KULTURË

Panairi nis me ‘protestë’ për taksat, përplasje mes ministres e botuesit

10:16 - 16.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira NIKOLLI

 

Panairi nis me “protestë”. Një pankartë e madhe ku citohet Umberto Eco, proteston kundër taksave në kulturë. “Mos taksoni kulturën, mos taksoni librin”-Umberto Eco, shkruhet në pankartën e katit të dytë të Pallatit të Kongrese, ku prej ditës së djeshme e deri të dielën mbahet Panairi i Librit. “Shteti të financojë bibliotekat publike”, shkruhej në një tjetër pankartë. Shqetësimi kryesor për botuesit mbetet nxitja e leximit, por përkundër kësaj, problem po aq madhor në kohën krizës së leximit, botuesit thanë se është ulja e taksave. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, premtoi se do të vazhdojë të kërkojë uljen e taksës së krijimtarisë, por mes Kumbaros dhe kreut të Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri pati përplasje edhe për “bibliotekat” me tulla.


BOTUESIT PËR TAKSAT
Në emër të Shoqatës së Botuesve, duke kujtuar vitet e gjata të punës e duke falënderuar të gjithë botuesit, Petrit Ymeri tha dje se “E ndjej për detyrë të nënvizoj shkurtimisht disa probleme dhe sfida”. Ritheksoi se “Kemi një TVSH 20%, në blerje, pra në shtypshkrim, i pangjarë në asnjë vend evropian, ku luhatet midis 4 dhe 6%, kemi 0 % në shitje, dhe ky tatim nuk i prek të gjithë operatorët apo subjektet që botojnë. Çfarë kërkojmë: TVSH të ulët, 5%, në blerje dhe në shitje, dhe të përfshijë të gjithë ata që botojnë libra: fondacione, institute, qendra fetare apo kulturore apo çdolloj tjetër. Çdolloj libri që shitet të ketë TVSH. Ato mund e duhet të pajisen me NIPT të veçantë për botimin. Po kështu kërkojmë që të ndahet nga organet tatimore veprimtaria e shtypshkronjave nga ajo e Shtëpisë Botuese si veprimtari me NIPT më vete. Kjo gjë do të zvogëlojë edhe rrjedhjet fiskale”. Ymeri në emër të shoqatës kërkoi të ulet tatimi mbi të ardhurat për veprimtarinë krijuese nga 15% në 5 %. “Nuk mendojmë se shtetit i vjen ndonjë dëm nga kjo gjë, është mendoj e papërfillshme në buxhet, përveç faktit që nuk ka ndonjë kontribut të dukshëm në krijimtarinë e autorëve apo përkthyesve”,- shtoi ai duke vënë theksin se një problem i madh mendoj, madje prioritet kombëtar, duhet të jetë pasurimi bibliotekave publike, të shkollave, institucioneve arsimore publike, të bashkive e komunave. “Këto furnizime të bëhen të hapura, transparente, jo me lista klienteliste, por bazuar në vlerat e librave e autorëve. Të mos këmbëngulet në investime ndërtimore, por në pasurime me libra. Bibliotekat i bëjnë librat, jo tullat dhe pllakat e bukura apo vetratat. Libri e zbukuron bibliotekën”.


REAGIMI I MINISTRES
Mirela Kumbaro, ministre e kulturës, u pa dje përkrah Petrit Ymerit në konferencën çelëse të panairit. Ymeri ka qenë botues i saj, por me ardhjen e saj si ministre, marrëdhëniet mes tyre kanë qenë të ndryshme, duke arritur deri te sulmet publike. Në një kohë që duket se kanë vënë paqe. Megjithëkëtë, ajo iu përgjigj deklaratës së para tri ditëve të Ymerit, i cili kritikoi bashkinë e Tiranës duke thënë se “Bashkia e Tiranës është duke vënë tulla nëpër biblioteka. Biblioteka është libri, jo tulla, p.sh te lagja nr.9 është një bibliotekë që është rikonstruktuar disa herë, ndërkohë që ka qenë një nga bibliotekat më të mira në Tiranë. Ato fonde të shpenzohen për të blerë libra, që nuk mund t’i blejë kryetari i bashkisë”.
Dje Kumbaro tha se “Me Bashkinë e Tiranës, jemi në një program rigjenerimi dhe kuptohet nuk bëhet fjalë për tulla e vetrata, por bëhet fjalë për aktivitete të cilat nuk mund të jenë vetëm të librit, sepse natyra e librit sot është e tillë, që nuk e ka më rolin e Princit të kulturës, që ka pasur dikur, kjo është pjesë e evolucionit të shoqërive tona”. Kumbaro tha se “Në programin për leximin, jemi në pikën më të fortë për të mos gjykuar njëri- tjetrin. Unë i kuptoj qesënditë që shoqëruan dy vjet më parë, kur dy vjet më parë Ministria e Kulturës e theksoi shumë fort që politikat e librit e të shtetit duhet të jenë të drejtuar te lexuesi me L të madhe, sepse pa lexues nuk ka as botues, as përkthyes, as autorë, vdes edhe libri vetë”.
Shkrimtari Agron Tufa, shtoi se “Unë mendoj se duhet rregulluar një pikë: t’i shkojmë lexuesit. Atij nuk i shkohet ndryshe nëse nuk shpërndahet libri mirë. Nëse ne kemi menduar një shtet brenda shtetit Tiranën, dhe kemi pushuar së menduari se ekzistojnë një sërë qytetesh të mëdha, dhe provincat e Shqipërisë ku nuk shkon libri”. Sipas tij, edhe në rastet kur shkon, na ka dalë një instancë e çuditshme që quhet librashitës, dhe ai përfundimisht merr vendimet, ekzekuton dhe të pranon se çfarë libri të shesë, çfarë libri të marrë, dhe çfarë libri të porosisë. Për ata ekziston miti i pashembshëm, letërsia e huaj, klasikja apo moderniteti, dhe flijohet në këtë vend autori shqiptar. Në Panairin e njëzetët të Librit marrin pjesë 95 shtëpi botuese, ndërsa janë rreth 100 tituj të rinj që i ofrohen lexuesit përgjatë 5 ditëve, ku dominon letërsia e huaj ndaj autorëve vendas.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.