OPINION

Sfidat e NATO-s

07:23 - 05.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ilir KALEMAJ




 

NATO sot ballafaqohet me kriza që shkojnë nga sulmet kibernetike, te rrezikshmëria e çmendurisë së Kim Yong Un-it, që ndryshe nga sivëllezërit e tij të “Akseve të së Keqes”, ka nja 70 e kusur bomba atomike dhe po bën prova me bombën me hidrogjen, si dhe dyshohet të ketë kapacitetet lançuese duke kërcënuar përtej rrezes së gadishullit korean, vendin udhëheqës të NATO-s, Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet kërcënimit të sulmit mbi bazën ushtarake të Guam-it në Paqësor apo edhe Japoninë. Neni i 5-të i NATO-s “një për të gjithë, të gjithë për një” ka vetëm një aplikim të tijin në praktikë, që mori jetë pas 11 shtatorit të sulmeve terroriste mbi 2 kullat binjake në Nju-Jork dhe i hapi rrugë ndërhyrjes me mbështetje të gjerë në Afganistan për të mposhtur Al-Kaedën dhe regjimin taleban që e mbështeste.

Nëse ISIS-i është një kërcënim në tërheqje, të paktën në luftën frontale apo guerilase në Lindjen e Mesme, një kërcënim i ri është shfaqur qysh vjet, në formën e shteteve të paqëndrueshme dhe në kaos total si Libia, ku grupe të ndryshme terroriste kanë marrë në kontroll bregdetin dhe trafikun e qenieve njerëzore drejt Italisë, Greqisë apo Spanjës, dhe mandej në pjesën tjetër të vendeve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Një kërcënim ky në rritje që jo vetëm ka sjellë një fluks të jashtëzakonshëm njerëzish nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme në dyert e Europës si refugjatë lufte duke shkaktuar një krizë demografike por edhe politike, por nga ana tjetër mbart gjithnjë rrezikun e infiltrimit të terroristëve, që si “ujq të vetmuar” apo celula të mbyllura kanë shkaktuar dhjetëra sulme terroriste në Europë vetëm gjatë viteve të fundit.

Ukraina është teatër tjetër i rrezikshëm mes ndërveprimit të NATO-s dhe Rusisë, ku marrëdhënia me këtë të fundit ka ardhur në përshkallëzim qysh prej Samitit të Varshavës vjet në korrik, ku një nga prioritetet e NATO-s në të ardhmen e afërt ishte dhe “restaurimi i dialogut NATO-Rusi për të shtuar transparencën dhe promovuar sigurinë europiane”. Duket se tashmë situata është përshkallëzuar me stërvitjet ushtarake ruse që simulojnë luftë reale në Bjellorusi, kërcënimet ruse për vendet baltike dhe agravimet dhe tonet në rritje me Poloninë.

Ballkani Perëndimor është një tjetër aspekt shqetësues i përplasjeve gjeopolitike mes NATO-s dhe interesave strategjike të vendeve euroatlantike dhe Rusisë, ku vërejmë një ndarje sinorësh sipas vijave të vjetra të kufijve mes civilizimesh. Nga njëra anë aleanca pansllave e udhëhequr nga Rusia dhe me ndikim të fortë në Serbi, Republika Serbska, pjesën veriore të Malit të Zi dhe pjesën lindore në Maqedoni, nga ana tjetër një influencë e fortë euro-atlanticiste në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe, natyrisht, Kroaci dhe më gjerë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.