KULTURË

Artan Shabani: Për të kuptuar një nga periudhat e trashëgimisë kulturore

13:24 - 19.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Realizmi socialist  shqiptar, një art figurativ realist i orientuar politikisht dhe ideologjikisht, mbetet një nga periudhat më shënjuese të artit shqiptar gjatë shekullit të 20. I shtrirë masivisht në rreth 4 dekada, për mirë a për keq, ai mbetet po ashtu periudha më pjellore e artit vendas i materializuar në mijëra ekzemplarë kompozimesh masive, tablosh, monumentesh gjigande, skulpturash heroike, grafikash, pllakatesh, vizatimesh e deri te pullat e postës. Superprodhimi artistik ishte pjesë e platformës shtetërore për një art të orientuar drejt masave nëpërmjet sasisë dhe cilësisë, në shërbim të kauzës së materializimit të ideologjisë së revolucionit proletar. Në historinë e shkurtër të shtetit shqiptar kjo ishte periudha tipike kur shteti tentoi dhe ia doli me sukses të kontrollonte si prodhimin artistik, ashtu edhe jetën brenda dhe jashtë studiove.
Një prej investimeve më domethënëse në këtë fushë do të ishte ngritja e Galerisë Kombëtare të Arteve, inauguruar në vitin 1974 në bulevardin kryesor të kryeqytetit. Ky ishte sinjali kulmor që arti shqiptar ishte shkëputur tërësisht nga e shkuara e tablove të vogla, me temë intime nga bota e brendshme e artistit, për një art militant, në përmasa të mëdha, triumfues e optimist, në linjë me revolucionarizimin e jetës në çdo sektor. Realizmi socialist  Shqiptar sot, në esencën e vet, përbën pjesën më të rëndësishme të arkivit të fondit të GKA.
Si një rrymë dominuese për dekada me radhë, ai u braktis, u demonizua, u shënjestrua për të keq, u mohua dhe u degradua gjatë zhvillimeve të fund-viteve 1980 dhe gjatë gjithë dekadës 1990 – 2000. Por më pas, gradualisht, qëndrimi ndaj tij erdhi drejt një rikalibrimi historik dhe estetik, dhe sot studimi dhe rrugëtimi i këtij fenomeni arti totalitar në 4 dekada, përbën një nga sfidat kryesore studimore të arteve pamore në Shqipëri. Duke qenë se raporti i tij me pushtetin dredhon dhe përshtatet sipas shijes e direktivave të udhëheqësit, si dhe luhatjeve të mëdha e të ashpra të politikës vendase, studimi i tij, parë në rrafsh global, kthehet sot në një detyrë imperative për të kuptuar lidhjet mes artit dhe politikës.
Për periudhën është shkruar jo pak, por akoma jo në mënyrë shteruese. Realizimi i këtij katalogu të rëndësishëm për periudhën, ndërtuar mbi analizën e disa prej mediumeve më të rëndësishme ku ai u përqendrua, është një nga ofertat më domethënëse të këtij institucioni për të kuptuar mirë një nga periudhat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit tonë. Shoqëruar dhe me një tekst të gjatë studimor mbi fenomenin, temat e stereotipet mbi të cilin ai u ndërtua, ky katalog sot përbën një nga ftesat më të mira për një dialog real me të shkuarën e afërme të vendit tonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.