LIFE STYLE

Dieta e pasur me kalcium parandalon osteoporozën. ISHP: 1 në 3 gra dhe 1 në 5 burra mbi 50 vjeç pësojnë thyerje kockash

09:52 - 23.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Në Ditën Botërore të Osteoporozës, Instituti i Shëndetit Publik bën thirrje për më shumë kujdes në mbrojtjen e shëndetit të kockave. Sipas statistikave, 1 në 3 gra dhe 1 në 5 burra mbi moshën 50 vjeç pësojnë thyerje kockash nga kjo sëmundje, që në asnjë moment nuk duhet neglizhuar. Kjo “epidemi” e heshtur konsiston në humbjen e masës kockore e përparon në mënyrë graduale deri sa ndodh fraktura e parë.
Kush mund të preket nga osteoporoza?
Osteoporoza prek femrat dhe meshkujt. Frakturat janë më të pakta te meshkujt, por kur ato ndodhin, kanë një nivel më të lartë paaftësie e vdekshmërie sesa te femrat.
Cilët janë faktorët kryesorë?
Mosha – humbja e indit kockor në përgjithësi fillon pas moshës 40-50 vjeç. Kështu, me rritjen e moshës rreziku për osteoporozë shtohet.
Gjinia – gratë në mënyrë të veçantë, sidomos mbas menopauzës, janë më të rrezikuara për osteoporozë.
Histori familjare – (familjarë të afërt, sidomos prindërit) me osteoporozë ose thyerje që rezultojnë pas një goditjeje apo rënieje fare të vogla tregojnë rrezik për osteoporozë.
Menopauza – gratë në menopauzë duhet të jenë më vigjilente për shëndetin e kockave të tyre.
Hypogonadizmi te meshkujt, ashtu si deficiti i hormoneve estrogjen te femrat në menopauzë, deficiti i androgeneve te meshkujt rrit rrezikun për osteoporozë.
Përdorimi për një kohë të gjatë i disa medikamenteve si: kortizonikë, hormone të tiroides, atiepileptikë, citostatikë etj.
Artriti reumatoid dhe disa sëmundje kronike si malabsorbimi, sëmundje kronike të mëlçisë, hyperthyroidismi etj.
Por, disa prej faktorëve rrezikues për osteoporozën mund të mbahen nën kontroll, pra janë të modifikueshëm. Këta faktorë përfshijnë:
Konsumin e lartë të alkoolit – njerëzit që pinë më shumë se 2 njësi në ditë alkool rrisin deri 40% rrezikun për frakturë nga osteoporoza.
Pirja e duhanit – studimet tregojnë se ata që pinë duhan janë më të rrezikuar se ata që nuk pinë.
Indeksi i ulët i masës trupore – nëse < 19-20kg/m2, kjo është e lidhur me humbjen e masës kockore dhe rritjen e rrezikut për fraktura.
Ushqyerja e varfër me kalcium dhe proteina, e cila rrit rrezikun për osteoporozë.
Deficiti në vitaminë D – vitamina D është esenciale, sepse ndihmon në përthithjen e kalciumit në gjak.
Aktiviteti e paktë fizik – njerëzit që bëjnë jetë sedentare kanë më tepër mundësi për fraktura.
Cilat janë shenjat e osteoporozës?
Osteoporoza nuk ka simptoma të dukshme. Megjithatë, disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktimi i gjatësisë trupore me disa cm apo frakturat mund të jenë të lidhura me osteoporozën.
Si diagnostikohet osteoporoza?
Për vendosjen e diagnozës rekomandohet kryerja e testit të matjes së densitetit kockor (BMD test). Kur BMD testi i një personi është – 2.5 ose më i ulët, atëherë vendoset diagnoza osteoporozë.

Ja çfarë ndihmon në parandalim:
Aktiviteti fizik
Kryerja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ato reduktojnë rrëzimet dhe përmirësojnë rehabilitimin nga frakturat. Ushtrimet janë individuale, por përgjithësisht shumica e njerëzve ka nevojë për 30-40 minuta 3 deri 4 herë në javë.

Kalciumi
Marrja e kalciumit në sasi të mjaftueshme. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi dhe produktet e tij, perimet jeshile si brokoli, lakra jeshile etj.; disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë, arrat, bajamet, drithërat, peshku i konservuar dhe sardelet, lëngjet e frutave dhe uji mineral.
Vitamina D
Ekspozimi për 15 min në ditë në diell i duarve, krahëve dhe fytyrës është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve. Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementet. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçitë, drithërat etj.

Dieta
Ndjekja e një stili të shëndetshëm jete është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme. Mënjanimi i duhanpirjes, pirja e moderuar e alkoolit, si dhe mbajtja brenda kufijve të normës i peshës trupore janë disa faktorë të rëndësishëm. Kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi dhe nuk duhet të merret në sasi të tepërt.

Rreziku
Çdo person duhet të jetë i vetëdijshëm për çdo faktorë rreziku personal që mund të ndikojë në shëndetin e kockave dhe të konsultohet me mjekun nëse është në rrezik.
Cilat janë trajtimet për osteoporozën?
Në varësi nga rezultatet e testit të densitetit kockor, mjeku mund të japë medikamente dhe suplemente për të parandaluar humbjen e masës kockore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.