BLUETOOTH

Olta Gixhari e pranon më në fund: Jam e lidhur me…

16:00 - 19.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Olta Gixhari: Jam e lidhur me “Pamje nga Ura”

Suksesi i saj i parë si aktore ka qenë   padyshim i madh, por i papritur. Është   e lumtur që shfaqja ku ajo luan, është mirëpritur nga publiku e sigurisht dhe nga vlerësimet që ka marrë prej tij. Prej disa kohësh, e gjithë jeta dhe dashuritë e saj vërtiten rreth kësaj pjese, në një marrëdhënie të ndërsjellë ku i japin dhe i marrin shumë njëra-tjetrës.
Sa e vështirë është të jesh sot aktor?
Për sa kohë nuk ka vend pune, do të jetë gjithmonë kaq e vështirë. Pavarësisht pasionit, nëse ai nuk të lejohet të shfaqesh, nuk shërben për asgjë.
Planet me të cilat po merreni konkretisht?
Jam akoma e angazhuar me pjesën “Pamje nga Ura” dhe në këtë kohë jemi në turne nëpër Shqipëri. Këtë fundjavë do të jemi në Vlorë për tri net, më pas ndoshta në një shfaqje tjetër që do të jetë në Durrës.
Si kanë qenë marrëdhëniet me pjesën tjetër të aktorëve me të cilët luani?
Marrëdhënie shumë të mira, Timon e kam pasur pedagog, ndërsa Yllka është treguar shumë miqësore dhe më ka ndihmuar shumë. Të tjerët i njihja si personalitete të skenës, si aktorë të mirë, jo më tepër. I falënderoj që më kanë bërë të ndihem shumë mirë dhe komode, edhe pse unë jam në bankat e shkollës. Nuk më kanë bërë të ndihem inferiore për shkak të personalitetit të tyre artistik.
Keni menduar ndonjëherë për një rol në kinema?
Nuk e kam menduar dhe pranoj se kam frikë ta provoj. Nuk jam mësuar si të sillem me kameran dhe nuk di si mund të dilja. Në Akademinë e Arteve nuk kemi ndonjë orë specifike për mënyrën se si duhet të sillemi përpara kamerave, kemi vetëm në lëndë teorike, por praktikisht nuk ka asgjë. Jemi të mësuar për t’i sjellë si aktorë teatri.
Si është Olta mes teatrit dhe jetës së përditshme?
Gjatë kësaj periudhe po mbaj një regjim të kushtëzuar nga shfaqja. Paraditen e kaloj gati të gjithën në gjumë. Zgjohem në drekë, merrem me gjërat normale dhe më pas me provat e shfaqjes. Pas shfaqjes zakonisht bëj një pushim të vogël, një kafe ose një gotë verë me miqtë. Ndërsa në ditë të tjera, shkolla është një angazhim që zë pjesën më të madhe të ditës, duke qenë se jam studente në vitin e 4-rt në Akademinë e Arteve. Më “Pamje nga Ura”, unë mbroj dhe provimin e semestrit të parë, kështu që dita ime i kushtohet tërësisht asaj. Zakonisht, edhe pse më pëlqen të fle në mëngjes, nëse duhet të zgjohem e bëj dhe nuk përpiqem ta shtyj. Besoj se meqë jam mësuar me këtë raport me gjumin, në këtë kohë do ta kem të vështirë të mësohem me ritmet e zakonshme.
Çfarë nuk mungon kurrë në çantën tuaj?
Portofoli me paratë… Janë padyshim gjëja që kam gjithmonë me vete në çantë. Krahas këtyre nuk mungon dhe pasaporta së bashku me patentën.

E cilësoni veten si njeri me fat?
Padyshim që po, shumë me fat dhe akoma më tepër falë shfaqjes.
Si është raporti juaj me paranë?
Harxhoj shumë… Dhe më tepër për veshje, besoj si të gjitha femrat.(qesh)
Çfarë rryme muzikore pëlqeni?
Muzikën Jazz, dua ta dëgjoj në çdo moment. Rrymat e tjera janë në varësi të gjendjes sime.
Sa e lidhur jeni me familjen?
Në familje jemi 4 pjesëtarë; prindërit dhe motra ime më e madhe, e cila është e martuar dhe ka edhe një djalë. Me motrën jam shumë e lidhur dhe kam marrëdhënie shumë shoqërore, por dhe me mamin. Pavarësisht se ata jetojnë në Durrës dhe unë në Tiranë, kur takohemi 2-3 herë në javë, i themi të gjitha.
Suksesi pas shfaqjes “Pamje nga Ura” ju ka vënë në qendër të vëmendjes sidomos të mediave, si ndiheni?
Suksesi ishte diçka që nuk e prisja dhe më vjen shumë mirë që falë kësaj pjese u ndodha në qendër të vëmendjes. Tregon që puna ime nuk është vetëm e vlerësuar nga regjisori Albert Minga, të cilin e falënderoj që më zgjodhi, por dhe interesimi i medias për mua tregon që edhe publiku më ka vlerësuar.


Ç’rol ka dashuria për ju?
Jam gjithë kohës e dashuruar… Shumë e dashuruar me çdo gjë që bëj dhe nuk flas vetëm në një marrëdhënie në çift.
E keni gjetur dashurinë apo jeni akoma single?
Jam e lidhur me “Pamje nga Ura” prej disa muajsh dhe e gjithë jeta ime sillet rrotull saj. Është i dashuri më i mirë. (qesh)
Do të preferonit martesë apo bashkëjetesë?
Padyshim martesë, ndoshta ka të bëjë dhe me edukatën që kam marrë. Për mua familja është e shenjtë dhe jam shumë tradicionale për këtë pjesë. Zgjedhja ime është 100% martesë dhe ajo deri në vdekje.
Ç’mendim keni për thashethemet?
Mendoja se nga një anë janë kuriozitete, e mira e tyre në Shqipëri është se janë të lehta për t’u kuptuar që janë të tilla, sepse janë më se të dukshme, sigurisht kjo për dikë që mendon. Nuk jam tip që kur dëgjoj një thashethem përpiqem ta refuzoj dhe të mos ta dëgjoj, ndoshta ndonjëherë mund dhe t’i komentoj ato. Por ashtu sikur thashë, kuptohen lehtësisht.
Cili është thashethemi i habitshëm që keni dëgjuar për veten?
Për momentin asgjë… Por dhe sikur të dëgjoja, do të qeshja dhe nuk do të shqetësohesha shumë.
Ky shkrim u botua më  9 shkurt 2008


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.