KULTURË

LAMTUMIRË XHEPETO! Shuhet aktori Mërkur Bozgo

11:59 - 12.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Lamtumirë Xhepeto! – shkruante dje regjisorja Elma Doresi duke kujtuar një episod të kohëve më parë me Mërkur Bozgon.

“Mërkur pse u vonove? Ti je përherë i pari nga aktorët që bëhesh gati për shfaqje?

– Elma, po luante kombëtarja. Ku i dihet kur luan përsëri e nëse do ta shoh. Doja të të merrja njëherë të të thosha nëse mundej të mos isha në hapje të shfaqjes që ta shikoja.

– Ashtu? Atëherë pse nuk more?

– Pse do ta bëje?

Qesha… (Askush nuk e di se sa do të jetojmë mendova) Natyrisht Mërkur!

  • Atëherë po iki zemër, – tha ai.

Atë natë shfaqja u hap pa Mërkurin. Telefoni im u mbush me mesazhe nga ato që kishin parë shfaqjen “Elma ku është Mërkuri”, “Elma ka ndodhur gjë me Mërkurin”. Unë qeshja. Ishte një çmenduri si regjisore e di, edhe? Ai donte shumë ta shikonte atë ndeshje dhe mosha e tij nuk premtonte shumë”. Mërkur të falënderoj! Lamtumirë Xhepeto jonë”.

Aktori i njohur Mërkur Bozgo është shuar në moshën 80-vjeçare. Ai ka dhënë kontributin e tij të vyer në skenën shqiptare, me dinjitetin e aktorit të mençur, elegant dhe shpirtdashur. Skena, kjo dashuri e madhe, edhe pse në kushte jo të mira shëndetësore, e bëri ti falë Palin, rolin e fundit te “Radio Iliria”, personazhi që u duartrokit gjatë në Tiranë e Prishtinë. Me një karrierë të gjatë në teatër e kinematografi, Mërkur Bozgo do të kujtohet si aktori i karaktereve. Ai lindi më 24 mars të vitit 1937 në qytetin e Gjirokastrës. Në vitin 1961 përfundoi studimet e larta në Degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe prej këtij viti fillon punën në Estradën e Tiranës deri në vitin 1968. Roli i fundit i aktorit Mërkur Bozgo do jetë ai i hoxhës në filmin “Gjoleka, djali i Abazit” në vitin 2005 përkrah Enxhi Agushit. Në kinematografi ai përfshihet herët që në vitin 1975 në filmin “Në fillim të verës” në rolin e punëtorit që shënon me shenjë arkën me barut. Në vitin 1979 ai është në rolin e drejtorit të muzeut në filmin “Emblema e dikurshme”. Më 1981, Bozgo interpreton rolin e z. Ali tek filmi “Agimet e stinës së madhe”. Më 1987 ai është Andoni tek “Tela për violinë”. Më 1988 ai interpreton drejtorin tek “Stola në park”, film me regji të Bujar Kapexhiut. Në vitin 1997, ai interpreton rolin e klientit të Evelinës tek filmi “Bolero” nën regjinë e Besnik Bishës. Regjisori Dhimitër Anagnosti e rikthen në rolin e Hoxhës më vitin 2006 në filmin “Gjoleka, djali i Abazit”, një karakter ku Bozgo spikat në interpretim. Vitet e fundit, përveç teatrit ai u angazhua dhe në seriale televizive si tek “Komuna e Parisit” apo “Bela”. Bozgo do të kujtohet gjithnjë për karakteret që la pas, por edhe pozitivitetin që përcolli tek të gjithë ata që e njohën. Ndërkaq, Mevlan Shanaj shkroi dje se ishte “njeri i shkëlqyer, aktor i karaktereve mbresëlënëse”. Ai kujtonte se me Bozgon është njohur mbi 50 vjet të shkuara dhe ruan kujtime të pashlyeshme, për të mirin të sjellshmin, mikun, që dje në orën 13:00 u përcoll nga banesa e tij në Rr. “Ali Demi”.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.