OPINION

Lotët e Gertës, tallja e Ramës dhe mjerimi i ulur këmbëkryq kudo në fshat e qytet

07:35 - 02.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Belind Këlliçi*

 

Në parlament foli një vajzë mirditore. Më shumë se fjalët (jam i bindur se janë të paktë ata që mbajnë mend sot se çfarë tha), janë lotët e saj që prekën gjithkënd. Janë lot dhembjeje dhe trishtimi për realitetin që ndjen së pari ajo, e pas saj edhe të tjerët.

Gerta ishte një e panjohur për një pjesë të mirë të qytetarëve. Gerta u bë e njohur në kronikat dhe reportazhet televizive si vajza mirditore që ka studiuar për shkenca politike në universitetin prestigjioz të “La Sapienza”-s në Romë, e specializuar për marrëdhënie ndërkombëtare, e cila më pas u kthye, por dyert e bashkisë së qytetit të saj Mirditës, i gjeti të mbyllura për një punë dhe hapi një fermë me dhi.

Ndoshta lotët e Gertës në parlament, lidhen më së shumti me faktin që një vajzë si ajo, e mirarsimuar dhe e edukuar, nuk gjen dot hapësirë të ulet në ato karrige të pushtuara nga gjithfarë kriminelësh, mashtruesish, hajdutësh e analfabetësh.

Gerta u ankua për rrugën e fshatit, dhe ka të drejtë, sepse në katër vite nuk u shtrua asnjë metër rrugë, as në qytet dhe as fshat. Mjafton të shohësh aksin Tiranë-Elbasan, që vështirë se do të mbyllet edhe në këtë mandat.

Nuk i paragjykoj aspak lotët e saj, në veçanti për mungesën absurde të ujit e rrugës, sepse ndarja e re territoriale hoqi gjithë vëmendjen nga fshati dhe e zhyti atë në mjerim.

Infrastruktura e arave të mbjella me kanabis dhe siguria e krimit ishin dhe mbeten prioritet për Edi Ramën.

Teksa Gerta fliste, m’u kujtua Dibra. Mjerimi që pamë në fshatrat e Dibrës më sjell trishtim sa herë e kujtoj. Katër vjet të harruar, të braktisur. Ndarja e re territoriale dhe mungesa e investimeve ua kishte vështirësuar jetën. Nuk kishin më as shërbimet më elementare dhe për ta, fatkeqësisht, rruga ishte kthyer në luks. “Jemi rikthyer në mesjetë” më pati thënë një grua e re dibrane, e cila vuante përditë gjendjen e krijuar. Por fatkeqësisht, ajo dhe shumë të tjerë e harruan këtë mjerim ditën e votimit dhe preferuan 2.000 lekë sot, për të shtyrë ditën në këmbim të votës, dhe harruan se pas asaj dite, mjerimi aty do ishte si më parë e do të thellohej edhe më tej.

Kjo ndodhi edhe më 25 qershor e do të ndodhë gjithmonë derisa qytetarët ta kuptojnë rëndësinë e votës. Ato pak para apo një thes me miell për votën janë zgjidhja e një dite, por mjerimi aty do të jetë nesër, pasnesër dhe çdo ditë. Sepse kur të blejnë votën, nuk kanë më asnjë detyrim dhe vijojnë rrugën të bindur se do t’ju blejnë përsëri me paratë e grumbulluara nga krimi e korrupsioni.

Lotët e Gertës janë simbol i lotëve të shumë e shumë grave dhe burrave gjatë qeverisjes së Edi Ramës.

Lotët e Gertës janë të njëjtë me lotët e grave dhe fëmijëve të lagjes “Fushë Mbret” të Elbasanit, kur policia në mes të natës, si bandite, ushtroi terror mbi ta, e natyrisht jo për krimin që sot ka marrë nën kontroll të plotë qytetin, por për 3.000 lekë energji të papaguar.

Lotët e Gertës janë po lotët e atij kryefamiljarit në Lushnjë, që dy ditë pasi INUK-u i kishte prishur shtëpinë me leje, i tha se mund ta rindërtonte, pa mbajtur asnjë përgjegjësi se kishte nxjerrë në mes të katër rrugëve fëmijë, gra e burra, njerëz me dinjitet!

Lotët e Gertës janë dhe lotët e fëmijëve të Arif Dodës, i cili i mori jetën vetes se nuk paguante dot energjinë elektrike.

Po, lotët e Gertës janë lotët e qindra kryefamiljarëve të papunë që nuk sigurojnë dot bukën për fëmijët e tyre, librat e shkollës, ujin dhe dritat apo, më keq, dergjen në kampet e refugjatëve bashkë me sirianët nëpër Europë.

Gerta, edhe unë si ti kam studiuar jashtë, në SHBA, dhe ashtu si ti edhe unë mendoj se qeverisja për qytetarët është krejt e ndryshme nga kjo që na udhëheq sot.

Prandaj të kërkoj të mos i fshish lotët e aq më pak të lejosh pushtetin të keqpërdorë lotët e tu, por të gjesh forcën t’u bashkohesh mijëra familjeve në këtë vend për të ndryshuar qeverisjen, ndalur blerjen e votës dhe kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve.

*Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.