KULTURË

“Vox-machina”, Sadik Spahija kthen në art mbetjet industriale

09:00 - 03.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


‘Vox-machina’ e Sadik Spahisë, nën kurimin e Edi Mukës, është ekspo-instalacion sonor me performancë nga trupa e baletit, që fokusohet në trashëgiminë materiale, konkretisht të rrënojave dhe mbetjeve industriale të fabrikave të mbyllura të para vitit 1990. Ekspozita e mbështetur nga Ministria e Kulturës u hap në 1 nëntor 2017 në mjediset e pambaruara të Skenës së Re – Turbina. Këto mbetje industriale të konsideruara nga artisti si produkt shoqëror me një kosto dhe tashmë si një dilemë ndërmjet asgjësimit dhe transformimit.
Projekti është konceptuar si një bashkëveprim i shumë faktorëve njerëzorë, ku integrohen jo vetëm eksperienca profesionale, por edhe përvoja njerëzore të mbartura në këto mbetje industriale. Gjatë ekspozimit, kompozitori Hajg Zaharjan ka krijuar një pjesë instrumentale në krijimin e tingujve organike që përkojnë me iluzionin vizual të instrumenteve muzikore monumentale, të krijuar nga relikat industriale.
“Është një punë e gjatë kërkimore edhe eksperimentale, për të sjellë afër publikut një kumt, që shqetëson shoqërojnë shqiptare sot, për ta sjellë në formë alternative, e cila nuk jep përgjigje por shtron pyetje. Shtron pyetje, që ne ia bëjmë përditë vetvetes, që gjejnë përgjigje, por përgjigjet tona janë afatshkurtra. Ideja e kësaj ekspozite është pikërisht që përpjekja dhe mundi ynë ka shpeshherë afate shumë të përkohshme, që na dëmtojnë në jetën tonë, në udhëtimin tonë të brezave”, ka thënë Spahija. Sipas tij, natyrisht që ka marrë në konsideratë një tematikë të caktuar, që ka të bëjë me sjelljen tonë karshi produktit tonë. “Tema nuk është lokale edhe nuk i takon vetëm një territori të caktuar, por është në mënyrën se si njeriu përgjatë progresit të vet, për benefitet e veta, përgjatë përdorimit të teknologjisë, lë mbrapa shumë rrënoja, shumë dëme në jetët njerëzore edhe e instaluar në territorin tonë, unë kam kërkuar pothuajse në të gjithë Shqipërinë, objekte të regjistruara në kontrata dhe në biseda të pafundme me njerëzit, për të kuptuar se si ata reagojnë karshi këtyre objekteve edhe materialeve. Edhe vetë kur jam marrë me këtë projekt kam kuptuar se brenda tyre është dendësuar një punë e pafundme, një djersë e pafundme, një djersë e bërë nga prindërit tanë dhe më përpara”, ka thënë artisti.
Kuratori Edi Muka tha se Spahija i rikuperon objektet e dënuara me harresë dhe zhdukje për të ndërtuar një reflektim mbi atë çka ato përfaqësojnë dhe çka mund të na mësojnë. “Ai ndërhyn në to duke i shtuar pjesëza qeramike, të cilat si për nga materiali i tyre (baltë e pjekur) ashtu edhe nga forma e zgjedhur i japin makinerive trajta të reja me gjymtyrë të kalcifikuara të këtyre qenieve të çuditshme, që duket sikur janë zbuluar nga gërmimet e një epoke që shtrihet diku përtej, në një mugëtirë ku e shkuara përzihet me të ardhmen e largët. I yshtur nga një kuriozitet i tij, për t’i parë ato si instrumente muzikore mbartëse të një ideologjie, Spahija kalon nga akti i rikuperimit në një akt shndërrimi”, tha Muka. Shtoi mandej se ‘Vox Machina’ e Sadik Spahisë na zhvendos në kohë përmes premtimeve të ideologjive të vjetra e të reja, që kontrolluan dhe kontrollojnë destinon tonë nga e shkuara komuniste në të tashmen globale të mjegullt e pa trajta, drejt një të ardhmeje të panjohur, ku muzgu i njerëzimit mund të shndërrohet në agimin e makinës. Turbina ka nisur “jetën artistike” akoma në ndërtim e sipër. E nisi me ‘Mediterranea 18 – Young Artists’ Biennale, ku artistët shqiptarë e ndërkombëtarë u dashuruan me format e vëllimet e skenës së Turbinës, vazhdoi me forumin Forum Rebirth Tirana/Love Difference – i Mediterranea në idenë e Cittadellarte-Fondazione Pistoletto dhe tani ky kantier hyn në një bashkëjetesë artistike me një koncept nga artisti Sadik Spahija titulluar “Vox Machine”. Ekspozita “Vox Machine”, që është ideuar për këtë skenë nga artisti Sadik Spahija, kuruar nga Edi Muka në bashkëpunim me artistë të imazhit, lëvizjes, tingullit: Gjergj Prevazi, Hajg Zaharjan, Endri Sina, Ramazan Gurra, Akreoma Saliu, Robert Nuha, Fjorald Doci, Rosella Pelliçiotti, Melissa Becovic. Qëndron e hapur nga data 1-10 nëntor 2017.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.