Kryesore

U sulmua nga maskat, ish-kreu i SHIK-ut ikën nga Shqipëria. E ëma: Im bir, Artani erdhi për mua nga Italia se isha sëmurë  

09:19 - 04.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Eneida PETOVA

Një ditë pas sulmit me  mjete të forta nga dy  persona të maskuar, ish-kreu i SHIK-ut në Berat në vitet 1993-1996, Artan Dauti është larguar nga Shqipëria. 48-vjeçari, edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore (për shkak të dhunës ai përfundoi në spital), mëngjesin e djeshëm ka lënë qytetin e Beratit dhe Shqipërinë dhe është larguar në Itali, ku dhe jeton prej 20 vitesh me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Ndërkohë, nëna e tij, Liri Dauti, e cila jeton në lagjen “29 Nëntori” të këtij qyteti, deklaroi për “Gazeta Shqiptare” se i biri është larguar për në Itali pa mbushur 24 orë nga ngjarja e ndodhur në afërsi të banesës së saj. E moshuara pohoi se sulmin ndaj djalit të saj e ka mësuar ditën e djeshme dhe se kjo ngjarje mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës që ai ka pasur shumë vite më parë në Berat, pasi ai nuk ka konflikte me askënd.

Gjithashtu, Liri Dauti u shpreh se djali i saj, Artani erdhi nga Breshia e Italisë për të parë atë, pasi kishte probleme shëndetësore për shkak të moshës. Sipas saj, Artani ishte përgatitur për t’u nisur, pasi nuk mund të qëndronte më shumë se katër ditë për shkak të punës në Itali, ku nuk kishte mundur dot të merrte më shumë ditë leje, por saktësisht për ditën dhe orën e nisjes e moshuara nuk ka pasur dijeni. Nga ana tjetër, burime nga spitali i Beratit thanë se Artan Dauti ka dalë nga ky spital ende pa u kuruar dhe përmirësuar, duke deklaruar se do ta vazhdojë kurimin në shtetin ku jeton. Ndërkaq, burime nga policia lokale pohuan se po hetohet intensivisht për identifikimin dhe vënien në pranga të dy agresorëve që dhunuan barbarisht ish-kreun e SHIK-ut në Berat. Sipas bluve, janë marrë në pyetje disa persona që kanë qenë afër vendit të ngjarjes. Pavarësisht hetimeve të kryera, ende nuk është bërë i mundur zbulimi i dy agresorëve. E tronditur nga ngjarja, nëna e 48-vjeçarit deklaroi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se policia duhet të zbardhë sa më shpejt ngjarjen.

Zonja Liri, kur është kthyer djali juaj nga Italia dhe prej sa vitesh jeton ai atje?

Që pasi e hoqën nga puna në fund të vitit 1997, djali im me gruan dhe fëmijët ka ikur në Itali. Katër ditë më parë erdhi për të më parë mua, pasi kam qenë e sëmurë. Ndërsa gruan dhe fëmijët i la atje, sepse janë në shkollë. Nuk mund të rrinte më shumë, pasi është në punë. Im bir, Artani iku sot (dje) në Itali. Unë e dija që do të ikte sot (dje), por se në çfarë ore do të nisej këtë nuk e di me saktësi. Ai u nisqë në mëngjes, pasi pas asaj që i ndodhi djalit mbrëmë nuk mund të rrinte dot më gjatë nga frika e një agresioni të mundshëm.

Si e mësuat ju ngjarjen që ndodhi me djalin tuaj mbrëmjen e së hënës?

Siç ju thashë, unë kam qenë e sëmurë, sa nga mosha, sa nga tensioni, dhe për këtë djali u kthye për të më parë. Edhe mbrëmë (të hënën) djali ishte tek unë. Qëndroi disa orë dhe u largua. Sapo ka dalë prej këtej, e goditën, nuk e di se kush. Unë sot (dje) në mëngjes e kam mësuar ngjarjen. Nga familjarët e tjerë e kam mësuar, se dje askush nuk më tregoi gjë. I dëgjova që ishin të shqetësuar, por nuk më treguan gjë për shkak të shëndetit. Sot (dje) në mëngjes më thanë se Artani ka ikur në Itali, pasi një natë para e kishin goditur te lagjja.

Çfarë ju thanë në lidhje me ngjarjen?

Më thanë se Artani ishte qëlluar sapo doli nga shtëpia ime për të ikur te shtëpia e prindërve të nuses së tij, pasi ai nuk ka shtëpi këtu në Berat. Këtu afër te lagjja paska ndodhur ngjarja, ku dy çuna e kanë rrahur. Kaq di unë.

Përse mund të ketë ndodhur sulmi ndaj djalit tuaj?

Djali im nuk ka probleme me asnjë njeri. As ai dhe as 3 djemtë e tjerë apo familjarët tanë. Kjo është hera e parë që djali vjen në Berat që kur ka ikur në Itali. Dhe ai erdhi për të më parë mua. Unë nuk di asgjë se përse ka ndodhur dhe se kush e ka bërë. Këtë le ta gjejë policia, por mendoj se mund të ketë lidhje me punën që ka bërë më parë si kreu i SHIK-ut Berat, para se të largohej nga Shqipëria, pasi arsye tjetër nuk ka.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.