BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Ish-presidenti nuk heq dorë nga pasionet. Fqinjët: “Bamiri nuk ka ndryshuar, por kanë ndryshuar masat e sigurisë”

16:00 - 17.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim:  Pas një viti president, Bamir Topi nuk heq dorë nga pasionet. Fqinjët: “Bamiri nuk ka ndryshuar, por kanë ndryshuar masat si pasojë e postit”




 
Ka kaluar thuajse një vit që kur është shpallur president i Shqipërisë, e ndërsa koha kalonte ndër takimet dhe çështjet e shtetit, duket se z.Bamir Topi nuk ka hequr tërësisht dorë nga dy pasionet e tij më të madha. Në momentin kur u shpall president i Republikës së Shqipërisë, zoti Topi në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, do të pranonte dhe dy hobet e tij më të mëdha: futbollin dhe makinën. Por edhe pse ka kaluar një vit plot impenjime pune dhe angazhime të gjithanshme, duket se presidenti Topi nuk ka hequr tërësisht dorë nga to. Shpesh e kemi ndjekur atë në tribunën e stadiumeve, duke shijuar ndeshjet e skuadrës kombëtare, po ashtu edhe ato të ekipit të zemrës, Tirana, ku më parë ka qenë dhe president. Ndërsa kënaqësinë e të ngarit vetë makinën, emocionin të ethshëm për shpejtësinë, presidenti mund ta shijojë vetëm gjatë fundjavës. Atë që para një viti ai do ta cilësonte një “pasion të pamundur”, duket se e ka bërë të mundur, të paktën në fundjavë.
Në fotot e realizuara nga paparaci ynë, është fiksuar familja presidenciale gjatë një ditë të diele pushimi, rreth mesditës, duke u përgatitur për të udhëtuar në drejtim të Dajtit, ku dhe do të kalojnë disa momente relaksi si një familje, larg angazhimeve politike të presidentit. Vetë zoti Topi, duke buzëqeshur është ulur në vendin e shoferit, për të riprovuar ndjesinë e “munguar”, nga e cila është “i detyruar” të heqë dorë gjatë gjithë javës. I veshur me një bluzë të lehtë sportive ngjyrë të gjelbër dhe me pantallona të zeza, ai është ulur në timonin e Mercedezit të tij privat, i shoqëruar nga e shoqja Teuta, e cila qëndron në vend të parë, pranë tij. Gjithashtu, ashtu si mund të shihet dhe nga fotot, të bijat, Etida dhe Nada kanë zënë vend qetësisht në sediljen e pasme.  Kur merr vetë makinën, pasionin e tij të dikurshëm, sigurisht nuk ecën më me shpejtësi edhe për shkak të shoqërimit nga eskorta. Por ka gjetur një zgjidhje perfekte fundjave për të marrë edhe rolin e shoferit të familjes.


Familja
Pavarësisht nga impenjimet që rrjedhin nga posti i Presidentit, duket se familja Topi nuk ka hequr dorë nga udhëtimet në fundjavë. Të gjithë së bashku, ata e kanë kthyer në një traditë largimin nga Tirana. Çdo fundjavë, familja presidenciale lë vilën e saj në periferi të kryeqytetit dhe shkon të shijojë rrezet e diellit buzë Adriatikut. Të veshur thjesht dhe plot hije, të buzëqeshur, një e nga një, të gjithë pjesëtarët e familjes Topi janë rehatuar në makinë për t’iu larguar vapës mbytëse të Tiranës.
Rruga
Vilën “Etna” e njohin të gjithë që banojnë pranë, kjo sepse ajo ndryshon paksa nga të tjerat, duke qenë se është e mbrojtur nga oficerët e Gardës Kombëtare. Por, pavarësisht se ajo është e vrojtuar mirë nga personeli i Gardës, rruga për tek vila është e kalueshme për të gjithë këmbësorët dhe makinat, edhe pse ajo kalon ngjitur me muret rrethuese të vilës së presidentit.
Fqinjët
Edhe pse posti që sot z.Topi mban është shumë i rëndësishëm, ata që jetojnë pranë tij, tregojnë se ai vazhdon të mbetet ende një njeri shumë popullor. “E shikojmë çdo ditë që lëviz me makinën dhe me eskortën e tij. Del nga shtëpia rreth orës 8:45-9:00 dhe kthehet rreth orës 17:00. Në ato pak raste në të cilat arrijmë të shikojmë, na përshëndet të gjithëve. Një tipar për të cilin shquhet, është komunikimi. Në fillim kur u zgjodh president, kaloi tek lokali im dhe na përshëndeti të gjithëve. Unë kam pasur rastin ta njoh edhe më parë, kur ka qenë drejtor i Institutit të Kërkimeve Veterinare dhe ende më ka mbetur që prej asaj kohe shprehja ‘Shef Bamiri’”, – na tregon Leka, pronari i një lokali që gjendet shumë pranë vilës ku jeton Presidenti i Republikës. “Për ne si banorë të lagjes, – shprehet Leka, – na bëhet mirë që jetojmë pranë tij, sepse duke qenë se kemi atë pranë, përfitojmë dhe ne paksa privilegje. Personalisht, kam shumë respekt për të, sepse për mua vetë, Bamiri si person nuk ka ndryshuar, kanë ndryshuar vetëm masa, si pasojë e detyrës së tij si kreu i shtetit. Me postin që ka nuk është se nuk do që të ndihmojë gjithkënd, por thjesht nuk ka kohë fizike për të gjithë, dhe kjo është më se e kuptueshme”. Ndërsa një tjetër banore që jeton në atë lagje, Rukije Cani na tregon: “E shikojmë përditë kur lëviz, kur shkon dhe vjen nga puna. Unë vetë kam punuar më parë në vilën e zotit President, së bashku me bashkëshortin tim për rreth dy vjet. Kemi punuar në vreshtin e tij. I jemi shumë mirënjohës, sepse na ka ndihmuar edhe në kohën kur nuk ishte president. Kam respektin maksimal për të dhe për bashkëshorten e tij.


E shoqja dhe vajzat
Me të njëjtën ndjesi respekti që na flasin për presidentin, fqinjët tregojnë dhe për bashkëshorten e tij, Teutën. “Dhe për të kam një përshtypje shumë të mirë, e kam takuar dhe përpara shumë kohësh dhe ka mbetur po ajo zonja e thjeshtë, të gjithë në lagje kanë shumë respekt për ta”, – na tregon Leka. Ndërsa për vajzat, nuk di të na thotë shumë. “Ato i shikojmë më rrallë. Për shkak të makinave që kanë xhama të zinj”, – thotë ai.
Në vilën “Etna”
Duket se ai që kujdeset që çdo gjë të shkojë mbarë në vilën presidenciale, është një mik i fëmijërisë së presidentit dhe shoqëruesi i tij. “Kujtimi, me sa kam dëgjuar, merret me të gjitha në vilë, si me administrimin e saj, me punëtorët që punojnë aty dhe sigurisht edhe me kujdesin ndaj pronës së Presidentit”. Kështu, me sa na tregon Leka, në vilën e presidentit janë të punësuar për të ndihmuar zonjën e parë, një kuzhiniere dhe një pastruese.
Ky shkrim është botuar më 7 qershor 2008


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.