OPINION

Ralf Gjoni: Një lutje për Nënë Terezën

20:44 - 19.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Një lutje të dëshpëruar Nënë Terezës!

Nënë e Shenjtë. Se kam zakon t’u lutem Shenjtorëve, por me sa shoh, për ne shqiptarët, edhe Zoti paska nevojë për mik!

Ndaj unë s’kam ku të trokas tjetër, përveç derës tënde, e të të lutem të ‘ulërasësh’ pranë Fronit Qiellor.

Ti Nënë e Shenjtë e sheh nga lart se si kthetrat e dëshpërimit na kanë mbërthyer në këtë tokë të helmuar nga e keqja, e kanë kapur peng shpresën e popullit tënd. E shpresa, o Nënë, vështirë të kthehet këtu pa ndërhyrje hyjnore.

Lutu o Nënë e Shenjtë për popullin tënd të prangosur nga injoranca, verbëria, kokëfortësia e egërsia.

Lutu për këtë popull që ti le pas e që nuk e mori dot kurrë veten nga intoksifikimi i hidhur otoman. Shekuj luftrash e vrasjesh, çnderimesh e përdhunimesh, diktature e internimesh, spiunlliqesh e servilizmi, vjedhjesh e grabitjesh – kanë lënë sot të braktisur e të dëshpëruar në këtë tokë vetëm pak, shuuumë pak njerëz të vlerës e të besës. Të tjerët u vranë, u tjetërsuan, e ulën kokën ose ikën. Ata që kanë mbetur kanë gëlltitur haraçin otoman të për(k)uljes, servilizmit e të gjumit letargjik, me ne të paktët në mes!

Jemi shumë pak Nënë e shenjtë, shumë pak për të zgjuar një komb të tërë të copëtuar mes katër anëve të botës. Me sa duket nuk kemi forcë t’a ndryshojmë këtë vend. As Amerika e as Evropa mesa duket nuk i bëjnë dot punë kësaj toke.

Ata që ti le pas, sot kanë humbur dashurinë, kanë vrarë shpresën, kanë groposur vlerat, kanë humbur vizionin e urrejnë të vërtetën.

Sot këtu mbretëron e keqja, hileja, arroganca, mburrja, egoizmi, cmira, inati, e futmja, urrejtja, droga, kurvëria, dashakeqësia, ashpërsia, ftohtësia e pasjellshmëria. Terri shpirtëror ka kapur frenat e Shqipërisë tënde të dashur o Nënë e Shenjtë!

Mashtrimi e trillimi, shpifja e spiunimi, frika e papërgjegjshmëra janë sot vlerat e këtij kombi të vrarë në shpirt.

Ne kemi humbur dashurinë, vërtetësinë, durimin, dëshirën, shpresën, respektin, përulësinë, vlerat, nderin, besën e besimin. Por mbi të gjitha, ne kemi humbur guximin.

Sepse ndryshimi kërkon vizion, kërkon besim, kërkon punë, por mbi çdo gjë tjetër kërkon guxim. E ne guxim nuk kemi, sepse jemi shumë pak, jemi të vegjël përballë frontit të keq mbarëkombëtar që ka kapur peng politikën, financën, familjen, shoqërinë e territorin e këtij vendi.

Ndaj sot, në ditën tënde, duhesh ti Nënë e Shenjtë, të sjellësh pakëz dritë e të mbjellësh pakëz shpresë, se ne nuk qenkemi për kurrgjë. Edhe të ardhmen e fëmijëve tanë jemi gati t’a shesim, vetëm të mos na prishet rehatia.

Dëgjoji o Nënë e Shenjtë burrash të zbythur, klithmat e këtij popullit tënd të mbytur!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.