MILOSAO

Poezi nga Derek Walcott (1930-2017)

10:14 - 06.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




I lindur në ishullin Saint Lucia, një ish koloni britanike në Inditë Perëndimore në Karaibe, poeti dhe dramaturgu Derek Walcott ndoqi studimet fillimisht për pikturë por iu kthye letërsisë që në rininë e tij. Vepra e tij e parë që i siguroi njohje ndërkombëtare ishte përmbledhja e poezive “In a Green Night: Poems 1948-1960 (1962) (Në një natë të gjelbër), një libër që sjell Karaibet dhe historinë e tyre si dhe thellohet në plagët e kolonializmit dhe neokolonializmit. Përmes një karriere të gjatë dhe të shquar, Walcott iu rikthye vazhdimisht temave të tij të gjuhës, fuqisë dhe vendit. Më 1992, Walcott fitoi Çmimin Nobel për Letërsi me motivacionin ‘një vepër poetike plot shkëlqim, që mbështetet në një vision historik dhe është produkt i një angazhimi multikulturor”. Që nga vitet 50 të shekullit të kaluar, ai e ndante kohën ndërmjet Bostonit, Nju Jorkut dhe Saint Lucia dhe ka punuar për shumë kohë si pedagog në Columbia University, Yale University, Rutgers University, dhe Essex University në Angli.
Walcott ishte një dramaturg i njohur gjithashtu. Më 1971, ai fitoi çmimin Obie Aëard për dramën e tij “Dream on Monkey Mountain” (Ëndrra në Malin e Majmunit).

Nga Derek Walcott*

Dashuri pas dashurie
Do të vijë koha
kur me një gëzim të papërshkruar
do të përshëndesësh veten teksa mbërrin
tek dera jote, në pasqyrën tënde
dhe secili do të buzéqeshë për ardhjen e tjetrit

dhe të thuash, ulu këtu. Ha, pi.
Dhe ta duash përsëri té panjohurin
që ishte vetja jote.
T’i japësh verë, bukë. T’i japësh zemrën tënde
kësaj vetje, të panjohurit që të ka dashur.

të gjithë jetën, të cilin e ke shpërfillur
për një tjetër, ai që të njeh përmendësh
Merri letrat e dashurisë nga rafti,

fotografitë, shënimet e dëshpërimit,
qëroje imazhin tënd nga pasqyra.
Ulu. Gëzoju jetës tënde.

Grushti
Grushti shtrëngohet rreth zemrës time.
Lirohet pakëz dhe i hap pak sytë
por ai shtrëngohet përsëri.
Kur nuk e kam dashur
dhimbjen e dashurisë? Por ky e ka kthyer

dashurinë e shkuar në mani. Ka mbërthimin
e fortë të një të çmenduri, kjo është
kapja pas tehut të paarsyeshmes, përpara
se të zhytet me ulërimë në humnerë.

Mbahu fort zemër. Kështu të paktën ti jeton.

Vdekja e një qyteti nga zjarri
Pasi puritani i ekzaltuar rrafshoi gjithçka përveç qiellit të kishëzuar
shkrova historinë prej dhjami të vdekjes së qytetit nga zjarri
nën një dritë qiriri, që tymoste në lotë,
Doja të tregoja, në më shumë sesa dyll, besimet që u thyen si teli.
Gjithë ditën eca jashtë në mes të rrëfenjave të gërmadhave
I tronditur nga secili mur që qëndronte në rrugë si gënjeshtar;
Lart ndrinte qielli i zogjve të gurëzuar, të gjithë retë ishin dengje
të shqyera nga plaçkitja dhe të bardha pavarësisht nga zjarri.
Pranë detit të vagëlluar ku Krishti ecte, unë pyesja veten pérse
duhet që një njeri të derdhë lotë, kur bota e tij e pyllit dështon?
Në qytet, gjethet ishin letra por kodrat ishin një grumbull besimesh;
për një djalë që ecte gjithë ditën, çdo gjethe ishte një frymë e gjelbër
Të rindërtosh një dashuri, mendova, ishte aq e pamundur sa
të bekosh vdekjen dhe pagëzimin nga zjarri.

Mes vere, Tobago
Plazhe të gjera ku piqet guri.

Vapë e bardhë
Lumë i gjelbër

Një urë,
palma të përcëlluara të zverdhura

Nga shtëpia e gjumit të verës
duke u kotur në gusht

Ditë që kam fiksuar,
ditë që kam humbur,

Ditë që rriten, si bijat,
krahë që më mbajnë.

Një klithmë e largët nga Afrika
Era valëzon gëzofin e mushkëllyer
të Afrikës, Kikuyu , të shpejtë si mizat,
zdrahen në rrjedhat e savanës.
Kufoma të shpërndara si në një vend parajse
vetëm krimbi, koloneli i kërmës, klith:
Nuk shpreh asnjë dhembshuri mbi këta të vdekur të ndarë!
Statistikat justifikojnë dhe studiuesit nxjerrin
veçoritë e politikës koloniale.
Çfarë po i ngjet fëmijës së bardhë të capërlyer në shtrat?
të egërve, të përdorurve si hebrenjtë?
Të bërë shoshë nga rrahjet, turret e gjata ndërpriten
nga pluhuri i bardhë i ibises , klithmat e të cilëve
na kanë shoqëruar që nga agu i qytetërimit.
Nga lumi i tharë apo pllaja që gëlon nga bishat
dhuna e bishës mbi bishën kuptohet
si ligj i natyrës, por njeriu i drejtë
e kërkon hyjnizimin nga dhimbja e pësuar.
Delirante si këto bisha nervoze, luftërat e tij
hovin drejt plëndcit të tendosur të daulles
ndërsa bën thirrje për guxim, ende ajo frikë e brendshme
e paqes së bardhë i ka hyrë në palcë nga të vdekurit.

Përsëri nevoja brutale i fshin duart
me pecetën e një kauze të ndyrë, përsëri
një humbje e ndjeshmërisë tonë, si me Spanjën,
gorilla përleshet me supermenin.
Unë që jam i helmuar me gjakun e të dyve,
nga t’ia mbaj, i përçarë në vena?
Unë që kam mallkuar
oficerin e pirë të sundimit britanik, si të zgjedh
ndërmjet kësaj Afrike dhe gjuhës anglishte që dua?
T’i tradhëtoj të dyja, apo të kthej çfarë ata më japin?
Si mund të rri përballë kësaj kasaphane dhe të jem gjakftohtë
Si mund të kthehem nga Afrika dhe të jetoj?

Blues
Ata pesë apo gjashtë të rinj,
që po hanin drekë, të kërrusur,
në atë natë vere saç të nxehtë
më fishkëllyen. Të këndshëm
dhe miqësorë. Kështu unë ndalova.
MacDougal apo Christopher,
rrugë në vargonjtë e dritës.

Një festival vere. Apo një ditë
shenjti. Nuk isha shumë larg
shtëpisë, por jo me shumë dritë
për një nigger3, as shumë e errët
Kuptova se ishim të gjithë një,
uop4, nigger, cifut, përveç kësaj,
aty nuk ishte Central Park5
A po krekosem shumë?
E kuptoni drejt!
Ata e rrahin këtë nigger të verdhë,
të zi dhe të trishtuar.

Po. Gjatë gjithë kësaj skene, i trembur,
njëri përdori një thikë.
Unë vara pallton time të sapoblerë
sportive, jeshile në ulli
në një reklamë të ndriçuar.
Nuk bëra asgjë. Ata luftonin
me njëri-tjetrin, me të vërtetë.
Jeta u jepte ca shqelma.
Kjo është e gjitha, thika, hanxharë!

Fytyra ime e copëtuar, filxhani im i përgjakur
duke u derdhur. Xhaketa ime me degë ulliri
shpëtoi pa u grisur.
U zvarrita katër shkallë përpjetë
duke u kapur në një ulluk uji.
Kujtoj disa roje që ma bënin me dorë
duke thirrur, dhe nënën e një fëmije duke klithur
si “Jackie’ apo “Terry”
‘Mjaft më tani”
Kjo nuk është asgjë, vërtet
Ata nuk marrin mjaft dashuri.

Ju e dini, ata nuk do t’ju vrasin.
Vetëm luajnë keq,
sic bëjnë të rinjtë amerikanë.
Por kjo më mësoi mua diçka
rreth dashurisë. Është e mundimshme.
Harroje atë.

Pas stuhisë
Kaq shumë ishuj!
Aq shumë ishuj sa ka yje natën
në atë pemë nga e cila tunden meteorët
si frutat që bien përreth Schooner Flight6.
Por gjërat duhet të bien, kështu ka qenë gjithmonë,
në njërën anë Venusi, në tjetrën Marsi;
bien dhe janë një, tamam siç kjo tokë është
një ishull në arkipelagun e yjeve.
Miku im i parë ishte deti, tani ai është i fundit.
Pushoj së foluri tani. Punoj, pastaj lexoj,
nën dritën e një feneri të varur në direk të anijes.
Përpiqem të harroj çfarë ishte lumturia
dhe kur nuk mundem, studioj yjet.
Nganjëherë jam vetëm unë dhe valët e shkumbëzuara
ndërsa kuverta bëhet e bardhë dhe hëna del nga një ré
si nga një derë dhe drita sipër meje
është një rrugë në dritën e hënës që më çon në shtëpi.
Shabina këndonte për ju nga thellësitë e detit.

Natën në kopshtet e Portit të Spanjës

Natën, vera e zezë i thjeshtëzon aromat
në fshat, mendon të paimagjinueshmen.

Myshku i zezakut, fshihet si djersa,
rrugicat kundërmojnë guackat e gocës së detit

Portokaj të vyshkur ngjyrë ari, mangallë me pjepër
Tregtia dhe dajret e shtojnë vapën.

Zjarr ferri apo bordell kur kalon në Park Street
Tallazi i baticës në fytyrën e marinarit ka kaluar

me fosforeshencën e detit, dritat e një klubi nate
feksin si xixëllonjat në flokët e saj të trashë.

Të verbuar nga dritat e makinave, të shurdhët nga boritë e taksive,
ajo ngre fytyrën nga llamba e dobët e karbitit të zi

drejt yjeve të bardha, si qytetet, neonet vezulluese
që digjen për t’u bërë kurva si ajo.

Në agshol, hamalli e kthen qerren
e arrave të vjedhura të kokosit drejt shtëpisë.

*Përktheu Kujtim Morina
(Footnotes)
1 Grupi më i madh etnik në Kenia
2 Shpend uji në vendet tropikale
3 Nigger, emërtim pezhorativ për afrikanët.
4 Një fjalë shumë fyese për një person nga Evropa jugore vecanërisht për italianët
5 Parku Qëdror në Nju Jork.
6 I referohet një poeme të Walcott me subjekt udhë
timin e një burri (Shabine) me anije rreth Karaibeve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.