Kryesore

Pako me tritol pronares së dyqanit të rrobave, 55-vjeçarja: Dyshoj për konkurrencë. Ndihem e kërcënuar, jetoj e vetme!  

09:53 - 05.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Xhensila KODRA

Një sasi tritoli e paaktivizuar iu vendos dje një dyqani rro-bash, në rrugën “Petro Nini”, në kryeqytet. Mësohet se pronarja e këtij biznesi është Bruneta Aliaj, e cila e konstatoi pakon e dyshimtë në hyrje të shkallëve që të çon në dyqanin e saj. Menjëherë, ajo njoftoi policinë se dyshonte se në pakon e vogël mund të ndodhej diçka e dyshimtë, që sipas saj mund të ishte një sasi tritoli. Pas kësaj telefonate, policia u vu në lëvizje. 5 muaj më parë, 55-vjeçares Aliaj iu vendos lëndë eksplozive në mjetin e saj “Smart”, ku fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar. E shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje, 55-vjeçarja ka pohuar se sikundër herët e kaluar ku dyshonte se mund të ishte kërcënim nga ish-bashkëshorti, tashmë ka dyshime se ngjarjet mund të kenë lidhje për shkak të konkurrencës.

Ngjarja

Bruneta Aliaj e kishte konstatuar pakon e dyshimtë në shkallët e dyqanit mëngjesin e djeshëm sapo kishte shkuar për në punë. E frikësuar nga kjo situatë, duke marrë shkasë edhe nga rasti kur i shpërtheu mjeti në maj të këtij viti tek “9 Katëshet”, 55-vjeçarja njoftoi uniformat blu. Të mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, si dhe pas këqyrjes së kryer prej ekspertëve, u vu re se eksplozivi që ndodhej në pako nuk mund të shpërthente, pasi nuk kishte të aktivizuar kapsollën dhe detonatorin. Pakoja u administrua nga ekspertët, të cilët do të kërkojnë të gjejnë shenja gishtash, por edhe të mbetjeve biologjike për të identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje, ndërsa janë sekuestruar edhe një sërë pamjesh filmike të kësaj zone. “Rreth orës 10:37, jemi njoftuar se në një dyqan rrobash në rrugën ‘Petro Nini’ pretendohet se është vendosur një pako në dukje si eksploziv. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ku nga verifikimet paraprake rezulton se shtetasja B.A., pretendon se në dyqanin e saj të rrobave, në rrugën ‘Petro Nini’, i kanë vendosur një pako në dukje si eksploziv. Është rrethuar vendi i ngjarjes dhe është njoftuar njësia antieksploziv”, tha zyrtarisht policia.

Dëshmia

E marrë në pyetje nga hetuesit e çështjes, 55-vjeçarja ka pohuar se nuk ka dijeni për autorët, pasi nuk ka konflikte me njeri. “Dyshoj se ngjarja mund të jetë përsëritur për shkak të konkurrencës”, mësohet të ketë thënë Bruneta Aliaj, teksa hedh poshtë faktin se mund të ketë pasur gisht ish-burri i saj me të cilin ka disa vite që është divorcuar. 55-vjeçarja ka deklaruar më tej se duke qenë se autorët që i shpërthyen makinën 5 muaj më parë nuk janë zbuluar ende, ajo tashmë ndihet e rrezikuar. “Unë jetoj e vetme. Personat që më vendosën tritolin në makinë nuk janë kapur akoma. Sot (dje) po e njëjta situatë. Po ndihem e kërcënuar për shkak të këtyre situatave”, ka rrëfyer ajo më tej. Sakaq, policia ka dyshime se të dyja ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe se autori mund të ketë qenë i njëjtë, si dhe janë duke verifikuar ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë tregtarja 55-vjeçare.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.