MILOSAO

A po rilind ndryshe nostalgjia për komunizmin?!

10:12 - 30.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Ben ANDONI
Ka një prirje të re në mënyrën sesi njerëzit e kohës së sotme po e përshfaqin nostalgjinë e tyre ndaj komunizmit. Ajo lidhet me prirjet e pavullnetshme të shumë të rinjve, që imazhi komunist u duket tërheqës për shpalosjen e ideve të tyre ose shitjes së produkteve; biznesit dhe mënyrën sesi e përshfaq simbolikën; dekorimet e mjediseve për të sjellë atë kohë; mënyra e përcjelljes në vepra arti identitare; ose dhe qoftë thjesht për ta përdorur si element turizmi. Por, më e frikshme nga të gjitha, duket se është ajo që bëhet kinse dhe rri veshur nën petkun e një shikimi racional të gjërave.
Pothuaj të plota veprat e udhëheqësit komunist dhe të udhëheqësve të tjerë të Partisë së Punës mund t’i gjesh rëndom nëpër kafe dhe vende prehje, ku për hir të së vërtetës, shqiptarët kalojnë shumë e shumë kohë. Imazhi komunist po zë vend të përhershëm në gjithnjë e më shumë klube dhe duket se një identitet i ri urban kërkon që ta gërshetojë imazhin e të shkuarës me atë të sotmin.
Idetë për ushqim më të mirë, për drejtësinë e duhur të asaj kohe dhe një lloj morali shumë të lartë, barazinë e gjerë, i errësojnë gjykimet e njerëzve për një sistem që gjithnjë e më shumë u largua nga problematikat e njerëzve dhe tashmë i ka humbur gjurmët reale.
Por frika më e madhe ishte dhe erdhi pas publikimit të sondazhit të OSBE-së për të kaluarën komuniste në Shqipëri, ku në disa zëra të pyetësorit dukej një fryrje e kujtesës nostalgjike për komunizmin.
Mendojmë se përcjellja e shumë emrave të zakonshëm apo akronimeve urbane të asaj kohe është fare normal në kohët moderne. Ato kujtojnë jetën sociale të shumë njerëzve, por edhe socializmin e publikut në atë kohë. Aman është tejet i tepruar përdorimi i sloganeve të komunizmit dhe gjoja përshtatja me tepri thjesht për raste përfitimi. Vetëm të kujtosh parullat ende të mbetura të pafshira në Spaç e kujton sa e hidhur tingëllon për kurrizin e shumë njerëzve, që u masakruan në atë kohë.
Në këtë shtjellë të argumentit nuk përfshijmë asfare nostalgjikët e çartur që në çdo aktivitet eksportojnë figurën e Enver Hoxhës me fotot, pankartat dhe deklamimet në publik. Këta nostalgjikë janë kaq të dalë mode saqë u ka mbetur në hise vetëm shpotitja.
Është e kuptueshme që shoqëria ku jetojmë meriton kritika dhe madje ato tejet të ashpra. Dhe, janë qesharakë ata, që e përmendin atë regjim me aq adhurim. Por, duke perifrazuar jo fjalë për fjalë Çërçillin, se ne të gjithë e dimë që kapitalizmi s’është sistemi më i mirë, por më i përshtatshmi me kohën, atëherë na lind dëshira për t’i thënë gjërat si duhet: Edhe pse me shumë zhgënjime prej të sotmes, nostalgjia për kohën e Enver Hoxhës është një përqeshje e hidhur me alternativat e munguara që ajo kohë dha për shqiptarët duke e identifikuar vendin asokohe në një kampione të vërtetë të shkeljes së të drejtave të njeriut.
Me shumë gjasë, zhgënjimin e kësaj kohe do ta zbusin historianët e të nesërmes që do ta shikojnë më qetësisht, por edhe më me largpamësi jo vetëm figurën e diktatorit komunist por edhe gjithçka që u bë në atë kohë dhe që i lë ende të dyzuar shqiptarët.
Nëse shqiptarët vazhdojnë kështu  dhe nostalgjia do të vijojë të rritet, atëherë mund të shkojmë në konstatimin e duhur të shkrimtarit tonë Kadare: “Muri i mbrojtjes së solidaritetit të së keqes, po ngrihet’’, në Shqipëri. Dhe, kjo është realisht për të ardhur keq.
Mbase alarmi është i tepërt, por shqiptarët duhet të shikojnë shumë përpara dhe të lenë dasitë e vogla apo t’i vendosin këmbët sërish në këpucët e të shkuarës, mu ato që e mbajtën pas dhe e gdhinë në ndryshimet evropiane si një nga vendet më të varfra të Evropës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.