Speciale

19 tetor, jubileu i lavdisë e krenarisë dhe shenjtërimit të Nënë Terezës. Krenari dhe lavdi e gjenezës së kombit tonë

11:22 - 20.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

     Nga Ferdinand SAMARXHI*




Histori dhe Gjenezë e ndritur…

Në rrugëtimin historik të një kombi, të gjenezës së tij ndodhin mjaft ngjarje që ndriçojnë rrugëtimin e tij. Duke përjetuar tisin e hapësirës së tij mund të shohësh larg dhe thellë që shqiponja jonë Deodonjale ka përshkruar historinë majë malesh e shkrepash, honesh si vigane ka çarë mjegullnajat e kohëve, shekujve gjithmonë krenare në këtë tokë epike të vendeve dhe kohëve, ka çarë me guxim dhe kurrë nuk u ndal edhe pse thellësitë e dhe mjegullnajave kërkonin ta zhduknin, por përsëri ajo mbijetoi. Me krahët e saj dhe me vizion shkoi lart e më lart me besimin te Hyu, që kurrë nuk zhgënjen, por ngjall shpresë në flamurin e saj. Kështu e pa historia shqiponjën tonë që kurrë nuk u ndal në fluturimin e saj edhe pse historia e pa të vogël, por kurrë të pamposhtur, të përgjakur, por kurrë të përgjunjur, të varfër, por gjithnjë vizionare të dashurisë. Dhe sot ky udhëtim gjithmonë në raste festash dhe jubilesh të kujton gjenezën tonë, historinë e ndritur inkandeshente që rrezatoi në kohë në të gjithë galilenë e madhe të kombeve dhe këto ditë jubile me tepër zgjon dhe rrezaton këtë ndriçim para gjithë popujve, para gjithë botës. Historia botërore, Krishterimi, Vatikani, Papati, dëgjoji omelite e bukura të shtatë Papëve e gjenezës tone. Te Papa Shën Eleuteri (171:185 Prej një Nikopolit të Epirit, Prevës që renditet i 14 në listën e Papëve, Shën Urbanit të parë 222-230 prej Ilirie që renditet i 18 në listën e Papëve Shën Kai Papë 283-296 prej Salone Dalmaci Papa Gjoni IV Dalmat 640-642, Papa Pali i IV Karafa 1555-1559 që renditet i 45 në listën e Papëve. Gjate kohës dhe nën drejtimin e Tij botohet libri i pare në gjuhën shqipe Meshari i Gjon Buzukut. Papa Sisti i V Pereti 1585-1590 familja e tij emigroi nga Kotori, që renditet i 229 në listë. Papa Klementi XI Albani 1700-1721 që renditet i 245. Me urdhër të Tij u mbajt Kuvendi i Arbrit në 10 korrik të vitit 1703, ku u mor vendimi për hapjen e shkollës se parë shqipe. Nga ky vend shqiponjash do të lindë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që mbrojti civilizimin europian përtej Adriatikut nga sulmet e hordhive Osmane, që Papati e nderoi dhe vlerësoi duke e quajtur atlet i Krishtit.


Do të lindte shqiponja Nënë Terezë…
Por bota dhe gjeneza jonë do të përjetonte lindjen e një shqiponje që do të pushtonte tashmë me krahët e saj jo vetëm kombin e gjenezën tonë, por gjithë galilenë e madhe. Do të lindte si krenari dhe lavdi e gjenezës sonë. Kjo është Nënë Tereza, që lindi në Shkup të Shqipërisë, të pushtuar prej perandorisë osmane. Ajo do të lindej në 26 gusht 1910. Një ditë pas lindjes së saj u pagëzua në kishën e zemrës së Krishtit nga famullitari atdhetar dhe patriot Don Zef Ramaj, ditë të cilën ajo llogariste si datëlindjen e saj. Gonxhja ishte fëmija i tretë në familjen e Kol Bojaxhiut nga Prizreni dhe Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Bernaj nga Novo Sella e Gjakoves. Kola dhe Drania kishin pesë fëmijë nga të cilët dy vdiqën në fëmijërinë e hershme. Frikë të madhe kishte nënë Drania se mos Gonxhja i vdiste menjëherë pas lindjes, sepse në trup e shëndet dukej e dobët dhe e ligësht. Nënë Tereza ishte pjesëtare e një familjeje me motër Age e vëllain Lazër. Vëllai Lazër studio në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali. Babai i saj merrej me tregti, por si shqiptar udhëhiqej nga ideja patriotike e kombëtare. Shpesh organizonte takime dhe mbledhje me patriotet shqiptar për çështjet kombëtare, gjë që nuk ra mirë në sy nga shërbimi sekret serbo-maqedon. Shumë shpejt në vitin 1919 Kolën do ta helmatisnin duke bërë të mundur ndalimin e veprimtarisë patriotike të tij dhe duke lënë vetëm 8 vjeç Gonxhen. Në 1 janar të 1918 në bazë të traktatit të Versajës Shkupi do t’i merrej Shqipërisë e do i kalonte Maqedonisë. Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu kreu edhe gjimnazin, por ne gjuhën serbokroate. Gonxhja në rininë e saj kishte tre pasione, të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin Tereza e mori kur ishte 18 vjeç dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua në 26 shtator të 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Në 12 shtator të 1928 kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj: “Shkup 12.09.28 E dashura teze Lis, Me 26 të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue dy tri rrjeshta për juve. Lamtumirë, e dëshiroj që Zoti t’ju nap gjithçka që ju deshron zemra. Dua t’ju fal gjanat me te perzemerta, Gonxhe.”


Përvuajtjet – mëshirimi i Zotit …
Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas më shumë se 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë Lazrin. Kurse nëna Drania dhe motra Age shkuan në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore. Nënë Tereza ketë gjë do ta merrte vesh vonë, pasi censura ishte e tillë që nga frika e ndëshkimit të diktaturës së egër që nuk e lejonte besimin. Në vitin 1959 Nënë Tereza e vellai i saj Lazer u takuan në Romë, që të dy tepër të brengosur pasi kishin pa parë nënën e motrën e tyre. Në fillim të viteve 70 kur Nënë Tereza mësoi për gjendjen shëndetësore të nënës së saj siç tregon bibliografi i saj Don Lush Gjergji drejtoj sytë nga qielli dhe tha: “O Zot unë e kuptoj, por e kam të vështirë të pranoj dhe ta kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyme nuk dëshiron asgjë tjetër veç të shoh dhe një herë”. Edhe pse shumë letra iu drejtuan Hoxhës nga personalitete të mëdha si ish-gruaja e parë e SHBA, Zhaklin Kenedi, presidenti De Gol etj., përsëri ajo nuk mund të shihte loken e saj dhe një ditë të keqe do t’i drejtohej motrës se saj: “Nuk mund të bëj gjë tjetër vetëm të lutem për ju”. Në 4 korrik të vitit 1972 vëllai i saj Lazeri do t’i çonte Nënë Terezës lajmin e kobshëm se nëna e tyre vdiq me dhimbje në zemër që nuk arriti të shihte birin në Itali dhe bijën misionare në Indi. Dhe motra e saj Agia do të vdiste një vit pas nënës së saj.
Për 60 vjet ende nuk e kam vizituar vendin tim…
Në vitin 1989 pasi i kishte dërguar tri letra Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie me Jashtë iu drejtua Presidentit të Republikës së Shqipërisë të asaj kohe duke i thënë: Për 60 vjet kam vizituar shumë vende jashtë atdheut tim, por vendin tim Shqipërinë ende s’e kam vizituar ende s’e kam parë: U desh të vinte viti 1989 kur Europa po përjetonte dhe po i afrohej Gllasnosti dhe Peristrojka dhe valët e fuqishme të demokracisë kishin përfshirë edhe Rumaninë të kujtohej qeveria shqiptarë t’i jepte një pasaportë diplomatike me origjinë shqiptare. Nënë Tereza u vendos në Kalkuta, ku fillimisht u bë mësuese e shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave.


“Kemi zemër për të dashur dhe për të shërbyer….
Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”. Kur ishte 18 vjeç ajo do të shprehej bashkësisë së rregulltareve të motrave të Loretës. E ndjeja thellë në zemrën time që Zoti me thërriste për një mission… por nuk e dija e nuk e kuptoja pse dhe si. Duke udhëtuar në 10 shtator për ne Darjeling, një qytet i vendosur nën Himalajë në tren ajo dëgjoi zërin hyjnor. Kjo ishte thirrje që duhet të linte kuvendin e Loretos që të ishte në gjendje që t’i përkushtoheshe tërë jetën të varfërve. Zëri tashmë e thërriste qartas …eja, eja me bart në kasollen e të varfërve… eja dhe behu drita ime. Shpirterorit Celesti Van Exemit nder të tjera do t’i shkruante “Kam ardhur në Indi vetëm me shprese që të shpëtojë shumë shpirtra dhe të fitojë kurorën e martirizimit. Apostullimi që e kam zhvilluar gjatë gjithë këtyre viteve më ka ndihmuar shumë në zbatimin e kësaj detyre.


Eja, eja na shpëto na sill te Jezusi…
Drejtoji te Jezusi ata, bart Jezusin tek ata. Sot kam mësuar një mësim të mirë do të motivohem tek ajo që varfëria për të varfërit është me rëndë se çdo gjë “O Zot nëse nuk mund të bëj asgjë për këta njerëz të mirë, atëherë më jep së paku fuqi që të vdes në mesin e tyre për ta dëshmuar dashurinë tende, ene këtë lutje të shkurtër zbulohet dhe dhurohet e tëra Nënë Tereza, sepse ajo nuk kërkoi prej Zotit ndonjë mrekulli, punë të madhe dhe të sukseseshme, asgjë, por fuqinë e fesë për të jetuar në mesin e njerëzve me një qëllim të vetëm..Për ta dëshmuar dashurinë e zotit pikërisht atyre qe i ka shkelur “jeta”,varferia, semundja, gerbula… Leja për këtë prej Romës erdhi në 7 shtator 1950.
Në prill të 1952 ajo i shkruante Imzot Perierit kështu: “Dua të bëhem shenjtëreshë për të shuar etjen e Jezusit për dashurinë ndaj shpirtrave. Dua rreth vetes të mbledh shpirtra të tjerë që do të bënin të njëjtën gjë për t’u shërbyer të varfërve, ndër më të varfër më të braktisurit, më te përbuzurit. Miliona të tillë jetojnë nëpër fshatra të Indisë duke mos e njehur Zotin dhe Jezusin në mëkate të tmerrshme. Do t’i afrojmë Krishtin dhe Krishtin atyre. Me 17 gusht 1948 veshi sarin e bardhë dhe filloi jetën e re si misionare e dashurisë. Kur arriti në Patna për të mësuar sadopak shërbimin ndaj të sëmurëve në një fletore të shënimeve kishte shkruar kështu: O Jezus dashuria e vetme e zemrës time, dua të vuaj atë që vuaj dhe çdo gjë që ti do të lejosh të vuaj nga dashuria e pastër ndaj teje, e jo për merita që do të mund të fitoja, apo dhurata që me ke premtuar, por vetëm për të të kënaqur ty, për të lavduar ty, për të bekuar ty, si në gëzim ashtu dhe në pikëllim. O Zoti im thoshte Nënë Tereza me zgjedhjen time të lirë nga dashuria për ty dua të mbes e ta bëj vullnetin Tënd të shenjtë për ty. Nëne e Tereza thoshte: “Nëse lutemi, do besojmë! Nëse besojmë, do dashurojmë! Nëse dashurojmë, do shërbejmë!


Nënë Tereza, legjendë
Kufijtë e legjendës Nënë Terezë përshkuan miliona e qindra zemra në të gjithë globin. Ne vitin 1979 kur mori çmimin Nobel për Paqe e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente jo shqiptare, por kurrë nuk e mohoi ajo origjinën e saj shqiptare. Shkrimet e saj në shqip janë letrat e rinisë dhe me pas me familjen, përshëndeti në shqip popullin shqiptar pas fitimit te çmimit Nobel në 1979 dhe lutja në shqip transmetuar në 17 qershor 1978.
Me rastin e marrjes Nobel një nga personalitet e mëdha që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkuta, dhe punoj e përkas të gjithë njerëzve në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri. Por Shqipëria heshte. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i jepte vize Nobelites se ardhshme as për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë as për të marrë pjesë në varrimin e saj më 1974,as për të parë varrin. Madje, këtë vizë nuk ia dhanë as kur fama e saj kishte marr dhenë në të katër anët e botës, deri në fillim të viteve 90, por ajo gjithmonë nuk harronte kombin e sa vendin e saj Shqipërinë. Kaq e lidhur ka qenë ajo dhe e ka ndjerë Shqipërinë si vendin e saj sa ne një mesazh të sajin drejtuar shqiptarëve në vitin 1993 shprehet “Du atë lutem për ne, për popullin e varfër të Shqipërisë për popullin e Kosovës që vuan”.


Letra presidentit…

Edhe në një letër që i shkruan Presidentit të Shqipërisë në 1990 i drejtohej atij duke thënë populli ynë: “Shpresoj se së bashku do të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe popullin tonë. I lutem Zojes që t’i thotë Jesusit që ta shërojë Nënën në mënyrë që ajo ta çojë Jezusin në Shqipëri. Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar. Shqiptarja, thatime, trup vogël, veshur me saren e bardhë qarkuar me dy shirit blu ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Fuqia e saj kalonte përtej vizionit të dhimbjes dhe dashurisë, ndalonte luftëra, vendoste armëpushime për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve në fushat e betejës midis palestinezeve dhe izraeliteve. Në vitin 1982 në kulmin e rrethimit të Bejrutit Nënë Tereza shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital ushtarak duke mundësuar një armëpushim të përkohshëm ndërmjet ushtrisë izraelite dhe guerileve palestinez. E shoqëruar nga punëtorët e Kryqit të Kuq ajo udhëtoi në mes zonës së luftës deri në spitalin e shkatërruar për të zhvendosur fëmijët dhe të plagosurit. Kur Europa Lindore pati një hapje të madhe në fund të viteve 1980 ajo i zgjeroi përpjekjet e saj në vendet komuniste që me parë kishin refuzuar misionaret e dashurisë dhe bamirësisë. Nënë Tereza udhëtoi për të ndihmuar të uriturve në Etiopi, viktimave të rrezatimit të Cernobilit dhe viktimave të tërmetit në Armeni.


Në vitin 1991 hap në Tiranë misionin e saj të mirësisë dhe bamirësisë…
Në vitin 1991 Nënë Tereza kthehet për herë të parë në vendlindjen e saj në Shqipëri dhe hapi shtëpinë e vëllezërve misionarë të bamirësisë në Tiranë. Dhe në vitin 1996 Nënë Tereza punonte në 517 misione në më shumë se 100 vende të botës. Numri i personave që shërbenin më të varfërve nga më të varfrit arriti në 450 qendra në të gjithë botën.
Misionaret e bamirësisë së Nënë Terezës do të arrinin në 4000 motra me një vëllazëri prej 300 anëtaresh në 610 Misione në 123 vende. Nënë Tereza u kujdes 7500 femije. Mjekoi 960000 të sëmurë, 47000 viktima lebroze 3400 pleq mbi 1600 fëmijë jetim. Por kjo grua legjendë e shekullit, më 5 shtatot do të përballëj me vdekjen, e cila do ta bënte atë të përjetshme të pavdekeshme, shenjetore e gjithë botës. “Një individ i madh e i rrallë që kishte jetuar për qëllime të mëdha do të shprehej Nawaz Sharif kryeministri i Pakistanit”.


Ajo është paqja në botë
Perez de Cuellar do te thosh” Ajo eshte paqja ne bote”. Papa Francesku kur erdhi në Shqipëri në kremtimin ekualistik të sheshit Nënë Tereza tha: “Ky shesh mban emrin e bijës së madhe e të përvuajtur të këtyre trojeve, Nënë Terezës se Kalkutës. Presidenti Nishani duke marr pjesë në shenjtërimin e Nënë Terezës në Vatikan do të thoshte: “Nga tradita e kësaj kishe e këtij vendi doli modeli madhështor i besimit, sakrificës, mirësisë, dashurisë e humanizmit që modedifikoi fytyrën e një shekulli të mbarsur me luftëra të nxehta e të ftohta. Ajo është bija e madhe e këtij kombi të vogël, e Lumja Nënë Terezë. Ne jemi populli i Nëne e Terezës.” Nënë Tereza sfidoi shekullin e luftërave, shekullin e barbarisë, shekullin e egërsisë njerëzore. Ajo sfidoi çdo gjë të pamundur, mbinjerëzorja Nënë e gjithë botës. Sfidoi vuajtjet, shekullin në të cilin jetoi. Vetëm dashuria mes njerëzve do ta bëjë botën me të mirë, njerëzimin më të mbarë. Nuk është e rëndësishme çka bëjmë thosh Nënë Tereza, por sa dashuri kushtojmë. Mundohuni mos jua vritni njerëzve sadopak buzëqeshjen. Varfëria nuk është krijuar nga Zoti. Ne e kemi prodhuar atë vetë. Ju dhe unë me egoizmin tonë. Sikur të kishte të varfër në Hënë ne duhet të shkonim dhe atje. Në darken e shtruar pas marrjes se çmimit Nobel nuk shkoi, por paratë, që mori ua shperndau njerëzve të varfër e të uritur. Varfërinë mund ta gjeni kudo në botë në Kalkutë etj., por duhen vetëm sy për ta parë thoshte Nënë Tereza. Kudo në botë gjenden njerëz që nuk i do kush, që nuk i ndihmon kush që janë braktisur dhe harruar nga shumë kush. Kjo thosh Nënë Tereza është varfëria më e madhe më e tmershme. Jam e bindur që tortura me e madhe është braktisja.
Nënë Tereza luftoi gjithë jetën e saj për jetën, për atë që dhe shumë njerëz e kishin të mundur. Ajo sfidoi çdo mendim, çdo logjikë e kaloi përtej arsyes, e cila thoshte që duhet të jetë kudo që jeta është e mpirë, kudo që jeta është e dhimbshme, kudo ku njerëzit vuajnë. Vetëm në parajsë do të kuptojmë se sa borxh u kemi ne të varfërve, të përvuajturve, skamnoreve, sepse ata na kane ndihmuar të duam Zotin më shumë, dhe duke dashur Zotin më shumë do të bindemi se vdekja është kthim në shtëpinë e Zotit. 19 tetori do të ngelet një ditë lavdie dhe krenarie e kombit tonë, e brezave të tij.


Nënë tereza vuajti siç vuajti Shën Maria Para kryqit…
Nënë Tereza u mundua dhe sfidojë dhe jetën e saj dhe ashtu si etja e Krishtit në kryq të mbushi etjen e Hyut me etjen e dashurisë për njerëzit. Nënë Tereza vuajti siç vuajti Shën Maria para Kryqit kur Jezusi vuante, vuajti për ata që vuanin duke thirrur Jezusin: Eja eja, na shpëto! Kur dhimbjet dhe nata bëhet tepër e erret dhe unë martirizohem për ata që nuk kanë shpresë më duket se do shkoj në ferr dhe do të ofroj veten time Jezusit. Tash nga vetja gëzohem që hareshëm e kam mbajt Kryqin tim me Jezusin. Kishte shumë vuajtje kishte çaste që kryqëzimi i kryqit për mua ishte falënderim i Zotit. Vuajtja është e madhe, por me e madhe është dashuria… vuajtja vetvetiu nuk është asgjë, por si pjesëmarrje në vuajtjet e Krishtit është një dhuratë. Njerëzit që vuajnë janë për ne Jezu Krishti, janë dashuri. Sot bota është kalvar i hapur dhe ne s’mund të shkojmë te Jezu Krishti pa përqafuar kryqin e tij. Mundimi për ne është shenja se dhe ne ju kemi afruar Jezusit në kryq. Kjo është pavdekësia që nuk mbaron të premten e madhe, por me ringjalljen e tij. Dhe ne në sajë të dashurisë do të ringjallim botën dhe do ta shpëtojmë atë.

*Mjeshtër i Madh


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.