OPINION

Strategjia e tensionit, arma e bukur e Ramës dhe Bashës

07:29 - 26.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Ben ANDONI

 

“I gjithë qëllimi i politikës praktike është ta mbajë popullatën të alarmuar (dhe kështu edhe në tollovi për të mbetur vetë në siguri) me një seri të pafund hobgoblin-ësh, shumica e të cilave janë imagjinare”, shprehej dikur gazetari dhe aktivisti Henry Louis Mencken. Hobgoblin është përcaktimi i një lloj fryme djallëzore, që zakonisht haset në folklorin e popujve të veriut. Shekspiri, p.sh. identifikon karakterin e Puck si të tillë në “Ëndrrën e një nate vere”.

Bash kjo frymë është mirëfilli e gjetshme sot në mjedisin politik shqiptar, ku për të disatën herë, në dy dekadat e fundit, është sajuar një konflikt i madh mes opozitës dhe pozitës, që me shumë gjasa do të përfundojë me bojkotin e radhës. Nëse rasti “Tahiri” është përdorur nga të dyja palët, publiku priste që të kishte një lloj verdikti më të drejtë të parlamentit shqiptar, veçse ashtu si edhe ishte parashikuar nga media, asgjë nuk ka ndodhur. Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar direkt për shitjen e një dëshmitareje të mbrojtur; kryetari i opozitës ka bërë një revistim të gjithë krimit shtetëror të pretenduar të pozitës, kurse kryeministri Rama u është kundërvënë me një monolog sarkastik, bojkotuar nga opozita.

Për dy ditë me radhë Këshilli i Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit, në dy seanca, debatoi lidhur me kërkesën e prokurorisë, duke marrë në pyetje tre prokurorët e ngarkuar me çështjen ku janë paraqitur prova sekrete. Në fund, këshilli konkludoi me dy qëndrime të ndryshme dhe me të ashtuquajturin “Miratimi i pjesshëm”, që nuk njihet si nocion ligjor.

Nuk po futemi më në elementë të detajuar, sepse ato janë të njohura sot përballë publikut, madje edhe janë shpjeguar publikisht nga pretendimet e vazhdueshme të ish-kryeministrit Berisha, kreut të opozitës Basha, si edhe nga akuzat dhe kundërakuzat që po ndajnë palët.

Ajo që duket në sipërfaqe është sikur Shqipëria ka vetëm luftë politike, porse gjendja ekonomike-sociale është e stabilizuar, vende pune janë hapur pa fund dhe minimumi jetik ka shenja se mund të rritet. Realisht, asgjë nuk ka ndodhur nga këto, ndërsa po të punohet me referenca të tjera identifikimi do të dalë publikisht se gjendja e shqiptarëve është e mjerueshme. Në këtë qerthull politika ka hyrë deri aty ku nuk mban më dhe është kthyer e gjitha në paradoks. Para halleve të përditshmërisë edhe shqiptari më i thjeshtë të flet për politikë, bën debat për tema që s’lidhen fare me të dhe madje është gati të zihet me këdo. Gjuha e përdorur nga palët politike dhe aktorë të ndryshëm, në mbrojtje të tyre, nuk është më vulgare, por rëndom e frikshme. Me çfarë kuptohet tani është se koncepte si MAFIA nuk janë më abstrakte në Shqipëri, porse pjesë integrale e jetës së vendit dhe ky fakt nëse më parë thjesht belbëzohej, tani po promovohet hapur.

Dhe, si duhet hequr vallë vëmendja e publikut nga e gjitha kjo që po ngjet?! Duke krijuar strategjinë e tensionit, e cila e ka ndarë, manipuluar shpesh dhe e kontrollon publikun, që sinqerisht në thelb mbetet e frikësuar. Ndërkohë që duke përdorur propagandën, dezinformimin, luftën e madhe psikologjike nga lloj aktorësh, publiku është vënë në gjumë dhe mbart një forcë reagimi shumë të vogël, por edhe kur e ka të tillë, duket shumë patologjike me fyerje e ofendime.

Në një farë mënyre, tensioni është i tillë që njerëzit kanë harruar, vetëm pak muaj më vonë, sa kanë kaluar zgjedhjet populizmin e përshfaqur nga programet e radhës elektorale, që i kanë dëmtuar deri më tani paq interesat e zhvillimit afatgjatë të vendit. I gjithë vendi e kaloi si pa gjë të keq debatin për taksat e biznesit të vogël, ndërsa sot e kësaj dite me gjithë proklamimet, Shqipërisë i mungojnë instrumentet moderne të deklaratës tatimore; zhvillime të tjera sociale që merren me mirëqenien e familjes; gjetjen e mekanizmave për të ulur luftën ndaj evazionit fiskal, politikën energjetike, arsimit, shkollimit etj. E në këtë tollovi dhe në këto fusha, që ka para vetes në Shqipëri, opozita, nuk debaton më, por thjesht anatemon, e ashtu veprohet anasjelltas. Kuptohet se të dyja bashkë nuk e menaxhojnë dot këtë qerthull pa ekzistencën e tensionit. Dhe, PD-ja për të vonuar analizën e saj të shumëpritur po gjen tematika pas tematikash, kurse PS-ja vazhdon me gjuhën e forcës.

Duhet të shpresojmë që kjo strategji tensioni të ulet pak, sepse Shqipëria është futur në një qerthull të frikshëm, nga i cili është vështirë të dilet. Kurse për ata që e kuptojnë artificialitetin e kësaj strategjie tensioni, dhimbja shtohet për faktin që shoqëria jonë politike di të prodhojë, por edhe ta përçojë tek njerëzit këtë gjendje të frikshme tensioni. Këtu duhet gjendur varfëria dhe mbi të gjitha, humbja totale e shpresës, por për këtë politika nuk ka asnjë përgjigje. Ndoshta Shekspiri do mund t’i gjente një zgjidhje me konceptin e tij të hobgoblin.

“Gazeta Shqiptare”

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.