OPINION

Ç’të mirë panë shqiptarët nga qeverisja e të majtëve

07:30 - 06.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Delvina Kërluku

 

Zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar u manifestuan me një dukuri të re, e që ka të bëjë me numrin mjaft të madh të votës shqiptare të derdhur në kontot e partive maqedonase, konkretisht të LSDM-së. Përflitet se ky numër mund të ketë qenë edhe 70.000, që është pak e besueshme, por se ka qenë 35 – 40,000, as që diskutohet. U ngrit zhurmë e madhe për këtë lloj votimi, pasi i kalon përmasat e normales. Kjo s’do të thotë se në të kaluarën shqiptarët nuk i kanë votuar maqedonasit dhe partitë e tyre, por numri ka qenë i papërfillshëm. Se ka pasur vota shqiptare për “të tjerët”, këtë e dëshmojnë zgjedhjet presidenciale, ky apo ai kandidat është bërë president me votat shqiptare.

Tani na imponohet një pyetje fare e thjeshtë e fare konkrete: ç’të mirë panë shqiptarët nga qeverisja e të majtëve kur ata ishin në pushtet, gjithnjë me ndihmën e votës shqiptare, por të tërthortë, pra me ndihmën e PPD-së. Për ata që kanë kujtesën dhallë, mjafton t’ua përkujtojmë ngjarjet tragjike të Bit Pazarit, të Ladorishtit të Strugës, vrasjen e Adylselamit me rastin e hapjes së Universitetit të Tetovës, paralelet e përziera (ku në klasa kishte 30 shqiptarë e 3 maqedonas e që procesi arsimor zhvillohej në maqedonisht), përdorimi i toponimeve në trajtën e tyre sllave, emërtimi i shkollave, rrugëve, institucioneve…

Duam t’i pyesim këta shqiptarë: mos janë pak të shpejtuar? Mos ua ka errësuar interesi personal ose ai i ngushtë lokal që të votojnë parti maqedonase, edhe në kushtet kur mundësia e zgjedhjes së ofertave nga partitë shqiptare ekziston? Ata duhet ta dinë se fuqizimi i partisë maqedonase në dëm të asaj shqiptare, është një e keqe që kërkon çmim. E këtë çmim sot a nesër, do ta paguajmë ne shqiptarët… Një porosi: zgjedhjet lokale që po vijnë është një shans e rast i mirë për t’u kthjelluar, duke votuar vetveten. Ne dibranët kemi një shprehje autoktone: Më mirë me më të keqin e vendit tonë, me atë do të merremi, se sa me një të huaj. Ndonëse jetojmë me dekada në një shtet, maqedonë e shqiptarë, e ca serbë, vlleh, romë, boshnjakë…, përsëri mbetemi të huaj për njëri- tjetrin. Sepse ne përherë duhet të dimë se një miqësi është e humbur kur duhet të mendojmë mbrojtjen. Ç’kënaqësi është sot të shoqërohemi me një parti maqedone, anëtarët e së cilës ndjekin modelin që lanë ata të dekadave më parë! Jemi të vendosur t’i bindemi urdhrit të të parëve tanë që të shfaqim dashuri të sinqertë për njëri-tjetrin. Bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve nxjerr në pah më lehtë problemet dhe po në të njëjtën formë mund të zgjidhen, duke punuar për të njëjtin qëllim. Ne gjithashtu duhet të mbështesim njëri-tjetrin me përpjekjet dhe punën tonë, qoftë fizike. Ne kështu e bëjmë menjëherë atë që armiqtë tanë s’duan që ne ta bëjmë. Nëse ky është rasti për armiqtë tanë, atëherë si duhet të sillemi me miqtë tanë? Ne duhet të shprehim gatishmëri e vullnet të mirë për kandidatët shqiptarë. Ndonëse kësaj here është shpeshtuar numri i kandidatëve, por sot kemi kë zgjedhim. Pra, një politikan të mirë për shqiptarët, që duhet të zbresë nga qielli e të ecë në tokë, të zgjohet nga ëndrrat e të përballet me realitetin. Një njeri që të jetë një politikan që e vë veten në shërbim të popullit, e jo një politikan që është një shtetar që e vë popullin në shërbim të vetes. Pra, politika është një gjë tepër serioze për t’ia lënë cilitdo, politikanëve. Dhe atyre, ringjallësve të fantazmave më të këqija të historisë së të majtës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.