OPINION

Vëmendje ndaj fëmijëve që përjetojnë divorcin e prindërve

14:56 - 02.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Graciela MANA 

Divorci i prindërve është një lloj traume për fëmijët në të shumtën e rasteve, por jo gjithmonë fëmija shfaq shenja të dukshme apo jep sinjale të qarta për eventin traumatic që po përjeton ndaj është e nevojshme t’u rikujtojmë prindërve, të afërmëve, mësuesve e edukatorëve të jenë të vëmendshëm, vëzhgues e raportues të sjelljeve apo qëndrimeve të ndryshuara sado të vogla të jenë ato.

Zakonisht raportohen vetëm ndryshimet e mëdha apo sjelljet problematike që shfaq fëmija me të tjerët e që janë të vështira për t’u menaxhuar ndërkohë që padashje apo nga mungesa e informacionit neglizhohen ndryshime të sjelljes ne të cilat fëmija reagon me më pak “zhurmë” për sytë e të tjerëve.

Të gjithë personat që janë në kontakt me fëmijën që po përjeton situatën e divorcit të prindërve të tij duhet të jenë të kujdesshëm edhe ndaj ndryshimeve në sjellje të tipit tërheqje nga aktivitetet në të cilat merrte pjesë më parë, mbyllje në vetvete, të qëndruarit më I heshtur se zakonisht, dhënia e imazhit të një fëmije që zhvillon lojën I vetëm e nuk parapëlqen të ndërveprojë me bashkëmoshatarët, etj.

Një pjesë e fëmijëve që kanë përjetuar divorcin e prindërve fillojnë të shfaqin një lloj stepjeje nga ndërveprimi me fëmijët e tjerë e kjo mund të jetë pikënisja e zhvillimit të një frike të pashpjegueshme të krijimit të marrëdhënieve ndërpersonale dhe me bazë besimin të individit në të ardhmen.

Shumë prej të rriturve që vijnë në terapi dhe që janë fëmijë të prindërve të divorcuar referojnë se jeta e tyre ka ndryshuar pas divorcit të prindërve dhe përjetimet e tyre janë nga më të ndryshmet.

Përsa I përket problematikës së ndërveprimit me të tjerët, një pjesë e konsiderueshme e tyre, kur  I rikthehen dhe interpretojnë historinë e tyre,  I referohen ngjarjes së divorcit të prindërve si fillesa e këtij problemi.

Por ngana e profesionistëve duhet patur kujdes pasi vetëm në rastet kur është e vështirë të kuptohet se pse individi kryen sjellje të caktuara dhe koha kur ka filluar shfaqja e sjelljeve, pavarësisht nga ashpërsia e tyre, përkon me periudhën e divorcit të prindërve, vetëm atëherë mund t’I referohemi drejtpërdrejt divorcit si dëmtuesi I funksionimit të fëmijës.

Një pjesë e rasteve të crregullimit të ankthit të ndarjes dhe varësive I delegohen pasojave të divorcit të prindërve kur fëmija ka qenë në moshë të vogël.

Fëmija ka nevojë të marrë vëmendje nga të dy prindërit dhe në rastet kur kjo vëmendje mungon në mënyrë të vazhdueshme fëmija mund të ndjehet I refuzuar, të krijojë mbindjeshmëri dhe të reagojë fort ne situata sociale në të ardhmen që kanë të bëjnë me refuzimin. Gjithashtu, mund të zhvillojë vetëvlerësim të ulët dhe pritshmëri negative përsa I përket marrëdhënieve intime varësisht të kaluarës së tij.

Rastet e shfaqjes së agresionit të ashpër tek fëmijët si pasojë e divorcit janë të rralla por është e rëndësishme të menaxhohen e trajtohen në kohë për të shmangur pasoja të tjera në kosto shumë më të mëdha që mund të vijnë si shkak I akumulimit të emocioneve negative. Zakonisht individi e shfaq agresionin si përgjigje ndaj divorcit në rastet kur I bën prindërit si përgjegjës për vuajtjen e tij dhe më pas e zhvendos agresionin tek të tjerët. Pavarësisht kësaj është e vështirë të parashikohet sjellja e dhunshme.

Nëse një pjesë e fëmijëve pas divorcit të prindërve vazhdojnë  të ndërveprojnë, të krijojnë miqësi të ngushta dhe t’a kalojnë pa problem situatën e divorcit të prindërve të tyre, një pjesë tjetër e përjeton si dicka thellësisht traumatike pasi mënyra sesi kanë rrjedhur ngjarjet deri në procesin e divorcit mund të ketë qenë e tille në vetvete.

Pavarësisht tipologjisë së divorcit “I lehtë” apo “I vështirë”, në cdo rast duhet marrë në konsideratë cdo reagim I fëmijës gjatë këtij procesi në mënyrë që cdo problem I mundshëm të trajtohet në kohë duke minimizuar kështu pasojat afatgjata dhe pritshmëritë negative që mund të zhvillojë fëmija në të ardhmen, në raport me veten dhe të tjerët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.