OPINION

Shtatorja e Azemit i tremb bijtë e etërve, të cilët ai i rrëzoi 26 vjet me parë

07:27 - 30.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Belind Këlliçi

 

Vendosjen e shtatores së Azemit në  qytetin e tij të lindjes, në Bajram Curri kisha ditë që e prisja me një gëzim të  brendshëm, nga ato gëzimet që, në fakt, është e vështirë t’i shpjegosh. Ceremonia e së  premtes ishte kthyer në  temë  diskutimi në  çdo tavolinë  demokratësh dhe jo vetëm. Kur do nisesh për në  Tropojë? Me kë  do të  shkosh? Ikim bashkë? Ata që  patën fatin ta njohin tregonin pjesëza të  historisë me të.

Natyrisht me shumë  gëzim dhe me një krenari të ligjshme flisnin bashkëqytetarët e tij. Dukej se kishte kohë që pritej rikthimi i Azemit në shtëpi. Dita po vinte, emocionet po shtoheshin. Tropoja ka qenë  e vijon të  mbetet një frymëzim i madh për çdo demokrat. Qyteti që  i dha dy bijë  të  çmuar lëvizjes për demokraci dhe arkitektin e zhvillimeve të  rëndësishme të  Shqipërisë sot, Azem Hajdarin dhe Sali Berishën. Tropoja u kthye, po ashtu, në  shtëpinë apo konakun, siç e quajti Daut Haradinaj, të UCK, Ushtrisë Çlirimtare të  Kosovës.

Mëngjesin e së  premtes herët u nisëm për në  Tropojë. Falë  kontributit të  Azem Hajdarit, punës dhe përkushtimit të  Sali Berishës, vizionit dhe luftës së  Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit dhe shumë  luftëtarëve të  UCK, rruga ishte ndër më  të  bukurat dhe emocionueset që jo me shumë  se 10 vite më  parë  askush s’do ta kishte imagjinuar. Kaluam përmes rrugës së  kombit, për t’u ndalur për një kafe në  Gjakovë  e me pas ndaluam në  sheshin qendror të  Bajram Currit. Malësia e Gjakovës siç u pëlqen ta thërrasin tropojanët, priste shumë  miq. Qyteti ishte në  festë. Shtatlartë  e me krenarinë që  karakterizon çdo qytetar që  të  takonte, të  uronin mirëseardhjen në  qytetin e Azemit dhe Sali Berishës. Një qytet i vogël që  i ka dhënë kaq shumë  historisë së  Shqipërisë. Kënga e vallja ofshëtinte në  qytetin mes malesh. Të  ftuarit nga çdo trevë  shqiptare po zinin vend. Miqtë mes të  cilëve kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha, zbuluan shtatoren e Azemit. Krenar me gjoksin përballë furtunës e me shikimin që  përfshinte çdo trevë  shqiptare, qëndronte Azemi në  mes të  qytetit të  tij. Shpatullat ia mbronte mali i Shkëlzenit e përballë kishte miq të  vjetër e të  rinj, bashkëluftëtarë e mijëra qytetarë  që  kishin dalë  për t’i uruar mirëseardhjen.

Teksa shihja Azemin, në mendje më vinte gjithçka lidhej me vitet e lëvizjes studentore të  viteve ‘90. Një i ri që  vinte nga qyteti më i largët, guxoi të  vihej përballë një regjimi ndër më  kriminalët në Europë. Një guxim për t’u adhuruar dhe një mesazh i madh për mua dhe bashkëmoshatarët e mi. Ceremonia mbaroi, por jehona vazhdon akoma. Një energji pozitive na shoqëron nga qyteti i vogël verior, një frymëzim i madh nga vepra e Azem Hajdarit. Azemi na u rishfaq sot dhe si një apel në  këto kohë të zeza që  po kalon vendi për t’u ngritur dhe për ta shpëtuar Shqipërinë nga kthetrat e krimit ku ka rënë. Mediat gjerësisht flisnin për guximin e Azemit. Një guxim që dhe sot ende frikëson bijtë e etërve që  u rrëzuan në  vitet ‘90. Hija e tij i ndjek nga pas.

Heronjtë kanë  aftësinë të  kallin tmerr dhe më  përmendoret e tyre. Kjo u reflektua dhe të  qeverisja e sotme që  vazhdon të  na servirë  si rilindje simbolet e urryera komuniste. Nga ylli i kuq, te fotoja e diktatorit Hoxha, nga promovimi në  poste të  larta i funksionarëve të  regjimit dhe bijtë e tyre, te dekorimi i xhelatëve të  diktaturës. Mercenarë  të qeverisë nxituan të  villnin vrer ndaj figurës së Azemit. Nuk bënë asgjë më shumë veçse reflektuan frikën e tyre te guximi, frymëzimi dhe motivimi që  Azemi u bën të  rinjve sot. Teksa lexoja disa prej tyre që  simbolizojnë aleancën e qelbësirave, ndjeja keqardhje në  batakun ku kanë rënë. E me shumë  keqardhje ndjej për bashkëmoshatarët e mi Ramistë (jam i bindur që  socialistët e vërtetë s’kanë asgjë të  përbashkët me të  rinjtë adhurues të  Ramës).

Rilindja u ka dhënë si model trafikantët, përdhunuesit, kriminelët. Modeli i tyre i demokracisë janë qeveritarët e lidhur me krimin dhe trafiqet, si ish-ministri Saimir Tahiri apo ministri aktual Fatmir Xhafaj. Modeli i tyre për të  ecur përpara në  jetë  e për të  qenë  i suksesshëm është Arben Ndoka, Mark Frroku, Armando Prenga, Elvis Roshi, Artur Bushi, etj. Modeli i tyre është se në  pushtet vihet duke blerë  vota në  bashkëpunim me krimin, se si qeveria vihet në  shërbim të  trafikantëve. Modeli që  u ofrohet është kanabizimi i Shqipërisë. Modeli i zhvillimit që  u serviret është punësimi në  arat e kanabisit.

Unë e kuptoj Ramën dhe mercenarët e tij që  s’mund të  vlerësojnë dot figurën e Azemit, sepse frymëzimi i tyre është Enver Hoxha, janë Ndokët, Bushët, Roshët, Habilajt, Balilajt, e çdo kriminel e trafikant i mundshëm. Mos i paragjykoni se gjithkush ka modelin e tij në  jetë. Demokratët kanë  Azemin, kanë  Sali Berishën, Gramoz Pashkon, Pjetër Arbnorin e shumë  të  tjerë. Unë s’pata fatin ta njoh Azemin, por sot shpirtin e tij luftarak, guximin e pashoq dhe dëshirën për një Shqipëri europiane, e shoh te çdo bashkëmoshatarë që  do një Shqipëri pa krim, pa drogë, të  zhvilluar dhe europiane.

Azemin nuk e kam njohur, por ai është frymëzim për mua se si një i ri duhet të  guxojë  dhe luftojë  për liri dhe demokraci, për idealin dhe ëndrrat e tij.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.