OPINION

Mbi tri data që ndryshuan historinë

07:32 - 07.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Nga dr. Jorgji KOTE

 

Është fjala për tri data historike ngjitur me njëra-tjetrën, datat 7, 8 dhe 9 Nëntor që ndryshuan historinë.

Plot 100 vjet më parë, më 7 Nëntor 1917 Revolucioni i Madh Socialist i Tetorit përmbysi kapitalizmin në 1/6 e globit. Moska u bë për një kohë të gjatë «Meka» e komunizmit dhe vend pelingrinazhi për mijëra njerëz të thjeshtë, politikanë dhe artistë planetarë me emra tingëllues. Shumica prej tyre u kthyen me pesimizëm, por zhgënjimi më i madh do të vinte më vonë, kur në vend të barazisë dhe një jete më të mirë u përmbys gjithçka dhe vendi u përgjak nga dhuna, ekzekutimet masive, internimet dhe skamja e papërshkruar për dhjetëra miliona.

Ka dhe analistë dhe ekspertë që nënvizojnë se ai revolucion nisi mbrapsht, si zbatim i Manifestit Komunist nisi mbrapsht, sepse, sipas Marksit, që e bënë pa të drejtë Profet, se vetëm i tillë nuk mund të ishte, revolucioni socialist mund të shpërthente njëherazi vetëm në disa vende të zhvilluara kapitaliste, si në Angli, Francë apo Gjermani. Madje, Raoul Peck, producent i njohur kinematografik që ka studiuar Marksin për 4 vjet në Universitetin Humbold në Berlin, pohon se «po të ishte gjallë, ai do të ishte i pari që do të pushkatohej nga bolshevikët».

Ishte Lenini që «pasuroi» doktrinën e Marksit me tezën se revolucioni mund të triumfonte dhe në një vend të vetëm, të madh dhe të prapambetur si Rusia». Do thënë se bolshevikët shfrytëzuan mjeshtërisht krizën e rëndë në Rusi, disfatën e saj ushtarake në Luftën e Parë Botërore, gabimet e Carit, të qeverisë së përkohshme të asaj kohe dhe faktorë të tjerë. Ish-Bashkimi Sovjetik tentoi ta eksportonte revolucionin bolshevik në shumë vende të Evropës, duke filluar nga Gjermania. Gjithsesi, do të ishte fitorja ndaj nazizmit gjerman, bashkë me SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe popujt liridashës që mundësoi Stalinin dhe ish-BS të shtrinte kthetrat e sundonte gjysmën e Evropës, krahas vendeve të tjera si në Kinë e gjetkë.

Në Shqipëri, revolucioni bolshevik «erdhi» më 8 Nëntor 1941, me krijimin e PKSH-së në Tiranë. Ashtu si në rastin e bolshevikëve rusë, komunistët shqiptarë veç të tjerash përfituan shumë nga gabimet e kundërshtarëve politikë dhe mbështetja e aleatëve perëndimorë. Dihet tashmë se si regjimi komunist i Tiranës zbatoi një vijë shumë më të ashpër se “mësuesit  e saj”. Përditë dalin fakte dhe të dhëna të reja, që tregojnë egërsinë e pajustifikueshme të atij regjimi, ndjekjen, persekutimin dhe ekzekutimet e shumta për një vend të vogël si i yni. «Tirana e Kuqe» shkoi dhe më larg, duke pretenduar të bëhej «vendi i vetëm i vërtetë dhe fanar i socializmit në botë». Veç të tjerash, ajo u nda për arsye ideologjike nga aleatët e saj të mëdhenj, BS dhe Kina, u «ftoh» me të ashtuquajturat «vende revizioniste lindore» mohoi ndihmat dhe kreditë e huaja, duke e mbyllur vendin në një vetrrethim absurd me pasoja tragjike.

Dihet se si ish-BS-ja përdori të gjitha mënyrat dhe metodat për të mbajtur në këmbë sistemin socialist në ish-BS dhe në vendet «satelite»- bllokada ekonomike, presione e shantazhe ushtarake, pushtime të tipit fashist, me topa, tanke dhe qindra-mijëra ushtarëve sovjetikë dhe së fundi me Murin e Berlinit, këtë megaimpiant absurd të ndarjes dhe izolimit.

Për fat të të mirë, komunizmi nuk e pati jetën e gjatë. Nuk ishte thjesht koincidencë historike që në një ditë tjetër të shënuar, më 9 Nëntor 1989 shembja emblematike e Murit të Berlinit ribashkoi Gjermaninë dhe bashkë me të gjithë Evropën; kjo ditë shënoi dhe procesin përfundimtar të rrëzimit të regjimeve totalitare në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Në Shqipëri, Muri i Berlinit ra pak më vonë, më 8 Dhjetor 1990, me njohjen e pluralizmit politik dhe ekonomisë së tregut.

Arritjet gjatë 27 vjetëve të fundit kudo në Evropë janë të njohura, të shumta dhe të pamohueshme, sidomos në fushën e integrimit Eruro-Atlantik. Por, siç po vihet me të drejtë në dukje nga shumë ekspertë dhe analistë, edhe zhgënjimi nuk është i vogël. Sepse Evropa është ende larg entuziazmit dhe frymëzimit që shkaktoi ai 9 Nëntor.

Kështu, Gjermania e bashkuar vërtet është kampione e demokracisë dhe «lokomotivë» e ekonomisë botërore, por, pjesa e saj lindore eshtë ende shumë larg afrimit me nivelet social-ekonomike të pjesës tjetër. Sipas disa sondazheve të fundit në Gjermani, shumica e popullsisë në landet lindore pohon se rënia e Murit të Berlinit ishte gjë e mirë; megjithatë, sipas tyre, atëherë jetohej më mirë. Nuk është rastësi që në të gjashtë landet lindore prej kohësh qeverisin bashkë me social – demokratët “Të majtët” e ish-Partisë Komuniste; ndërsa në zgjedhjet e parlamentare të muajit shtator, për herë të parë në 70 vjetët e fundit hyri në Bundestagun gjerman me 98 deputetë Partia ekstremiste Aleanca për Gjermaninë. (AfD)

Duke shkuar pak më tej, katër vende të ish- bllokut komunist, të cilat kanë qenë në pararojë të shembjes së mureve ndarëse dhe aderimit në BE, tashmë po krijojnë «Bllokun populist» brenda BE-së, së bashku me forca të tjera ekstremiste në disa vende perëndimore. « Perdja e hekurt» dhe komunizmi janë zëvendësuar tashmë me plot «izma» të tjerë po aq, në mos më të rrezikshëm – populizmi, nacionalizmi, ekstremizmi, separatizmi, fondamentalizmi, terrorizmi, racizmi, etj. Rendi dhe siguria në botë po kërcënohen dita-ditës nga dhjetëra kriza të shumta financiare, luftëra rajonale, krizat e azilit, sulmet terroriste, demonstrimet e forcës duke përfshirë dhe atë bërthamore; papunësia, sidomos te rinia, varfëria ekstreme, dhuna, shtrëngimet e vazhdueshme financiare ose austeriteti, siç njihet, e kanë bërë jetën më të pasigurt dhe kanë shtuar ndjeshëm pabarazinë shoqërore.

Vetë BE-ja është tronditur rëndë nga disa kriza, së fundi ajo e Brexit dhe po mundohet të reformohet e të mbrojë identitetin e saj, që të mos ketë fatin e perandorive të mëparshme; ndryshe nga entuziazmi i disa viteve më parë, ajo po ndeshet me një lodhje të dyfishtë e me pasoja – vendet anëtare nga zgjerimi kurse ato kandidate nga padurimi.

Këto dukuri dhe fenomene shihen më qartë edhe në vendin tonë, duke zbehur jo pak mjaft hapa dhe arritje pozitive në të gjitha këto fusha. Katalogu ynë i ri «demokratik» është plot sfida dhe pengesa të tjera serioze, si krimi i organizuar, korrupsioni galopant, kërcënimet ndaj rendit dhe sigurisë, dhuna në familje, kanabizimi dhe së fundi, por më i rëndësishmi, mungesa e drejtësisë. Fjalët e reja në fjalorin tonë të përditshëm si dekriminalizimi, vetingu, etj. janë dëshmia më e qartë e dështimit të këtij komponenti përcaktues të demokracisë. Më tej, dihet se dyndja e mijëra shqiptarëve drejt ambasadave për azil më 2 korrik 1990 e më vonë, u bë paralajmëtari i shembjes së diktaturës së fundit në Evropë. Por, ç’mund ta thuash këto vitet e fundit kur kjo dukuri ka marrë përpjesëtime shumë më të mëdha e të frikshme, duke shkaktuar brenga, dyshime dhe shqetësime serioze edhe te partnerët tanë evropianë?

Problematikës së lartpërmendur i shtohen me të drejtë edhe disa «punë të pambaruara», lidhur me pasojat që la sistemi monist në vendin tonë, si hapja e dosjeve, dëmshpërblimet, pronat, etj. të cilat vendet e tjera i kanë përfunduar këtu e dy dekada më parë. Ka disa institute dhe agjenci si dhe shkrimtarë që vazhdojnë të merren aktivisht me evokimin e asaj të kaluare, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme me krijimet, konstatimet dhe rekomandimet e tyre të dobishme. Por, krahas tyre, në jo pak raste, edhe pse totalitarizmi i kuq ka gati tri dekada që ka vdekur, sërish vërehet prirja për ta bërë njohjen apo dhe denoncimin e saj si qëllim në vetvete, duke nxirë, diabolizuar dhe mohuar edhe dukuritë pozitive; këto të fundit, fryt i punës dhe mundit të njerëzve të thjeshtë. Kur përvoja e përparuar tregon se përparësia në këtë fushë i takon gjetjes së rrugëve për të mos përsëritur fajet dhe mëkatet e të kaluarës diktatoriale. Sepse demokracia është shumë më komplekse dhe shkon shumë më larg se anti-komunizmi apo dhe anti-fashizmi. Ndaj, nuk ka pse të habitemi dhe të fajësojmë të tjerët, ca më pak BE-në, që ende nuk kemi çelur bisedimet për anëtarësimin tonë BE.

Ja pse këto tri data janë kujtesë dhe apel për reflektim dhe veprime të guximshme, për t’u distancuar nga përvoja dhe trashëgimia negative e 7- 8 Nëntorit dhe për të realizuar ëndrrat dhe idealet emblematike të 9 Nëntorit 1989.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.