KULTURË

Pëllumb Xhufi: Elita të vjetra e të reja në luftën për pavarësi. (Si e luftuan Ismail Qemalin, bejlerët dhe kushërinjtë e tij)

16:24 - 03.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Prof.Pëllumb Xhufi

Studimet mbi mendimin politik e kulturor të Rilindjes Kombëtare kanë konverguar, tashmë, në përcaktimin e karakterit të saj si një lëvizje sa nacionale, aq edhe demokratike”. Ngjarjet që kulmuan me shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, u zhvilluan në kushtet kur në vetë gjirin e shoqërisë shqiptare kishin ndodhur zhvendosje të mëdha dhe kur në vend të elitës së vjetër feudale e turkoshake, të komprometuar rëndë me regjimin osman, një elitë e re, e përfaqsuar nga intelektualë me ide liberale e socialdemokrate, kishte dalë në skenën e historisë dhe pretendonte ta udhëhiqte popullin shqiptar në luftrat për liri e për shtet kombëtar. Të frymëzuar nga idetë e Iluminizmit francez e të Risorgimentos italiane, ideologë e veprimtarë të lëvizjes kombëtare shqiptare e shihnin ndarjen nga “regjimi i vjetër” si një domosdoshmëri historike, që nëpërmjet një revolucioni nacional e social, bashkë me sundimin osman, do të flakte tej edhe gjithëpushtetin e “oxhaqeve” shqiptare, klasat e vjetra të bejlerëve, pashallarëve, krerëve fisnorë e klerikëve të lartë, bashkëpunëtorë të sunduesit të huaj. “Të ashtquajturat familjet tona të mëdha”, vëren Prof. R. Qosja, “janë bërë të mëdha nën sundimet e huaja, në radhë të parë nën sundimin e Perandorisë Osmane, dhe janë bërë të tilla duke i shërbyer pushtuesit, duke plaçkitur pronat e fshatarëve shqiptarë dhe duke u veshur me pushtetin e sunduesve të huaj… Ato janë bërë të pasura e të pushtetshme duke përdorur mjetet, më së shumti dhunën e pushtuesve ndaj popullit të vet”.

Një analizë të grupeve shoqërore dhe të sjelljes së tyre kundrejt çështjes kombëtare në Shqipërinë e prag-pavarësisë, e bën në mënyrë mjeshtërore në raportin e tij të 5 shkurtit 1912, konsulli Austro-Hungarez në Janinë, Belinski. Nga njëra anë Belinski veçon përfaqësuesit e aristokracisë së bejlerëve, të pashallarëve dhe të bajraktarëve, të cilët sipas tij ishin njësuar me klasën sunduese osmane. Këtu Bilinski përfshin personazhe si Ferid Pashë Vlorën, Myfid Bej Libohovën, Esad Pashë Toptanin e të tjerë. Në krahun tjetër, sipas tij, qëndronin  patriotët e vërtetë shqiptarë, të cilët, sipas Bilinskit, i përkisnin shtresës së mesme të mësuesve të shkollave shqipe, botuesve të gazetave, sekretarëve të klubeve, nëpunësve dhe oficerëve shqiptarë. Ishin këta që kishin bërë Rilindjen Kombëtare, që kishin përhapur arsimin në gjuhën shqipe, që kishin forcuar ndërgjegjen kombëtare, që kishin ndërgjegjësuar qarqet evropiane për ekzistencën e kombit e të çështjes kombëtare shqiptare dhe që kishin përgatitur e drejtuar betejat e armatosura për liri e pavarësi të çetave të armatosura patriotike. Ishte kjo, ajo “klasë e mesme” e stigmatizuar vazhdimisht në “Kujtimet” e Eqerem Bej Vlorës edhe shumë vite pas krijimit të shtetit shqiptar. Pasi bën këtë dikotomi klasore, Bilinski nuk harron të vërë në dukje se disa nga përfaqësuesit e parisë feudale, duke e parandjerë se me rënien e Perandorisë do humbnin pushtetin, prestigjin dhe privilegjet e tyre të vjetra, iu bashkuan në çastin e fundit lëvizjes kombëtare. Këta nuk shihnin mundësi tjetër, veç asaj të përfshirjes në lëvizjen për pavarësi, për të mundur të luanin edhe më tej një rol udhëheqës në jetën politike të vendit. “Megjithatë”, e mbyll analizën e tij konsulli Bilinski, “lëvizja e çetave toske vitin e kaluar u organizua krejtësisht prej shtresës së mesme të intelektualëve patriotë. Bejlerët nuk morën pjesë fare në këtë aksion… Ndonjë prej këtyre bejlerëve, si Mehmet Ali Pasha i Delvinës, deputeti Mufid Bej Libohova e ndonjë tjetër, u detyruan në ndonjë rast t’u jepnin çetave ndihma në të holla, por këtë e bënë nën presionin e elementëve radikalë të lëvizjes së armatosur, të cilët kërcënonin se do ndërmerrnin akte terroriste kundër tyre në rast se nuk bashkëpunonin”.

Megjithatë, duhet thënë se jo në gjithçka këto vlerësime të Bilinskit përputheshin me ato të ndonjë veprimtari shqiptar. Kështu, mbi bazën e një perspektive më shumë historike, se sa klasore, Nikoll Ivanaj i konsideronte si “patriotë të mëdhenj” deri edhe Ali Pashë Tepelenën e Mustafa Pashë Bushatlliun e Shkodrës, “të cilët luftuan kundër Sulltanit për pavarësinë e Shqipërisë”. Fan Noli i bashkohej gjithashtu këtij vlerësimi historik ndaj figurave të tilla. Madje, nisur nga vlerësimi se populli i paditur nuk ishte i prirur t’u vente pas intelektualëve patriotë, të cilëve u mungonte “historia”, emri dhe prestigji familjar, në vitin 1906 ai shprehte bindjen se lëvizjes kombëtare do t’i vlente më shumë të tërhiqte në gjirin e saj krerët e oxhaqeve e të bajraqeve të mëdha të Shqipërisë, ide të cilën ai vetë më vonë e braktisi në mënyrën më radikale.

Siç treguan faktet, në përgjithësi, elita e vjetër e bejlerëve, pashallarëve, krerëve e bajraktarëve, i qëndroi deri në fund besnike Perandorisë Osmane, dhe akoma më keq, filloi të flirtojë me monarkitë fqinje, pikërisht me ato që rrezikonin më së shumti integritetin territorial të Shqipërisë. I bindur për këtë rol antikombëtar të bejlerëve turkoshakë shqiptarë, më 12 shtator 1901, nga faqet e gazetës “Albania”, patrioti Dervish Hima i akuzonte ata se kishin tradhtuar çështjen shqiptare “për medaljet prej teneqeje qe ua var ne gjoks Sulltani”. Dhe u kujtonte se në Evropë “mbretërit, princët e fisnikët kishin kaluar në shpatën e drejtësisë së popullit”, dhe se “ata që ju keni keqtrajtuar e poshtëruar, nesër do nderohen…ndërsa fëmijtë e gratë tuaja do të hiqen zvarrë nëpër rrugë për shkakun tuaj”.

Figura më emblematike e parisë së vjetër shqiptare në periudhën e kapërcimit nga shthurrja e Perandorisë në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, është padyshim Esad Pashë Toptani. Të shumta janë vlerësimet që i janë bërë atij nga njerëz që e kanë njohur, por që të gjitha janë ekstremisht negative: Esadi ishte njeriu “që nuk dinte asnjë gjuhë të huaj, por që ua dinte vlerën të gjitha monedhave të Evropës”, ishte njeriu i cili “ishte gati të shiste të gjithë vendin, që të mund të sundonte qoftë edhe në një katund të vetëm të tij”. Nuk ia fali Ismail Qemalit, kryeministër i qeverisë së përkohshme, faktin që ai u kishte akorduar një kredi malësorëve të Mbishkodrës, të rrënuar e të përzhitur nga luftrat e gjata me osmanët. Sipas Esadit, malësorët nuk e meritonin këtë ndihmë, pasi ishin “kaurë” dhe kishin luftuar kundër “muslimanëve” të tij. Marrëveshjet e tij të fshehta me E. Venizellosin e Greqisë, me “kryeministrin” e qeverisë së “Epirit autonom” dhe me N. Pashiçin e Serbinë, në gusht-shtator 1914, e bënë atë prototipin e politikanit shqiptar, që për të ruajtur pushtetin, nuk heziton të nxjerrë në ankand interesat dhe territoret e atdheut të tij. Jo më kot, serbët e kishin projektuar atë si udhëheqësin e një minishteti shqiptar, satelit të Serbisë.

Nuk ka dyshim, se përfaqësuesi më i lartë i grupimit të intelektualëve patriotë ishte Ismail Qemali. Një personalitet që përmblidhte në shkallën sipërore të gjitha tiparet e një lideri të padiskutuar. U nda shpejt nga klasa e tij e bejlerëve, dhe u konvertua në një sipërmarrës kapitalist, kur nga pronat e familjes zgjodhi të administrojë minierën e bitumit të Selenicës, të cilën më vonë e shiti. Në vitin 1900, konsulli A-H, Petroviç e përshkruante Ismail Qemalin, si një person të ditur e inteligjent, por pa pasuri. Ashtu si vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Said Bej Toptani, Fehmi Zavalani e Shahin Kolonja, ai jetoi me forcën e mendjes, dhe jo me rentë feudale, si pinjollët e tjerë të familjes Vlora. Iu kushtua edukimit e nëpunësisë. Si intelektual me ide liberale, u përfshi në procesin reformues të Perandorisë Osmane, i bindur se kështu, në atë Commonëealth popujsh, shqiptarët do të gjenin hapësirën për të afirmuar kombësinë e tyre të mohuar. Ishte formuar në frymën e “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” të shpallur nga Revolucioni francez, por kjo nuk e ndalonte të denonconte pikërisht Francën, vendin e lirive, e cila shtypte egërsisht lirinë dhe popullsitë muslimane në kolonitë e veta. Kur e pa se pushteti despotik i sulltanëve nuk u la asnjë shans reformave decentralizuese, preu çdo marrëdhënie me Portën e Lartë, u arratis dhe vendosi t’i përkushtohej kryekëput çështjes shqiptare. Në thirrjen që Ismail Qemali u drejtoi shqiptarve, më 15 tetor 1900, thoshte: “Kuptova se nuk ishte punë të vazhdoja të përpiqesha të shpëtoja Perandorinë Turke…E ndjeva, se në rokullimën e përgjithshëm që do përfshinte Perandorinë, Shqipëria do të coptohej e para”. Ndërkohë i kishte përjetuar të gjitha emocionet kulturore të Rilindjes Kombëtare: ishte përfshirë në debatet për alfabetin e Stambollit dhe kishte mbrojtur me ngulm gërmat latine, kishte ndërhyrë fort për të mundësuar botimin e fjalorit të Kristoforidhit, kishte tentuar të shpjegonte me gjuhën shqipe mbishkrimet e zbuluara në Kretë nga Artur Evans dhe kishte zbuluar ai vetë orakullin e Dodonës, tempullin e Pellazgëve, të cilët ai si shumë rilindas të tjerë i konsideronte paraardhësit e Shqiptarëve.

OXHAQET

Nuk i besonte “oxhaqeve” të mëdha shqiptare, të cilët i qëndruan besnik Perandorisë deri në ditët e fundit të saj. Bejlerët nuk iu përgjigjën thirrjes së tij për t’u përfshirë në kryengritjen e vitit 1911. Nuk iu përgjigjën as kur në 10 shkurt 1913 I. Qemali i bëri thirrje “parisë” së jugut të mobilizonte njerëz për t’i shkuar në ndihmë Janinës së rrethuar nga ushtritë greke. Por edhe kësaj radhe pashallarët dhe bejlerët e Jugut iu përkushtuan ruajtjes së pronave e të privilegjeve të tyre, qoftë edhe duke rënë në ujdi pikërisht me qarqet greke. Nga një pozicion krejt i ndryshëm, në fund të jetës së tij, pinjolli i lavdishëm i Vlorajve, do ta shprehte me këto fjalë idealin e tij, njëherësh kombëtar e demokratik: “Lipset të fitojmë me ça do mënyre Kosovën, Manastirin, Janinën e gjithë Çamërinë…Unë shpresën nuk e kam tek bejlerët dhe arkondët që kërkojnë të fitojnë titllë e princë…Shpresa ime është te të zotët e opingarët që janë zotët e vërtetë të Shqipërisë”.

Krejt ndryshe nga Ismail Qemali u sollën kushërinjtë e tij nga familja Vlora, edhe më tej përfaqësues nga më konservatorët e parisë feudale. Kur në vitin 1900 I. Qemali arratisej nga Tripoli për në Evropë për të organizuar lëvizjen çlirimtare, kushëriri i tij, Ferid Pasha, nxitoi t’i sqaronte Sulltanit luajalitetin e palëkundur të familjes Vlora ndaj Portës së Lartë: “Unë dhe vëllezërit e mij, Neshat Pasha e Syrja Beu, nuk kemi asnjë lidhje me një të poshtër, bukëshkalë e aventurier, që jeton në botën e errët të ateizmit: ne do i shërbejmë me besnikëri Padishahut, ashtu siç i kemi shërbyer deri tani”. Ferid Pasha, Syrja Beu dhe deri Eqerem Bej Vlora e ndjenin veten aq shumë të lidhur me Perandorinë Osmane, saqë të pretendonin se edhe origjinën e kishin nga Konia e Anadollit. Edhe në këtë pikë ndaheshin me kushuririn e tyre, Ismail Qemalin, i cili e ironizonte këtë pretendim absurd të tyre. Kur në 16 prill 1911 Ismail Qemali deklaronte se populli i Vlorës ishte gati të rrokte armët e t’u bashkohej kryengritësve të Veriut, Syrja Bej Vlora, Xhemil Bej Vlora, myftiu dhe përfaqsues të tjerë të parisë së qytetit, nxituan të siguronin Portën se në Vlorë e në gjithë Jugun e Shqipërisë “mbretëronte paqja e qetësia”, e në fakt punuan për të sabotuar lëvizjet popullore.

Mbi Ismail Qemalin është ndërtuar imazhi i një “plaku të urtë”, “mjeshtri të lojrave politike e diplomatike”, i një “negociatori sallonesh”, etj. Sigurisht, Ismail Qemali ishte edhe i tillë. Por ishte po aq edhe organizator i kryengritjeve antiosmane në periudhën e viteve 1900-1912, siç e përshkruajnë, në fund të fundit, konsujt e huaj apo funksionarët e agjentët xhonturq. Kur e takoi për herë të parë në Itali, në 1903, Dervish Hima u befasua teksa zbuloi tek Ismail Qemali një ithtar të “revolucionit”. Mendonte se revolucioni ishte një lloj vorbulle gjithpërfshirëse, që do të mundësonte kapjen e kohës së humbur. Në kushtet e prapambetjes së thellë, populli shqiptar, thoshte I. Qemali, “duhej futur në udhë me forcë”. Në funksion të kryengritjeve të armatosura, I. Qemali mori përsipër detyrën e vështirë të furnizimit të tyre me armë.  Më 5 maj 1909, valiu i Janinës raportonte se I. Qemali ndodhej në Korfuz, nga ku  po mundohej të fusë në Shqipëri 50 mijë pushkë. Gjatë kryengritjes së vitit 1911, shkoi vetë në Malësinë e Mbishkodrës, ku përpunoi edhe të quajturin Memorandum i Greçës, që duhej të siguronte autonominë e Shqipërisë.

Edhe pas shtypjes brutale të kryengritjeve të viteve 1907 e 1909, e sidomos pas mbytjes në gjak të kryengritjes së Veriut të vitit 1910, Ismail Qemali insistonte se pikërisht atëhere që mizoritë turke të Turgut Pashës ishin të freskëta, ishte çasti i duhur për një kryengritje të përgjithshme. Në funksion të saj, në shkurt 1911 organizoi në lagjen Taksim të Stambollit një mbledhje me deputetë shqiptarë të parlamentit osman.

I bindur për kolapsin e shpejtë të Perandorisë dhe për rrezikun eminent të pansllavizmit, I. Qemali punoi për të ndërtuar aleanca parimore me vendet fqinje. Në këtë vështrim u mundua të ndërtojë një aleancë të qëndrueshme me Grekët, popull po aq i vjetër e me interesa të ngjashme me shqiptarët. Por nuk bëri pazar me ta, nuk shiti kufij e interesa kombëtare. Është folur për bisedime e marrëveshje të tij të fshehtë me Kryeministrin Theotoqi, në Athinë, në shkurt 1907. Por thelbi i qëndrimeve të I. Qemalit gjatë atij takimi, zbulohet nga deklarata që ai nënshkroi ndonjë ditë më vonë pas takimit me Kryetarin e shoqërisë “Helenismos”, Kazazis. Në pikën 2 të asaj deklarate flitet për një “kufizim të ambicjeve kombëtare të të dy popujve brenda kufijve historikë e gjeografikë, duke marrë në konsideratë shumicën e banorëve që flasin njerën nga të dy gjuhët”. Me këmbënguljen e Ismail Qemalit, pala greke angazhohej të punonte “për futjen e gjuhës shqipe në shkollat greke dhe gjithashtu për futjen e shqipes në kishë”. Pa e përfillur presionin e vazhdueshme të Athinës mbi patriotët shqiptarë, për t’i kufizuar lëvizjet kryengritëse vetëm në Shqipërinë e Veriut, Ismail Qemali bëri gjithshka për të ndezur flakët e tyre edhe në Jug.

Pas shpalljes së Pavarësisë, I. Qemali e konsideroi të rëndësishme për ruajtjen e integritetit të shtetit shqiptar, mbajtjen e një marrëdhënieje të arsyeshme me Turqinë. Dhe pas shpërthimit të Luftës II Ballkanike më 1913, ai ishte i pari që e kuptoi rëndësinë e një marrëdhënieje gjithashtu të ngushtë me Bullgarinë. Më 1913, si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës i kërkoi Konferencës së Ambasadorëve në Londër përcaktimin e një vije kufitare të drejtë me fqinjët, që të përfshinte, veç të tjerash, Pejën, Mitrovicën, Prishtinën, Shkupin e mundësisht Manastirin deri në Mecovë e Prevezë”. Nuk u pajtua me copëtimin që ju bë trupit të Shqipërisë në atë Konferencë dhe deri në fund të jetës nuk hoqi dorë nga ideja e një Shqipërie të bashkuar në kufijtë e saj etnikë. Në një letër të tij të 10 marsit 1918, shkruante: “Lipset t’i dëftejmë botës së qytetëruar cili është kombi shqiptar, cilat janë të drejtat dhe dëshirat e këtij kombi dhe qysh pa iu shtuar Shqipërsisë nga ana e Veriut Kosova e nga an’e Jugës Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në sinisin e Ballkanit”.

Nuk mbajti qëndrime servile ndaj të huajve, dhe ju kundërvu atyre, kur gjykoi se ata vepronin kundër interesave shqiptare. E çmonte rolin e pazvendësueshëm që Austro-Hungaria luante në avancimin e interesave kombëtare shqiptare. Por iu kundërvu politikës së saj të status-quosë. Nuk ia fali Austro-Hungarisë ndërhyrjen e saj për ta shuar kryengritjen e Mbishkodrës, duke përdorur për këtë qëllim edhe klerin katolik. Në prononcimin e tij të hidhur në gazetën vjeneze “Die Zeit”, të datës 31 korrik 1911, Ismail Qemali shprehej: “Gabimet politike janë të pafalshme, por një qëndrim politik që kushton jetën e një populli të tërë është në kundërshtim me çdo moral politik”. Së fundi vlen të evidentohet edhe një çështje tjetër, për të cilën I. Qemali pati mosmarrëveshje me politikën austro-hungareze, dhe që dëshmon vizionin dhe intuitën e tij të jashtëzakonshme politike. Fjala është për projektin e hekurudhës së Sanxhakut, që Austro-Hungaria vendosi të ndërtojë pas aneksimit të Bosnjë-Hercegovinës më 1908, e cila hekurudhë do zgjatej deri në Mitrovicë të Kosovës e prej andej në Durrës. Sipas konsullit Kraus, që e takoi dhe bisedoi me I. Qemalin për këtë çështje, udhëheqësi shqiptar e kundërshtonte realizimin e këtij projekti, pasi, sipas tij, kjo hekurudhë në të ardhmen do mund të bëhej bartëse e ekspansionit sllav në trevat shqiptare. Jo më kot, Ismail Qemali e quante atë hekurudhë “hekurudhë sllave”. Njeriu, i cili e kishte parashikuar kolapsin e Perandorisë Osmane qysh në vitin 1900, e dinte mirë se një ditë do të shpërbëhej edhe Perandoria Austro-Hungareze. Si për të vërtetuar dyshimet e tij, në 14 shtator 1914, përfaqsuesit e qeverisë serbe nënshkruan në Nish një marrëveshje me një Pasha shqiptar, pika 11 e së cilës parashikonte ndërtimin e “Hekurudhës Adriatike”, e cila do të dilte në Durrës. Në fund të vitit 1915 e njëjta marrëveshje u ripërtëri, duke sanksionuar, veç ndërtimit të hekurudhës, edhe një bashkim i vërtetë mes Serbisë e Shqipërisë, me unifikimin e ushtrisë, doganave, diplomacisë, financave e tregtisë (pika 8). Kësaj radhe, për palën serbe nënshkroi Ljuba Jovanoviç, i dërguar special i kryeministrit Pashiç. Ndërsa për palën shqiptare nënshkroi i njëjti person: Esad Pashë Toptani. Kështu, ky “pasha” injorant e i paskrupullt, që nënshkruante për çdo vit nga një marrëveshje antikombëtare me armiqtë e Shqipërisë, tërhoqi mbi vete urrejtjen mbarëshqiptare, që çoi në atentatin e kryer ndaj tij nga dora e patriotit revolucionar Avni Rustemi, më vonë deputet i Kosovës në parlamentin shqiptar. Dhe si për të vulosur një jetë të shpenzuar në favor të interesave të huaja, serbët e vendosën trupin e Esad Pashë Toptanit në varrezat serbe, në Paris.

(Titulli është i autorit, të gjitha detajet e nëntitujt janë të redaksisë)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.