OPINION

Fëmijët e periferive klithin në heshtje

07:00 - 02.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Gjergj Meta

 

Kronika e emisionit investigativ “Le Iene” të Mediaset-it, rreth fëmijëve që mblidhnin krom në Bulqizë, e shtoi edhe më shumë atë ndjesi negative, që shpesh na kaplon kur shohim se në vendin tonë ende shumë gjëra janë duke ecur mbrapsht. Shumë punë bëhet për fëmijët nga shumë organizma qeveritarë dhe jo qeveritarë, por ka një kujdes të vogël ose aspak kujdes për fëmijët dhe adoleshentët e periferive. Duhet të ndodhë ndonjë kronikë e ndonjë tv të huaj, apo ndonjë aksident si ajo e Ardit Gjoklajt në periferitë e Tiranës, i cili punonte te plehrat, që të zgjohen antenat tona reaguese.

Është e pa tolerueshme që në zemër të Europës të shihen ato pamje. Unë e di situatën e shumë familjeve në zonën e Mirditës, Bulqizës, Burrelit e me radhë, pasi jam ipeshkvi i zonës, por konstatimi nuk mjafton. Pamjet e atyre fëmijëve janë të pajustifikueshme dhe, si thotë një shprehje biblike, thërrasin hakmarrje përpara Zotit. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë, ndryshe do të jemi bashkëfajtorë. Më së pari shteti me ministritë përkatëse, Ministrinë e Arsimit dhe asaj të Punës e pse jo edhe me Tatimet e policinë për të parë veprimtarinë e grosistëve të kromit e të prodhimeve të tjera e, po ashtu, edhe ne të tjerët, mediat dhe OJQ-të, organizmat fetare dhe jo fetare që kanë sadopak për zemër këtë vend.

Në këtë mënyrë po u vjedhim të ardhmen atyre fëmijëve. Nuk u lejojmë të jetojnë bukurinë e lojës dhe të moshës së tyre. Ua mohojmë ditën për diell, me indiferencën tonë dhe me pafuqinë e një shteti për t’i dhënë fund kësaj skamje e për të kontrolluar shfrytëzimin e të miturve. Diku kromi e diku lëndët narkotike, po traumatizojnë një brez fëmijësh dhe të rinjsh që do të jetë i plagosur në të ardhmen.

Pamjet e përcjella nga Mediaset-i edhe njëherë na vënë përpara përgjegjësisë të gjithë neve. Nuk mund të fshihemi e nuk mund të drejtojmë gishtin vetëm në njërën anë. Duhet të gjithë bashkë, të ulim, e përsëris, të ulim e të dorëzojmë armët e retorikës konfliktuale që nuk po çon asgjëkundi e të shkojmë drejt një aleance për të mirën e vendit dhe të fëmijëve që janë e ardhmja e vendit. Duhet tani dhe urgjentisht, të gjithë bashkë, pa humbur kohë. Këto probleme si varfëria dhe korrupsioni janë problemet e vërteta të vendit tonë, sepse aty luhet dinjiteti i qenieve njerëzore, i çdo banori të Shqipërisë. Nuk mund të lejojmë që pasurimi i pak vetëve të dëmtojë jetën e shumicës së njerëzve. Jo! Nuk është e mundur kjo gjë.

Unë si bari i kësaj zone, nuk mund ta hesht realitetin e trishtë që pashë e që shoh shpesh kur vizitoj zonat e sipërpërmendura. Mundohemi të bëjmë shumë punë me fëmijët pas shkolle duke i ndihmuar me anë të motrave dhe mësuesve vullnetarë që të rikuperojnë mësimet, sidomos me fëmijët e varfër. Kështu bëjmë ne Rrëshen e në Burrel e nganjëherë duke hasur edhe vështirësi nga jashtë. Nuk kemi asnjë interes fetar, por vetëm atë të fëmijëve e adoleshentëve që të kenë një të ardhme sa më të mirë.

Ndoshta edhe kjo video që pamë e të tjera shumë do të harrohen në krye të tri ditëve, pasi të bëjnë pak zhurmë, ose nuk bëjnë zhurmë aspak, duke qenë korja mediatike, është aq e fortë saqë vështirë të përshkohet nga këto pamje. Megjithatë ne jemi këtu dhe nuk do ta ulim zërin sa herë që të jetë e nevojshme dhe jemi të gatshëm, me gjithë mundësitë tona, që të bashkëpunojmë për të mirën e fëmijëve dhe të ardhmes së vendit tonë.

Sidomos do të ngremë zërin nga, dhe për periferitë e vendit, ato të harruarat nga shteti, OJQ, por jo nga Zoti, i cili nëpërmjet shumë njerëzve kujdeset. Nuk mund të harrohen fëmijët vetëm pse jetojnë në Bulqizë, a në Kurbnesh, në Pukë apo në Dibër e Burrel, në Mirditë apo në Tropojë e Kukës. Periferitë duhet të jenë në qendër, pasi nuk janë tepër.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Gjithë shqiptarët me epidemi.
    Pa hyrë dimri mirë qëndrat shendetësore plot me pacientë. Në verë janë ding , se nga virozat vuajnë gjindja,thonë mjekët me qetësi.Në të dyja rastet, mjeket rekomandojnë , shurup e aspirinë,shkoni në shtëpi e bëni derman tradicional.
    Plakat nuk janë më pranë votrës. Nuset moderne nuk pranuan ta trashëgojne traditën.Thuhet se një plakë në Vermosh e një Zarë,dinë të hedhin kupa në shpinë,si dukur.Nga informacionet e marra,në rrugë operative,në të dy qëndrat shëndetesore ,rregjstrat e të sëmurëve janë pothuajse bosh.Zyrtarisht, rregjistrat janë plotë,që të mos mbyllen qëndrat shendetesore respektive.
    Në biesedat me mjekët, mundohem të marr ndonjë shpjegim,për rënien e imunitetit të shqiptarëve.Dikush me seriozitet,e tjetri me humor mundohen të japin ndonjë shpjegim.Të dhënat operative i ke të sakta.Jemi mëse të bindur tërësisht.Në zonat periferike jëta ështe me shendetshme,se vjen nga: ajri i pastërt ; ushqimi bio;puna fizike. Atje ku nuk futen televizorët kombëtarë,ata janë më të shëndetshmit,ndërhyn, njëri prej tyre, me humor.
    Këto arsyetime janë bindës,por për mendimin tim ,nuk janë shterrues.O viroz, o grip, për 356 dit në vit,ulur këmbëkryq ,në çdo shtëpi shqiptare.Pse fëmijët tanë,që janë larg në emigracion,nuk i kapin këto dy epidemi?Nuk është ajri më i pastër në Milano se në Tiranë.Nuk është ushqimi më bijo në Uashigton se në Shqipëri.Nuk kujdesen,për shendetin e tyre,të huajt më shumë se ne prindërit.
    Kanë frikë fëmijët të vinë të na shohin për pushime,se gjysma e ditëve u shkon në banjo, për të shkarkuar diaretë e besdishme.Të shqetësuar i pyesim edhe ata,për shqetësimin tonë prindëror.Nga se vjen kjo epidemi,që na fëlliq me të afërm, e të largëm?
    Eshtë pluhuri në rrugë që ju hyn pa trokitur edhe në shtëpi.Në asnjë vend të botës produktet blektorale ,sado bio të jenë,nuk shiten në natyrë.Mushkonjat bëjnë qejfë në trupin e brishtë të shqiptarëve.Mizat e kanë merak të lepihen tek pjatat e gjindjes.Uji i çezmave ,edhe atje ku e ka fatin të hyj në shtëpi,nuk ka asnjë garanci për pastërti.
    – Këto,e të tjera të pa përmendura, vijnë se nuk ka shtet në Shqipëri,- e vulos djali që ka më shumë vite në emigracion.
    -E ku duket mungesa e tij,- e pyes me qesëndi.
    -Pse nuk paguani taksa shteti nuk u përgjigjet- ma kthen me vetulla të ngrysur.
    U mundova t’i mbush mendjen se nuk ka të drejtë,me këtë arsyetim.Na I morën tëra paratë e pagave apo pensioneve të vockla,që nuk e mbyllim muajin as për copën e bukës.Ju krekosa me sedër shqiptare.Çfare taksa pguajnë më shumë se unë bashkëmoshatarët në shtetin ku jetoton ti,o biri im?Me qetësi ia përmend se çfarë taksash paguan bai tij për atdhenë.TVSH është 20%.Akciza për duhan,karburant,alkool nga 40-60%.Tatimet, në; fitim ;burim;dividend,fiks 15 %.
    E kur i rreshtova taksat me rrallë,për ;televizorin kombëtarë; për pasuri katandi,që vleresohen si do Bashkija e nderuar; shkollat; tabelat;sigurimet e siguracionet; sa fut këmbën në doganë;për qiell edhe tokë; detë e bregun e tij;për pronar e administator.Për gjobat; që llogarit sistemi i mallkuar informatik i tatimeve dhe taksave;policët e shumtë në rrugë e në zyra, që të rjepin me ligj e paligj;xhepa e për informatike; avokat e shëndetësi;……
    -Mjaft baba!Të jap fjalën se nuk vi më. Mu mbush mendja se ka shtetet,por punoka pak,fare pak.- u ndamë me lot në sy,i bindur, se ka shumë mundësi ,që të mos e shoh më ,në shtëpi.

    Fatmir Lohja.

    Përgjigju ↓