OPINION

Mësuesi, jo vetëm i portaleve dhe skupeve televizive

07:45 - 07.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Andon ANDONI

 

“Do që të bësh të famshëm një laps…? Po, po një laps! Nxirre përpara kamerës televizive dhe thuaj që e ka mbajtur në dorë mbreti! U bë! Nëse do të bësh të famshëm një njeri të zakonshëm, nxirre në televizor dhe thuaj që ai ka kafshuar një qen,-më përsëriste shpesh, shkrimtari Vath Koreshi,- e nëse do ta futësh në fund të dheut, përsëri nxirre në televizor”.
Mu kujtua miku im Vath, teksa po ndiqja një nga formatet investigativ të tipit “Stop”, “Fiks fare” “Boom” të Ora News këto ditët e fundit. Flitej për mësues, nxënës, shkolla, drejtori shkollash etj. Normale në këtë fillimviti. Por nëse i ndjek këto emisione, në raport me fushat e tjera të jetës shoqërore, më duket se pak si tepër po i bihet në qafë arsimit. Dhe për më shumë jo gjithmonë me të drejtë.
Për hir të së vërtetës ka dhe gjen dinjitet, shpresë, motivim në shumë prej denoncimeve të emisioneve investigative në formatet e përmendur më sipër, në televizioneve shqiptare. Luajtur në një fushë, ku askush nuk ka guxuar, ato i kanë dhënë publikut të gjerë, fakte dhe realitete tronditëse, të atyre që kanë dashur të shkojnë kundër rrymës së ligjit, rregullit dhe shtetit. Drejtësia, (sipas medies vetë) është vënë në vend përmes këtyre zbulimeve apo thënë më ndryshe, vetëm pas bërjes publike prej tyre!? Kjo e “shkuarjes së hakut tek i zoti”, është një çështje, që ngre debat, pasi jo gjithmonë kjo “e drejtë” ka qenë e përputhur domosdoshmërish me akuzën denoncuese të ekranit dhe shtypit. Që kjo fuqi e medies, siç shkruante botuesi i gazetës “Telegraf” më 1928, Kostë Çekrezi, “të bën që të varesh në litar apo, të të heqë hallkën e tij nga fyti”, është e njohur.
Pikërisht, te denoncime të tilla e kanë pasur fillesën, zbulimi dhe prangosja e plot elementeve që kanë shkelur ligjet e këtij vendi. Ngjarje të bujshme, dhe publiku pret me kërshëri atë “Nesër avazi, nesër”.
Por ajo që dua të ndaj me lexuesit në këto radhë është paksa më komplekse. Çfarë ju intereson më shumë këtyre lloj formateve televizive? Zbulimi i skandalit dhe korrja e dafinave, vënia në vend e drejtësisë apo rendja pas një audience sa më të madhe!?.
Sigurisht, që të tria janë të rëndësishme për një televizion serioz dhe gazetari serioze, por nisur nga syri i një profesionisti, në njërën nga këto tri kolona, kandari anon më shumë nga audienca! Duket se tek të tri formatet e përmendura, theksi vihet te shikueshmëria dhe publiku. Emisionit i bëhet hyzmeti vetëm për këtë të fundit, audiencën dhe përfitimin e reklamave të lidhura me të. Dikush do pohojë se kjo është normale.
Po! As një gjë të keqe nuk ka, por kur rendet vetëm pas sigurimit të saj, duke kërkuar me lupë “viktima” të paqena dhe të vetësajuara, kjo e dëmton audiencën. Përdorimi i rastit, i “konservuar” për muaj me radhë, dhe servirja e tij “me plan” si pas të vjeli rrush, është një tullumbace e shkrehur dhe nuk i shërben vetë çështjes. Ballafaqimet e palëve përpara kamerave(të fshehura sigurisht) nuk janë gjithmonë shteruese për të vërtetat që duhet të dijë publiku. Ndaj ato mbulohen me gjoja humor frazash nga drejtuesit e tyre në studio, me sarkazëm, ironi dhe lojën qesëndisëse të balerinëve, balerinave.
Këto emisione, në formatin e Fiksit, Stopit dhe Boomit, kur mungon thuajse krejtësisht gazetaria investigative, përpiqen të fitojnë vëmendjen publike përmes problemeve të një individi, në shumicën e rasteve, në përballje të fortë me institucionet, me organizata apo edhe instanca të qeverive lokale e qendrore. Si në përralla, ndodh që i miri dhe i keqi të përplasen në këtë duel padrejtësish dhe ku fiton gjithnjë “i dëmtuari” nga pushteti dhe shteti! Në fund, kurorat e dafinës patjetër që i takojnë …emisionit, i cili falënderon, më së fundi “pushtetin” qe e zgjidhi konfliktin kokë ulur.
Kjo është formula në të gjithë thellësinë e gjerësinë e lajmeve skupë të këtyre formateve. A sjellin një impakt të dukshëm pozitiv për shoqërinë? Gjersa shoqëria njihet me “këta maskarenj” që dalin kundër rrymës dhe ligjit, po!
Veç, ndonjëherë bashkë me të thatin digjet edhe i njomi.
Le të nisem, sa për ilustrim nga një shembull. Hera- herës këto emisione janë adresuar te shkollat dhe problematikat që kanë ato. Por “të bësh me hije” komunitetin e gjerë të arsimtarëve dhe drejtuesve të arsimit, se mos filmon dikush me kamera a telefona dhe i nxjerrin në TV, nuk është qasja e duhur. Se nuk i paskësh ardhur radha Ylberit të kapërcejë nga i nënti tek i shtati në Portalin e Mësuesit, kjo nuk është ndonjë gjë për të vënë kujën televizive. Të luash me rojën e shkollës “Kongresi i Manastirit”, e hoqi a s’e hoqi drejtoresha, dhe në ditën tjetër ai del krah drejtoreshës, janë mëkate a truke televizive që nuk shkojnë pa lënë gjurmë tek grupet e interesit. Askush nuk më thotë dot se ç’është ky Ylberi? Pse “u përkëdhel” kaq mjeshtërisht nga media. A është ai një mësues për së mbari? A e ndoqi kush aty ku është dhe të merrte opinionin e atyre që e rrethojnë e më të cilët ka punuar ndër vite? Askush. A e dinë mediet që ai dhe shumë prej shokëve të tij, rinë me kamerën e telefonit ndezur kudo që shkojnë?
Në fund të viteve 80, kur punoja si mësues në një zonë të thellë të Librazhdit, mbaj mend një nga figurat më djallëzore të atij komuniteti, E. Roçi, i pashkollë, me ca çizme llastiku dimër e behar, i shkurtër e me ca sy lavrakë, djallëzisht të shndritshëm, që dinte të bënte vetëm një gjë në jetën e tij:
Të shkruante letra për udhëheqjen e partisë dhe të pushteti dhe mbante xhepat mbushur me citatet e Enver Hoxhës që priste nga gazetat!?
Ishim 18 mësues që terrorizoheshim prej tij. “Sot kam ditën e shkollës” deklaronte i ligu F. Roçi dhe ne mbeteshim zemërngrirë kur të vinin inspektorët e Komitetit dhe “Gazi 51” që qëndronte në oborrin e shkollës. Por qëllonte që ky “Gaz 51”-sh, të ndalonte edhe përpara zyrave të kooperativës, te qendra mjekësore, te brigada e gjashtë, te stallat e blegtorisë. Produkte te të famshmit E. Roçi.
Është bërë modë, që të vrapohet tejet me ngut dhe shpejt, për të fshikulluar aksh mësues si pedofil dhe ypsilon drejtues shkolle si dhunues të fëmijëve, etj. etj., Vite me parë, një drejtor shkolle në Librazhd u “sulmua” moralisht nga një kryetar komune me porosi të partisë. Një mësues në Berat humbi familjen pas thashethemeve të sajuara. Ngjarjet bëjnë bujë. Zënë kreun e portaleve dhe faqeve të para të gazetave, Çudia zgjat tri ditë, dhe pas tri ditësh, kur ujërat kthjellohen dhe e drejta,(sipas proceseve në gjykata) ka kaluar në favor të mësuesve të akuzuar, asnjë medie, asnjë emision përfshirë edhe këta të skupit, nuk ka thënë asnjë fjalë për “lajmin e bujshëm që zgjati tri ditë”. Ka pasur familje që janë prishur dhe individë që kanë pësuar trauma të vërtet pas revansheve të hidhura mediatike, por askush nuk është kujtuar për ta. Për dëmin moral, psikologjik që iu ka shkaktuar. Media jo se jo. E ka mbyllur njëherë e mirë gojën dhe e ka hedhur pas krahëve mësuesin “dhunues”, “pedofil” dhe drejtoreshën “gjuhë gjatë”.
Nuk kam asnjë motiv për të mbrojtur sjellje dhe arroganca të rrjedhura prej pushtetit, qoftë edhe të vetë një drejtori shkollë a mësuesi, por nuk duhet të harrojmë se me këtë qasje të tillë revanshi ndaj figurës së shenjtë të mësuesit, ka vite që ai, jo vetëm nuk po gjen mbështetje prej shoqërisë, por përkundrazi, në bllok, po denigrohet, fyhet duke i dhënë dorë dhe krahë, individëve të tallen me të në orën e mësimit, prindërve të nxjerrin gjoksin dhe ta kërcënojnë për “nota të pamerituara” dhe vetë shtetit, që për të mbrojtur gjoja, në emër të lirisë dhe të drejtave të njeriut, “urdhërojnë” që të mbahen me çdo kusht brenda shkollës, edhe ata, që nuk janë për shkollë, brenda klasës, edhe ata, që hyjnë nga dritarja serbes-serbes dhe dalin nga dera kur t’iu teket dhe të kalojnë pa mbetje, edhe ata që nuk ka shanse t’i kalojë as Perëndia. Mësuesi, i vënë në darën e egër të asaj që duhet bërë dhe nuk duhet bërë, ka mbetur në pritje. Vetë organizmat e shtetit dhe pastaj mbarë shoqëria duhet të kthejnë sytë me urgjencë për të gjetur udhë të reja për rimëkëmbjen e dinjitetit të arsimtarëve. Duke vlerësuar drejt sakrificat e mëdha që ata bëjnë për të edukuar rininë e sotme jo pak të vështirë, dhe përpjekjet e mëdha të tyre për të kapur kohën e teknologjisë, për të implementuar reformat e reja të shkollës dhe për të shtyrë në hulli të reja edukimin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.