KULTURË

Ferri i shqiptarëve në romanin e Açkës: Thertorja ku punoja, si Shqipëria në diktaturë  

09:58 - 29.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira Nikolli

– Ç’është ky? S’e kisha dëgjuar ndonjëherë Rrethin e Dhjetë?

-Rrethi që Danteja nuk e kishte menduar kurrë, shtatë shekuj më pas ka njerëz që nuk i nxë asnjë pisëhanë, që kanë aq shumë mëkate e faje bashkë, që kanë tashmë një kompleks të tillë fajesh të paparashikuara nga Dante.

Për ta nuk ka vend në asnjë rreth të veçantë, sepse ose do të duhet të copëzohen, ose do të duhet një rreth më vete për mishelanenë e mëkateve të tyre, një rreth i dhjetë, që t’ua përfshijë zezomën të gjithëve së bashku”.

Është ky “rrethi i dhjetë” i Flutura Açkës, duke qenë njëherësh edhe rrethi i dhjetë i shqiptarëve. Romani i saj më i ri “Të ftuar në rrethin e dhjetë” rrok një histori që përbashkon përmes personazheve Shqipërinë në dhe pas diktature, e shkërmoqur, e vrarë, mes kaosit e krimit, me ngjarje të bujshme të dhimbshme, me të vobektë që enden këtej e matanë kufijve, me njerëz të ikur e që duan të ikin. Një histori gjaku parë nga brenda dhe jashtë, me rrëfime të autores herë si protagoniste e herë si spektatore, as larg as afër, por tërësisht e përfshirë me hapat e ngadaltë dhe të dhunshëm të dekadave që shkojnë duke lënë pas gjurmë frike dhe një shoqëri që endet mes shpresës së paplotë.

Një kryeministër që flet me një fjalor në kufijtë e doracakut të të rryçave të Babrrusë, që i drejtohet në mes të një darke, një zonje të lartë me fjalët “erdhe kurvë, të vonoi parukierja?”; i biri i një personazhi që di si ta dredhë në çdo kohë, një kameleon, një skile e vjetër; Orikumi ku kanë mbjellë më shumë pallate se pemë se këta jemi ne, mjeshtër, nuk ditëm ta bëjmë të bukur Shqipërinë; një agjenci funerali përballë një spitali fëmijësh, qivurë përballë jetës; 1997-a baba ku u vranë e u plagosën në fushatë 100 vetë, me paratë e vjedhura nxisnit njerëzit drejt dhunës, ngaqë nuk ju hoqën me gjak, e morët me gjak dhe e dogjët Shqipërinë bashkë, do të mësojnë edhe ata ta marrin me gjak se 21 janari tregoi se kishin mësuar prej jush – jeni njësoj; gazetat italiane që shkruajnë për parcela hashashi përtej Lazararit dhe në fund – jeta është e gjatë për të bërë gjërat që dëshiron në emër të dashurisë, se sot kemi nevojë të jetojmë homeriken, shpirt. Dantesken më vonë, Beatriçja ime!

Siç shënon vetë autorja Flutura Açka, romani “Të ftuar në rrethin e dhjetë” ndërtohet në të njëjtën shtjellë me rrathët e ferrit të Dantes, citime të të cilit në vepër janë të shpeshta, sipas përkthimit të Pashko Gjeçit. Vepra ndërtohet mbi digresionin në 50 vitet e fundit të historisë shqiptare, e përçuar përmes jetës së tre personazheve themelorë të romanit. “Rrethi i dhjetë” është rrethi metaforik mbi shumësinë dhe kompleksitetin e mëkateve të atyre që drejtuan Shqipërinë në 50 vitet e fundit, një vend në askundin e harresës dhe të gjykimit. Vepra ka linja të shumta dhe është pasqyrimi i rrugëtimit të përbashkët të mijëra shqiptarëve, që e lanë Shqipërinë pas rënies së diktaturës.

PROMOVIMI

Firence, qershor 2016. Tre miq të vjetër qysh nga fëmijëria, të cilët e kanë lënë Shqipërinë në rrethana dhe në kohë të ndryshme pas kapërcyellit të 1990-tës, vendosin të festojnë së bashku 50-vjetorin e lindjes. A janë ata të përgatitur ta fshijnë të shkuarën shqiptare, e cila befas ende ua dikton dhe ua helmon ndonjëherë jetën? A do të munden ata të mbeten miq edhe pas shqyrtimit që ky takim i pafajshëm do t’u kërkojë, shqyrtim që shpesh nuk lidhet me ata vetë, por që kryqëzohet dhe ndikon në jetët e tyre? Ky rrëfim është një kushtim për dashurinë njerëzore, për dashurinë si sublimim që nuk e zhbën koha dhe një triumf për atdhedashurinë, të tretura në gjakun shqiptar nga substanca më e bekuar e kësaj bote: Liria.

Të premten në mbrëmje, mes të ftuarve të shumtë shkrimtarë, dashamirës të letrave, a të ardhur enkas nga Holanda ajo e promovoi romanin “Të ftuar në rrethin e dhjetë” teksa artistja e Popullit, Tinka Kurti, që Açka iu drejtua edhe si nënë, recitoi dy poezi nga vëllimi i fundit “Ftesë për flirt”. Vetë Açka lexoi një pjesëz nga romani, veçmas nga “Fillesa”. Mbrëmja shënoi edhe një bisedë me publicistin e njohur Mustafa Nano mbi temat e librit dhe çështjet e Shqipërisë së sotme.

“Kur kritikoj nuk pozicionohem si holandeze. Unë jetoj me realitetin në Shqipëri. Komunizmin e njoh mirë, sepse e kam jetuar. Nuk e kam bërë me qëllim. Jam rritur në atë kohë dhe e kam ndjerë se duhet ta them e ta lë si dëshmi. Isha ekonomiste në thertore dhe më kujtohen thikat atje. E kam parë diktaturën në miniaturë në atë thertore. Nga ato thika, nga ai gjak, unë shihja Shqipërinë e kohës, ashtu ndodhte dhe jashtë thertores”, tha Açka. Shprehu keqardhje se nuk kemi bërë denoncimin e diktaturës e të gjenocidit të saj. Ndaj, pas 30 vitesh jemi në vitin 0 sipas gjykimit të Açkës.

“Jemi një vend ku Nexhmije Hoxha jep intervista. Më vjen turp për median. Më vjen turp kur e shoh. Më vjen turp ta shoh. Ajo nuk ka kërkuar kurrë falje. Si mund të dalë të japë intervista, pa e denoncuar gjenocidin?!”.

Kur Mustafa Nano e pyeti nëse duke denoncuar komunizmin, Açka një farë mënyre po denoncon edhe Gramoz Ruçin, shkrimtarja mohoi. “Jo, s’e kam menduar. E kam parashikuar si duket”.

Biseda preku edhe çështjen e religjioneve, duke u ndaluar kryesisht tek islami. “A është e lirë një grua myslimane e mbuluar”, pyeti Nano, por çka Açka tha se “Po. Unë them se po. Kam disa mikesha të mbuluara në Holandë dhe kam kuptuar që kanë mënyrën e tyre të mendimit. Kam dëshirë të besoj se janë të lira. Kam dëshirë të besoj se është zgjedhje e tyre”.

Në të njëjtën temë, Nano tha se deri më 1939 në vendin tonë ka pasur kompaktësi, më pas erdhi komunizmi që zhduku fetë dhe ne nuk e bartëm problemin fetar. “Tani ka dalë si një problem spektakolar. Ka edhe fanatizëm. Sot shoh që për herë të parë në historinë e kombit  shqiptar kemi probleme me religjionet. Ke frikë dhe nëse po, mendon kështu?”, tha Nano, ndërsa Açka u përgjigj se “shoh harmoni mes feve me njëra-tjetrën, klerikët shihen bashkë nëpër festa. Mungesën e harmonisë e shoh jo mes feve njëra me tjetrën, por mes feve e njerëzve. Ata vetë janë fare mirë. Jam e shqetësuar si patriote. Po. Dhe jam e shqetësuar se pse para 10 vitesh ishte tjetër panoramë e sot kemi këtë”.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.