MILOSAO

Dritëro Agolli/ “Poezia e një poeti është biografia e tij”

10:11 - 30.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Shpëtim Çuçka

15.
Poema “Dashuri dhe ferrobeton” (1962) mund të mos na tingëllojë ndjellëse që në titull: E ç’lidhje paska dashuria me ferrobetonin (betonarmenë)? Madje ç’lidhje mund të ketë vetë veprimtaria e hollë poetike me ferrobetonin?
Le të dëgjojmë përgjigjen në vargje të poetit:
Këtu nuk merren me kotësira erotike,
Që bien erë parfum të modës së vjetër,
Këtu ka front
Dhe fronti ka frymë epike:
Beton,
motorë,
tela,
tunele,
gurë të egër;
Këtu nuk ka biseda të vakëta:
“Më lejoni të njihemi!”
“Pardon!”
“Diku ju kam parë!”
“Pupu, ç’ju shkon kjo jakë,
kjo kravatë!”
“Oh, ç’novelë dashurie!
Kam qarë!”
Këtu gërhet,
gërvisht,
gërmon kompresori
Dhe vinçi kovën me beton e hedh në digë.
……………………………………………..
…Në mbrëmje,
majë Shkopetit del ylli,
Dhe katër sy
majë Shkopetit yllin kërkojnë:
“Është yni,
është yni,
është yni!”
në krahë të njëri-tjetrit thonë.
……………………………….
Urra!
Urra!
Njëqind herë urra
Për dashurinë e teknikut dhe hidraulistes,
Që kotësira parfumesh nuk ka,
As gogësima
në frona
lulishtesh!

Sot është shumë e vështirë, praktikisht e pamundur, që njerëzit të përfytyrojnë të tilla lidhje dashurie, në të tilla mjedise kantieresh të mëdha hidrocentrali. Është shumë e vështirë të përfytyrojnë se si edhe në vitin 1962 Shqipëria kishte mungesa të mëdha për ndriçimin elektrik. Është shumë e vështirë të përfytyrojnë se si lidhjet martesore me dashuri nuk ishin aspak dukuri mbizotëruese shoqërore. Dhe natyrisht duket e çuditshme, madje e pakuptueshme, se si mund t’i thuret një poemë një bote të tillë, ku janë shkrirë puna e madhe ndërtimtare me përmbysjen e madhe në marrëdhëniet njerëzore, më saktë, me vendosjen e tyre mbi baza të shëndosha barazie dhe ndërsjellësie.
(Sot lidhja e një djali dhe e një vajze është diçka e përkohshme, e përciptë, e kushtëzuar kryesisht nga elementet e interesave të rëndomta. Dhe shpesh e shoqëruar me doza të forta agresiviteti, deri në vrasje. E dhunshme shoqëria, e dhunshme jeta, të dhunshme edhe marrëdhëniet dashurore.)
E, pra, atëherë ky ishte realiteti, realiteti i dritës dhe i dashurisë. Të dyja të mbrojtura, të përkrahura dhe të zhvilluara nga e gjithë shoqëria, nga i gjithë aparati i shtetit. Këtu kishte rolin e tij, madje detyrën e tij, edhe poeti. Kur u shkrua poema, D. Agolli ishte pak më shumë se tridhjetëvjeçar. Ndërsa hidrocentrali i Shkopetit, i nisur 14 vjet pas mbarimit të luftës dhe çlirimit të vendit dhe një vit pas ngritjes së universitetit të parë, në një kohë kur Shqipëria e re kishte ende probleme të mëdha e të gjithanshme duke filluar nga sigurimi i bukës, probleme të mbetura pa zgjidhur për shkak të prapambetjes së jashtëzakonshme shumëshekullore, ky hidrocentral në luginën e Matit, u ngrit brenda katër vjetësh!
Sa e njeh brezi i sotëm këtë histori? Një pedagog i vjetër më thoshte pak kohë më parë se brezi i sotëm e njeh historinë e vendit vetëm nga viti 1992 e këtej.
Sa e di brezi i sotëm se ç’do të thotë errësirë shumëshekullore? Në janar të vitit 2003 më ka qëlluar të hyj në një qytet verior të pllakosur nga errësira. Një pamje tronditëse!
Ja, pra, se ç’mesazhe na jep, po të lexohet me pak vëmendje, poema “Dashuri dhe ferrobeton”. Është historia jonë e parë me sytë dhe e përshkruar me talentin e një shqiptari të ndershëm.
Ku ishim? Dhe ku jemi?
Ku ishim dhe ku jemi!

16.
“Poemë malore” (1962) është poema tjetër e Dritëro Agollit. Poema e dytë e krijuar brenda një viti! Sot ne e kemi të vështirë të përfytyrojmë se si lind ideja e një poeme në mendjen e një poeti, si mbushet kjo ide me një varg idesh të tjera, si ngjallen përjetimet nga çdo ide e nga çdo mendim, pas parashtrimit të çdo ideje e të çdo mendimi. Dhe të mos harrojmë që sot nuk shkruan më kush poema. Jo vetëm te ne! Madje ka rrethe të caktuara politike, letrare e artistike, ku flitet e shkruhet hapur për vdekjen e artit, ashtu si flitet e shkruhet hapur edhe për vdekjen e familjes, vdekjen e etikës, vdekjen e shteteve kombëtare!
Ja, si e përshkruan këtë proces të lindjes së një poeme vetë poeti:

Më mori malli të ngjitem në mal,
Kjo nuk është diçka idilike.
Prapë trastën do marr
e do dal,
Ku kryet lot pisha epike.
I tillë jam.
Dua të udhëtoj përhera,
Të udhëtoj me gazetën në xhepa,
Me fletore shënimesh,
me dhjetë cigare “Riviera”
Brigjeve me pisha,
lugjeve me plepa.
Vetiu vjen në mendje fakti që sot njerëzit jo më që nuk kanë mall (përveç që mundësi!) të ngjiten maleve, pale më të marrin me vete një fletore shënimesh, por po i braktisin gjithnjë e më shumë zonat malore të atdheut. Thirrja poetike e D. Agollit ndoshta tingëllon për brezin e sotëm jashtë kohe, jashtë çdo arsyeje jetësore. Sikurse edhe të tilla vargje:

A u mërziten
shqiptarëve malet?
…………………………………..
Djepin etërit na e gdhendën nga boriga
Dhe gjyshërit me legjenda në gjumë na vunë,
Prandaj nuk shkëputemi nga romantika,
Megjithëse flokët brymë të bardhë na zunë.

Romantikë? Po a i ka mbetur vallë sot, në epokën e triumfit të kultit të parasë dhe fitimit, ndonjë domethënie kësaj fjalë? E kujt i flasin vallë malet tona gjysmë të prera e gjysmë të djegura nga zjarret (jo rastësore!) e përvitshme? Ose Dritëro Agolli ka mbetur pas në kohë ose brezi i sotëm është kthyer aq pas në kohë, sa nuk ia rrok as mendja. Lexuesi le ta ndajë vetë këtë mëdyshje. Ndoshta do të kuptojë shkaqet e thella, që kanë sjellë dukurinë e braktisjes së zonave malore.
Le ta dëgjojmë edhe pak romantikën e poetit për malet:

Male shqiptare,
enigmë shqiptare,
Me shpella e lugje përposh,
nga malli për ju,
që digjte si zjarri,
Naimi u bë tuberkuloz.

Në rast se lexuesit e sotëm nuk do t’i ndienin thellë-thellë këto vargje, në rast se madje do të shtrembëronin buzët apo do të gogësinin, do të duhej të pranonim se në historinë e popullit tonë ka ndodhur një thyerje e rëndë (thyerje dhe jo kthesë!). Duam s’duam ne, poema e D. Agollit shtron për mendjen tonë një tjetër udhëkryq, na vë përsëri në mëdyshje: të përcaktojmë nëse jemi në udhë të drejtë apo në udhë të gabuar. Dhe më tej: nëse varet gjë nga ne apo jemi në një rrugëtim të detyrueshëm, në të cilin dikur, po ta kemi parasysh mirë, hymë me këmbët tona.
Të tilla janë poemat e D. Agollit: nuk na lënë të flemë gjumë rehat, të gogësitim duke hequr dorë nga çdo e vrarë e mendjes. Ne duhet të vendosim: ta lexojmë këtë poet, këtë shkrimtar, apo ta lëmë të pluhuroset në raftet e bibliotekave dhe të nxitojmë në kafene për muhabet (e ç’i ka mbetur tjetër banorit të sotëm??)?

Dhe ja një tjetër ide e spikatur e kësaj poeme malore:

Po, shumë duhet të bësh,
fisi im,
Që truallit mos flesh, që gjizë mos hash,
Kullave dritë t’u vësh me guxim,
Të zhdukësh turqizmën
“javash-javash!”
Unë e di,
fisi im,
ti ende jeton vështirë
Dhe jeta s’të jepet si beze e lirë.
Po ti, fisi im, ke muskuj të fortë,
Muskuj,
që malet mund t’i lëvizësh,
Muskuj,
që sipër çdo porte
Dinë të vënë kurorën e dritës…

Ku është këtu lustrimi i realitetit, sikurse shkruhet e thuhet rëndom sot? Kush nuk e vë re këtu realizmin e përshkrimit të një realiteti të vështirë dhe realizmin e ëndërrimit? Thotë një fjalë e urtë: “I verbër nuk është ai që nuk sheh, por ai që nuk dëshiron të shohë”. A shikojnë sot shqiptarët? Dhe, nëse po, a shohin, a dallojnë gjë?

17.
Kohë më vonë, sikurse do ta shohim edhe më poshtë, Dritëro Agolli do të thotë se “poezia e një poeti është biografia e tij”. Poema “Devoll, Devoll” (1964) është një kapitull i madh i jetëshkrimit artistik e  botëkuptimor të qytetarit dhe krijuesit D. Agolli. Këtu për herë të parë në mënyrë të plotë dhe të qartë janë shpalosur e shtjelluar dy temat e mëdha të të gjithë veprës së tij, të të gjithë jetës së tij: e para, dashuria për atdheun, e shprehur nëpërmjet mallit për të dhe dëshirës së bekuar për punën ndërtuese; e dyta, ideali i shoqërisë së drejtësisë dhe barazisë qytetare.
Radhitjen e këtyre dy temave në krijimtarinë e Dritëro Agollit e bëri vetë jeta e tij, me ashpërsinë dhe bukurinë e saj, me brengat e mëdha dhe gëzimet edhe më të mëdha. Janë brenga dhe gëzime jo thjesht vetjake. Janë brenga dhe gëzime të identitetit të tij si shqiptar dhe si qytetar, brenga dhe gëzime të përjetuara thellë dhe të mbrujtura me një ndjenjë të pastër e të shtruar, por asnjëherë të shuar, krenarie.
Ja të dy temat e mëdha të jetës së D. Agollit. T’i shohim e t’i rikujtojmë pa meskinitet:

Po, Devoll,
i tillë qenkam unë,
Paskam marrë baltën tënde arave,
Në një trastë leshi
ndënë gunë,
për t’ia sjellë
Lidhjes së Shkrimtarëve.
Nuk e di
se ç’dreq poet më bëri
balta jote, bari yt i dendur.
Unë jam një plisi yt i tëri
Dhe një copë shkëmb
i pagdhendur.
Dhe ky plis
ngaherë ish i fortë:
shkoi n’Evropë,
brodhi në Azi,
po kudo,
nga flokët
gjer në thonjtë
mbeti devolli…
…………………………………………
Unë shpesh,
Devoll, nuk jam i qetë
Unë shpesh,
Devoll,
jam i pagjumë.
Shqetësimet m’i ke dhënë vetë,
Kur më bëre nga kjo baltë e murrme.
…………………………………………
Jam njeri i fortë,
i pagjumë
dhe çdo tingull kap,
çdo tingull gjuaj;
dhembje njerëzore
kur ndjej unë,
sentimentalizëm nuk e quaj…
Ndaj unë komunisti nga Devolli,
Që kam pendë,
letër edhe armë,
që hedh firmën:
“Dritëro Agolli”,
Ngrihem,
kur kap tingullin:
“alarm!”
…………………………………………
Në shënjestër prap’ më kanë vënë
Snajperët e shquar përtej deteve.
Unë s’dridhem,
unë s’e ul zënë,
mbetem komunist për jet’ të jetëve…
………………………………………..
Thellë kësaj balte
përmbi lumë,
që aq breza rrënjësh e lëvrinë,
unë,
devolliu i pagjumë,
gjeta vargjet,
gjeta poezinë.
Sikur edhe vetëm me këtë poemë ta kishte mbyllur D. Agolli krijimin e poemave, madje gjithë krijimtarinë e tij letrare, prapë do të kishte mbetur Poeti i tokës shqiptare, Poeti i popullit shqiptar, Poeti i idealit të drejtësisë shoqërore në atdhe.
Dhe në këtë rrafsh e në këtë këndvështrim ai është i vetmi. Nëse në të ardhmen shqiptarët do ta ruajnë vlerën e këtij krijuesi, atëherë kjo do të ndodhë duke ruajtur para së gjithash e mbi gjithçka krijimtarinë e tij më tipike, krijimtarinë e tij më të spikatur e më të shënuar. Pa poemat Dritëro Agolli nuk është më ai. Është i madh dhe i vyer, por jo më ai.

Vijon


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.