Speciale

Reportazhi/ Në shtëpinë e Habilajve. Ja si i njohin Moisiun, Florianin dhe Artanin banorët e zonës

09:04 - 25.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Sapo futesh në qytetin e Vlorës, në krah të majtë të rrugës transballkanike, në katin e dytë ndodhet “Denis Bar”, në pronësi të, Moisi, Artan dhe Florjan Habilaj, tre vëllezërit e akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, dhe personat më të përfolur ditët e fundit në Shqipëri.

Sipas informacioneve të dritare.net lokali edhe pse në bashkëpronësi të tre vëllezërve, ndodhet i regjistruar në emrin e Florian Habilajt, ose siҫ është përmendur në dosjen “Habilaj” Lolo.

Dritare.net mëson gjithashtu se Florjani, është quajtur “Lolo” për herë të parë nga gjyshja e tij, dhe kjo nofkë mbetur nga fëmijëria, përmendej edhe në përgjimet që antimafia italiane i ka sjellë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Në pronësi të tre vëllezërve Habilaj, ndodhet edhe një karburant në Vlorë, i quajtur AMF (Artan, Moisi, Florjan) edhe ky në emrin e Florjanit.

Në mes të rrugës, transballkanike, sapo merr rrugën në të djathtë, ngjitesh drejt fshatit Babicë e Vogël, fshat nga vijnë tre vëllezërit Habilaj, Moisi i cili është arrestuar në Itali, dhe Artani e Florjani që dyshohen që fshihen akoma në atë fshat, dhe janë personat më të kërkuar në Shqipëri dhe Itali.

Sapo ofrohesh rrugës së fshatit Babicë e Vogël, e vetmja gjë që sheh janë rrugët e boshatisura, dhe një burrë i moshuar që shtyn një karrocë mbeturinash

Futesh në zemrën e fshatit, dhe i pari me të cilin mund të flasësh është pronari i njërit nga dy dyqaneve që ndodhen në këtë fshat.

Pronari i dyqanit që nuk dëshiron të identifikohet, sapo e kupton që në fshat kanë ardhur disa gazetarë, fillon e flet për varfërinë e fshatit dhe jetesën e vështirë që bëjnë aty, madje nuk nguron të tregojë edhe listën e borxheve të fshatarëve.

Ai nuk dëshiron të flasë për Habilajt, që më vonë e kuptuam se i kishte komshij dhe vetëm disa avlli i ndanin nga shtëpia tyre.

Sapo del nga dyqani, përballesh me një tjetër zotëri, që edhe ai, përpara se të flasë për Habilajt, flet për varfërinë, për jetesën e rëndë në fshat, dhe për mungesën e investimeve.

“Ne duam rrugë, duam të na largojnë plehrat nga fshati dhe ujë të pijshëm”,-shprehet i zemëruar banori, për dritare.net

Nëse në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, Habilajt njihen si bosët e drogës në vend dhe jashtë saj, për banorët atje gjithҫka është trillim dhe e vërteta , sipas tyre do të dalë shumë shpejtë në dritë.

“Sigurisht që i njoh, ata janë të gjithë njerëz të mirë, nuk kanë qenë kurrë problematikë në fshat dhe janë sjellë mirë me të gjithë”,-shprehet ai, për personat që kanë tronditur vendin dhe politikën ditët e fundit.

Pak metra më tutje, ndodhet dyqani i dytë i fshatit, që përsëri kishte një listë të gjatë borxhlinjsh, dhe banorët mbijetonin duke marrë ushqime borxh.
Banorët shprehen se kjo ҫështje, sipas tyre ka marrë përmasa shumë të mëdha dhe është mediatizuar shumë, saqë tanimë edhe fëmijët kanë frikë t’i nxjerrin nga shtëpia. Ata nuk tregojnë se ҫfarë i frikëson që qëndrojnë të mbyllur, por ajo që arritëm të mësonim, është se, nuk ishin Habilajt frika e tyre.

Duke ecur rrugës së fshatit, gjendemi përpara shtëpisë së tre vëllezërve Habilaj, një shtëpi e cila bie në sy në atë fshat për shkak të pamjes së saj madhështore. Një vilë 3-katëshe, me një oborr të shtruar mirë, dhe me disa pemë dekorative që veҫohej nga të gjitha shtëpitë e tjera.

E vetmja lëvizje në atë shtëpi, ishte një zotëri i cili sjell një vajzë të vogël me makinë deri tek dera, dhe largohet menjëherë pa thënë asnjë fjalë.

Largohemi nga fshati Babicë e Vogël, me shumë pikëpyetje, nga njëra anë janë lajmet 24 orë në televizionet, gazetat dhe portalet shqiptare që i nxjerr Habilajt, si bandë trafikantësh që kanë tronditur Italinë dhe nga ana tjetër një realitet krejt ndryshe në Babicën me 100 banorë, që e ka luftën me varfërinë, jo me Habilajt. Te paktën të kishin bërë diҫka për fshatin e tyre!/dritare.net

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.