Speciale

Raporti anglez më ‘44: Enver Hoxha është kukull e emëruar

08:56 - 11.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Libri “Sekretet e luftës” – Shqipëria tjetër në dokumentet britanike i Erald Kaprit është rezultat i një pune 4-vjeçare të një shqyrtimi dhe leximi të dokumentacionit voluminoz në Arkivin Britanik, që u përket viteve 1943 dhe 1944, si dhe dokumente për fillimet e regjimit të Enver Hoxhës. Mbi 20 mijë faqe dokumente autentike janë lexuar dhe mes tyre janë përzgjedhur dokumente që hedhin dritë për disa nga çështjet më të nxehta të luftës, që nga bashkëpunimi me forcat pushtuese të një pjesë të elitës shqiptare, e deri tek lufta civile. Në këtë pjesë të librit që e boton ‘GSH’ jepen pjesë të raporteve të shkruara nga majorët J.F.P. Oliver dhe W.V.Smith për udhëheqjen shqiptare të kohës.




Nga Erald Kapri

Profilet e udhëheqësve komunistë dhe ushtarakëve partizanë në sytë e majorit Britanik J.F.P. Oliver.
Majori britanik Oliver, në fund të vitit 1944, hartoi një raport të plotë për aktivitetin e tij ushtarak në Shqipëri që iu dorëzua Ministrisë së Jashtme Britanike. Oliver shprehet se mes aleatëve kishte dy teori në lidhje me mbijetesën e Hoxhës. Së pari, ata mendonin se Hoxha po nis një regjim të egër për të konsoliduar pushtetin e më pas t’u vinte kushte për ndihma aleatëve perëndimorë. Së dyti, ata mendonin se Hoxha kishte nisur tashmë një rrugë pothuaj vasaliteti, që kontrollohej nga jugosllavët dhe rusët. Sipas tyre, rruga e dytë ishte edhe më e lehta dhe kjo aspak për t’u surprizuar, nisur nga analiza që ata i bënin personalitetit të Enver Hoxhës, por edhe rolit që po fitonin misionet ruse dhe jugosllave në Tiranë. Majori britanik shprehet hapur më pas se anglezët dështuan në Shqipëri. Sipas tij, fakti që në Shqipëri u vendos një qeveri kundër tyre, e tregon mëse qartë. Nga ana tjetër, ai thotë se ata lanë në baltë nacionalistët që luftuan kundër gjermanëve. Mbetet me mjaft interes përshkrimi i figurave qendrore komuniste në Shqipëri. Majori britanik J.F.P Oliver flet për personalitetin e të gjithë atyre me të cilët punoi, duke nxjerrë në pah disa të thëna mjaft interesante në lidhje me komunistët shqiptarë. Ai shprehet se Enver Hoxha nuk ishte popullor, por ishte më pompozi si dhe një person dhelpërak. Sipas tij, Mehmet Shehu u anashkalua nga qeveria komuniste pikërisht në postin që ai donte si ministër i Mbrojtjes. Po ashtu, edhe Oliver thekson se Shefi i Shtabit, Spiro Moisiu, ishte tërësish i paaftë.


DOSJA: HS 5/ 134
(J.F.P Oliver)Pikëpamjet në lidhje me liderët partizanë që njoha:
Qeveria dhe Shtabi i Përgjithshëm Enver Hoxha: Komandant i përgjithshëm dhe President. Sillet i dashur dhe fryhet paksa. Është i keqinformuar. Jo ndonjë figurë popullore tek njerëzit, por më pompozi se çdokush tjetër në qeveri. Nuk të jep përshtypjen e një personi të fortë, por është dhelpërak dhe me siguri i paskrupull. Është i turpshëm në një shoqëri njerëzish që nuk janë të impresionuar nga ai dhe ka një pamje fizike sikur të sugjeron që është i dashur dhe i butë.
Nishani: Ministër i Punëve të Jashtme. Fjalë të mira fliten për të. Thekson në çdo takim se është anglofil dhe mund të gjykohet e vërtetë nisur nga sjelljet me ne. Shfaqi kritika ndaj qeverisë gjatë pritjes që organizuan jugosllavët. Ka pikëpamje të moderuara nisur edhe nga qëndrimi jashtë vendit për një kohë të gjatë.
Dishnica: Ministër i Shëndetësisë. Një person me dije dhe idealist. Një komunist që vështirë të lejojë vendin e tij të dominohet nga të tjerët. Shfaqet me disa mosbesime ndaj nesh si në rastin kur në kryqin e kuq shqiptar nuk tregoi për burimin e furnizimeve dhe
po ashtu edhe në disa çështje të tjera me njerëz të partisë.
Spahiu: Ministri për Rindërtim. Një komunist i zjarrtë i paarsyetueshëm. Mbahet lart nga Hoxha dhe padyshim që ka edhe influencë. I përdorur si ambasador dhe nga pikëpamja e Hoxhës është jashtëzakonisht i përshtatshëm për atë që kërkon Enveri. Është antibritanik.
Konomi: Ministër për drejtësi. Një komunist i zjarrtë, por i dobët dhe pa asnjë lloj përshtypje nisur edhe nga mungesa e personalitetit. Sundohet nga anëtarët e tjerë të qeverisë.
Çitaku: Ministër i Financave. I raportuar nga ish- kreu i Bankës së Shqipërisë se nuk ia ka idenë aspak financave por si një komunist, pa asnjë dyshim pranoi detyrën nga kërkesa e dikujt tjetër. Ka adaptuar një sjellje të mirë ndaj nesh, por nisur nga sjellja e tij, duket sikur nuk i intereson vetvetja në politikën e vendit.
Moisiu: Shefi i Shtabit; aspak inteligjent dhe i ngathët. Ka shkaktuar më shumë vështirësi me mungesën e tij të bashkëpunimit se kushdo tjetër në grup. Ndoshta është vendosur qëllimisht nga Hoxha aty ku është, por Moisiu s’ka asnjë aftësi për të bërë më shumë seç i thonë. Fakti që Hoxha e mban larg ndaj çdo lloj marrëveshje të madhe, kjo është për shkak se është i trashë, jo për ndonjë arsye tjetër.


B) LIDERËT USHTARAKË
Ndreu: Gjatë gjithë kohës, një person i arsyeshëm dhe me një temperament të qetë. Unë besoj se ai i vetëm mes komandantëve të tjerë mori detyrën për të mundur gjermanët para se regjimi i ri të vendosej. Gjithsesi, një shërbëtor besnik e i zgjuar i Hoxhës. Ai ka qenë i lirë në bashkëpunimin e tij me ne dhe do të ishte 100%.
Shehu: Arrogant dhe brutal (kjo nga ambicia dhe kompleksi i inferioritetit që ka). Dikush më thotë se Shehu është njeri i pakënaqur dhe se qeveria duke e ditur dëshirën e tij të pamasë të rrijë pranë ushtrisë, e sistemoi në pozicionin aktual (ndoshta donte Ministër i Mbrojtjes). Tashmë larg nga kontaktet direkte me njerëzit, ai do të zhytet në background dhe do të ketë shumë pak shanse për t’u bërë lider në rangun që ai dëshiron. Komandant me vlerë në terren, i ashpër dhe me prestigj, që e fitoi edhe nga posterat gjermane.
Kapo: Një diplomat inteligjent me disa skrupuj. Të jep përshtypjen se ka më shumë pushtet se grada e tij e kolonelit. Ai padyshim ushtron një influencë më të madhe se ajo e Dali Ndreut dhe është mbi komisarët e tjerë, me përjashtim të Koçi Xoxes.


II- MAJORI W. V. SMITH
Vlerësimet e numrit 2 të misionit britanik, Majorit W.V.Smith për personazhet kryesorë.
Majori Smith ishte numri dy i misionit britanik gjatë luftës në Shqipëri, hartoi një raport të hollësishëm për zyrën e luftës së Britanisë së Madhe më qershor 1944 mbi aktivitetin e tij të plotë prej 8 muajsh në Shqipëri. Raporti i tij merr vlerë nga ky fakt për shkak të qëndrimit të tij aftër komunistëve shqiptarë. Qendra i kërkoi atij një raport në lidhje me aktivitetin, ç’ka Smith e dorëzoi në qershor të vitit 1944. Ky raport erdhi pas përplasjes së parë mes britanikëve dhe komunistëve në Shqipëri, për shkak se oficerë britanikë shkuan pranë Abaz Kupit. Ky raport tregon këtë përplasje të parë. Ai përshkruan figurat politike dhe ushtarake të LNÇ dhe jep një panoramë krejt interesante për personalitetin e Enver Hoxhës, Spiro Moisiut, Mehmet Shehut etj.
Dosja: HS 5/129
Raport nga Major Smith për periudhën 15 tetor 1943- 16 qershor 1944
Në kapacitetin tim si numri dy i misioni pas Lt.Kol Palmer, unë kam pasur të bëj kryesisht me komandantët ushtarakë. Eksperienca ime me anëtarët politikë të LNÇ ishte shkëmbim mendimesh kur shkoja në Shtabin e Përgjithshëm. Ndaj po jap detaje fillimisht në lidhje me komandantët ushtarakë.
Mehmet Shehu: Mjaft rinor (rreth 30-35 vjeç), shumë aktiv dhe padyshim komandanti më i mirë i LNÇ. Ai luftoi në Spanjë si anëtar i brigadës ndërkombëtare dhe nuk e harron këtë.
Personalitet i shquar dhe është i respektuar apo shihet me frikë nga kushdo për disa arsye. Si komandant i brigadës së parë, ai luftoi mirë dhe brigada e tij mbeti si “shpirti i trupave”, çka është arsyeja fondamentale e suksesit të tij. Caktimi i tij si kolonel i dytë në detyrë në divizionin e parë erdhi si shok tek kushdo, të cilët prisnin caktimin e tij si komandant. Roli parësor i brigadës së parë ishte pothuaj një spastrim në veri e, për më tej, është e mundur që Mehmet Shehu të shfaqet si komandant i vërtetë, duke anashkaluar komandantin e vendosur për qëllime politike.
Dali Ndreu: I emëruar si komandant i divizionit të parë në Kongresin e majit. Besohet se është nga zona e Dibrës dhe është një kalë i zi. Nuk pata asnjë eksperiencë me atë dhe s’mund të gjykoj aftësitë e tij ushtarake, por ai nuk është një Mehmet Shehu.
Myslim Peza: Rreth 45 vjeç. Ai qartësisht krijoi një impresion të mirë duke u shfaqur si një patriot i çiltër, duke iu rezistuar një armiku të vendosur gjatë dimrit. Ai është bërë objekt
shumë herë i propagandës gjermane dhe, sipas burimeve tona, ai nuk u ftua në Kongres edhe pse u shpall si zv.president i LNÇ. Ai nuk është komunist aq sa çdokush mund të gjykojë, dhe duhet të marrë kredite për bashkëpunimin e tij me LNÇ. Propozoj një përpjekje më të mirë nga propaganda jonë kundër asaj të Tiranës.


Spiro Moisiu: Është e pashmangshme që shefi i Shtabit të Përgjithshëm duhet të përfshihet në këtë listë dhe vetëm posti i tij justifikon përfshirjen e tij në këtë raport. Komplet i trashë, një
major i ushtrisë së vjetër dhe është fatkeqësi që s’ka thënë një fjalë në LNÇ, në politikën ushtarake dhe elementët ushtarakë janë keqas të përfaqësuar. Ai ka marrë gradën e tij të lartë jo sepse ishte ndër shqiptarët e parë që luftoi italianët, por për arsyet e qarta të përmendura në fjalinë e fundit.
Mustafa Gjinishi: Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe më i afti. Flet anglisht mirë, është i ri dhe është i vetmi që sheh mirë “pikturën e madhe”. Është padyshim probritanik dhe na asiston pa mëdyshje. Ka punuar me kapitenin Emëri, njëherë e një kohë edhe me Kol. Oakley Hill. Edhe pse politikisht i shëndoshë, është i motivuar pothuaj gjatë gjithë kohës ndaj çështjeve ushtarake, çka është një pasuri për LNÇ. E kam parë të mërzitur vetëm në një rast, shkaktuar nga propaganda e dobët e radio ‘Barit’. Ky njeri nëse trajtohet siç duhet, mund të ndihmojë jashtëzakonisht shumë misionin, por ai s’mund të bëjë blof.
Të tjerë komandantë ushtarakë që i njoha më pak:
Tahir Kadareja: Komandant i Brigadës së 6-të, një ish-ushtarak, në kohën e shkurtër që kaluam bashkë, e vlerësoj atë me klas të parë. Mbrojtja e bërë nga ai për hyrjet e urave dhe organizimi për të marrë furnizimet nga deti ishin eventet më impresionuese në historinë e LNÇ.
Kadri Hoxha: Deri tani komandant i grupit të Elbasanit, flet anglisht dhe mund të merresh vesh me të. Fatkeqësisht ka pasur problem me oficerët britanikë në veri. Tani komisar i Brigadës.
Baba Feza: Komandant i grupit të Mallakastrës. Një nga vlerat e LNÇ për ndjekësit e tij fetarë. Në të kaluarën, në shkurt 1944 deklaroi hapur se është antikomunist, por në fakt lexoi një nga fjalimet më të kuq në kongresin e majit. Ndjekësit e tij janë jokomunistë.


ANËTARËT POLITIKË
TË LNÇ
Enver Hoxha: Kryekomandanti i Forcave të Armatosura (një kukull e emëruar). Lider i Këshillit Antifashist të LNÇ. Personaliteti i tij është unik. Dalja e tij në Kongres u përshëndet çdo herë nga duartrokitje fanatike, që zgjasnin nga 5 deri në 10 minuta. Ai ka marrë trajnime diplomatike gjatë një kohe dhe ka një qëndrim të gatshëm nëse është në humor, por kur shikon se e humbet balancën, bëhet i pamundur.
Dr. Omer Nishani: Thonë që nuk është komunist dhe diskuton për Zogun në mënyrë të arsyeshme. U vendos nënpresident, për të sjellë një erë respekti në këshill.
Ali Alim (Miladin Popoviç): Një person misterioz i njohur me shumë emra dhe është padyshim përfaqësues i lëvizjes jugosllave në Shqipëri. Mund të jetë ekstremisht pengues, është i fortë dhe pa takt dhe tipi më acarues. Nuk besoj se ky ndërlidhës me jugosllavët është shumë i mirë.
Haxhi Lleshi: Pothuaj një individ ogurzi. Ai asnjëherë nuk flet dhe nuk e besoj që është antibritanik, por të jep përshtypjen se nuk do t’ia dijë se çfarë ndodh jashtë Shqipërisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.