OPINION

Egocentrizmi dhe akreditimi i Universitetit të Tiranës

07:25 - 04.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Prof.dr. Aljula JUBANI

 

Dikur, Át Gjergj Fishta shkruante se në çështje të arsimit, të gjithë: popull, qeveri e parlament kanë qenë të një mendjeje dhe një zëri.

Por qysh atëherë, kohë të vështira kaluam ne si komb, duke krijuar sindromën e bjerrjes së përgjegjshmërisë dhe të ndërgjegjes personale dhe profesionale, individuale dhe institucionale. Duket se ende po në të njëjtin qerthull vërtitemi, si maskota të nuk dimë se kujt. Thyejmë njëpasnjëshëm rekordet, po tonat, të ankesave dhe të vetërrënimit në mjerimin e mungesës së shumëçkaje e mbi të gjitha të kurajës intelektuale, e cila nuk mund t’i dorëzohet arsyes së një kohe, si ajo që përshkruante Át Anton Harapi “në të cillen “të ndershmit”, kërkojshin me u strukë, me e ‘ruejt vetin’ për nji kohë tjetër mâ të mirë”…

Duket sikur kjo kohë, në Shqipëri, ka kaluar në pankroni, për fat të keq. Kështu, veç gjithë çudirave që nuk na habisin më, edhe Universiteti i Tiranës e gjen veten viktimë të vetvetes dhe të politikave të gabuara ndaj tij.

Prej disa kohësh na vjen vërdallë makthi i një akreditimi të munguar, të pjesshëm, afatshkurtër e nuk dimë sa epitete ka parë t’i bashkëngjiten ky akreditim.

Po pse gjithë ky mister?! Profesorët dhe studentët e marrin informacionin nga gazeta e profile rrjetesh sociale. Për herë të parë nuk na është përcjellë asnjë shkresë zyrtare, asnjë kopje e raportit në rrugë institucionale. Ndërkohë që profesorati i UT-së ka qenë zëri më i fuqishëm e vlerësuesi më i qartë, më i qëndrueshëm dhe më këmbëngulës edhe për çdo udhëzim, projektvendim e deri në projektligje apo reforma të arsimit të lartë. Dhe zëri i Universitetit të Tiranës ka dëshmuar në çdo kohë fuqinë e tij, si institucioni që përfaqëson dhe frymëzon mendimin e lirë e të qytetëruar.

Por çfarë ka ndodhur ndërkohë? “Kodi i heshtjes” ka ngërthyer kësaj radhe edhe Universitetin e Tiranës. Pasiguria na shoqëron edhe pse të rinjtë e familjet e tyre na dëshmojnë çdo ditë e më shumë besimin te ne, duke zgjedhur të parin Universitetin e Tiranës.

Universiteti prej të cilit janë diplomuar pjesa më e madhe e politikanëve, ligjvënësve, shkencëtarëve, studiuesve, mësuesve, mjekëve, infermierëve në Shqipëri; sot ka një diplomë që sipas “raportit” nuk vlen në tregun e punës. Mos ndoshta të gjithë ne duhet t’i hedhim diplomat?! Atëherë, ndoshta, edhe një pjesë e anëtarëve të Bordit të Akreditimit (disa, madje, anëtarë të komisionit të reformës) duhet të bëjnë të njëjtën gjë.

Në një vend si ky yni, raporti i studentëve me popullsinë shkon rreth 58 studentë për 1000 banorë, po të kemi parasysh. Gjithkush nga aktorët ka kontributin e vet që arsimi i lartë të bëhet konkurrues dhe më i vlerë, për të ofruar më të mirën për të rinjtë shqiptarë. Por rezultati i këtij akreditimi do të duhej të shqetësonte secilin prej atyre që e sotmja i gjen të angazhuar në institucione të arsimit të lartë, pavarësisht profilit. Edhe pse politikat shtetërore kanë bërë që investimet në vite për student, në arsimin e lartë, të jenë dhjetëra herë më të ulëta në krahasim me mesataren e vendeve të OCDE-së dhe të BE-së, shumë prej nesh, të diplomuarve në UT, kjo diplomë na ka mundësuar doktorimin në universitete nga më prestigjiozet të Italisë, Gjermanisë, Francës, Finlandës, Norvegjisë, Amerikës etj.

Por, si mund të zhvlerësohet diploma e Universitetit të Tiranës, kur në provimet e shtetit për profesionet e rregulluara kemi gjithmonë rezultatet më të larta të suksesit?!

Mjafton të interesohesh në qarqet e Shqipërisë, për të konfirmuar përshtypjen intuitive, se përqindja më lartë e mësuesve të punësuar vijnë pikërisht nga Universiteti i Tiranës, mbi 70% e atyre që zotërojnë diplomë universitare. Po e njëjta gjë konfirmohet edhe nga të dhëna të administratës publike, mbi 90% e gjyqtarëve janë të diplomuar në UT. Kjo konfirmohet edhe nga të dhëna të institucioneve dhe ndërmarrjeve private.

E vërtetë se UT mund të mos ketë regjistra të rregullt me të dhëna të natyrës së mësipërme, por cili universitet mund të dëshmojë më shumë, sa kohë që edhe stafet e tyre akademike, veçanërisht profesorati me tituj shkencorë është diplomuar, ka doktoruar apo fituar tituj, në pjesën më të madhe, pikërisht në UT.

Dhe nuk do të duhej shumë për t’i identifikuar e për t’i pasqyruar këto të dhëna. Po a arritëm ta bënim këtë, duke tejkaluar megalomaninë, ne që koha na solli të jemi në këtë moment në UT?! Do të duhej ta kishim kryer e, madje, me shumë përgjegjshmëri ndaj universitetit 60-vjeçar dhe mijëra të rinjve 18-vjeçarë që u besojnë të ardhmen e tyre auditorëve tanë.

Universiteti i Tiranës ka mangësi të shumta, që lidhen me politikat e gabuara shtetërore, me administrimin shpesh feudal të burimeve të tij njerëzore e financiare, me mungesa platformash e strategjish, nga të cilat vuan e gjithë Shqipëria e pasdiktaturës komuniste dhe e neodiktaturës së reformave pa vizion. E megjithatë, Universiteti ynë nuk mund të jetë kurrsesi i fundit në rankim, pas këtij të ashtuquajturi akreditim institucional, derisa ka mbështetur me stafe, kurrikula, programe e shumëçka tjetër çdo IAL të ngritur në Shqipëri. A do të shpëtojmë ndonjëherë nga psikoza e diktaturës për asgjësimin e kundërshtarit? Përndryshe do të vijë dita e vetasgjësimit.

Dhe, natyrisht që profesorati e studentët UT-së nuk do të pranojnë që në diplomë të shkruhet: “Akredituar vetëm për 1 vit!”. Asambleja e pedagogëve, këshillat studentorë, Senati i UT-së duhet të mblidhet me urgjencë e të flasë me një zë të vetëm e të fuqishëm, sepse autoritetet akademike janë votuar dhe mandatuar për të mbrojtur interesat e universitetit tonë, interesat e studentëve tanë. Çdo emër i veçantë është i pallogaritshëm!

Sepse ne jemi universiteti që synon atë që synojnë të rinjtë, duke shkuar gjithnjë përtej vetvetes. Këtë e ka treguar historia e këtij universiteti. E sotmja e konfirmon. Siç thoshte Shën Agustini: “Sa herë njerëzit ankohen se jetojnë kohë të këqija, mjafton të zgjedhin të jetojnë në ndershmëri dhe kohët bëhen të mira!”.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nji nga kriteret e akreditimit ka kene laiciteti i arsimit t’nalte.
    Ajlula Jubani i referohet veç Fishtes, Anton Harapit dhe Shen Agustinit.
    “Ta fillojm’ ma s’pari nga vedi”, ka pat than’ Gjergj Mullaga.
    Mendsit’ religjiozo-centriste nuk kan’ vend n’arsimin e nalt te nji shteti laik!

    Përgjigju ↓