OPINION

Spanja nuk është Serbi e as Katalonja nuk është Kosovë!

07:40 - 08.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Arian GALDINI

 

Gjithmonë pas ideve dhe lëvizjeve të mëdha janë fshehur financime dhe interesa të mëdha.

Interesat dhe financimet nuk janë domosdoshmërisht të këqija, por pa diskutim që janë treguesit bazikë të cilit krah a kamp i përket në ndarjet e mëdha globale.

Që ne shqiptarët i përkasim Perëndimit dhe duhet të jemi për Perëndimin, me Perëndimin, në Perëndim, kjo nuk do shumë analiza e fjalë të gjata për ta pohuar, pranuar e kuptuar të gjithë.

Kush ngre dyshime a beson në të tjera alternativa e mundësi, nuk besoj se ka mësuar nga historia e ka rrokur saktë se cila është e mira natyrale e shqiptarëve dhe shqiptarisë si bashkëkuptimësi.

Të vijmë te zhvillimet më të fundit në Katalonjë.

Mediat i dhanë dritë pa fund, gjithçkaje që ndodhi me votimin për Pavarësinë e Katalonjës dhe dhunën policore mbi votuesit.

Vini re: në të njëjtën periudhë kohore diku në një anë tjetër të globit, kurdët kryenin referendumin e tyre për pavarësi.

Nuk mund të jenë të rastësishme këto dy ngjarje të mëdha historike që ngjizin, ngërthejnë e përziejnë shumë interesa e komplikime ndërkombëtare.

Madje vetë Presidenti i Turqisë, i kaq shumë adhuruar në Shqipëri, Kosovë e te shqiptarët e Maqedonisë, duke reaguar ndaj referendumit kurd, riktheu për diskutim shtetësinë e Kosovës.

Qarqe e media të caktuara, në Tiranë, Athinë a Beograd, nisën të përmendin skenarë të ngjashëm me atë të Katalonjës, në Himarë dhe Dropull.

Katalonja çuditërisht u barazua si rast me Kosovën dhe dhuna policore e qeverisë spanjolle mbi votuesit katalonjas, u krahasua me dhunën e mirëkuptueshme tashmë sipas tyre, të Millosheviçit.

Ta ndajmë këtë punë me kujdes.

Serbia nuk është as Spanja e as ish-Jugosllavia. Serbia është një shtet i krijuar e njohur me marrëveshje ndërkombëtare pas rënies së Jugosllavisë, e pas ndarjes së Malit të Zi kur shpalli Pavarësinë.

Serbia është vend shkaktar, nxitës dhe fajtor për luftën dhe krimet e luftës që ndodhën gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Serbia ka qenë vend diktatorial gjatë regjimit komunist në Jugosllavi.

Serbia ishte vend diktatorial dhe luftëbërës e gjenocidkryes gjatë periudhës së prishjes së Jugosllavisë.

Serbia është ende një vend në zhvillim dhe me parametra dhe tregues të ulët demokratikë, në proces negocimi për anëtarësim në BE.

Ndërsa Spanja ka dekada që i ka mbyllur hesapet me diktaturat. Spanja është demokraci e zhvilluar dhe vend anëtar i BE-së.

Historia e Spanjës me Katalonjën mund të jetë si historia e çdo Landi të Gjermanisë me Gjermaninë.

Dhuna policore në një vend demokratik edhe kur është disproporcionale dhe harbute, si ajo që u ushtrua kundër votuesve për Pavarësinë e Katalonjës, është pa diskutim shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, është energjikisht e dënueshme, por kurrsesi e krahasueshme me aparatin kriminal të një shteti diktatorial.

Pse duhet të merremi ne shqiptarët me këtë çështje?

Sepse në çdo fillimtetor bota perëndimore feston bashkimin e Gjermanive.

Koha e ndarjeve mori fund me rënien e Murit të Berlinit.

U desh një luftë botërore makabre sikurse ishte L2B që bota të ndahej më dysh pas përfundimit të saj. Gjysma e botës ra nën kthetrat e ‘perandorisë së djallit’ apo Bashkimit Sovjetik, dhe gjysma tjetër qëndroi nën Perëndimin e lirisë dhe vlerave e dinjitetit njerëzor.

Mbyllja paqësore e Luftës së Ftohtë, i dha menjëherë efektet e saj pozitive.

Lufta dhe dhuna ndajnë. Paqja dhe liria bashkojnë.

Bashkimi i Gjermanisë ishte edhe fitorja më e madhe e Perëndimit, ngase ky vend madhështor u bë edhe garanti i ëndrrës europiane.

Diktatura, lufta dhe dhuna e ndau e prishi edhe Jugosllavinë.

Në Perëndim është kohë paqeje dhe lirie, e nuk ka as vend e as kohë për ndarje.

Kush financon dhe mbështet ndarjet brenda vendeve të lira, ka interesa lufte dhe tinëzare.

Terrorizmi i IRA-s dikur në Irlandën e Veriut dhe i ETA-s në Spanjë, është e ditur, provuar dhe e qartë nga të gjithë se ka qenë i financuar dhe mbështetur nga ‘perandoria e djallit’.

Kthimi i IRA-s në OJF dhe qetësimi i ETA-s ka qenë fitore e Perëndimit, por jo përfundimtare.

Tashmë betejat dhe luftërat janë jokonvencionale. Ato zhvillohen në shtëpitë tona, në lagjet tona, në qytetet tona, me mjetet e lirisë dhe demokracisë.

Kësisoj, bëjmë mirë të jemi të kujdesshëm kur anësohemi e bëhemi palë me katalonjasit.

Ka një dallim themeltar që duhet ta bëjmë.

Qytetaria, rezistenca, fisnikëria dhe idealizmi i qytetarëve votues për Katalonjën, le të na bëhet model veprimi qytetar që na vjen nga Perëndimi.

Kauza e tyre nuk na përket neve e nuk është fare e mbështetshme.

Dhuna policore mbi qytetarët katalonjas është fortësisht e dënueshme.

Akti i mbrojtjes së integritetit shtetëror të Spanjës, meriton mbështetje pa ngurrim fare.

Spanja është vend lirie dhe demokracie. Mbrojtja e Spanjës është jetike për Perëndimin.

Kështu e mendoj dhe gjykoj unë, e shpresoj që qëllimin e këtij reflektimi ta përtypin, pranojnë dhe mirëkuptojnë sa më shumë shqiptarë.

Dua më shumë Shqipërinë!

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. More Arian ti me mendjen tënde aq sa di na i thua, por kjo analiza që pretendon ka shumë për të thënë. E para nuk besoj se ndryshimi mes katalonjës dhe Kosovës është ajo që ti thua. Nuk do zgjatem tek të tjerat por dua të përfshish në këtë analizë dallimin thelbësor mes etnisë së kosovarëve me serbët, të shqiptarëve të maqedonisë, malit të zi dhe të veriperëndimit të greqisë me sllabët thrakët dhe grekët dhe çfar ka bërë L1B me këta 5 shtete, kurse katalonasit nuk ngjasojnë aspak me popujt e Ballkanit dhe për shumë aresye të tjera.Besoj ka nevojë që të zgjatet pak tek shkrimi juaj shumë ndryshe nga aa është.Nuk është vrejtje, është këshillë që lexuesit të informohen plotësisht nga çdo shkrim që postohet e punlikohet.

    Përgjigju ↓