MILOSAO

Dritëro Agolli, historia harrohet, nëse e mallkon atë

10:17 - 06.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Shpëtim Çuçka

Vijon

18.
Poema “Baladë e re për komisarin” (1964) që në titull e ngacmon përsëri lexuesin e sotëm. E para, sepse kjo fjalë (për atë që e njeh disi italishten apo frëngjishten) shoqërohet me kuptimin “shef”, sidomos “shef policie”. Por për një lexues që e njeh të kaluarën tonë të para tridhjetë vjetëve, termi ka lidhje me një figurë të caktuar funksionari, të ngarkuar me punën politike në njësitë ushtarake, Ndokush mund të sjellë ndër mend edhe figurën e komisarit në aksionet e rinisë. Dhe fare të paktë mund të jenë ata që mbajnë në kujtesë figurën e komisarit të formacioneve partizane gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.
Jo! Duket sikur këtu nuk ka asgjë interesante, madje shumëkujt kjo fjalë mund t’i shoqërohet në mendje me një shije të pakëndshme.
Jeta ka treguar me kohë që mënyra më e mirë për ta harruar historinë, mënyra më e mirë për ta fshirë kujtesën historike të një populli, mbetet ndotja e kuptimit të fjalëve, nxirja dhe nxjerrja nga përdorimi e vetë fjalës, praktikisht mallkimi i saj. Dhe, siç dihet, është thënë që herët – pra, edhe besuar – se në fillim ka qenë fjala. Pas saj kanë ardhur edhe gjërat e dukuritë. Rrjedhimisht, forca të caktuara në historinë e njerëzimit kanë luftuar kundër përparimit duke mallkuar fjalë të caktuara, nocione të caktuara. Sigurisht, edhe duke përndjekur ata njerëz, të cilët me anë të fjalëve dhe mendimeve të caktuara sillnin idenë e asaj rruge, që të shpinte drejt përparimit.
“Balada e re për komisarin” trajton pikërisht figurën e komisarit të njësive partizane. Dhe që në vargjet e hyrjes na vjen e fuqishme thirrma e poetit:

O romantikë e atëhershme,
Mua me vete rrëmbemë,
Në ditët e ashpra, të ethshme,
Pas komisarit shpjemë,
Të flas për kuvendet e tij në shtëpitë,
Ku flaka lëpinte kusinë,
Të flas si dëgjonin të rinjtë
Dhe pleqtë si mbanin habinë…
…………………………………
O kohë e komisarëve,
mos më lërë
Të ndryshkem në mendime,
Më merr, më hidh në zheg e në erë
Të viteve plot gjëmime!…

Sot njerëzit e kanë të vështirë të përfytyrojnë, pa le t’u duket romantik, një mjedis të tillë, ku flaka e zjarrit në vatër bën dritë duke lëpirë njëkohësisht kusinë e varur mbi zjarr, ku është vënë gatesa e thjeshtë e një shtëpie të thjeshtë. Dhe merret lehtë me mend që një thirrmë e tillë e poetit si ajo më sipër, një ndjeshmëri e tillë, nuk është fare e besueshme sot, kur njerëzit e kanë më të lehtë të besojnë te lloj-lloj piramidash të mendimit e të veprimit, në të vërtetë lloj-lloj piramidash të mashtrimit. Mashtrohen dhe përsëri besojnë te mashtrimet e radhës!…
Ja, kështu ka humbur në shekuj përvoja e brezave njerëzorë. Ka humbur me vullnetin dhe në interes të atyre shtresave, që nuk e dëshirojnë kurrsesi përparimin e gjithë shoqërisë, por vetëm mirëqenien e tyre. Kjo është gjithë e vërteta e shkaqeve dhe arsyeve se përse njerëzimi në drejtim të marrëdhënieve shoqërore ka ecur më ngadalë se kërmilli.
Dhe për shkak të vrasjes së komisarit poetit i dolën nga zemra vargjet:

Ne nga poetët e tjerë ndryshojmë…
Ndodhka kështu në jetë:
Më parë mësuam me plumb të qëllojmë,
Pastaj u bëmë poetë!

Në këtë poemë-baladë prej rreth 250 vargjesh është gdhendur me anë të fjalës historia e dhembshme e luftës së një populli për lirinë e atdheut dhe flakjen e shfrytëzimit shoqëror, flakjen e mjerimit shumëshekullor.
Kjo poemë-baladë nuk kërkon asgjë nga ata lexues, që nuk janë mësuar të mendojnë dhe të gjykojnë pa paragjykime në kokë. Ajo nuk është një libër i thjeshtë për të mitur. Është një himn i gërshetuar me dhembje për heroizmin e njerëzve të drejtë, ëndrra e të cilëve nuk ka qenë mirëqenia vetjake por e mira e të gjithë bashkatdhetarëve të shtypur e të shfrytëzuar jetë e mot.     Sa për miturinë njerëzore dhe luftën për dije Kanti ka shkruar diçka të hollë:
“Iluminizmi është dalja e njeriut nga mituria e tij fajtore. Mituri është pafuqia për të përdorur arsyen tënde pa udhëheqjen e një tjetri. Dhe ajo është fajtore, kur ka për shkak jo mangësinë e aftësisë intelektuale, por mungesën e vendosmërisë dhe të guximit për ta përdorur atë pa udhëheqjen e një tjetri. Sapere aude1: guxo ta përdorësh arsyen; kjo është parrulla e iluminizmit”.
Kambana e Dritëro Agollit u ka bërë thirrje të gjallëve.

19.
Një fshatar rreth 15 vjet më i moshuar se D. Agolli mbante mend se besimi i tij te feja ishte shembur gjatë viteve të luftës në rrethana në dukje të zakonshme, që nuk kishin të bënin me ndonjë kurs të veçantë mësimor, por me zbulimin në praktikë se ç’përmbante një seli besimi, ku atij i kishte qëlluar për vite me radhë, si edhe bashkëfshatarëve të tjerë, të falej duke mbështetur ballin përdhe.
Poema “Rebelimi i parë” nuk ka datë, por nga renditja në vëllimin poetik “Poezi” na krijon bindjen se është shkruar rreth vitit 1967. Dhe titulli i saj është shumë domethënës. Është historia në vargje e thyerjes së besimit fetar në shpirtin e një të riu, të rritur si të gjithë parardhësit dhe bashkëkohësit në të tillë klimë nderimi ndaj babait të teqesë, ndaj njeriut të fesë:

Dhe dridhmat më dridhnin kur dilte në arë.
Parmendën gjyshi linte plot temena,
Ulej në brazdë në gjunjët e vrarë:
Hejvallah,
hejvallah,
hejvallah!

Dhe mua më shtynte: shko puthi dorën,
Se nxehet babai e gruri s’na piqet,
Se nxehet babai e kokërr nuk korrim,
Se nxehet babai dhe plevica na digjet!
………………………………………..
Dhe unë me vrap në brazdë pengohesha
Gjersa t’ia puthja dorën babait,
Me hundë në plisa rrëzohesha:
Hejvallah,
hejvallah,
hejvallah!
…………………………………………
Eh, rebelimi i parë ndaj zotit
E nxehu gjyshin e shkretë…
Kjo ndodhi qëmotit
Në brazdat e arës tek ngisnim qetë…
Aherë dhe nënën përfshiu rebelimi
Dhe mbajti me mua një krah,
Dhe s’foli më fjalë trishtimi:
Hejvallah,
hejvallah,
hejvallah!

Sa joserioze, në të vërtetë qesharake, tingëllojnë sot fjalët, fjalimet, shkrimet e studimet për lirinë e fjalës e të besimit, për sa e sa liri të tjera! “Harrohet” liria e mendimit, liria e gjykimit, liria e botëkuptimit (ç’vlerë ka liria e fjalës pa lirinë e botëkuptimit??). “Harrohet” e drejta e njerëzve për dije, për dituri, për ta parë jetën drejt, pa shtrembërime (ndryshe si mund t’u bëhet thirrje njerëzve të besojnë që e shtrembra është e drejtë dhe anasjellas??). Po sikur vetë jeta të jetë e shtrembër? Po kur në të vërtetë vetë jeta e tillë është, e shtrembër? Dhe ç’mbetet pastaj: t’u bëhet thirrje njerëzve që të besojnë se kjo jetë është e pandreqshme dhe se e mira është vetëm në një jetë përtej varrit? Dhe t’u vënë veshin disa njerëzve të caktuar vetëm e vetëm për arsyen se këta njerëz vishen ndryshe nga gjithë njerëzit e tjerë dhe e paraqesin veten si të veçantë, krejt të veçantë, përderisa ditkan ca gjëra për jetën dhe përtejjetën, që të tjerët – pavarësisht se ç’janë, ç’shkolla kanë mbaruar e ç’njohuri kanë fituar – nuk i dinë?
Kësaj i thonë rrugë e verbër, rrugë pa krye. Rrugë e verbër në mendime, pra, rrugë e verbër në jetë. Se verbëria në mendime lind nga verbëria në jetë, nga një jetë e verbër.
A e kemi të qartë vallë se ku ishim dhe ku arritëm?

20.
Përgjithësisht në krijimet e D. Agollit thelbi, sipas një shprehjeje të Gëtes te “Fausti”, shquhet që në emër, domethënë që në titull. Poema “Toka ime, kënga ime” është një tjetër shfaqje e madhe e besimit poetik, botëkuptimor, thjesht jetik, të Dritëro Agollit, një shprehje e shkëlqyer e letërsisë së madhe, e cila është e tillë, kur mban parasysh jetën e pjesës më të madhe të njerëzve të një shoqërie, e asaj bashkësie të madhe dhe vendimtare në histori, e cila quhet popull.
Ndaj kur i drejtohet tokës, D. Agolli i drejtohet burimit kryesor të jetës së njeriut, të jetës së popullit. Dhe sot, kur me tokën bëhet batërdia, poema e D. Agollit është e barabartë me një varg shuplakash që bien mbi fytyrën e pushtetit. Ashtu sikurse përbën një varg qortimesh të rënda për ne bijtë e kësaj toke e të këtij vendi, që lejuam të bëhet batërdia me dheun mëmë dhe që shpesh morëm pjesë në batërdisjen e tokës.
Le të shikojmë si e nis poemën e tij për tokën Dritëro Agolli:

Tokë e dashur,
ka tridhjetë e pesë vjet që diçka ke kërkuar nga unë,
Tridhjetë e pesë vjet,
që kur kam hedhur të parët hapa.
Kur bija mbi ty e vrisja duar e gjunjë,
Ti thoshe: s’ka gjë, biro, vritu e mos u kthe prapa!
……………………………………………………..
Ç’bëra unë për ty? Lërova, mbolla e korra
E shumë u mundova të të krihja me krehër fisnikërie:
Me duart e mia të vrava rrënjët e liga, t’i nxora
E thitha nga ti avuj dashurie.
Edhe kur më mërzitnin plugu, parmenda,
S’të shava, se ati im, pastë ndjesë,
Kurrë s’të shante e kurrë s’të thoshte fjalë të rënda,
Po ulej në gjunjë, të puthte i mbytur në djersë.

Lexuesve të sotëm – pse jo, duke nisur nga mosha e shkollës – nuk do t’u bënte keq të njiheshin me këto vargje e plot të tjera si këto, të shkruara nga D. Agolli për tokën, për dheun. Ndoshta nesër qëndrimi i tyre ndaj tokës do të ndryshonte. Ndoshta! Ose, të paktën, kjo do t’u shërbente si një dëshmi reale (jo si sa e sa gënjeshtra të shitura si dëshmi reale!) se si ishte parë toka nga paraardhësit e tyre, se si ishte trajtuar ajo. Pastaj le të bënin – nëse do të piqeshin nga pikëpamja shoqërore e kur të piqeshin – një krahasim me veten. Jam i bindur se pendesë më të thellë se ajo, që do të provonin pas këtij krahasimi, nuk do të ndienin kurrë!
Shkruan D. Agolli:

Tokë e dashur, unë s’mund të të lija djerrë.
Dhe, në ika me revolucionin mes shiut dhe dëborës,
Dhe, në ndërrova ca vite parmendën me maliherë,
E bëra këtë që ty të të mbaja pastaj në pëllëmbë të dorës.
…………………………………………………………….
E çfarë s’kam bërë për ty, tokë e dashur?
Unë shkrepat i shtyva në këmbët e malit me supa.
– Shtyhuni pak, or byrazerë!, – u thashë –
E hapni udhën të kalojë buka! –
……………………………………….
E mbajta për çdo rast maliherin pranë
Dhe vezmen e mbushur nën kokë.
Se s’dua të merresh nëpër këmbë prapë,
Të mbetesh djerrë, o tokë!
Vetëm ai, që ka thithur avuj ugari,
Kupton se ç’do të thotë djerrë!
Djerrë do të thotë trishtim fshatari,
Trishtim që zvarritet ferrë më ferrë…

E dinë vallë sot banorët e vendit tonë se ç’do të thotë fjala “djerrë”? E dinë ata që shkuan të punonin tokën në vende të tjera duke lënë shkretë tokën e tyre? Po njerëzit e politikës e dinë? D. Agolli shkroi për këdo që di të lexojë. Dhe për këdo që dëshiron të lexojë. Por nuk shkroi për ata që nuk dinë a nuk duan të lexojnë, nuk shkroi për ata që dinë të flasin edhe pa lexuar asgjë.
Shkruan D. Agolli:

Tokë e dashur, ti diçka ke kërkuar nga unë:
“Ndryshomë, o biri im!”, – më ke thirrur nga grykat e maleve.
E gërxhe përmbysa e ngrita diga në lumë
E u vura plugjet zalleve.
…………………………
Tokë e dashur, më ra shorti i bujkut e shorti i poetit:
Lëroj arë me plug e lëroj kartë me pendë,
……………………………………………
Dhe gati kam qenë përherë
Të vadit kërcellin e grurit me djersë e gjak.
…Ndaj kur sytë të mbyll diku në ndonjë brazdë,
Do doja të më mbështillje me qilimat e kaltër të tu
E të merrje me fyell një kaba të lashtë,
E t’u thoshe udhëtarëve: “Fle biri im këtu!
Fle këngëtari i ugarit
I brazdave dhe zogjve!…”.

Mbyllet këtu poema “Toka ime, kënga ime”. Pamja sot e tokës shqiptare nuk ndjell asnjë kënaqësi, asnjë gëzim. Sa shpërdorime, sa keqpërdorime, sa shkatërrime! Ndoshta prandaj asaj nuk i kushton më asnjeri ndonjë poemë. Ç’poemë  të shkruhet? “Poema e shkatërrimeve”? Dhe shoqëria jonë sot, meqë nuk arrin të nxjerrë dikë që t’i kushtojë frymëzimin e tij poetik temës së tokës, dikë që t’i kushtojë asaj vargje dashurie në emër të vetes, pale më të të gjithë banorëve, kjo shoqëri, e cila ka lejuar në realitet një poshtërim të pashembullt të vetë tokës, arrin natyrisht të nxjerrë disa njerëz që ngrenë dorën mbi figurën e D. Agollit. A ka simbolikë më të dhembshme dhe më poshtëruese për ne, që jetojmë në kohën, kur toka shpërdorohet e shkatërrohet dhe kur këngëtari më i madh i tokës në histori të Shqipërisë sulmohet?

21.
Marrëdhëniet shoqërore!… Temë e gjerë! Temë e trajtuar nga studiues të shumë fushave, për shekuj e shekuj. E trajtuar mbarë e prapë, kryesisht si çështje teorike, si çështje leksionesh, kumtesash, artikujsh. Rrallëherë e trajtuar si çështje praktike, si çështje që prek drejtpërdrejt jetën e njerëzve, jetën e shoqërisë, dhe trajtimi i së cilës ndikon në qëndrimin në vend të shoqërisë ose përparimin e saj.
Poema “Baladë e ashpër” e vitit 1968 merr dhe trajton poetikisht këtë temë të madhe praktike, merr dhe trajton një anë tejet të rëndësishme të kësaj teme: çështjen e dashurisë dhe të martesës me dashuri.
Sot tema të ditës janë bashkëjetesat mes njerëzish të dy gjinive (por edhe të të njëjtës gjini). Sot nuk flitet më për dashurinë, nuk flitet seriozisht për dashurinë. Ato që ndeshen faqeve të shtypit mund të quhen fare mirë modë dashuriçkash, të cilat anojnë pothuaj tërësisht nga marrëdhëniet seksuale, sepse ky edhe është kryesisht drejtimi që u jepet marrëdhënieve të dashurisë.
Sot shoqëria nuk interesohet për marrëdhëniet shoqërore, veçse kur ato kalojnë në vepër penale. Shoqëria në të vërtetë nuk kujdeset as për lidhjet e njerëzve, as për mbrojtjen e këtyre lidhjeve nga grackat dhe pusitë e një jete pa bosht e pa drejtim, ku ka vetëm një metër, një normë, një kanun: fitimi.
Shqipëria e fëmijërisë dhe e rinisë së D. Agollit e kishte trashëguar nga shekujt martesën me mblesëri, domethënë martesën si kontratë ekonomike, si puqje interesash lëndorë, ku vullneti i njeriut të veçantë ishte pothuaj i barabartë me zero.
Dhe vargjet e poemës “Baladë e ashpër” ngrenë pikërisht këtë anë të mprehtë të lidhjes mes dy njerëzve me synimin për të krijuar familje:

Po për cilin të stolisin
vallë,
Me gërshërë,
me këna
e bojë,
Me të kuq e me “flori” në ballë,
Me këpucë e me fustan të hollë?
Ç’mund të thuash
vajzë e xha Agushit,
Dhëndrin tënd ti kurrë s’e ke parë!
Derdhu sofrës ti raki e rrushit,
Plas në vend gërnetë e palarë!

Ej, pa ty s’e nisim ne makinën,
Nuk të lëmë shtigjeve të liga,
Krushqit do t’i ndalim, kur të vijnë
Gërxheve me lisa e boriga,…
………………………………
Ndofta kjo nuk është aq e hijshme,
Duhej jeta ta dërrmonte ndryshkun
Dhe ta shkundte egër e furishëm,
Siç shkund era nëpër lisa myshkun;…
…………………………………………
Më vjen keq të shkruaj këto vargje,
Vargje me mërzi e dhembje thurur!
Xha Agush i ngrysur me mustaqe,
Ti në vjersha duhej të ishe mburrur!
Po ti mbahesh prapë në botën tënde,
Botën s’do ta prishësh,
s’do ta ndërrosh!
………………………………………………
Ç’e zhubros fustanë e nusërisë
Vajza më e bukur e Agushit?
……………………………….
Ne e dimë,
s’mund të rrish në kullë,
Kënga jonë hyn nëpër dritaret,
Të thërret të vish në hekurudhë,
Të thërret sirena në binarët.

Ka një lidhje ndërmjet temës së martesës si hap tejet i rëndësishëm në jetën e njerëzve, pra, edhe temës së dashurisë si kusht për realizimin e një lidhjeje sa më të mirë mes tyre, dhe temës së poemës “Rebelimi i parë”. Pak më sipër prekëm çështjen e së drejtës së fjalës dhe nënvizuam faktin që sot kjo çështje nuk lidhet me çështjen e së drejtës dhe lirisë së njerëzve për të pasur mendime, gjykim dhe botëkuptim, me çështjen e detyrimit të shoqërisë për t’i edukuar qytetarët me aftësinë e të menduarit shkencor, e të pajisurit të tyre me një botëkuptim sa më të plotë e shkencor. E drejta për të pasur mendime, gjykim dhe botëkuptim nuk trajtohet në teoritë e sotme shoqërore, nuk është objekt i përcaktimeve ligjore, dhe në realitetin shoqëror nuk ekziston.   Rrjedhimisht, njerëzit e zhveshur nga e drejta për mendim, gjykim e botëkuptim, janë të zhveshur edhe nga e drejta për të vendosur lirisht e në mënyrë të ndërgjegjshme për fatin e jetës së tyre të ardhme.
Këto ishin çështje të mprehta jo vetëm për vitet ’60 të shekullit të kaluar. Në vitet ’60 ajo gjë e re që ndodhi për herë të parë në mënyrë mbarëshoqërore në Shqipëri ishte se çështja e fatit të martesës u cilësua para së gjithash si çështje e vullnetit të vetë njerëzve që hynin në lidhje martesore. Dhe shoqëria i dha zgjidhje kësaj çështjeje të madhe duke u hapur rrugën marrëdhënieve të drejta, të barabarta e të ndershme në çift.
Edhe këtë arritje të madhe të asaj epoke koha e sotme e përfoli duke e parë çlirimin e personalitetit njerëzor si blasfemi e si mashtrim. Koha e sotme mund të mburret vetëm që solli dhe përhapi dukurinë e fëlliqur të shitjes së femrës për qejfet e njerëzve të shthurur, domethënë të njerëzve me shumë para. Në këtë mënyrë ajo mori mbi vete vulën e turpit historik që nëpërkëmbi dashurinë dhe familjen, që nëpërkëmbi fatin e vajzave dhe fëmijëve.
Përsëri një poemë-pasqyrë e D. Agollit, që i vihet kohës së sotme përpara syve dhe në këtë mënyrë i bën krijimet e tij të pakëndshme, të padëshirueshme, të pabotueshme, të papopullarizueshme. Kjo është e vërteta. Çështje tjetër, pastaj, se ç’arsye mund të nxirren për të mbuluar arsyen e vërtetë. Dhe si gjithnjë, kur nuk duan të dalin hapur, argumenti më i fortë i përdorur është thjesht…heshtja!!

vijon

1-(lat.) Merr guximin të mësosh!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.