KULTURË

Recencë / Nobelisti Ishiguro dhe jeta si tjetërsim

10:30 - 10.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga prof. Ali ALIU

Romani “Mos më lër të shkoj” (botimet “Pegi”, Tiranë 2006), i autorit të sivjetmë nobelist Kazuo Ishiguro, me origjinë japoneze dhe me banim në Londër, është vepër që pasi t’i dilet në fund, ndjen nevojë të fuqishme për ta rilexuar nga e para. Dy janë ngasësit vendimtarë: e para, për arsye se, kur arrin në fund rrëfimit, të bëhet më i qartë fillimi, përkatësisht, je fare i sigurt se do ta përjetosh ndryshe atë dhe, për bukurinë e rrallë të rrëfimit. Gjithsesi, fjala është për vepër, përkatësisht fenomen, që nuk i ndodh shpesh lexuesit. Ngjashëm me këtë rast – pata shënuar në margjina, më kujtohet edhe përshtypja pas leximit të romanit “Verbëri” të nobelistit portugez Saramago. Edhe njëri, edhe tjetri kanë ndjerë, gjenialisht, shqetësime universale për mbarë hapësirën dhe kohën njerëzore. Edhe rrëfimi i romanit “Verbëri”, edhe ai i romanit “Mos më lër të shkoj”, në fakt rrezatojnë si një metaforë planetare, si një ndjenjë pasigurie e përbashkët e botës, për të nesërmen sidomos, për rrezikun që bart babëzia dhe dehja në krahët e shpikjeve moderne… Përballë kësaj përditshmërie galopante, Saramago në veprën e vet gjeniale do të shohë: bota me sy në ballë e megjithatë e verbër që e verbër, dhe Ishiguro, e ndjen se po kjo botë mbetet e ndarë mes atyre që dhurojnë (të mira dhe ëndrra) dhe atyre që gëzojnë dhurata. Në romanin e të parit, njerëzit e verbër kur ndërgjegjësohen – nëse ndërgjegjësohen ndonjëherë, ndjenja më e fuqishme – mbase e vetmja e para e tyre, është nevoja për të prekur nga afër praninë e tjetrit, mbështetjen e tij, tjetërsimi nga i cili thellohet së bashku me pushtimin shkencor të së panjohurës, së gjithësisë… Rrëfimi i romanit “Mos më lër të shkoj” i shkrimtarit Kazuo Ishiguro mund të përfshihet edhe brenda një të vetme fjali: njerëzit, në sajë të shkencës çudibërëse, do të kultivojnë njerëz të tjerë për t’ua marrë organet e trupit të tyre të shëndoshë në zëvendësim për të sëmurat… Këta pra janë “dhuruesit fatlumë” që i dhurojnë veshka, zemra, mëlçi botës normale, për të qenë sa më pabrenga dhe e lumtur ajo… E pret vërtet njerëzimin një e nesërme e tillë? Do të mbjellë në epruveta njerëz që nuk dinë nga vijnë, ku janë, pse janë, njerëz që do dinë aq sa kemi vendosur ne të dinë? Një e nesërme ku do të ketë vetëm dhurues dhe përfitues të dhuratave?… Sikur të mos ndjeheshin, ashtu në ajër shenjat drejt një bote të tillë, e që mund t’i kapë intuita e shkrimtarit vizionar, mbase as nuk do të artikulohej storie e tillë romanore, përkatësisht nuk do të pëlqehej e përthithej nga lexuesi, që duke mos e pasur të qartë praninë e kësaj prirjeje përreth, të një si mosbesim e frikë të mjegullt, i qartësohet ajo parandjenjë… Arti përgjithësisht, që nga fillimet, qëndron mbi themelet e vetë-identifikimit të lexuesit… Rrëfimi romanor i Ishiguro-s shtrihet dhe pushton si një aromë a muzikë, që është e s’është e pranishme. Ai ka një butësi, qetësi të brendshme dhe lirizëm narrativ të papërsëritshëm. Duke të futur në ambientin e një bote të kapshme dhe të pakapshme njëherësh, përkatësisht në një botë skajshmërisht të tjetërsuar, në shkallë përbindshmërie, zëri më poetik që kam lexuar, nuk ankohet, nuk tregon me gisht dhe nuk akuzon askënd drejtpërdrejt, – as edhe si ironi s’e bën këtë: thjesht vetëm e rrëfen, e shpalos botën tonë dhe atë të atyre, dhuruesve, përmes gojës së njërit nga ata – Ketit të moshës tridhjetëvjeçare – kufiri i të cilëve është dyzetëvjetshi, të cilin nuk e arrijnë dot shumica, duke mos e përballuar dot dhurimin e tretë, e sidomos më tej. Shumica përfundojnë pas dhuratës së dytë… Keti, personazh dhe narrator, në këtë roman rrëfen vitet e kaluara në një qendër-rezervat, një si biçim shkolle e konvikt, – historinë kryesisht të gjeneratës së vet, e ku nën kujdesin e pedagogëve, duke u rritur, e zbulojnë, shkallë-shkallë botën e vet, përkatësisht misionin për të cilin janë sjellë në këtë botë – atë të dhuruesve… Krijuesi, laboratori i tij, mendja krijuese e botës sonë të përçudnuar, ndërsa nuk ka mundur t’i sajojë, t’i ngjizë ata pa ëndrra, pa aftësinë për të ëndërruar. Kjo dhunti u lind që me hapat e parë. Krejt çfarë do të mbërrijnë është përfundimi nëpër spitale të specializuara ku shtrohen dhe presin radhën për të dhuruar deri në shuarje. Ëndrrat e dhuruesve e bëjnë në shkallë të magjishme poetik rrëfimin romanor: ata, dhuruesit e imagjinojnë veten misionarë të rëndësishëm në punët e botës sonë, si krijues të mëdhenj drejt përsosmërisë së kësaj bote, të këtij njeriu, por njëherësh të pikëlluar tragjikisht – i nënshtrohen bindshëm misionit të paracaktuar, të prerë nga kjo botë… Disa nga ata, si puna e Ketit, me grupin e vet më të ngushtë, ëndrrat dhe kërshërinë i kanë më të përsosura, më depërtuese, më qiellore se realiteti… Metafora romanore e Ishiguro-s kështu sikur e ka brenda edhe këtë vizion: mendja jonë, një ditë, mbase do të synojë vetëm përsosjen e botës, jo zhbërjen. Në mesin e pedagogëve të këtyre nxënësve dhurues, lexuesi do vërejë ndonjë që vuan bashkë me ta, përkatësisht që përpiqet, gjatë bisedave, t’i ndërgjegjësojë për fatin e vet, t’i orientojë drejt zotërimit të mundësive, të ëndrrave, të vizioneve të veta, përkatësisht drejt marrjes së fatit të botës, drejt përsosmërisë së saj, meqë ata, nxënësit dhurues, po shfaqnin shenja superioriteti ndaj kultivuesve të tyre: “… Është tjetër gjë të krijosh nxënës si ju, për dhurime. Por një gjeneratë me fëmijë, të krijuar për të zënë vend në shoqëri? Fëmijë që demonstrojnë dukshëm se janë më superiorë se ne të gjithë? Oh, jo. Kjo i trembi njerëzit. Ata u tmerruan nga kjo gjë”, u sqaron nxënësve-dhurues, të dëshpëruar deri në pikëllim të plotë, ku vetëdijesohen për misionin e vet, njëri nga pedagogët. Të shkojë njerëzimi drejt thellimit të tjetërsimit, do të kthehet vallë shkenca në minë që i shpërthen në dorë botës? Ka vërtet shenja të kësaj prirjeje? Shkrimtarë si Ishiguro japin alarm. Po kush e dëgjon këtë zë romanor? Njëri nga dhuruesit, në fund, kërkon të dijë dhe i drejtohet kujdestares: “Ju, pra, zonjë, po na thoni që gjithë gjërat që bëmë, leksionet, të gjitha ishin për këto arsye që sapo na i përmendët? Nuk ka asgjë më shumë se kaq”? Dhe sqarimin e saj: “Ju duhet ta pranoni që disa herë kështu shkojnë gjërat në këtë botë. Opinionet e njerëzve, ndjenjat e tyre, shkojnë njëherë në një drejtim… e pastaj në tjetrin. Ndodhi që ju u rritët në një pikë të caktuar të procesit”. Në ç’drejtim shkon ajo në fillim të këtij shekulli? Ky është shqetësimi i parë i madh, që rrezaton nga rrëfimi i romanit “Mos më lër të shkoj”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.