me reduktimin e qeseve plastike si dhe festivalin e luleve, ndërkohë që projekti i radhës është “Kujdesi oral” në kopshtet dhe çerdhet e qytetit të Tiranës, në bashkëpunim me të rinjtë e Fakultetit të Mjekësisë Dentare të UT.

Për ditë të tëra, që nga fillimi i vitit të ri shkollor 2017-2018, znj.Hamzaj si dhe Sektori i Koordinimit të Marrëdhënieve me Njësitë Administrative të Bashkisë Tiranë, gjatë monitorimit të aksionit për mbrojtjen e fëmijëve nga aksidentet, në bashkëpunim të ngushtë dhe me drejtoritë respektive, arritën që të përfshijnë në “Rrjetin e vullnetarëve të Tiranës” dhejtëra nxënës të klasave të 9-ta të shkollave: Edith Durham”, “Musine Kokalari”, “Ahmet Gashi”, “Lidhja e Prizrenit”, “Bajram Curri”, “Fan Noli”, “Misto Mame” e “7 Marsi” të kryeqytetit. Tek shikon nxënësit e këtyre shkollave që për çdo ditë para fillimit të mësimit, veshur me bluzat e vullnetarit, ndihmojnë të vegjlit për të kaluar vijat e bardha në rrugëkalimet pranë shkollave të tyre, të krijohet fare lehtë bindja që vullnetarizmi lindi si dëshirë spontane e tyre për të mbrojtur një kauzë të caktuar. Por, në këtë kuadër duhet evidentuar edhe mbështetja e inkurajimi i drejtorit të Përgjithshëm të Objekteve në Bashkëpronësi, Administrimit të Njësive Administrative dhe Emergjencave Civile, z.Erind Bejko, si dhe administratorëve dhe specialistëve të Njësive Nr. 2, 3, 4, 5, 6, 7, 9 dhe 11: Ergesta Ninga, Liri Qoshi, Violeta Kila, Gjinovefa Kadriu, Adelina Albrahimi, Stela Prendi, Erion Cuku, Gresida Gjeloshaj, Erida Sulstarova, Brunilda Ndreko, etj. Në këtë kuadër, si dhe në projektin e bashkëpronësisë ku janë shënuar arritje të dukshme është evident edhe kontributi i ndërlidhësve me komunitetin, si hallka fundore e bashkëpunimit sa më efektiv.

Znj.Enkeleida Hamzaj – këshilltare e kryebashkiakut Veliaj, nisur nga fakti se vullnetarizmi mund të ketë forma të ndryshme dhe ushtrohet nga grupe të ndryshme njerëzish, është e angazhuar që shumë vullnetarë të trajnohen në veçanti mbi fushën ku veprojnë, si psh. në mjekësi, arsim apo shpëtim emergjent. Ndërkohë, ajo evidenton edhe të tjerë që marrin pjesë në punë dhe aktivitete vullnetare në bazë të nevojës dhe kërkesës, si psh., duke reaguar ndaj një katastrofe natyrore. Kësisoj, vullnetarizmi si filozofi dhe praktikë ndërkombëtare, edhe në Bashkinë e Tiranës po aplikohet gjerësisht për punë të mira, duke u shndërruar në lajtmotivin dhe shtysën e “Rrjetit të vullnetarëve të Tiranës”, për të mos reshtur asnjëherë së kryeri punë në shërbim të komunitetit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.