KULTURË

“NËNA DHE FËMIJA” / Shfaqja tronditëse, Ema Andrea zhvishet për një dramë të rëndë psikologjike

09:40 - 28.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira Nikolli

Me interpretimin e Ema Andreas në rolin e nënës dhe Matia Llupas në atë të birit, pjesa e shkruar nga Jon Fosse është një dramë e fortë psikologjike, që mbërrin deri te kompleksi i Edipit, me skena të forta, herë-herë edhe të rënda që zgjojnë ndërgjegjet e përgjumura njerëzore përmes gjuhës shprehëse të teatrit, trupave të aktorëve, lojës skenike dhe tekstit të fortë. Një shfaqje kundër shoqërive patriarkale e njëherit krejt larg teatrit tradicional apo atij “të realizmit socialist”, pesha e imazheve përballë krijon një shkëputje të fuqishme nga boat përreth, duke bërë të gjykohet ajo e të kërkohen rrugë të reja përjetimi e jetese, larg formalizmave të shoqërive të “mbytura” nga paragjykimi e mungesa e lirisë. Ema Andrea guxon sërish, jo vizualisht përmes shfaqjes së trupit, por edhe si artiste me rolin e fortë që ka marrë përsipër. “Nuk kemi kohë të ndalojmë dhe po humbasim dashurinë për nënën, miqtë, fëmijën, gruan. Ajo çfarë dua të them me këtë dramë është një temë e madhe, që e gjejmë jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë botën. Pothuajse të gjithë ndjehemi si të burgosur. Me këtë shfaqje ngremë pyetje, shprehim idetë tona, shfaqim emocionin dhe idetë pozitive, sepse teatri nuk është vetëm një akt estetik, por edhe një akt social. Vetmia e njeriut është tema më e afërt e aktualitetit që po jetojmë. Ja, unë kam reflektuar. Sapo të mbarojë shfaqja kam menduar të marr nënën time në telefon”. Regjisori i njohur Dino Mustafiç e shpjegon kështu dramën “Nëna dhe fëmija”, që vjen këtë të shtunë në Qendrën Kulturore “Tulla Center”. Mustafiç duke folur për karakteret e shfaqjes, shtoi se, “këta njerëz nuk janë të lumtur, sepse ritmi i jetës dhe morali i shoqërisë u ka bërë vrima në trupat e tyre bosh dhe se për këtë arsye, impulset e tyre në shfaqje kanë qenë të rënda. Gozhdoi shoqëritë edhe kur tha se meshkujt e grupimeve patriarkale janë mësuar të thithin femrën deri në marrjen e frymës dhe se baballarët kanë bërë fajtore nënat para të bijve për çdo gjë që ka ndodhur. Është shfaqja e tretë me të cilën ai vjen në Tiranë dhe një arsye e madhe sipas tij janë edhe aktorët e mirë. “Ka artistë të talentuar, që janë të gatshëm të punojnë me mua për kërkimin artistik dhe estetik. Kam aktorë të mirë dhe një tekst të mirë, me të cilët shpresoj të gjej edhe suksesin përballë audiencës”, tha regjisori që muaj më parë shënoi sukses me “EQUUS” në Teatrin Kombëtar. Drama “Nëna dhe fëmija” do të shfaqet me një skenografi artistike nga Klod Dedja, koreografi nga Gjergj Prevazi, kostumografi të Berina Kokonës dhe muzikë të kompozuar nga Ilir Bajri. Skenari është bërë nga Zejlka Udoviciç Plestina, që na tregoi se ka përdorur një gjuhë poetike në funksion të konceptit modern të dramës. Jon Fosse është një nga shkrimtarët bashkëkohorë norvegjezë më të përkthyer dhe të interpretuar. Kritikët e kanë cilësuar si një nga autorët më inteligjentë të dramës dhe letërsisë bashkëkohore.


Shfaqja “Nëna dhe fëmija” trajton njerëz që vuajnë nga izolimi total, vetmia dhe vështirësi komunikimi. Personazhet e Fosse-së janë të ngecur në mendimet e tyre dhe fjalët e tyre janë monologë, të cilët ndonjëherë kthehen në bashkëbisedim. Premiera është të shtunën për publikun, vazhdon të dielën në mbrëmje për të vijuar dhe net të tjera. “Nëna dhe fëmija” do të vazhdojë edhe në muajin nëntor nga e hëna deri të enjten për publikun. Ata janë të burgosurit e përjetshëm, të cilët ngarkojnë veten dhe të tjerët. Por, ata nuk janë krijesa indiferente, por janë plot shqetësim shpirtëror, e cila mund të quhet aftësi parandjenje. Karakteret të Fosses janë të ngecur në mendimet e veta dhe prandaj fjalët të shprehura në fakt janë monologë, të cilët ndonjëherë shkasin dhe bëhen komunikim. Atmosfera e sikletshme e tregon sekretin, i cili është i mbytur në të kaluarën dhe çdo komunikim është pak nostalgjik, zbulon ose mbetet i shtypur në egon e karakterit. Por në atë ndjesi melankolike dhe boshllëku as nëna, as fëmija ekzistencialisht nuk gjejnë qetësinë dhe heshtjen e dëshiruar, nuk janë në gjendje të bien në paqe me demonët (shpirtrat) personalë, të cilët i përndjekin.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Morali na eshte thene se eshte i ndryshueshem, ajo qe dje ishte e moralshme sot nuk mund te jete e tille. Sot na thuhet se morali pershtatet. Pak a shume atje atje, mund te thuhet. Por jo, morali eshte nje parim i shume vlefshem, ai eshte ndryshuar ne vazhdimsi, por mos te harrojme nje te vertete. Morali ndryshon duke u paisur me virtydet me te mira qe krijon shoqeria. Keshtu morali nuk eshte ne pershtatje sipas orekseve te disa personave, grup personave, qofshin artiste, apo grupe individesh te bashkuar per skena seksi, etj. Jo. Mos harroni nese veprimet e njerezve te ndryshem, pavaresisht se na thone qe jane artiste, apo ku di une, te jene te qarte se ata nuk jane artiste, por u pelqen shthurrja, e keqja, e turpshmja. Veprime te cilat marrin guximin dhe i shfaqin neper skena, ekrane televizive, mbushen gazetat me lloj lloj fotosh te perçmuara, te peshtira te pa vlera, sepse askush nga shoqeria serioze nuk i pranon. Arti i ketyre qe na shfaqen neper portale te ndryshme tregon se humori i vertete, morali i shendoshe ka vdekur, eshte ne krize. Ne keto situata ata/keta artiste fillojne e mendojne se si te terheqin shikues, atehere kalojne ne perdorim fjale te ndryra, siç vepron jo pak “Al Pazar”, apo portokallia, ermalerat me arditerit, apo kjo e theatrit te cilen na e japin per ta lexuar, femrat na nxjerin gjokset, puthjet, dashurite, jo ma kerkoi ky jo ma kerkoi ai, ai me dha kaq e ky me dha aq. etj gjera bajate, te shpifura, veprime qe shpien ne degjenerimin e shoqerise. Ja ky eshte morali qe mos qente ne ekranet tona qe u vene emra “artistike”. Mjere familjet qe i kane. Turp Nuk eshte morali ne pershtathe, por mundohuni ti pershtateni moralit. Nuk e di pse flejne gjume psikolloget, sociologet etj. Turp per te gjithe.
    Xinxifuqe xinxitie

    Përgjigju ↓