KULTURË

Puhizë shkronjash aromë gruaje

09:35 - 27.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Fulvia SHTËPANI

 

Rregulli strikt vret frymëzimin, ndërsa metoda i merr frymën lirisë (La rigueur tue l’inspiration, la méthode étouffe la liberté (Henri-Frederic Amiel)
Kur lexon librin me tregime “Rrëfej unë, gruaja” zhytesh në një gjelbërim thellësish marramendëse, në misteret e hapësirave metafizike të pa eksploruara të vetë njohjes, të flirtit me veten që zgjon sensualitetin, të preludit të gjendjes shpirtërore në prag-dashurinë e papritur, apo të vetë dashurisë si emocioni më sublim e më kompleks i qenies njerëzore.
Shumica e njerëzve mund të meditojnë deri në një farë niveli, pak janë të frymëzuar, e të rrallë janë ata që i kanë të dyja, thoshte Hugo. Një ndër kënaqësitë që të dhuron ky libër, ndër të tjera, është edhe konstati i këtij postulati hugonian…
Autorja mendon, si Coelho, në mënyrë komplekse se dashuria nuk është vetëm një ndjenjë e madhërishme, por e konsideron atë si art, për të cilin frymëzimi nuk mjafton. Në shkrimet e saj, ajo ka injektuar një dimension ciceronian nëpërmjet raportit të elementëve topike që përfaqësojnë imagjinacionin, dhe elementëve dialektikë me rëndësi kryesore. Ky raport transformon me iracionalitetin e tij, raportin midis filozofisë e retorikës, duke udhëhequr lexuesin drejt një dualizmi botë iracionale-botë racionale, e duke mbështjellë rrëfimin me një vello enigmatike, si për të qëndisur më së miri rrjetin e misterit.
Në teorinë budiste thuhet: “Ne vuajmë për shkak të dëshirës, zemërimit e budallallëkut”. Në një sens simbolik, ne jetojmë në një terren të sunduar në mënyre paradoksale nga pushteti i konvencioneve, i tabuve morale dhe erotizmit të fshehur. Në shumicën e veprave të para nëntëdhjetës, erotizmi si fenomen njerëzor, është trajtuar më shume si ankth jetësor, si brengë metafizike apo si sprove e ekzistencës kolektive, sesa si drame e zbulimit shpirtëror dhe lirisë individuale.
Larg nënkuptimeve, në librin “Rrëfej unë, gruaja”, jeta i hap krahët ndjesive, dëshirave, madje edhe atyre te çastit, vegimi i saj dergjet në brigjet epshore, horizonti i saj është sa i thjeshtë e i kapshëm, aq edhe mrekullor e i paarritshëm. Ajo flirton në çdo frymëmarrje me dashurinë, pasi e vetmja kornizë që limiton atë, janë perceptimet e tundimet tona, kërshëria për të zbuluar e provuar, pasi shpirti njerëzor, është një diell i madh rrezet e të cilit depërtojnë çdo gjë e sjellin jetë, energji, lumturi. Jeta është një hezitim i përhershëm ndërmjet çuditërimit e pyetësimit (Pessoa).


Liria e njeriut (apo e krijimit) varet nga shkalla e përparimit, nga mënyra e të menduarit, të ndjerit, të reaguarit, duke iu afruar sipas raportit midis tyre, më shumë fatalitetit apo providencës. Por më e rëndësishmja, nga të gjitha është mosvënia e kufijve, pasi vetëm një përjetim i tillë i saj, pa kufizime e pa censurë të frymëzon. Kjo lloj trajtese motivore e lirisë së imagjinacionit dashuror, mendoj se ishte e nevojshme në letërsinë shqipe. Nëpërmjet personazheve të saj autorja e përcjell më së miri këtë mesazh : “Nuk është turp të kërkosh magjinë, aq më tepër kur ajo të bën të lumtur. Të këqijat nuk vinë nga magjitë e bukra” ….
Profesor Çabej, një nga njohësit më të mirë të psikologjisë së popullit tonë, thotë se tipari më i theksuar është rezervimi. Të arrish të shtysh barrierat e këtij rezervimi jetësor e mendor, kërkon kurajë dhe talent për t’iu shmangur subjektivitetit autorial dhe mediokritetit të temave të “vogla” të personit, personalitetit të tij dhe shpalimeve të psikesë.
Tiparet post-moderniste përshkojnë veprën në strukturën e saj të brendshme, si edhe në aspektet e ndërtimit te jashtëm, duke dëshmuar jo rregullsi po çrregullim, jo logjike, po spontanitet të paparashikueshëm, jo raport mimetik me realitetin po liri ekstreme e lojë kapriçoze në konfigurimin e saj.
Rrëfimi braktis strukturat e format gjuhësore formale, duke i dhëne lexuesit një dimension të veçante, jo vetëm në kuptimin, por edhe në ritmin e ndjekjes së ngjarjeve. Ta kuptosh veprën, do të thotë të bësh një lexim tjetër ku bashkë qëndrojnë shumë mendësia dhe fiksioni, e vërteta dhe misteri. Nuk kemi thjesht një realitet koherent dhe të unifikuar, vepra ngrihet shpesh mbi një monologim-dialogim fragmentar që “ndrydh” deri diku rrëfimin kryesor, por nga ana tjetër, i vë një theks të veçantë synimeve ideore të saj. Ndryshe nga letërsia e mëparshme, ku lexuesit i ofrohen disa ngjarje apo raporte që zbulojnë thelbin e personazhit, te ky libër, autorja na ofron një shumësi pozicionesh, qëndrimesh emocionale të personazheve, që limitojnë përcaktimin e prioritetit të njërit mbi tjetrin, duke i lënë vend lexuesit te krijoje idenë e vet. Meditacioni i goditur, i shoqëruar me një figuracion të pasur stilistik, integrohet me origjinalitet në një proces piramidal intensifikimi emocional, duke e bërë rrëfimin aq real saqë e përfshin lexuesin tërësisht në vorbullën e tij.
Të shkruash “jetën”, sipas Barthes është e vetmja zgjidhje dialektike për të përshkruar konfliktin ndërmjet saj e literaturës, ide te cilën, ai e ilustrojnë më së miri personazhet dhe ngjarjet e tregimit “Edhe Mbretëreshat kanë ëndrra”.
Nata është për sensibilitetin romantik “një copëz kohe e veçantë”, që favorizon fantazmat, ëndrrat, ato të frikshmet dhe të bukurat, ajo është në të njëjtën kohë e pashpirt dhe përkëdhelëse, evokon si vuajtjen, ashtu dhe dashurinë.
Me gjithë tërësinë e këtyre efekteve kontradiktore, është përsëri ëndrra ajo që tërheq qenien njerëzore drejt meditimit në shfaqen madhështore të natyrës duke e vënë atë përballë misterit të ekzistencës, por duke mos harruar që, nga ana tjetër ajo është dhe “një strehëz” mbrojtëse kundra realitetit. Musset thoshte : Ah sikur ëndërrimi të ishte gjithmonë i mundur! Unë do të shtoja se jo vetëm ky tregim, por i gjithë libri, është një atelier e përkryer ëndërrimi. Ai është djepi ku përkundet rrëfimi, përkëdhelur me alkiminë e fjalëve, që bashkohen me shumë pavarësi nëpërmjet rrjedhës së ngjarjeve, duke i dhënë shkrimit në të njëjtën kohë efekt befasor, por dhe poetik (po të shkëpusnim në vetvete fragmente të librit, do të mund të formohej një poezi në proze, siç thoshte Breton për fragmentet poetike në roman). Vlera e një rrëfimi qëndron padyshim në fuqinë dhe në bindshmërinë e vizionit që i jep zërit të brendshëm që flet, të arkitekturës së mendimit që imponohet vetvetiu, duke zbuluar cilësi të reja në hapësirën imagjinare. Qëllimi i tij është që mesazhi i dërguar te lexuesit të pranohet sa më natyrshëm që të jetë e mundur. Personazhet e tregimeve ilustrojnë në mënyrë të përsosur thënien e Kleber Eden-it si kriter vlerësimi, që “personazhi i gjallë” është shpikja më e bukur profesionale. Në tregimin “Pasqyra” autorja integron me mjeshtëri imazhin e pasqyrës që konsiderohet në letërsi si një katalizator poetik, që ofron mundësi narrative pa limit, si një metaforë e privilegjuar e eksperiencës estetike dhe e prezantimit të saj. Zbulimi i botës së brendshme të personazhit kryesor nëpërmjet pasqyrës është kompleks, sepse shtjellimi bëhet nëpërmjet një dinamike alternimi midis opozicionit dhe osmozës. Pasqyra është një objekt polimorf, që i nënshtrohet pranimit të një pluraliteti konotativ, të ndryshueshëm, ku konvergon identiteti dhe diferenca sipas principit të analogjisë.
Pasqyrimi është nga një anë, dualitet, dublikim, dhe nga ana tjetër unitet, identitet. Ndër të tjera, pasqyra ka veçantinë të funksionoj vetëm në praninë e dritës (sadopak dritë), është drita që na lejon të shohim dhe anët më të fshehta dhe kontradiktore të personazhit të tregimit. Ajo është si hëna “objekt që reflekton” dhe “objekt reflektimi” njëkohësisht.
“Ndriçimi” që pret libri, për të pasqyruar gjithë bukurinë e tij është drita që do të derdhi mbi të lexuesi i pasionuar, ose më mirë do të thosha që shkrimi me forcën e tij deduktive e shndërron lexuesin e thjeshtë, në të pasionuar. Ai e vendos atë pa e kuptuar, në qendrën e një graviteti jetësor, ku të gjitha forcat kontradiktore asnjanësohen, duke i dhënë mundësinë të shijojë thellësisht, e në paqe me vetveten, magjinë ëndërrimtare të jetës që të bën të lumtur. Libri është një “puhizë” lirie, dashurie, ëndërrimi, që ka pamjen e një mozaiku kompleks e të llojllojshëm, i cili na shpaloset me një gjuhë të pastër, të krehur, elitare, gjuhë që të ngop dhe të këndell, sepse ka një përkujdesje të çliruar nga çdo rëndesë, nga çdo influence, nga çdo pushtim pasi autorja është e lirë, është vetvetja. Ajo përdor tërë forcën krijuese e ndjeshmërinë artistike, për të zbuluar psikologjinë njerëzore, dhe paradoksin modern të ekzistencës dhe mendësisë anakronike të kohës, që na ngjan me një para thirrmë ndërgjegjësuese për qenien njerëzore (te “Vegimi”, tek “Takim në orën shtatë të mëngjesit” apo tek “Testamenti i mirënjohjes”).
Autorja bën përpjekje të guximshme në artin e të shkruarit, ajo zhvesh me fjalë botën e brendshme, nëpërmjet trillimit e origjinalitetit, topografisë së marrëdhënieve me njerëzit, duke i parë këto të fundit, si dukuri fenomenale sa të natyrshme aq edhe hyjnore. Për autoren, bota letraro-artistike është një metaforë e botës reale, njerëzore dhe hyjnore, është flirt i perëndishëm, është tjerrja kuptimplotë e sensuales me liriken, e ëndrrës me dashurisë, nostalgjisë dhe mallit, është projektimi real i atij impulsi jetësor eternal, që lulëzon në oazin sentimental të botës femërore. Ajo është vazhdimisht në kërkim të një klimë të re etike, kontemporane, plot elegancë dhe elokuencë (te Balerina Pariziane), guxon të na drejtojë përmes personazhit të saj drejt tejdukshmërisë lirike të intimes sensuale që ekziston brenda çdo individi, e universit shpirtëror të dashurisë, ku heshtja është zhurma më e fortë e dëshirës, ajo flirton me misionin e gjallimit të jetës, si pjesa më enigmatike e universit njerëzor e shpirtëror, këtij dualiteti psikologjik e filozofik që shpesh mban peng që në fillesë motorin vital të jetës, dashurinë.
Tregimet e këtij libri të mbushin, me sinqeritet, vetë njohje, freski, delikatesë, dashuri dhe humbje, dyshim dhe force për ta përballuar e për ta pranuar atë pa egoizëm, sepse na lënë të kuptojmë që dashuria nuk është “njësore” dhe jeta është e mbushur me mrekulli dashurie. Ata na bëjnë të kuptojmë sa e rëndësishme është të përgatitemi për ta pritur dashurinë “ashtu siç duhet”, duke luftuar brenda vetes egoizmat tona më të fshehta, të cilave shpesh-herë kemi frikë ti afrohemi e jo më t’i asgjësojmë, pasi ato janë “skoriet” që na infektojnë ndjenjat, që dënojnë ciklin lumturor të mos pikturohet me të gjitha ngjyrat e ylberit, që na bëjnë të thithim ajër të ndotur nga pesha e paradigmave dhe e konvencioneve morale.
Libri “Rrëfej unë, gruaja” është një “serenatë femërore” plot hov njerëzor, ku çdo përshkrim ekspresiv, verbal apo ikonografik, është një imazhi që arrin të shndërrohet nëpërmjet frymëzimit në një tempull nga i cili autorja rrezaton transcendencë, duke krijuar një strukturë matriciale origjinale. Në tekstet e tregimeve, me një stil arabeskë e marramendës, të filtruara e të distiluara me magji, fjalët shkasin plot surprizë, ato verbalizojnë dëshirën e pasurojnë teknikën e shkrimit me variacione midis modernes e postmodernes, duke formuar një arsenal të begatë mjetesh të zhdërvjellëta, që kthejnë formën në një precedim të mesazhit estetik. Personazhet stereotipikë, lundrojnë në një intrige imagjinare e të kalibruar, që zhvendoset me një amplitude të thellë filozofike përmes zhbirilimeve fine të kthinave të shpirtit, deri tek imperativat dialektike, bëjnë që libri të jetë një vitrinë e re e vendit që duhet te zë tregimi në botën letrare. Frymëzimi është kapriçoz, ashtu si era që fryn ku i pëlqen (Henri-Frederic Amiel), ashtu edhe ndjesitë e autores janë të paparashikueshme, shpesh radikale dhe sfiduese, por gjithmonë shëruese…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.