MILOSAO

Loreta Berhami/“Nuk besoj se ka ndryshuar ndonjë gjë, por…”

11:57 - 13.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Drejtoresha e botimeve “PEGI” flet për “Milosao”. Çfarë shikon ajo si problematika në këtë vit dhe ndryshimet që kanë pasuar në muajt e fundit në tregun e librit…
Me çfarë prezantimesh të reja vjen PEGI në këtë vit dhe cilat janë risitë e botimeve të saj?
“Sivjet, vetëm për panair, do të botojmë një sërë titujsh të rinj, për të rritur e për fëmijë. Si prozë, për të rriturit kemi: vëllimin e tretë të serisë “Mikesha gjeniale” nga Elena Ferrante, të titulluar “Histori arratie e qëndrese”, “Posta” nga Charles Bukoëski (si dhe ribotimin e “Femrat” me një sërë rregullimesh redaktoriale), “Zemra vërtitëse” nga Donal Ryan (libër fitues i disa çmimeve dhe shumë i vlerësuar nga kritika), si dhe romanin e dytë të autores shqiptare Enit Karafili, i titulluar “Dhunë e dhunti”. Ndërsa kemi edhe një vëllim me poezi “poema të huaja” nga Entela Tabaku. Për fëmijët kemi vazhduar botimin e titujve nga seritë më të ndjekura, si Jeronim Stilton, Martina, Olivia apo Nina. Për adoleshentët, do fillojmë një trilogji të re nga autorja Kerstin Gier, të kritikuar shumë pozitivisht, me titullin “E kuqe rubini”.
Çfarë ka ndryshuar në mjedisin e librit në këtë vit kalendarik, në konceptin tuaj?
“Nuk mendoj se ka ndryshuar ndonjë element madhor. Ka përmirësime të vogla natyrisht, por të rëndësishme: vë re që gjithmonë e më shumë botues po kthehen drejt titujve, që ne të fushës do t’i quanim “letrarë”, dhe ky është një zhvillim për t’u duartrokitur. Ka një sensibilizim publik gjithmonë e më ballëlartë në lidhje me leximin dhe librin. Gjithashtu, mendoj se disa nga profesionistët e fushës po tregohen më të kujdesshëm me cilësinë e punës së tyre. Këto janë të gjitha hapa të vogla ndoshta, por në drejtimin e duhur”.
A duket se libri po përballet me humbjen e lexuesit shqiptar?
“Lexuesi shqiptar nuk ka se si të humbasë, pasi thellë-thellë, ai do të parapëlqejë gjithmonë të lexojë në shqip. Tregu i librit po përballet me një sërë sfidash, si pothuajse të gjitha tregjet e tjera, që kanë të bëjnë me ndikimin e teknologjive të reja, me një demografi në ndryshim e sipër, me një krizë ekonomike me pasoja afatgjata, etj. Nëse ka një rënie të lexueshmërisë, unë do t’ia vishja këtë një trendi më të përgjithshëm, pothuajse global. E megjithatë, siç e kam thënë shpesh, në të ardhmen, jam e bindur që njerëzimi (e kështu edhe shqiptarët) do t’i kthehen kënaqësisë së leximit dhe do të rizbulojnë një nga ato veset e magjishme që nuk të bën dëm. A do të jemi ne gjallë për ta parë këtë? Kjo është tjetër çështje”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.