OPINION

Për Tahirin dhe jo vetëm…

07:20 - 01.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Nga Kreshnik ÇIKA, Athinë

 

Këtu në Athinë, Athina zyrtare “fërkon barkun” me ato që ndodhin aty në Tiranë, me Tiranën zyrtare. E kanë kuptuar mirë që shteti i Tiranës me zor funksionon, duke u përpjekur të duket shtet, e prandaj janë hedhur në sulm kundër Shqipërisë, qysh nga presidenti i Greqisë, e deri te ministri i Jashtëm i këtij vendi, i cili ka ftuar për takim disa ditor në Kretë Bushatin. Madje, meqë është disa ditësh takimi, do t`i krijohet mundësia edhe kryeministrit grek, të shkojë e ta pijë një kafe me ta në Kretë, nën aromën e këndshme të hashashit cilësor që prodhon ai ishull. Sepse për hir të së vërtetës, hashashi më cilësor në Ballkan, prodhohet në dy vende: në Lazarat dhe në Kretë. Më 28 tetor, presidenti i këtij vendi, në parakalimin e ushtrisë greke në Selanik, foli në radio me pilotin që fluturonte me “F16” mbi kokat e njerëzve, duke i kërcitur dhëmbët fqinjëve të vendit të tij: “Zoti pilot, krahët tuaj, krahët e Forcave Ajrore greke, i dërgojnë mesazh të qartë të gjithë fqinjëve tanë, mesazhin e spartanëve të vjetër:- “Μολών λαβέ”(Eja merre, po ta mbajti!). Nuk mbeti pas as kryeministri Çipra, i cili (“do t`i zgjidhë” të gjitha problemet me ne në Kretë), kur deklaroi: “Përulemi para heronjve të epopesë, që ranë në malet e Shqipërisë, para atyre që mes Greqisë dhe jetës së tyre, zgjodhën të parën”(gazeta Kathimerini, 28.10.2017)…Pavllopulua, e di mirë sentencën:-“Sa më e gjerë të jetë gryka e topit, aq më e fortë është diplomacia”. E për hir të së vërtetës, nuk e ka shumë keq.

Kurse Ministria e Jashtme e këtij vendi, deklaron se… “shqetësohemi për zhvillimet në Spanjë dhe shpresojmë të rikthehet dialogu demokratik, sa më shpejt”(Vërtet, pse shqetësohen kaq shumë për Spanjën?!?)

Athina, në të gjitha deklaratat e saj, ka si busull prononcimet e nëpunësit numër 2 që ka të akredituar në Tiranë(se i treti vjen ambasadori i tyre aty), pra të “grekut” me emrin  Dule. Dulja i Athinës aty, “e ka gjetur” diagnozën e sëmundjes greko-shqiptare, kur deklaron nga Bularati, nën flamurin grek: “Jemi të qetë për marrëdhëniet që kemi ngritur  mes dy popujve.  Nëse ka një problem midis vendit tonë dhe Greqisë, fatkeqësisht ai është vetëm kryeministri i vendit Edi Rama”.

Vlen të nënvizohet, se kryeministri Edi Rama, është i vetmi në këto 25 vite, që ka mbajtur qëndrim reciprok me Athinën. Reagimi i vakët i Ministrisë së Tiranës “për Europën dhe punët e Jashtme”, për ndërhyrjen në punët e brendshme nga shteti grek, ishte një veprim, sa “me u gjend` Kola n‘punë”. Athina me thirrjen e Dules, doli në mbrojtje të shtatë familjeve xace të Himarës, për të themeluar nga hiçi, minoritetitn grek, në zemrën e Labërisë, në Himarë. Por… “Shteti shqiptar, i rrëzon shtëpitë e “komunitetit himariot”-prite kur të na dalin edhe racë më vete këta banorë, -për të tërhequr vëmendjen nga skandali që i plasi me ish-ministrin e Brendshëm”-deklaroi Athina…

Çështjen “Tahiri” për hir të së vërtetës, e rrëzoi në Komisionin e Mandateve, qysh në 10 minutat e para të mbledhjes, juristi i mirënjohur Ulsi Manja. Thjesht, me pyetjen: -Prej sa kohësh, Saimir Tahiri, është subjekt i hetimit?

Por, duhej të bëhej rituali i plotë, e në vend të dy muajve, që zgjati ai komision për Bashën para ca vitesh, të paktën duhej të zgjaste dy ditë në këtë rast.

Prokurori, me një shqipe të belbër e duke folur ngadalë (aty çdo gjë lëviz ngadalë, edhe autobusët “urbanë” ecin me 3-4 km në orë, me në krye linjën “Tirana e re”- e cila pronarin e ka bash në bashin e Bashkisë së Tiranës së vjetër, edhe trenat ecin ngadalë-(vërtet, a ka më të tillë në Shqipëri)?- gjithçka ecën ngadalë)… Kurse mensheviku Alibejaj me ngazëllimin e hienës në gjakun e présë së vet, “i jep zemër” kolegut Tahiri:-“Po ti shko në burg, e përleshu me drejtësinë, si një bolshevik i vërtetë”! Pra, me gjuhën e belbër, e me ton të ulët prej babaxhani, prokurori shpalosi “akuzën” ndaj tij, d.m.th. ato pak fjalë që kishin arritur t`i përkthenin për 48 orë nga gazeta italiane, përgjimet e prokurorisë italiane, të bëra për 48 muaj rresht, për bandën italo-shqiptare të Habilajve.. Sepse kështu janë bandat: greko-shqiptare, italo-shqiptare etj. Janë doemos kështu, pasi ky kapitalizmi ka në bazë ligjin kërkesë-ofertë. E meqë kërkesa është italiane, greke, hollandeze, e gjithfarë, kuptohet që banda italo-shqiptare e Habilajve tanë, banda greko-shqiptare e Balilajve tanë, e të gjithë të ngjashmit e tyre, janë ofertuesit. Në njëfarë mënyre, “natyrshëm” në shoqërinë e konsumit, ne shqiptarët, ofrojmë shërbimin, madje me mall shumë cilësor, por edhe me çmime të arsyeshme. Këto i pohojnë grekët këtu në Athinë, në kafenetë e lagjeve…

Për Tahirin, do të vendosë drejtësia, ajo drejtësia e Tiranës, ashtu siç është katandisur, për të cilën 50% të “meritës” e ka partia e Tahirit, e pjesën tjetër doemos e ka “pala tjetër”. Ajo që duhet të shqetësojë botën shqiptare, kryesisht mediat, por edhe “opinionistët” gjithologë, mendoj se duhet të jetë diçka tjetër…

 

Katandisja e uniformës blu dhe…

 

Hashashi në Shqipëri i ka fillesat e tij, qysh kur erdhi fara për herë të parë, në vitin jo aq të largët 1994. E u mboll e u shijua, njëlloj, si në Lazarat, ashtu dhe në Dukagjin, por më në fund edhe në Labëri e në Skrapar. U mboll e hodhi shtat, para syve të mbarë politikës shqiptare, të të gjithë policëve dhe ushtarakëve shqiptarë, të gjithë prokurorëve, shikasve dhe gjykatësve të atij vendi. Aty kanë qenë të gjithë, madje janë paguar edhe me rrogë shteti, përveç të tjerave që kanë marrë… E mbollën dhe e rritën me dashuri, të gjithë shqiptarët, si vëllezër; “demokratë” dhe “socialistë”, në të gjithë fshatrat, pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Ministri “i ri” i Rendit në Tiranë, vendosi ta luftojë kultivimin dhe shitjen e hashashit, duke mbajtur në krye të policisë, pikërisht ata të cilët ishin dhe janë përgjegjësit kryesorë; drejtorin e Përgjithshëm, por edhe nëndrejtorin, atë që përgjigjet për rendin-preferencë dhe emërtesë e partisë së dytë në qeverisje, deri më 23 qershor! Dhe nuk i përtoi dora, që përsëri “në emër të duarve të pastra”, të largonte nga ajo drejtori, një apo dy drejtues që kishin bërë thjesht me pastërti dhe profesionalizëm, punën e shtetit! Punë e tij, dhe e atyre që i besuan atë funksion… Ashtu siç në emër të “duarve të pastra”, u shkri zinxhiri drejtues i policisë së Elbasanit, pa pyetur nëse ish- shefi i krimeve të atij qarku, është njëri ndër pak oficerët e pastër të policisë së shtetit…

Duhet të ketë ndjekur njeriu, prononcimin e dy njerëzve: deputetit Pjerin Ndreu-ish drejtues i lartë i policisë shqiptare, por edhe prononcimin e një “burgaxhiu”-sot në kërkim, oficerit të antidrogës Andon Nazëraj prej 2006 e deri në 17 korrik të vitit 2014, kur edhe u arrestua. Thjesht, të shijojë “veprën” e politikës  shqiptare në këto 25 vite mbi njerëzit me uniformë, në të gjithë “madhështinë” e vet.

Oficerë policie që dalin në postblloqe me plan të miratuar, hartuar nga drejtoria e qarkut. E që kërcënohen nga njerëz të botës së nëndheshme, në emër të lidhjeve që ata kanë, apo që supozohet se kanë, me eprorët madhorë të policëve. Nazëraj, kuptohet, nuk ka qenë engjëll, edhe ai “e ka marrë kafen e vet”. Po përse të mos ta merrte fundja, kur ata të “kontrollit” të brendshëm, ia kërkonin euro apo dollarë, nja pesë mijë “të holla”?

Por meqenëse Nazëraj figuron i dënuar me vendim gjykate e në kërkim, le t`i besojmë ish-drejtuesit të lartë të policisë, deputetit Pjerin Ndreu. Zoti Ndreu, para kamerës, i tha të vërtetat açik e jashtë dhëmbëve, sa i takon katandisjes së policisë. Ai tha me një fjali të vetme, se përgjegjësi kryesor dhe i vetëm që shkatërroi policinë ndër vite, ishin partitë politike, të dyja ato të mëdhatë. Me emërime nepotike, me njerëz të paaftë(zakonisht këta janë më të përshtatshmit “për të drejtuar” aty), shpesh me personalitet të sakatuar. Sepse aty në Shqipëri, politika ecën me parimin:-“Ai që di të bindet, di edhe të komandojë”. Mirëpo është ky “parimi”, që ka sjellë gjendjen katastrofike në polici dhe në ushtri…

… e uniformës kaki!

Shkruesi i këtyre radhëve, me edukim e formim bazë dhe me profesion, është ushtarak, tanimë nënkolonel në rezervë. I cili nuk mundi të jetojë aty me pensionin që i jepet, e që hallet familjare e detyruan të marrë rrugët e botës. Për pasojë, është njohës i mirë i “veprës” që realizoi politika në këto vite, mbi(e jo ) Forcat e Armatosura. Me dhimbje të madhe, më duhet të pohoj, se sa herë vij në vendin tim e takoj miq e shokë, kolegë, një pjesë e vogël e të cilëve janë ende nën uniformë, brengosem.

Jo vetëm nga pamjet qesharake të “paradave” që bëhen këto vite në sheshin “Skënderbej”. Por meqë shkolla “Skënderbej” u mbyll para 24 vitesh, shkon tek ish-Shkolla e Lartë e Oficerëve(gjithashtu, e mbyllur edhe kjo), që sot e katër vite quhet dhe Ministria e Mbrojtjes. Shkon te porta të ftosh shokun e mikun për një kafe, dhe merr përgjigjen ogurzezë:-“Nuk na lenë të dalim jashtë, se na shënojnë emrin, e emri shkon lart”. Dhe e dëgjon këtë fjali nga ushtarakë madhorë, kolonelë dhe gjeneralë, aktivë, por edhe në rezervë, të cilët ende vazhdojnë të jenë në detyra të ndryshme. Kjo më ndodhi para katër muajsh, herën e fundit që isha në Tiranë. Vetëm kur pashë ushtarë të policisë ushtarake te postblloku, madje më thanë se janë edhe disa me rrobe civile që ruajnë, se mos ndonjë kolonel apo gjeneral del jashtë për kafe, e t`i shkruajnë emrin në një bllok që enkas e mbajnë aty, mbi një copë llamarinë!!! Të gjithë, të thonë me pezëm se janë të detyruar ta pinë kafen vetëm në mensën e ish-Shkollës së Bashkuar-pranë supës nikoliniane, siç shprehen ata. U mbyllën para tre vitesh, tre lokalet kafe, që ishin në territorin e shkollës. U lanë kështu gjashtë familje pa punë, në emër të “shitjes së pijeve”, që nuk ekzistonin. Kurse tani, shkojnë dhe e pinë rakinë pranë supës nikoliniane, me faturë të “rregullt”, 70 lekë teken… E kështu, ushtarakët e të gjitha rangjeve, janë katandisur thjesht në kundërfirmues të letrave, e kryesisht në përpilues shkresash, për të cilat marrin urdhra gojorë, përmes telefonit, nga… “lart”. Ata që kanë guxuar të kenë mendim tjetër, thjesht kanë lënë vendin e punës, apo në rastin më të mirë, janë degdisur në… Repartin N! Askund në botë, përveçse aty, nuk ndodh, që nëpunës të rëndomtë shteti, që ju i quani edhe “udhëheqje civile”, civilër(e jo civilë), të cilët hera dhe interesat e dyshimta i sjellin në ato funksione, të shkojnë pas mesnatës në repart ushtarak, e të japin alarm për kompletim reparti!!! Thjesht, sepse komandanti i sapo emëruar në detyrë, kishte harruar të dërgonte “kafen” në zyrën e emërtesës… Dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, thjesht siglon Urdhër-shkarkimin e komandantit, ashtu siç sigloi para ca kohe urdhrin për emërimin e tij, pa e pyetur askush…

Ishte para dy vitesh një gjeneral major, që i tha ministrit në zyrë:-Mos më bërtit mua, se unë kam kohë që e kam vrarë frikën! Doli në rezervë gjenerali që kishte vrarë frikën, e shteti nuk pati më nevojë për të, edhe pse ishte “Doktor i Shkencave”, në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes. Por jo doktor me plagjiaturë, të lutem. Ndoshta për këtë arsye, edhe nuk u hyn në punë.

Me të drejtë, lexuesi mund të pyesë: Po mirë, këta “ushtarakët tanë”, nuk paskan asnjë lloj përgjegjësie në këtë katandisje? Këtë pyetje e ka zgjidhur Shekspiri para 600 vitesh, kur tha:-“Po të mos ishin qengja këta, nuk do të ishin ujqër ata”. Dhe ende ka të drejtë Shekspiri. Sepse nuk doli një, po një ushtarak, të thoshte në 25 vite:-Nuk e firmos urdhrin tuaj zotëri, pasi vjen në kundërshtim me ligjin! Kështu që ushtarakët janë katandisur individë socialë, kur të thonë:-“Kam fëmijë për të rritur dhe shkolluar. Kur u mjafton atyre, mua më tepron”. Nuk doli një ushtarak, i cili të mos firmoste uniformat-zhele që mbajnë, të cilat shteti(lexo:ministrat e radhës), i marrin me tender nga…Gabi i Elbasanit! Për uniformat e ushtarakëve, kompania e mirënjohur botërisht “Marck Group”, dërgoi një gjeneral me dy yje aty në Tiranë. Por shqipot ia thanë troç:-Nuk do të fitoni ju! Ata ikën me vrap, për të mos njollosur emrin e firmës, në vitin 2012, e ku? -Në Shqipëri! E pritja e mallit, kushton “vetëm” 25 milionë euro, nga taksat e shqiptarëve barkthatë! E ushtarakët, firmosën me sy mbyllur, duke mos pyetur për specifikimet teknike të mallit, të cilat vetë ata i kishin hartuar. Pra, porositin terital, e marrin…mushama nga ajo e Rruga-Urës dikur!…Fshati që duket, nuk do kallauz-thotë populli. Edhe me siglat e ushtarakëve, -“gjeneralëve”, u rrafshuan 12 godina luksoze te “Rrapi i Treshit”, nga të cilat tri ishin të rikonstruktuara në vitin 2009, e tri godina ishin ndërtuar me miliona euro në vitin 2012. Sepse i duhet dikujt ajo tokë, për të bërë… “stadium”! Dhe mbasi i rrafshuan me urdhër partie, u thonë gjeneralëve në vitin 2017: -Shkoni e i nxirrni jashtë përdorimit!!! Ata, si “çuna të mirë”, firmosën pa shkuar fare atje, pasi i kishin parë me sytë e tyre, fadromat që rrafshuan godinat, e larguan së andejmi edhe llaçin. Sepse… “kanë fëmijë, për të rritur dhe shkolluar”!!! A thua se fëmijët e shqiptarëve të tjerë, që nuk janë ushtarakë nën uniformë, e që nuk firmosin në asnjë bordero, mbetën pa u rritur dhe të pa shkollë! Në të gjithë botën, përveçse në Shqipëri, ushtrinë e quajnë, e llogarisin dhe e respektojnë si burrëria e kombit. Por në Shqipëri, ndodh e kundërta: E shikojnë punën e ushtarakut si një vend pune. Njëri ndër pak kolonelët dinjitozë që kanë mbetur aty, para tre muajsh ishte në Athinë, te fëmijët e tij. –“Kur isha Komandant Regjimenti në Veri, kishim ekonomi ndihmëse. Vinte mesi i vjeshtës së tretë, e mbarohej ushqimi, bar nuk kishte. Aq sa kishin ngelur, thërrisja zboristët të vinin e t`i thernin, që të mos ngordhnin urie. Ata bënin një gardh në një kodrinë, ngrinin ca drurë atje për t`i varur kur i rripnin, e fillonin biçakun. E rrëmbente kasapi me kërrabë delen, e i priste kokën. Delja që ishte pranë saj vazhdonte të… “kulloste”! E çfarë hante ajo mbi akullin që kishte veshur kodrinën?!? Thjesht, i mbushte mendjen vetes, se kasapi vetëm me atë nuk do të kishte punë…. Këta jemi, e kështu jemi  katandisur ne ushtarakët shqiptarë… përfundoi duke psherëtirë koloneli G.H.

Dhe… “Djemtë  e korbit, sa venë e nxihen” do të shkruante i madhi Nonda Bulka në vitin 1934.

Këto të shikojnë opinionistët gjithologë aty, e ndonjë ushtarak, nëse ende kanë mbetur të tillë…

Të gjithë ministrat e radhës, që hera dhe interesat e dyshimta i kanë dërguar atje, fjalia e parë që kanë thënë në intervistën e parë të tyre, ka qenë:-“Ne do t`i ngremë dinjitetin e nëpërkëmbur ushtarakëve”. Dhe e kanë nëpërkëmbur deri aty, sa fjala nëpërkëmbje e ka humbur më kuptimin. Zonja Xhaçka, deri tani këtë fjali nuk e ka thënë. Kjo më bën të shpresoj, se kjo zonjë, me dinjitetin dhe personalitetin që ka, do ta bëjë këtë. Pra, do të ngrejë dinjitetin e nëpërkëmbur të ushtarakëve në 25 vite.

Po e bëri, do të hyjë në histori, si ministri i Mbrojtjes, që vuri një gur në themelin e burrërisë së kombit. Ia uroj me gjithë shpirt!…


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.